BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit në konferencën me temë “Ndërlidhjet me eurozonën dhe dinamikat e konvergjencës afatgjate”, organizuar nga Banka Qendrore Evropiane, Frankfurt, Gjermani, 17 qershor 2013

Data e publikimit: 19.06.2013

 

I nderuar z. Kryetar!

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Të nderuar kolegë!

Tema e kësaj konference është mjaft e rëndësishme për perspektivën ekonomike dhe financiare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Këto vende janë tërësisht të integruara me ekonominë dhe sistemin financiar të Bashkimit Evropian (BE). BE-ja përfaqëson partnerin e tyre kryesor tregtar dhe bankat me origjinë nga BE dominojnë sistemin financiar të rajonit tonë. Siç dëshmohet qartë nga përvoja jonë, përpara dhe gjatë krizës së fundit, zhvillimet në BE kanë ndikim të menjëhershëm si në ekonominë reale, ashtu dhe në sistemin financiar të rajonit. BE dhe Ballkani Perëndimor mund të konsiderohen partnerë dhe, si të tillë, ata kanë interes logjik në politikat dhe veprimet e njëri-tjetrit. Besoj se kjo konferencë do të përpiqet të shqyrtojë mekanizmat më të mirë për konsultime dhe koordinim të përbashkët.

Vendet e rajonit të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJ) kanë zgjedhur integrimin me BE-në si instrumentin kryesor për të siguruar një perspektivë ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë për qytetarët e tyre. Do të doja të theksoja se vendet tona, në mënyrë të ndërgjegjshme, kanë zgjedhur rrugën e integrimit me BE-në: ne kemi ndërmarrë reforma strukturore të vështira; kemi ndërmarrë reforma ligjore dhe rregullative lidhur me këtë proces; si dhe kemi hapur tregjet tona drejt mallrave, shërbimeve dhe kapitalit nga BE. Mendoj se është e kuptueshme për ne që të presim angazhim afatgjatë dhe solidaritet nga partnerët tanë.

Ky proces integrimi dhe konvergjence sigurisht që ka dhënë frytet e veta gjatë dy dekadave të fundit. Rritja e PBB-së e ka tejkaluar atë të BE-së dhe ndërmjetësimi financiar është përmirësuar në mënyrë të shpejtë. Gjykimi i përgjithshëm ekonomik i bazuar në tregues të tillë, si për shembull PBB për frymë, ndërmjetësimi financiar relativ, kostoja relative e punës dhe teknologjia dëshmojnë se ky proces do të vijojë dhe në të ardhmen. Vendet e EQLJ-së ende ofrojnë mundësi tërheqëse investimi. Ato përgjithësisht karakterizohen nga dinamika më të mira demografike dhe janë gjeografikisht më afër Evropës sesa ekonomitë e tjera me treg në zhvillim. Ky integrim politik dhe ekonomik ka çuar natyrshëm në integrim financiar.

Megjithatë, do të doja të trajtoja tre çështje lidhur me rrugën e integrimit ekonomik dhe financiar që po ndjekim.

  • Së pari, fokusi kryesor i autoriteteve kombëtare të Evropës Juglindore duhet të jetë lehtësimi i shpërndarjes së kapitalit në sektorë më produktivë, duke siguruar stimujt e duhur, reformat strukturore, mjedisin ligjor, politikat tatimore dhe stabilitetin ekonomik. Kjo kërkon dhe mirëkuptimin e bankave që veprojnë në rajon. Bankat janë dhe do të mbeten subjekte që kanë si objektiv maksimizimin e fitimit. Megjithatë, ato duhet të jenë më të vëmendshme ndaj tendencave afatgjata, pasi ato luajnë rol në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.
  • Së dyti, ne kemi zhvilluar një sistem financiar dhe kemi zbatuar një strategji të integrimit financiar të bazuar mbi bankat, të cilat përfaqësojnë më shumë se 90% të sistemit financiar në mbarë rajonin. Për këtë arsye, sugjerimet e fundit lidhur me zhvillimin e tregjeve të brendshme të kapitalit si një alternativë ndaj një sistemi financiar të bazuar në banka janë të nevojshme, por ndoshta të parealizueshme në periudhën afatshkurtër dhe atë afatmesme.
  • Së treti, Evropa Juglindore është dhe do të mbetet një rajon i etur për kapital, i cili pjesërisht duhet ndërmjetësuar përmes bankave ndërkombëtare. Ky fakt duhet pranuar si nga rregullatorët, ashtu dhe nga bankat mëma të BE-së. Një model i ri biznesi i mbështetur tërësisht në depozita të brendshme është përgjigjja e gabuar për ekstremet e mëparshme të flukseve të mëdha të kapitalit.

Aktualisht, sfidat kryesore për stabilitetin financiar në rajonin e Evropës Juglindore përfshijnë  kreditë me probleme, rritjen e ngadaltë e kredisë për ekonominë, problemin e financave fiskale dhe qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit. Natyra dhe madhësia e tyre janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me problemin e rritjes ekonomike, si dhe me përqasjen e sektorit privat ndaj konsumit, kursimeve dhe pritshmërive. Këto probleme u krijuan ose u ekspozuan nga kriza dhe janë përkeqësuar më tej për shkak të çështjeve të lidhura me stabilitetin financiar të partnerëve tanë dhe përqasjes së tyre ndaj zgjidhjes së këtyre sfidave. Në mënyrë më të drejtpërdrejtë, sektori bankar ka ulur ndërmjetësimin financiar për shkak të masave të kërkuara të stabilitetit financiar nga ana e autoriteteve bankare evropiane. A ndikon kjo mbi kreditimin dhe rritjen ekonomike? Është e qartë që përgjigjja është "po". Si në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë, dhe pavarësisht origjinës së tyre, problemet aktuale të stabilitetit financiar janë të lidhura me rritjen e ngadaltë ekonomike, e cila, në vetvete, është rezultat i uljes së ndërmjetësimit financiar. Këto zhvillime janë kombinuar në një rreth vicioz, i cili po e çon ekonominë në një spirale të një rritjeje të ngadaltë dhe në rënie.

Kriza na ka dhënë disa mësime të rëndësishme. Mbi të gjitha, ekziston një ndryshim thelbësor në perceptimin e hartimit të politikave dhe zbatimit të tyre nga ana e autoriteteve, me dy tendenca të përcaktuara. Së pari, po shikojmë një paradigmë të re – rishqyrtimi i hartimit dhe zbatimit të politikave nga ana e bankës qendrore. Modeli i ri konsiston së pari në idenë se shënjestrimi i inflacionit i bazuar në indeksin e çmimeve të konsumit mund të mos jetë i mjaftueshëm për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe atë financiar; dhe së dyti, në përdorimin e rregullimit makroprudencial në kombinim me masat tradicionale të politikës monetare. Për të qenë eficiente, këto masa kërkojnë koordinim të madh me ato të politikës monetare tradicionale, rregullimit dhe mbikëqyrjes bankare. Nëse nuk janë të koordinuara, ato mund të kenë më tepër ndikim negativ sesa pozitiv. Për më tepër, nisur nga lidhjet e forta financiare me jashtë midis BE-së dhe EQLJ-së, ato kanë ndikime të jashtëzakonshme edhe përtej kufijve. Në këtë drejtim, koordinimi shndërrohet në një përpjekje shumëdimensionale.

Për shkak të këtyre lidhjeve të forta financiare dhe ekonomike të EQLJ-së me eurozonën, politikat dhe rregulloret evropiane, si dhe ndërhyrja makroekonomike dhe makroprudenciale kanë ndikim të mirëfilltë dhe në kohë reale mbi ekonomitë tona, duke u hapur rrugën kështu sfidave të reja. Koordinimi i masave makroekonomike dhe makroprudenciale brenda eurozonës do të vijojë të ushtrojë presione të stabilitetit makro mbi rajonin e EQLJ-së. Për këtë arsye, është e rëndësishme për ekonomitë e këtyre vendeve që të njohin që më parë dhe të kuptojnë zhvillimet ligjore, institucionale dhe rregullative në sistemin financiar të BE-së dhe, mundësisht, të mund të parashikojnë ndikimin e mundshëm dhe pasojat e paplanifikuara që këto zhvillime mund të kenë mbi ekonomitë e tyre.

Do të dëshiroja t'i ftoja autoritetet monetare dhe mbikëqyrëse të BE-së që të përqendrohen në tablonë e përgjithshme dhe të mendojnë për zgjidhje afatgjata, dhe jo për rregullime afatshkurtra, të cilat në vend që të zgjidhin problemet, riciklojnë ato më të vjetra dhe i shndërrojnë në sfida të reja, duke transformuar kështu natyrën dhe subjektin e problemit, por pa trajtuar çështjen e stabilitetit të përgjithshëm.

Në pikëpamjen tonë, Bashkimi Bankar i BE-së është një hap shumë i rëndësishëm drejt integrimit dhe koordinimit të mëtejshëm midis autoriteteve vendase dhe ato pritëse. Ne e vlerësojmë faktin që krijimi i një autoriteti mbikëqyrës të centralizuar do të lehtësojë shkëmbimin e informacionit midis autoriteteve mbikëqyrëse, duke krijuar kështu një komunikim më eficient midis rregullatorëve vendas dhe pritës, si dhe duke ulur ndërlikimet që krijon komunikimi me organet e shumta mbikëqyrëse dhe rregullative kombëtare. Banka e Shqipërisë, si anëtare e Komitetit Drejtues të Nismës së Vjenës, e përkrah nevojën e autoriteteve të BE-së për të vlerësuar në mënyrë gjithëpërfshirëse çështjet që lidhen me ndërlidhjen midis BE-së/eurozonës dhe vendeve joanëtare të BE-së/eurozonës, me qëllim hartimin e politikave të ekuilibruara dhe të qëndrueshme. Masat makroprudenciale në eurozonë duhet të konsiderojnë, në veçanti, gjendjen dhe ndikimin e mundshëm mbi vendet pritëse joanëtare të BE-së. Ne presim që Banka Qendrore Evropiane (BQE), si një autoritet drejtues brenda Mekanizmit të Vetëm Mbikëqyrës, të luajë një rol të rëndësishëm dhe konstruktiv, ndërkohë që autoriteteve mbikëqyrëse të vendeve joanëtare të BE-së duhet t'u jepet mundësia që të shprehin pikëpamjet e tyre mbi vendimet e BE-së lidhur me politikat financiare, me ndikim mbi stabilitetin financiar vendas, përpara marrjes së vendimeve aktuale. Funksionimi eficient i kolegjeve mbikëqyrëse konsiderohet gjithashtu si një çështje mjaft e rëndësishme, ku vendet me filiale sistemike të BE-së mund të adresojnë shqetësimet e tyre lidhur me mbikëqyrjen. 

Nga ana tjetër, do të ndihmonte nëse vendet e vogla të rajonit jashtë Bashkimit Bankar do të kishin një pikëpamje dhe përqasje të unifikuar ndaj autoriteteve të BE-së dhe t'i shprehnin shqetësimet e tyre në një zë të vetëm. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë, duke marrë rolin e koordinatorit, i ka ftuar vendet e tjera joanëtare të BE-së që të kontribuojnë në hartimin e një përqasjeje të përbashkët rajonale drejt Bashkimit Bankar dhe ndikimeve të tij mbi këto vende.

Ne gjithashtu argumentojmë se është në përfitim të BQE-së, si dhe të autoriteteve të tjera monetare dhe mbikëqyrëse dhe atyre të BE-së, që t'i sjellin vendet e EQLJ-së në tryezën e diskutimit, ashtu sikurse një doktor i përgjegjshëm, i cili teksa i jep pacientit të tij një ilaç të fortë për shërim, përpiqet të minimizojë efektet e mundshme anësore. BQE-ja duhet të konsiderojë efektet e mundshme anësore të politikave të saj në rajonin tonë. Kjo konsideratë lidhet me pesë çështje të rëndësishme:

Së pari, BQE-ja gëzon një ekspertizë të madhe teorike dhe empirike mbi analizën e stabilitetit financiar, si dhe atë monetare dhe ekonomike. Megjithatë, vendet e EQLJ-së mund të kenë një këndvështrim më të saktë dhe më të drejtpërdrejtë mbi efektet e mundshme anësore mbi ekonomitë e tyre.

Së dyti, diskutimi midis BQE-së dhe vendeve të EQLJ-së duhet të fillojë herët, mundësisht që në procesin e hartimit dhe jo pas zbatimit të legjislacionit dhe rregulloreve. Kjo do t'u mundësojë autoriteteve të vendeve të EQLJ-së kohë të mjaftueshme për të bërë amendimet përkatëse ligjore dhe rregullative për të harmonizuar legjislacionin me atë të BE-së, si dhe për të përshtatur strukturat institucionale në kohën e duhur.

Mekanizmat reformues të BE-së lidhur me sigurimin e depozitave dhe zgjidhjen e bankave me probleme, për shembull, do të kenë implikime ligjore dhe rregullative për ekonomitë e EQLJ-së, për shkak të dominimit të grupeve bankare evropiane në sektorët tanë financiarë. Megjithatë, deri sa BQE dhe BE të vendosin mbi një zgjidhje dhe legjislacioni të miratohet, ne nuk mund të dimë se cilat do të jenë implikimet e mundshme (si për shembull mundësitë e arbitrazhit rregullativ), ndryshimet e kërkuara ligjore dhe kostot financiare për sistemet tona bankare dhe ekonomitë të përgjithësi. Informacioni është natyrshëm në interes të vendeve të EQLJ-së, pasi do të eliminonte pasigurinë dhe rrezikun midis autoriteteve mbikëqyrëse të vendeve pritëse (joanëtare të BE-së/eurozonës) lidhur me zgjidhjen eficiente (duke përfshirë ndarjen e barrës) të bankave evropiane shumëkombëshe me probleme;

Së treti, krijimi i “Kolegjeve për Zgjidhjen e Bankave me Probleme”, të ngjashëm me "Kolegjet e Mbikëqyrësve" mund të jetë një mënyrë inteligjente dhe eficiente për t'u përgatitur për situata ekstreme. Këto kolegje do t'i lejonin autoritetet mbikëqyrëse vendase dhe pritëse që të diskutojnë që më parë lidhur me zgjidhjen e mundshme të bankave evropiane shumëkombëshe me probleme, me qëllim minimizimin e ndryshimeve gjatë këtij procesi dhe ndarjen e barrës për sa të jetë e mundur. Në parim, mund të krijohet një formë mbikëqyrjeje që i mundëson BQE-së ndarjen e përgjegjësisë së mbikëqyrjes së bankave evropiane shumëkombëshe me autoritetet mbikëqyrëse pritëse (veçanërisht në rastin kur këto janë banka me rëndësi sistemike në vendet pritëse).

Së katërti, mund të krijohen linja swap të likuiditetit në euro midis BQE-së dhe bankave qendrore të vendeve pritëse (ose autoriteteve mbikëqyrëse) – vendeve joanëtare në BE, me qëllim administrimin dhe përballimin e rrezikut të papritur të likuiditetit dhe problemeve të tjera të mundshme të hasura nga ana e bankave evropiane shumëkombëshe, të cilat mund të lindin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose si pasoja të paplanifikuara në përgjigje të vendimeve të marra nga autoritetet mbikëqyrëse dhe ato të stabilitetit financiar në eurozonë. Një gjë e tillë mund të krijohej vetëm për ato vende pritëse (joanëtare të eurozonës ose të BE-së) ku bankat evropiane kanë rëndësi sistemike. Nga ana e tyre, autoritetet mbikëqyrëse të vendeve pritëse do t'i sigurojnë BQE-së informacion mbi gjendjen financiare të filialeve sistemike dhe mbi politikat e tyre mbikëqyrëse përkatëse;

Së pesti, bëhet fjalë për rolin e organizatave financiare ndërkombëtare. FMN, Banka Botërore dhe Komiteti i Bazelit kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në modelimin e sistemit financiar dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë së ekonomive tona ndaj goditjeve. Projekti i Asistencës për Sipërmarrjet dhe Sektorin Financiar është një shembull i shkëlqyer për ta ilustruar këtë pikë, duke qenë se ato gëzojnë mjaft ekspertizë në trajtimin e këtyre çështjeve në vendet e zhvilluara dhe ato me treg në zhvillim. Për këtë arsye, unë besoj se përfshirja e këtyre institucioneve në procesin e diskutimit do të jetë me përfitim si për BE-në, ashtu dhe për ekonomitë e vendeve të EQLJ-së.

Në fund të fundit, eurozona dhe ekonomitë e vendeve të EQLJ-së do të jenë pjesë e të njëjtit bashkim politik, ekonomik dhe monetar. Pavarësisht vështirësive aktuale, axhenda e integrimit politik dhe ekonomik e BE-së mbetet e përkushtuar ndaj këtij objektivi. Dikush mund të thotë se pavarësisht pengesave të mundshme politike dhe sociale të shkaktuara nga kriza, kjo e fundit e ka shtyrë axhendën e integrimit më shpejt dhe më fort se më parë. Në këtë drejtim, është e nevojshme që të lidhim procesin e integrimit politik dhe atij ekonomik së bashku për të vijuar me zhvillimin e këtyre dy proceseve me të njëjtën shpejtësi. Në rrethanat aktuale, bashkëpunimi dhe komunikimi rajonal shndërrohen në një objektiv të nevojshëm të procesit të integrimit të vendeve të rajonit të EQLJ-së, të paktën për reformën bankare dhe atë të tregut financiar. Do të ishte shumë më e lehtë për autoritetet e BE-së që t'i shqyrtojnë dhe adresojnë shqetësimet e rajonit të EQLJ-së si një grup i vetëm, dhe jo në mënyrë individuale.

Në përfundim, është shumë e rëndësishme që të vendoset një nivel i konsiderueshëm komunikimi dhe koordinimi midis bankave qendrore dhe institucioneve të BE-së, si dhe me kuadrin e tyre ligjor dhe rregullativ. Së fundi, do të rekomandoja plotësimin e tij me një nivel të ngjashëm koordinimi midis institucioneve të tjera që luajnë një rol të rëndësishëm në stabilitetin makroekonomik dhe atë financiar në ekonomitë tona. Në veçanti, nevojitet më shumë komunikim dhe koordinim midis ministrive të financave të rajonit, për shkak se politika fiskale është thelbësore për stabilitetin makrofinanciar të ekonomisë dhe ajo luan një rol mjaft të rëndësishëm në zbatimin e suksesshëm të instrumenteve makroprudenciale. Koordinimi nuk është një detyrë e lehtë, veçanërisht kur përfitimet e një vendi janë me kosto për vendet e tjera partnere, megjithatë, nëse aspirojmë për rezultate gjithëpërfshirëse, kjo është mënyra e duhur dhe momenti i përshtatshëm për të vepruar.

Ju faleminderit!