BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare, 6 nëntor 2019

Data e publikimit: 06.11.2019

 

Të nderuar përfaqësues të medias,

Sot, në mbledhjen e datës 6 nëntor 2019, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare.

Informacioni i ri i marrë në analizë ka qenë përgjithësisht në linjë me pritjet tona. Rritja ekonomike vijoi të jetë e ngadaltë në tremujorin e dytë, në linjë me ecurinë e vënë re gjatë tremujorit paraardhës, ndërsa që inflacioni mbeti në nivele të ulëta dhe poshtë objektivit në tremujorin e tretë.

DSC 8425 - Copy 498

Në opinionin e Këshillit, kjo ecuri është diktuar më së shumti nga goditje të përkohshme të ofertës. Si e tillë, ajo nuk ndryshon në mënyrë të ndjeshme pritjet tona për ecurinë e ekonomisë në afatin e mesëm.

Parashikimet tona, në skenarin e tyre bazë, sugjerojnë se ritmi i rritjes ekonomike do të vijë në përmirësim gjatë dy viteve të ardhshme, duke mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda këtij horizonti kohor. Në këto rrethana, qëndrimi aktual stimulues i politikës sonë monetare vlerësohet të jetë i përshtatshëm.

Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vëren se rreziqet e kahut të poshtëm janë forcuar dhe se materializimi i tyre mund të diktojë një lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare.

Në vijim do të paraqes më në detaje konkluzionet e raportit dhe arsyet e vendimmarrjes.

***

Inflacioni mesatar i tremujorit të tretë rezultoi në vlerën 1.4%, nivel ky i njëjtë me atë të regjistruar në tremujorin paraardhës. Kontributi në rënie i inflacionit të mallrave të konsumit joushqimor dhe i shërbimeve të strehimit u kompensua nga inflacioni më i lartë i artikujve të kategorisë së shërbimeve dhe i mallrave të konsumit afatgjatë.

Në planin makroekonomik, ecuria e çmimeve ka pasqyruar forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste dhe rënien e inflacionit në vendet partnere. Duke parë nga e ardhmja, Banka e Shqipërisë gjykon se rritja e pagave dhe e kostove të prodhimit, si dhe stabilizimi i kursit të këmbimit, do të krijojnë premisa për kthimin gradual të inflacionit në objektiv.

DSC 8413 - Copy 498

Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 2.3% në tremujorin e dytë të vitit. Rritja ekonomike është mbështetur nga zgjerimi i konsumit publik dhe privat, ndërkohë që eksportet neto dhe investimet kanë shënuar rënie.

Ashtu si dhe në tremujorin e parë, ngadalësimi i ritmit të rritjes pasqyron rënien e prodhimit dhe të eksportit të energjisë elektrike, efektet tranzitore të mbylljes së lojërave të fatit, dhe hyrjen në fazën përfundimtare të punimeve në një projekt madhor energjetik. Këto efekte do të jenë të pranishme edhe në gjysmën e dytë të vitit. Për rrjedhojë, ritmi i rritjes ekonomike në këtë periudhë pritet të jetë i krahasueshëm me atë të gjysmës së parë, por të vijë në përshpejtim dy vitet në vazhdim.

Zgjerimi i vëllimit të aktivitetit ekonomik ka pasqyruar kostot e ulëta të financimit të konsumit dhe investimeve, bilancet e përmirësuara të agjentëve ekonomikë, si dhe rritjen e të ardhurave nga aktiviteti i turizmit. Kombinimi i stimulit monetar, konsolidimit fiskal dhe forcimit të shëndetit të sektorit bankar, ka prodhuar një ambient makroekonomik të favorshëm për rritje.

Në veçanti, ambienti i brendshëm financiar paraqitet stimulues, në përgjigje të politikës monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Ecuria e kursit të këmbimit shfaqet relativisht e stabilizuar: raporti i këmbimit të lekut me euron është më afër ekuilibrit, ndërsa luhatjet e tij duket se janë diktuar nga faktorë sezonalë. Primet e rrezikut në tregjet financiare janë të ulëta, ndërsa gjendja e likuiditetit është e kënaqshme. Normat e interesit të kredive, depozitave dhe të letrave me vlerë të qeverisë janë pranë niveleve minimale, duke nxitur rritjen e kredisë dhe duke inkurajuar rritjen e konsumit dhe të investimeve.

Kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 7.5% në tremujorin e tretë. Përshpejtimi i ritmit të rritjes i dedikohet si zgjerimit të kërkesës, ashtu dhe përmirësimit të ofertës së kredisë bankare. Kjo e fundit, pasqyron jo vetëm përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit të kreditit dhe të bilancit të sektorit bankar - sikundër tregohet nga rënia në nivelin 10.6% e raportit të kredive me probleme – por edhe rritjen e konkurrencës në sistem, me përfundimin e procesit të konsolidimit të sektorit bankar. Nga pikëpamja e kompozimit, përshpejtimi i ritmit të rritjes së kredisë ka pasur një bazë të gjerë, në terma të strukturës valutore, të përfituesve, si dhe të destinacionit të saj. Ky është një sinjal tjetër inkurajues për zgjerimin e kredisë në të ardhmen.

Politika fiskale vijon të ruajë kahun e saj konsolidues, por intensiteti i konsolidimit fiskal është ulur. Ky zhvillim pasqyron rritjen më të shpejtë të shpenzimeve në raport me të ardhurat publike, ndonëse deficiti buxhetor vijon të mbetet në nivele të ulëta. Banka e Shqipërisë vijon të theksojë rëndësinë e forcimit të shëndetit të financave publike, nëpërmjet ruajtjes së fokusit në kontrollin e deficitit buxhetor dhe nëpërmjet reformave të mëtejshme për përmirësimin e administrimit të financave publike.

Zgjerimi i mëtejshëm i kërkesës agregate ka mundësuar rritjen e vazhdueshme të punësimit dhe rënien e normës së papunësisë. Kjo e fundit shënoi vlerën 11.5% në tremujorin e dytë, duke regjistruar nivelet minimale historike të këtij treguesi. Rritja e kërkesës për punë ka krijuar premisa për rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit. Sipas të dhënave të INSTAT-it, niveli i pagës mesatare në ekonomi u rrit me 4.5% në tremujorin e dytë, duke vijuar trendin pozitiv të nisur prej vitit 2017.

***

Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare do të vijojë të qëndrojë në një trend pozitiv rritjeje gjatë horizontit afatmesëm, duke siguruar një shfrytëzim gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese.

Projeksionet e skenarit tonë bazë sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të kthehet në ekuilibër gjatë vitit të ardhshëm, duke krijuar premisa për rritje më të shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit. Së bashku me stabilizimin e pritur të kursit nominal të këmbimit, ato do të ndihmojnë në kthimin e inflacionit në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2021.

***

Duke gjykuar mbi këto parashikime, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Në këto rrethana, ai vendosi:

  • Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin aktual prej 1.00%; dhe,
  • Të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%.

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se përmbushja e parashikimeve të skenarit bazë do të kërkojë ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare edhe në afatin e mesëm. Ky skenar parashikon se normalizimi i politikës monetare do të jetë mjaft gradual dhe – në çdo rast – fillimi i tij nuk do të jetë më i hershëm se tremujori i dytë i vitit 2020.

Nga ana tjetër, Këshilli Mbikëqyrës konstaton se rreziqet e kahut të poshtëm mbeten të pranishme. Këto rreziqe burojnë si nga ambienti i jashtëm, ku ekonomia e Eurozonës po shfaqet në ngadalësim të vazhdueshëm, ashtu dhe nga ai i brendshëm, ku tensioni politik vazhdon të induktojë pasiguri dhe ku goditje të papritura në kursin e këmbimit mund ta shmangin atë më tej nga ekuilibri. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se materializimi i këtyre goditjeve mund të kërkojë një rishikim në kahun lehtësues të qëndrimit të politikës monetare.

Së fundi, në dritën e zhvillimeve të fundit në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë nevojën e ruajtjes së ankorave aktuale të politikave ekonomike dhe të vijimit e përshpejtimit të mëtejshëm të reformave strukturore.