BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Workshop-in XIII të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore të organizuar nga Banka e Shqipërisë

Data e publikimit: 05.12.2019

 

I nderuar Shkëlqesi Ambasador Maître,

Të nderuar të ftuar dhe folës nga akademia, bankat qendrore dhe institucionet kërkimore,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi e madhe për mua të hap punimet e Seminarit XIII të Kërkimit Ekonomik për Evropën Juglindore (EJL), në të cilin prezantohen dhe diskutohen projekte kërkimore të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë  gjatë këtij viti, duke pasur kështu mundësinë të dëgjojmë dhe të marrim komente nga kolegët nga sfera akademike, bankat qendrore dhe institucionet kërkimore në të gjithë botën.

DSC 0649 498

Ky është një aktivitet shumë i rëndësishëm për Bankën e Shqipërisë, pasi të gjitha projektet e diskutuara gjatë dy ditëve të Seminarit janë hartuar për t’i ardhur në ndihmë analizës, vendimmarrjes dhe zbatimit të politikës monetare dhe stabilitetit financiar, si dhe aspekteve të tjera të bankingut qendror.

Bazuar në analiza të kujdesshme dhe rigoroze, politikat tona kanë qenë të suksesshme në ruajtjen e stabilitetit monetar, makroekonomik dhe financiar. Me gjithë vështirësitë e hasura, ekonomia jonë ka regjistruar norma pozitive rritjeje dhe sistemi ynë bankar ka qenë i qëndrueshëm. Sektori bankar është i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës, kreditë me probleme janë ulur dhe bankat po vazhdojnë ta mbështesin aktivitetin ekonomik me kredi, ndërkohë që menaxhojnë edhe goditjet e mundshme që burojnë nga sektori i jashtëm i ekonomisë.

Agjenda e seminarit të këtij viti është e larmishme dhe përfshin fushat më të rëndësishme të kërkimit, në lidhje me veprimtarinë tradicionale të bankingut qendror. Gjatë këtyre dy ditëve, diskutimet do të përqendrohen tek politika monetare, stabiliteti financiar, modelimi dhe parashikimi ekonomik, vlerësimi dhe administrimi i rreziqeve, të cilët janë instrumentet tradicionale të bankës qendrore dhe duhet të përmirësohen vazhdimisht. Megjithatë, dëshiroj të theksoj se, përveç temave tradicionale, në seminar do të diskutohen edhe kërkime në fusha të reja dhe të rëndësishme, siç janë: digjitalizimi i shërbimeve financiare, reformat strukturore, kujdesi shëndetësor dhe ndikimet e tij për objektivat e bankës qendrore dhe mirëqenien kombëtare. Zhvillimet teknologjike të cilat tronditin financën tradicionale duke sjellë progres në produktet e dhe tregjet financiare, si dhe zhvillimet demografike paraqesin disa nga sfidat më të rëndësishme për shoqëritë dhe institucionet tona. Prandaj, është e rëndësishme që këto dukuri të studiohen dhe të kuptohen saktë.

Gjithashtu, presim me entuziazëm diskutimin e gjetjeve dhe hulumtimeve nga një numër autorësh nga bota akademike, bankat qendrore dhe institucionet e tjera kërkimore. Idetë dhe metodologjitë që janë pjesë e hulumtimeve të tyre do të ofrojnë këndvështrime të reja për studiuesit dhe ekonomistët tanë, do t'i ndihmojnë ata ta pasurojnë agjendën e tyre të kërkimit dhe të gjejnë mundësi bashkëpunimi në të ardhmen.

Jam i bindur se kërkimi shkencor në fushat që do të trajtohen këtu, apo dhe në fusha të tjera të reja, si efekti i ndërsjellët i ekonomisë e financës me zhvillimet ekologjike apo siç quhet ndryshe ekonomiksi dhe financa e gjelbër, do të zhvillohet më tej për t’u bërë tema tradicionale në agjendat e kërkimit të bankave qendrore. Për këtë arsye, i sfidoj kërkuesit tanë t’i marrin parasysh këto tendenca në kërkimet  e tyre të ardhshme, duke vlerësuar se përmirësimi i vazhdueshëm i temave dhe metodologjive të kërkimit është domosdoshmëri për një bankë qendrore.

Ndaj, gjej rastin të falënderoj Shtetin Zviceran, Ambasadorin Maître, Sekretariatin Zviceran të Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Programin e Asistencës Dypalëshe për ngritjen e kapaciteteve të bankave qendrore (BCC) për mbështetjen e veprimtarisë kërkimore në Bankën e Shqipërisë. Ky bashkëpunim ka qenë një instrument i rëndësishëm për përmirësimin e punës sonë kërkimore dhe paraqitjen e saj para komunitetit akademik ndërkombëtar të kërkimeve. Bashkëpunimi ynë do të vazhdoje edhe në të ardhmen për përmirësimin e vazhdueshëm të metodologjive dhe produkteve të kërkimit shkencor. Aktualisht, jemi duke punuar me SECO-n në drejtim të përsosjes dhe institucionalizimit të agjendës së kërkimit dhe zbatimit të punës kërkimore në bankat qendrore. Këto çështje të rëndësishme do të diskutohen në një seminar të përbashkët në Tiranë me të gjithë partnerët e Programit të Asistencës Dypalëshe për ngritjen e kapaciteteve të bankave qendrore, që do te zhvillohet në Tiranë në pranverën e vitit 2020.  

 

Të nderuar pjesëmarrës dhe të ftuar,

Seminari ynë i Kërkimit është bërë një traditë e vyer për Bankën e Shqipërisë dhe bankat qendrore të rajonit të Evropës Juglindore, dhe me kënaqësi vërejmë që ai vazhdon të ngjallë interes edhe përtej rajonit dhe komunitetit te bankave qendrore. Këtë vit, lista e pjesëmarrësve është zgjeruar duke përfshirë folës nga institucione akademike apo institucione financiare, kombëtare dhe ndërkombëtare nga BE, SHBA dhe nga Azia Juglindore.

Pjesëmarrja juaj ndihmon zgjerimin dhe pasurimin e rrjetit të bashkëpunëtorëve tanë dhe shpresojmë që diskutimet t’i shërbejnë studiuesve pjesëmarrës për të përmirësuar punën e konkluzionet dhe duke i bërë ato më të vlefshme për vendimmarrjen ekonomike. Kjo pjesëmarrje bëhet edhe më domethënëse në vijim të pasojave të rënda të shkaktuara nga tërmeti i fortë që disa ditë më parë goditi vendin tonë. Kjo na jep forcë që pavarësisht humbjeve, ne të vazhdojmë punën tonë për të kapërcyer vështirësitë me të cilat po përballemi, si në rrafshin emocional ashtu edhe në atë ekonomik, dhe t’ia dalim mbanë t’i kthehemi jetës dhe aktiviteteve tona të përditshme institucionale.   

I uroj shumë sukses punimeve të Seminarit, si dhe një qëndrim sa më të këndshëm në Tiranë të gjithë të ftuarve dhe pjesëmarrësve të ardhur nga larg!