BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko, në Tryezën e Rrumbullakët me temë: ''Energjia dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm Ekonomik - Roli i Diplomacisë Ekonomike''

Data e publikimit: 21.02.2018

 

I nderuar zoti Ndroqi,

I nderuar zoti Ministër,

I nderuar zoti Ambasador,

Të nderuar të ftuar,

E prita me kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në këtë takim, për vetë faktin se çështjet e rritjes ekonomike, të zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe të integrimit evropian të vendit, duhen parë si tema të integruara dhe të ndërvarura.

Jam i bindur se kjo tryezë e rrumbullakët do t’i shërbejë identifikimit të këtyre varësive dhe ndërtimit të strategjive të integruara të zhvillimit.

Realitetet e sotme ekonomike, financiare dhe gjeopolitike, diktojnë zgjerimin e fushës së analizës dhe zgjerimin e perspektivës së politikave tona ekonomike. Procesi i globalizimit, zgjerimi i tregjeve dhe integrimi i zinxhirëve të prodhimit, janë një sfidë me të cilën po përballemi e do të përballemi gjithnjë e më shumë në të ardhmen. Si çdo sfidë, ajo mund të sjellë përfitime, nëse administrohet si duhet, por edhe kosto e humbje, nëse nuk kuptohet dhe nuk trajtohet në kohë. Në anën pozitive, integrimi dhe globalizimi iu ofron vendeve në zhvillim, kapitale financiare dhe iu mundëson akses në tregje më të mëdha. Në anën negative, integrimi dhe globalizimi forcon konkurrencën midis produkteve, midis kompanive, por edhe midis vendeve.

Në këtë fjalë përshëndetëse, dëshiroj të ndaj me ju këndvështrimin tim personal mbi rolin dhe rëndësinë e diplomacisë ekonomike. Por, përpara se të parashtroj këtë këndvështrim, më lejoni të them dy fjalë mbi stadin aktual dhe perspektivat e zhvillimit të ekonomisë shqiptare.

Javën e shkuar, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë kreu analizën periodike tremujore të ekonomisë dhe të tregjeve financiare shqiptare. Në bazë të informacionit të disponuar, ne konkluduam se ekonomia shqiptare vijon të karakterizohet nga një moment pozitiv zhvillimi. 

 dsc5849-2 - copy

Rritja ekonomike e vitit 2017 pritet të luhatet në intervalin 3.5% - 4%. Rritja e kërkesës ka mundësuar rritjen e prodhimit dhe, në një zinxhir virtuoz pasojash, është shoqëruar me zgjerimin e punësimit, përmirësimin e gjendjes financiare të familjeve dhe të bizneseve, si dhe reduktimin e zhbalancimeve ekonomike e financiare.

Pavarësisht dobësive, të cilat vijojnë të jenë ende të pranishme, rritja ekonomike po merr një bazë gjithnjë e më të gjerë. Në aspektin sektorial, zgjerimi i prodhimit ka pasqyruar kontributin pozitiv të pothuajse të gjithë sektorëve: industrisë, shërbimit, ndërtimit dhe bujqësisë. Në aspektin e burimit të shpenzimeve, rritja ekonomike ka pasqyruar fuqizimin e konsumit familjar, trendin pozitiv të investimeve të brendshme dhe të huaja, si dhe rritjen e eksporteve shqiptare, e në veçanti të eksportit të shërbimeve të turizmit. Së fundi, në aspektin e politikave të zhvillimit, rritja ekonomike ka pasqyruar stimulin monetar dhe konsolidimin fiskal, të cilët kanë mundësuar norma të ulëta interesi dhe likuiditet të bollshëm në tregje, si dhe politikat e kujdesshme mbikëqyrëse e rregullatore që kemi ndjekur, politika të cilat kanë mundësuar një sistem financiar të shëndetshëm, fitimprurës dhe të aftë për kreditim.

Stabiliteti ekonomik dhe financiar i vendit, fuqizimi i burimeve të rritjes, por edhe përmirësimi i ambientit ekonomik botëror, na bëjnë optimistë për të ardhmen. Natyrisht, neve si politikëbërës, na mbetet shumë punë për të bërë, në mënyrë që këto premisa pozitive t’i shndërrojmë në realitet. Ne jemi të ndërgjegjshëm për këtë dhe mendoj se rekordi ynë pozitiv në të shkuarën është dëshmi e seriozitetit, përkushtimit dhe e rezultateve tona.

Megjithatë, nga këndvështrimi im si Guvernator, jam i bindur se ne mund dhe duhet të bëjmë më shumë. Më lejoni të identifikoj tre drejtime kryesore, në të cilat mund të orientohet diplomacia ekonomike.

 dsc5879-2 - copy

 

Së pari, diplomacia ekonomike duhet të synojë rritjen e interesit për investimin e kapitaleve të huaja në Shqipëri. Gjatë pesë viteve të fundit, investimet e huaja direkte kanë qenë rreth nivelit mesatar 8.7% të PBB-së, ose rreth 870 milionë euro në vit, duke na renditur në vendin e dytë në rajon, pas Malit të Zi. Megjithatë, Shqipëria vijon të mbetet e parafundit në rajon sa i takon stokut të investimeve të huaja dhe vijon të mbetet një vend që ka uri për investime kapitale, në të gjithë sektorët ekonomikë.

Së dyti, ne duhet të bëjmë më shumë për të pasur një shpërndarje më të mirë sektoriale të këtyre investimeve. Sipas informacionit që disponojmë, rreth 23% e investimeve të huaja janë përqendruar në sektorin e energjetikës dhe kjo është padyshim diçka inkurajuese sa i takon perspektivës së zhvillimit të këtij sektori. Por, nga ana tjetër, sektorë me potencial të lartë zhvillimi, si industria përpunuese, kanë mbetur relativisht mbrapa në tërheqjen e investimeve të huaja.

Së treti, diplomacia ekonomike mund të bëhet më shumë pjesë e përpjekjeve për promovimin e brand-it të produkteve shqiptare, pra për zgjerimin e tregjeve dhe për rritjen e penetrimit të produkteve tona në këto tregje.

***

Të nderuar pjesëmarrës,

Në përfundim, do të doja të shtoja diçka lidhur me sektorin e energjisë dhe kreditimin e tij nga sektori bankar. Sektori bankar ka qenë gjithmonë i interesuar të mbështesë me investime sektorin e energjisë. Para disa vitesh, janë bërë disa ndryshime ligjore të ligjit për koncesionet, të cilat kanë hapur rrugën ligjore të investimit në fushën e energjisë. Sektori financiar i cili përbëhet kryesisht nga bankat - ato zënë mbi 90% të sektorit financiar - ka shfaqur një interes të konsiderueshëm për të mbështetur me kreditim projektet e energjisë së rinovueshme, kryesisht hidrocentralet. Këto kredi zënë një peshë të konsiderueshme në kreditë e dhëna nga bankat tregtare.  Sigurisht që kriza e vitit 2008 dhe goditja që pasoi në sektorin financiar dhe ekonominë shtrëngoi kriteret e kreditimit të bankave tregtare. Ky shtrëngim ndodhi në të gjithë sektorët, përfshi dhe sektorin e energjisë, megjithatë kreditimi ka vazhduar. Bankat kanë vazhduar të mbështesin ato projekte që plotësojnë kriteret dhe në vazhdimësi ne shohim një interes për këtë sektor.

Natyrisht që dhe sektori i energjisë është maturuar gjatë kohës, pra ka kuptuar se cilat janë rreziqet dhe se çfarë duhet të plotësojë në mënyrë që të bëhet më i mbështetur me kreditim nga bankat tregtare. Është në interes të përbashkët si të investitorëve në fushën e energjisë ashtu dhe të bankave tregtare. Ky është një nga sektorët më fitimprurës, 23% e investimeve të huaja në Shqipëri janë pikërisht në këtë sektor. Ne presim investime të mëtejshme. Mbështetja e sektorit të energjisë nga bankat do të ishte një element pozitiv në thithjen e investimeve të huaja, pasi shpeshherë dhe investitorët kërkojnë të ndajnë rrezikun bashkë me sistemin financiar shqiptar. Ne si rregullator, e kemi mbikëqyrur dhe e kemi mbështetur sektorin bankar që të stimulojë më shumë sektorin e energjisë, si një nga sektorët kryesorë të industrisë.

Ju falënderoj për këtë tryezë diskutimi dhe jam i hapur për çdo lloj pyetje.