BANKA E SHQIPËRISË

Fjala e Guvernatorit në Komisionin e Ekonomisë, të Financave dhe të Buxhetit

Data e publikimit: 08.12.1999

 
Të nderuar deputetë,


Jam sot përpara jush për të diskutuar dhe për të raportuar mbi zhvillimet ekonomike, monetare, valutore e bankare gjatë vitit 1999, realizimin e objektivave si dhe parashikimin e tyre për vitin 2000. Nga zhvillimet e vërejtura deri më tash vlerësohet se realizimi i objektivave finalë të programit ESAF për vitin 1999 është praktikisht i arritur.

Në tërësi gjykohet se do të realizohet objekivi i rritjes ekonomike, do të realizohen të tre objektivat sasiorë që ndjek Banka e Shqipërisë në lidhje me politikën monetare, do të respektohen kufijtë e vendosur për deficitin buxhetor dhe financimin me burime të brendshme të tij, niveli i inflacionit vjetor në fund të vitit do të jetë shumë poshtë objektivit të vendosur dhe deficiti i llogarisë korente në raport me PBB-në pritet të ketë një nivel më optimist se ai i parashikuar. Tashmë mund të them me bindje të plotë se në tërësi ngjarjet e periudhës prill-qershor të këtij viti, nuk e keqësuan situatën ekonomike ashtu siç e parashikuam në fillim të konfliktit. Ndihma e menjëhershme dhe bujare e Komunitetit
Ndërkombëtar e lehtësoi barrën që u krijua.

Nga ana tjetër, kthesa që morën ngjarjet i hapi perspektiva të tjera Shqipërisë nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik. Është mëse e mjaftueshme të përmenden Pakti i Stabilitetit për rajonin e Ballkanit si dhe krijimi i hapësirës së re për aktivitet ekonomik në Veri të Republikës së Shqipërisë. Stabiliteti relativ makroekonomik dhe politik i arritur gjatë këtyre dy viteve duhet të na shërbejë si bazë për të parë më me optimizëm vitin 2000. Këto ide materializojnë objektivat e vendosur për vitin e ardhshëm. Gjithashtu, vëmendja në të ardhmen duhet përqendruar në ato çështje të cilat nuk kanë gjetur zgjidhje deri më sot dhe që përbëjnë kërcënim për stabilitetin e vendit.

Lexo fjalën e plotë të Guvernatorit.