BANKA E SHQIPËRISË

Fjala e Guvernatorit në drekën e kortezisë për nder të z.Kemal Dervis në Konferencën e 4-t të Bankës së Shqipërisë.

Data e publikimit: 12.09.2003

 

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Përpara se t'i jap fjalën z.Kemal Dervis më lejoni të them disa fjalë për këtë mik të madh të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kemal Dervis ka fituar famë ndërkombëtare, veçanërisht gjatë vitit të fundit, në ndihmën e çmuar ndaj Qeverisë Turke, pikërisht në kohën kur ajo po përballej me krizën më të rëndë ekonomike në historinë e saj moderne. Duke qenë një nga politikëbërësit më të besueshëm të tregjeve në tranzicion, z.Dervis gëzon, që nga viti 1998, postin e nderuar të një zyrtari të lartë në Bankën Botërore.

Pa dyshim, ne si shqiptarë, i jemi mjaft mirënjohës z.Dervis për kontributin e shquar personal dhe institucional, sepse siç e dimë të gjithë, Banka Botërore ka qenë një nga donatoret dhe mbështetëset më të mëdha të Shqipërisë gjatë 12 viteve tranzicioni. Për popullin turk, e jo vetëm për të, Kemal Dervis, është frymëzuesi i mesazheve që i bëjnë thirrje integrimit evropian dhe global; ai është politikani modern që ka zëvendësuar ata tradicionalë, dhe për popullin turk, ai është si vesa e mëngjesit. Me një njohuri të shquar të situatës ekonomike dhe politike të rajonit, dhe në veçanti të rastit të Shqipërisë, Kemal Dervis gëzon simpatinë e padiskutueshme të shqiptarëve si një nga udhëheqësit kryesorë të vendit të tij, që ka mbështetur vazhdimisht dhe fuqishëm Shqipërinë, pavarësisht nga luhatjet dhe nga ndryshimet politike.

Do të më duhej një kohë e gjatë të flisja rreth Kemal Dervis dhe tipareve të tij, por jam i bindur se të gjithë jemi dëshmitarë të karrierës së tij të shkëlqyer në Bankën Botërore, të kontributit të tij personal për sigurimin e një pakete prej 16 miliardë dollarësh aq të rëndësishme, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, që do të ndihmojë rigjallërimin e ekonomisë turke, efektet e së cilës do të ndihen dhe në të gjithë rajonin, në të cilin jetojmë.