BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në takimin e 43-të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit

Data e publikimit: 02.06.2020

 

Të nderuar Guvernatorë,

Po jetojmë në një kohë të ndikuar thellësisht prej pandemisë Covid-19.

Përveç se është një nga krizat shëndetësore më të rënda që kemi kaluar, ajo është kthyer gjithashtu në një nga sfidat më serioze ekonomike të historisë bashkëkohore. Përhapja e pandemisë, kombinuar me masat e forta të ndërmarra për të parandaluar infektimin e mëtejshëm, zvogëluan në mënyrë të paprecendentë lëvizjen e njerëzve, të mallrave dhe të shërbimeve. Rënia e njëkohshme e kërkesës dhe e ofertës ka shkaktuar një rënie të shpejtë të prodhimit, shtim të menjëhershëm të papunësisë, vështirësi të mëdha për familjet dhe bizneset, dhe ka parashtruar sfida të ndërlikuara për politikëbërjen publike.

Shqipëria nuk bën përjashtim nga kjo tablo e zhvillimeve ndërkombëtare. Ne po përballemi me një kontraktim ekonomik, ndër më të fortët në dy dekadat e fundit.

DSC 6635 498

Paketa tërësore e politikave ekonomike stimuluese për të minimizuar efektet negative është implementuar  në kohë optimale dhe ka ndikim gjithëpërfshirës. Objektivi i saj ka qenë i trefishtë: (i) ofrimi i financimit të nevojshëm për të përballuar emergjencën shëndetësore; (ii) mbrojtja e familjeve dhe e bizneseve të prekura nga kriza, me qëllim minimizimin e humbjeve në kapacitetet prodhuese; dhe (iii) ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar.

Për shkak të dinamikës së shpejtë dhe të madhësisë së emergjencës, politika fiskale luan rol parësor në përballimin e situatës, duke kompensuar pjesërisht humbjet e të ardhurave për familjet dhe duke ofruar mbështetje me likuiditet për bizneset e prekura nga situata. Madhësia e paketës së stimulit fiskal në Shqipëri vlerësohet në rreth 3% të PBB-së, dhe përfshin stimuj në formën e transfertave fiskale për individët, shtyrjes së pagesës së taksave dhe të tatimeve, dhe garancive sovrane për të lehtësuar marrjen e kredisë bankare. Sipas këndvështrimit tonë, rritja e borxhit publik është një kosto e pranueshme kur krahasohet me impaktin e saj në lehtësimin e ndikimit social të krizës, në shmangien e falimentit në shkallë të gjerë të bizneseve dhe në mënjanimin e impaktit të thellë negativ që këto falimente do të kishin mbi stabilitetin financiar të vendit.

Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë ishte e shpejtë. Veprimet tona patën për qëllim arritjen e tre objektivave: (i) sigurimin e ofrimit normal të shërbimeve financiare gjatë kohës së mbylljes së aktivitetit ekonomik; (ii) reduktimin e kostove të shërbimit të borxhit të agjentëve ekonomikë; dhe (iii) ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar, si një parakusht i domosdoshëm për një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë.

Në lidhje me këtë:

  • Banka e Shqipërisë shtoi stimulin monetar me anë të uljes së normës bazë të interesit, në një minimum të ri historik prej 0.5%, si dhe me anë të rritjes së injektimeve të likuiditetit në treg.
  • Për më shumë, ne udhëzuam bankat të ofrojnë lehtësi likuiditeti për biznese të ndryshme që hasin vështirësi të përkohshme, si për shtyrjen e pagesave për një periudhë afatshkurtër ashtu edhe në formën e ristrukturimit të kredive aty ku është e nevojshme. Ne e lehtësuam këtë proces nëpërmjet ndryshimeve specifike, por të përkohshme të kuadrit rregullator që i udhëheq këto aktivitete.
  • Vendosëm heqjen përkohësisht të komisioneve mbi përdorimin e platformave të pagesave elektronike, si dhe nxorëm udhëzime të detajuara për bankat me qëllim që të lehtësojmë vazhdimësinë e veprimtarisë së tyre.

Duke parë nga e ardhmja, pasiguritë përreth dëmit ekonomik të shkaktuar nga pandemia janë jashtëzakonisht të mëdha. Megjithëse çdo projeksion pikësor mbi ecurinë e ekonomisë është ende për t’u vlerësuar, skenari ynë bazë – dhe njëkohësisht rasti më i mirë i ecurisë së ekonomisë në të ardhmen - parashikon një rimëkëmbje në formë V-je, duke nisur nga tremujori i tretë i vitit 2020.

Deri më sot, sistemi bankar shqiptar mbetet solid, me aftësi paguese të qëndrueshme dhe likuid. Për më shumë, tregjet tona të brendshme financiare janë të qeta dhe kushtet financiare mbeten mbështetëse ndaj rritjes së kredisë.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka njoftuar planet e saj për të aktivizuar instrumente jokonvencionale të politikës monetare, në rast se kriza thellohet dhe përdorimi i tyre do të ishte i nevojshëm dhe i pashmangshëm. Implementimi i këtyre instrumenteve do të jetë gjithnjë në përputhje me kuadrin tonë ligjor, dhe në varësi të realiteteve të tregut tonë të brendshëm ekonomik dhe financiar. Për më shumë, çdo stimul financiar dhe monetar i ofruar nga Banka e Shqipërisë do të ndërmerret pa dëmtuar as stabilitetin financiar dhe as shëndetin e sektorit bankar në vend.

Ne besojmë në një ndarje të drejtë të kostove ndërmjet sektorit publik, privat dhe atij financiar. Megjithatë, çdo përpjekje për të vendosur një shumë joproporcionale të kostove në bilancet e sektorit bankar do të rezultonte kundërproduktive dhe në dëm të rikuperimit të ekonomisë në një fazë të dytë.

Së fundmi, më lejoni të them se, një rimëkëmbje e plotë nga pandemia ka nevojë për një shkallë të gjerë bashkëpunimi ndërkombëtar. Rajoni i Evropës Juglindore dhe Lindore përfshin vende me ekonomi të vogla dhe të hapura, të cilat mbështeten në tregti dhe në financim për t’u zhvilluar ekonomikisht e për të konverguar me standardet e Bashkimit Evropian. Çdo kthim pas në procesin e integrimit rajonal dhe evropian do të na dëmtonte thellësisht.

Këto janë sfidat e tona në të ardhmen, ndërkohë që lëmë pas pandeminë. Sigurisht nuk është një rrugë e shtruar, por jam i sigurt se ne do t’ia dalim me sukses!

Faleminderit për vëmendjen tuaj!