BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në takimin përmbyllës të vitit 2018 të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave

Data e publikimit: 13.12.2018

 

I nderuar Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave,

I nderuar Ministër i Financave dhe Ekonomisë,

Të nderuar drejtues dhe kolegë të sistemit bankar në Shqipëri,

Zonja dhe zotërinj, 

Është një kënaqësi e veçantë të marr pjesë në këtë takim të fundvitit, të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Do të dëshiroja që me këtë përshëndetje të shkurtër të sjell në vëmendjen tuaj disa nga momentet kyç të vitit, ku sistemi bankar e ai financiar në tërësi kanë dhënë kontributin e tyre, përfshirë dhe disa piketa të rëndësishme që kemi vendosur për vitin 2019. Më lejoni të ndalem fillimisht në situatën e përgjithshme ekonomike të vendit.

DSC 7561-2 - 498

Ecuria e përgjithshme e ekonomisë shqiptare, gjatë vitit 2018, duhet vlerësuar si pozitive. Rimëkëmbja ekonomike është e prekshme në gjithë dimensionet e saj. Ritmi i rritjes është përshpejtuar, punësimi është rritur, ekuilibrat e brendshëm dhe të jashtëm të vendit janë forcuar, ndërkohë që treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar paraqiten në përmirësim.

Inkurajues është fakti se burimet e rritjes ekonomike janë në rritje dhe të mirëdiversifikuara. Nga ana e kërkesës agregate, rritja ekonomike u mbështet nga rritja e eksporteve të mallrave e shërbimeve, si dhe nga rritja e konsumit dhe e investimeve të brendshme. Ndërkohë, nga një këndvështrim sektorial, zgjerimi i aktivitetit ekonomik reflekton një kontribut më të spikatur të prodhimit në sektorin e industrisë dhe në atë të shërbimeve. Së fundi, duke gjykuar nga ecuria e faktorëve makroekonomikë, rritja ekonomike është ndihmuar nga ambienti financiar stimulues, nga ecuria më e favorshme e partnerëve tanë tregtarë, nga bilancet e përmirësuara financiare, si dhe nga një këndvështrim më optimist i bizneseve dhe familjeve për të ardhmen.

Të gjitha këto sa rendita, janë arsye të mjaftueshme për të qenë optimist mbi perspektivën e rritjes ekonomike gjatë vitit të ardhshëm dhe në vazhdim. Ndër të tjera, Shqipëria ndodhet edhe përpara një momenti madhor në rrugën e saj të zhvillimit e integrimit: çeljen e pritur të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këto negociata duhen parë domosdoshmërish si një ankorë e rëndësishme zhvillimi dhe si një garanci shtesë për investitorët vendas e të huaj.

Viti që po mbyllet konfirmoi qëndrueshmërinë e sektorit bankar shqiptar. Ai mund të vlerësohet i veçantë për vetë faktin që sistemi përjetoi ndryshime strukturore të rëndësishme, të cilat priten të finalizohen në vitin që po hyjmë. Veprimtaria e sektorit vijoi të zgjerohej, duke mbetur e mirëkapitalizuar, likuide dhe me fitim. Raporti i kredive të këqija vijoi përmirësimin, duke kapur vlerën më të ulët të këtyre 8 viteve të fundit, 12.89% në shtator, ndërkohë që edhe depozitat përjetuan rritje, e cila u kanalizua në investime në tituj, dhe më pak në kreditim. Sigurisht, mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe fshirjet e kredive të humbura, kanë ndikuar statistikisht në treguesit e ecurisë së kredisë, ndërkohë që niveli i kreditimit në monedhën vendase ka vijuar të dominojë mbi atë në valutë. Megjithatë përtej kësaj, vlerësoj se niveli i përgjithshëm i kreditimit të ekonomisë është ende larg potencialit dhe mundësitë për të zgjeruar kredidhënien janë të shumta.

Mirëkuptoj deri diku faktin që në këtë fenomen ndërthuren probleme si nga ana e kërkesës së dobët, ashtu edhe nga një ofertë e kushtëzuar nga standardet e shtrënguara të kreditimit. Megjithatë përtej faktorëve strukturorë, vlerësoj se duhet të reagojmë për të shmangur gjendjen stanjante në kreditimin e ekonomisë. Për një ekonomi që duhet të zhvillohet me ritme të shpejta, për të arritur më pranë niveleve të Bashkimit Evropian, situata duhet të ndryshojë dhe nivelet e kreditimit duhet të jenë më të larta, duke treguar kujdes konstant edhe për shëndetin e tij.

Për më tepër, vlerësoj se është në interesin tuaj financiar, që ta adresoni këtë fenomen me vendosmëri për ta vënë atë në rrugën e zgjidhjes së qëndrueshme. Burimet financiare që dispononi dhe hapësirat e konsiderueshme për financim të ekonomisë, tregojnë që eficienca financiare në veprimtarinë bankare mund të përmirësohet ndjeshëm.

Infrastruktura financiare e sektorit bankar u fuqizua më tej gjatë vitit 2018. Banka e Shqipërisë dhe Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave kanë vënë në zbatim strategjinë kombëtare për fuqizimin e tregut të pagesave me vlerë të vogël dhe rritjen e shkallës së përfshirjes financiare të popullatës. Rezultatet e para janë premtuese dhe ato do të pasohen nga hapa të tjerë të Bankës së Shqipërisë dhe të sektorit për të mundësuar arritjen e objektivit sasior për dyfishimin e popullsisë që zotëron një llogari bankare, deri në vitin 2022.

Përfshirja financiare e popullatës përbën një nga prioritetet e rëndësishme të momentit. Gjatë vitit 2018, Banka e Shqipërisë dhe sektori bankar i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë përfshirjes financiare dhe edukimit financiar të popullatës. Tashmë është vërtetuar se rritja e përfshirjes financiare të popullatës ndikon në rritjen e mirëqenies së saj në mënyrë të harmonizuar. Për këtë qëllim, ndërmjet të tjerash kemi ideuar dhe vënë në zbatim një sërë projektesh edukuese të përshtatura për segmente të ndryshme të popullatës. Edukimi financiar, botimet specifike të natyrës informuese mbi produktet dhe shërbimet bankare, së bashku me zhvillimet në infrastrukturën e pagesave dhe në shërbimet e pagesave, janë hapa konkretë për një mundësi më shumë për akses financiar nga çdo segment i popullatës.

***

Të nderuar përfaqësues të sektorit bankar,

Perspektiva e zhvillimit të vendit mbetet pozitive. Kjo do të thotë se Shqipëria ofron premisa solide biznesi dhe rritjeje për sektorin bankar. Megjithatë, rritja dhe zhvillimi nuk vijnë vetiu. Përkundrazi, ato pasqyrojnë përkushtimin, mundin dhe dedikimin e të gjithëve.

Më lejoni të identifikoj tre sfida, të cilat duhet t’i përballojmë së bashku, ne si rregullator sistemi dhe ju si industri bankare.

Së pari, ritmi i rritjes ekonomike e ka të nevojshme gjetjen e mbështetjes në dinamikën e kreditimit bankar. Arsyet dhe faktorët i kemi diskutuar në shumë forume e analiza. Këtu dëshiroj vetëm të theksoj se rritja e qëndrueshme ekonomike e vendit nuk është e mundur pa rigjallërimin e kredisë bankare. Roli juaj është themelor në këtë drejtim. Sektori bankar ruan kursimet e shqiptarëve, por ai ka për detyrë që këto kursime t’i vendosë në dispozicion të rritjes dhe të zhvillimit të vendit. Pa kredi nuk ka rritje, dhe pa rritje, kursimet e humbasin vlerën e tyre.

Për këtë, është e nevojshme që synimet afatshkurtra, të mos pengojnë adoptimin e një vizioni më strategjik, pra më afatgjatë. Bankat duhet të investojnë në drejtim të zhvillimit të funksioneve që lidhen me konsulencën financiare të klientëve të tyre. Synim konstant mbetet nevoja për ta eksploruar tregun në vazhdimësi, për të identifikuar klientët potencialë veçanërisht familjet dhe bizneset e vogla, dhe më kryesorja për t’i ndihmuar ata në ndërtimin e një projekti të vlefshëm për financim. Në këtë fazë, ulja e përqendrimit dhe diversifikimi i portofolit të kredisë është i rëndësishëm. Kjo kërkon të konceptoni dhe ndërtoni strukturat, proceset dhe produktet e nevojshme, si edhe të planifikoni burimet e duhura financiare. Paralelisht, duhet të vlerësoni pa ndërprerje mjedisin që ju rrethon dhe që ndikon në veprimtarinë tuaj. Në këtë drejtim, nëse ka propozime konkrete lidhur me përmirësime të tjera ligjore apo praktika mbikëqyrëse, ju ftoj t’i formuloni ato zyrtarisht për ne dhe autoritetet e tjera publike, në mënyrë që bashkërisht t’i vendosim sa më shpejt në rrugën e zgjidhjes. Në këtë proces, Banka e Shqipërisë do të jetë gjithmonë mbështetëse e nismave që çojnë në përmirësimin e niveleve të ndërmjetësimit financiar dhe ruajnë qëndrueshmërinë e sektorit bankar e të sistemit financiar.

Së dyti, ambicia jonë duhet të shkojë përtej normave të rritjes 3, 4 apo 5% në vit. Vendi ka nevojë për më shumë optimizëm, çka do të thotë se ka nevojë për norma më të larta rritjeje dhe për më shumë reforma strukturore. Sektori bankar ka si një rol direkt dhe një rol indirekt në këtë drejtim. Roli direkt është ai i zhvillimit të mëtejshëm të tregut dhe produkteve bankare – në linjë me eksperiencat më të mira botërore. Po ashtu, vazhdimi i pandërprerë i punës në drejtim të uljes së mëtejshme të nivelit të kredive të këqija nuk duhet neglizhuar aspak, dhe duhet të konsiderohet nga të gjithë ne si një faktor kyç në forcimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar në vend dhe zgjerimin e frymëmarrjes ekonomike. Nga ana tjetër, roli indirekt është bashkëpunimi që mund t’iu ofroni shumë reformave strukturore në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe në të gjitha dimensionet e klimës së biznesit. Ekspertiza që gjendet në gjirin tuaj nuk është e pakët. Kjo ekspertizë duhet të jetë një zë autoritar në debatin ekonomik.

Së treti, duke vlerësuar bashkëpunimin e Bankës së Shqipërisë me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe bankat e nivelit të dytë në organizimin e aktiviteteve edukuese, dëshiroj të theksoj rëndësinë e edukimit financiar dhe përfshirjes financiare. Ndërkohë që shërbimet dhe produktet financiare zhvillohen dhe bëhen më të ndërlikuara, edukimi financiar ndihmon përdoruesit t’i njohin dhe mirëpërdorin ato, ndihmon parandalimin e krizave financiare, si dhe kontribuon në stabilitetin financiar dhe rritjen ekonomike të vendit. Ne duhet të vijojmë të jemi promotorët kryesorë në vend për sa i përket hartimit dhe zbatimit të programeve të edukimit financiar. Kultura financiare është një investim për të ardhmen dhe ajo duhet të vijojë të jetë pjesë e agjendave tona, duke u angazhuar më shumë në zbatimin e metodave alternative dhe novatore për rritjen e edukatës financiare të publikut.

Në përfundim, më lejoni t’ju garantoj edhe njëherë se Banka e Shqipërisë do të jetë një partner luajal, mbështetës dhe serioz në përmbushjen e mandatit të saj ligjor. Vendimmarrja jonë do të jetë transparente dhe të gjitha nismat tona do të udhëhiqen nga fryma e bashkëpunimit me sektorin, për të synuar eficiencë sa më të lartë.

Duke ju uruar një vit të mbarë dhe suksese në punë e në familjet tuaja,

 

Ju falënderoj për vëmendjen!