BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, në pritjen e organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, me rastin e mbylljes së vitit 2008

Data e publikimit: 19.12.2008

 

Në datë 18 dhjetor 2008, me rastin e mbylljes së vitit 2008, Shoqata Shqiptare e Bankave organizoi një pritje me bankierët dhe përfaqësuesit e bankave që operojnë në Shqipëri. Me ftesë të Shoqatës Shqiptare të Bankave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, ka mbajtur një fjalim për të pranishmit mbi arritjet dhe sfidat e sistemit bankar shqiptar.


Më poshtë gjeni të plotë fjalën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbajtur në këtë eveniment.

***

I nderuar Kryetar i Shoqatës së Bankave,

Të nderuar drejtues të sistemit bankar në Shqipëri,

Duke ju falenderuar për ftesën, përfitoj nga rasti të jap disa konsiderata në lidhje me rrugën e përshkruar  në vitin 2008 si dhe sfidat që na presin në të ardhmen. Eksperiencat që jetuam në vjeshtën e këtij viti, tingëllonin joreale dhe të pabesueshme. Shumë tabu u përmbysën dhe lista e lajmeve vazhdon të pasurohet dita ditës duke përfshirë edhe skema të megamashtrimit financiar.

E fillova fjalën time në këtë mënyrë jo vetëm për të mos anashkaluar këtë ngjarje të pazakontë botërore, jo vetëm për të evidentuar ambientin e përgjithshëm ekonomiko – financiar që rrethon ekonominë tonë të vogël, por për të theksuar një të vërtetë të madhe: se rezistenca e sistemit tonë bankar ka qenë e admirueshme dhe imuniteti i treguar nuk është thjesht fat.

Viti 2008 ishte një vit intensiv ndryshimesh të pandërprera, në qendër të të cilave ka qenë ruajtja dhe konsolidimi i stabilitetit makroekonomik të vendit, si dhe qëndrueshmërisë financiare të sistemit bankar.

Nga një bilanc i shpejtë mund të deklaroj se ekonomia jonë ka vazhduar rritjen e programuar gjatë vitit 2008, në kushtet e një stabiliteti të përgjithshëm të çmimeve të konsumit dhe të kursit të këmbimit të monedhës. Politika monetare, gjatë tërë vitit ka qenë vigjilente duke mbajtur të pandryshuar nivelin e përqindjes bazë të interesit në vlerën 6,25 për qind. Politika fiskale është karakterizuar nga një grumbullim i të ardhurave buxhetore përtej kufijve të planifikuar dhe një përqendrim i shpenzimeve kryesisht në projekte infrastrukturore. Njësoj si në vitet e fundit, sektori bankar ka mbështetur aktivitetin ekonomik dhe kërkesën konsumatore me kredi, duke siguruar në këtë mënyrë stimuj të shumtë për një rritje të qëndrueshme të vendit.

Ecuria pozitive në nivel ekonomie dhe sektorësh, ku veçoj atë të tregtisë dhe të ndërtimit, është nxitur nga ritmet pozitive të kërkesës së brendshme në vend. Kredidhënia ka ruajtur ritmet e larta të rritjes vjetore prej 42 për qind. Raporti i kredisë ndaj PBB-së dhe aktiveve të sistemit ka shënuar rritje të mëtejshme, duke arritur respektivisht në 36 për qind dhe në 41 për qind. Përdoruesit më të mëdhenj të kredisë bankare kanë qenë bizneset, duke ndikuar me 66 për qind në zgjerimin e portofolit të kredisë. Zhvillimet pozitive janë shoqëruar së pari me një klimë të favorshme makroekonomike dhe financiare. Në gjysmën e dytë të vitit, indeksi i çmimeve të konsumit ka regjistruar rënie vjetore duke zbritur në 2.6 për qind në muajin nëntor. Matje të tjera të inflacionit, si inflacioni bazë apo i mallrave të tregtueshëm e të patregueshëm, dëshmojnë për rënie të intensitetit të presioneve inflacioniste në vend. Në këtë stabilitet kanë kontribuar edhe pritjet inflacioniste të agjentëve ekonomikë, të cilat sipas vrojtimeve tona janë të ankoruara rreth nivelit 3 për qind. Këto zhvillime provojnë se politika monetare si dhe forcimi i masave të mbikëqyrjes nga Banka e Shqipërisë kanë rezultuar efektivë në kontrollin e presioneve inflacioniste. Duke u nisur nga pozicioni, roli dhe objektivi i bankës qendrore, dua të theksoj se angazhimi dhe suksesi ynë në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve është reflektuar në ankorimin e pritjeve inflacioniste afër objektivit tonë prej 3 për qind.

Ecuria e sistemit bankar gjatë vitit 2008 rezulton të ketë qenë e kënaqshme. Viti 2008 filloi me vënien në punë të regjistrit të kredive, zhvillim i cili përfaqëson një pasurim të rëndësishëm të infrastrukturës financiare në Shqipëri. Nëpërmjet funksionimit të këtij regjistri, ju jeni dëshmitarë se kontribuuam në:

  • kuptimin e besueshmërisë së huamarrësve dhe shmangien e të pabesueshmëve;
  • reduktimin e kostove të mbledhjes së informacionit;
  • nxitjen e disiplinës së huamarrësve;
  • identifikimin e detyrimeve të huamarrësve dhe informimin e pjesëmarrësve në sistem për to;
  • përmirësimin e bazës së të dhënave të industrisë bankare, duke ndërtuar historinë e çdo huamarrësi.

Sipas të dhënave më të fundit, sistemi bankar shfaqet fitimprurës. Treguesi i kthimit mbi aktivet për gjithë vitin 2008 pritet të jetë 1.17 për qind, ndërkohë që treguesi i kthimit mbi kapitalin të jetë 14,7 për qind. Gjatë vitit 2008, bankat kanë zgjeruar investimet e tyre, por nga ana tjetër kanë rritur edhe kapitalin. Niveli i mjaftueshmërisë së kapitalit përbën 17.5 për qind të totalit të aktiveve dhe zërave jashtë bilancit të klasifikuara sipas rrezikut. Situata e likuiditetit e sistemit bankar gjatë vitit 2008 paraqitet e mirë. Treguesi i aktiveve likuide ndaj totalit të sistemit, pavarësisht se gjatë viteve të fundit ka shfaqur tendencë rënëse (si rezultat i ritmit të lartë të rritjes së totalit të kredisë), prezantohet në  rreth 46 për qind, vlerë kjo që konsiderohet e kënaqshme. Burimi kryesor i fondeve në sistem, depozitat nga klientët, vit pas viti kanë konsoliduar prirjen e tyre rritëse, duke reflektuar besimin e  publikut në sistemin bankar. Në fund të muajit tetor, totali i depozitave të sistemit paraqitet në 665.9 miliardë lekë ose një rritje prej 5.7 për qind krahasuar me fundin e vitit 2007.

Në vijim të forumit të hapur të pranverës së vitit 2008, Këshilli Mbikëqyrës i dha rrugë miratimit të një grupi rregulloresh të reja, të cilat në thelbin e tyre synojnë harmonizimin e kuadrit rregullativ dhe të atij mbikëqyrës me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Në përputhje me ligjin e ri janë përcaktuar kritere të reja për llogaritjen, mbikëqyrjen dhe raportimin e ekspozimeve të mëdha të bankës ndaj një personi/klienti ose grupi personash/klientësh të lidhur, ose në një marrëdhënie të veçantë me bankën, me qëllim administrimin e rrezikut që rrjedh nga ekspozimi i përqendruar ndaj tyre.

Forcimi i kontrollit të brendshëm në bankat dhe degët e bankave të huaja përbën një drejtim tjetër ku Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë gjatë këtij viti. Rregullorja e re e konsideron kontrollin e brendshëm, si pjesë e qeverisjes së përgjegjshme të bankave. Ajo siguron platformën për krijimin e një sistemi eficient të kontrollit të brendshëm, si faktor kryesor në drejtimin dhe administrimin e bankave dhe degëve të bankave të huaja.

Bazuar në problematikat e mëparshme, një rëndësi e veçantë iu kushtua dhe transparencës për produktet dhe shërbimet bankare e financiare. Rregullorja standardizon kërkesat mbi mënyrën dhe formën e dhënies së informacionit për klientët për produktet dhe shërbimet bankare të ofruara, për publikimin në veçanti të normave efektive të interesit të depozitave dhe kredive, për metodën e llogaritjes së normës efektive të interesit për kreditë, elementet e kontratës së kredisë dhe depozitave, për marketingun e produkteve dhe shërbimeve, ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave të klientit, trajtimin e ankesave të këtij të fundit, si dhe krijimin e strukturave të veçanta lidhur me këto ankesa.

Pjesë e paketës së re ishte dhe standardizimi i informacionit të detyrueshëm që bankat dhe degët e bankave të huaja duhet të bëjnë publik, në lidhje me veprimtarinë kryesore të bankës, organizimin dhe drejtimin e saj, në lidhje me ecurinë financiare, në lidhje me gjendjen financiare, në lidhje me administrimin e rrezikut si dhe politikat kontabël.

Duke marrë shkas nga situata ndërkombëtare, për të diversifikuar më mirë rrezikun që rrjedh nga përqendrimi në investimet e bankave në tregjet financiare ndërkombëtare, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, bëri dhe disa modifikime të rregullores për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave, me qëllim uljen e kufijve të ekspozimeve të mëdha.

Në qendër të punës sonë ka qenë dhe rritja e efektivitetit të tregut financiar, tregut të parasë më konkretisht. Gjatë këtij viti u mundësua miratimi i ligjit si dhe kontratës – tip për marrëveshjet e riblerjes, duke siguruar në këtë mënyrë një instrument të ri për të minimizuar rrezikun në transaksionet e huamarrjes që bankat realizojnë me njëra tjetrën.

Pas gjithë kësaj ekspozeje që bëra për performancën tonë, të Bankës së Shqipërisë dhe të sistemit bankar, natyrshëm na lind e drejta të pretendojmë se kemi vepruar drejt, duke ndërmarrë shumë aksione parandaluese që na kanë ndihmuar në absorbimin e efekteve negative të zhvillimeve të kohëve të fundit.

Të nderuar bankierë,

Viti 2008 po përfundon dhe një vit i ri po troket në dritaret tona. Njësoj si shumica e ekonomive të ndryshme të botës edhe vendi ynë gjendet përpara një viti me shumë të panjohura. Nuk do të doja të anashkaloja faktorët e brendshëm por gjithsesi, ajo që sot konsiderohet çështja më e nxehtë ka të bëjë me ambientin e përgjithshëm global. Ka kohë që parashikimet e agjencive të ndryshme, të institucioneve kombëtare dhe atyre ndërkombëtare parashikojnë një vit me kontraktim të prodhimit të përgjithshëm botëror. Do të ishte utopike dhe deri diku shprehje e mungesës së kujdesit, nëse do të mendonim se ekonomia jonë do të preket shumë pak apo aspak nga kriza globale. Vendi ynë, megjithëse një ekonomi e vogël është i hapur me lidhje të shumta shkëmbimesh të mallrave dhe fondeve financiare.

Në daljet e mija në publik, kam theksuar se të gjithë aktorët duhet të përgatiten për ditë më të vështira dhe në këtë kontekst, do të doja t’ju bëja me dije një varg konstatimesh, gjetjesh apo aksionesh që ne (me ne kuptoj Bankën e Shqipërisë dhe sistemin bankar) mendojmë se duhen ndërmarrë në muajt në vijim.

1 - Mbështetur në analizat më të fundit të zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend, si dhe bazuar edhe në parashikimet e bëra për ecurinë e inflacionit në të dy vitet në vijim, dëshiroj të theksoj se ka një ankorim të mirë të pritjeve inflacioniste rreth objektivit numerik prej 3 për qind, të Bankës së Shqipërisë. Zhvillimet dhe informacioni më i fundit sugjerojnë se balanca e rreziqeve për inflacionin në të ardhmen është e zhvendosur në kahun zbritës, duke krijuar hapësira për manovrim në të ardhmen e afërt.

2 - Mbështetur në studimet e fundit empirike të Bankës së Shqipërisë, rezulton se lidhja e kredisë për ekonominë me rritjen ekonomike të vendit është pozitive dhe relativisht e fortë. Pra, rritja e kredisë çon në mbajtjen e ritmeve aktuale të aktivitetit ekonomik të vendit. Vitet e fundit kredia për ekonominë ka eklipsuar kontributin e sektorit publik në gjenerimin dhe përdorimin e fondeve financiare, mbështetur kjo edhe nga një proces i gjatë, i konsolidimit fiskal të vendit. Ky proces përdorimi më efektiv i fondeve ndikon në rritjen e eficiencës dhe rritjen ekonomike. Një tkurrje e kredisë për ekonominë, mbart rrezikun e veprimit të anasjelltë, të eklipsimit të kontributit të kredisë për ekonominë nga shpenzimet e sektorit publik. Në këtë kuptim, duke kuptuar drejt të gjithë vështirësitë e krijuara, do të insistoja edhe një herë në kërkesën time drejtuar juve, që të vazhdoni të ruani ritmet e kreditimit të ekonomisë.

3 - Në vijim të kërkesave të mëparshme, do të kërkoja përsëri që të jeni më aktivë në tregun e parasë, në tregun ndërbankar dhe në tregun e letrave me vlerë. Banka e Shqipërisë e ka përsëritur disa herë se do të plotësojmë çdo nevojë të tregut financiar me likuiditet. Por, nga ana tjetër, ne kërkojmë që në politikat që ju aplikoni në lidhje me tregun financiar vendas, në lidhje me portofolin e investimeve të jeni më të pavarur nga selitë tuaja qendrore. Ju jeni licencuar dhe operoni në Shqipëri, për rrjedhim ju keni në administrim kursimet e qytetarëve shqiptarë dhe detyra themelore e çdo sistemi bankar është ndërmjetësimi financiar në vendin ku ato operojnë. Banka e Shqipërisë do të këmbëngulë për zbatimin sa më të shpejtë të marrëveshjeve të riblerjes në transaksionet që kryeni në tregun ndërbankar. Banka e Shqipërisë përdor një përqasje sistemike në trajtimin dhe operimin e saj në tregun ndërbankar, gjë e cila kërkon domosdoshmërisht një rishpërndarje të likuiditetit në mënyrë eficiente midis bankave. Zbatimi i marrëveshjes së riblerjes, e realizon një gjë të tillë duke mënjanuar rrezikun e kreditit. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë është duke përfunduar rregulloren për realizimin e DVP, gjë e cila do të sjellë njëkohësisht edhe mënjanimin e rrezikut të shlyerjes. Kjo, përbën një hap tjetër në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës financiare për një treg bankar eficient.
 
4 - Banka e Shqipërisë është duke studiuar edhe disa masa të tjera, për t’i paraprirë më mirë funksionimit optimal të sistemit bankar. Për të qenë më konkret, Banka e Shqipërisë do të kërkojë që dividentët e materializuar në vitin 2008, të destinohen për të rritur kapitalin e bankave që ju drejtoni. E kam përmendur vazhdimisht se sistemi ynë është i mirëkapitalizuar, por megjithatë në kushtet aktuale, e gjykoj të si masë kujdesi rritjen e mëtejshme të tij.
 
5 - Një nga synimet strategjike për  objektivat e Bankës Qendrore është forcimi i pavarësisë institucionale dhe kredibilitetit të saj si një institucion qendror dhe i përgjegjshëm për misionin që i ka dhënë ligji. Një nga  faktorët që ndikojnë direkt dhe indirekt në forcimin e kësaj pavarësie është edhe plotësimi dhe përmirësimi i kuadrit ligjor të Bankës së Shqipërisë, sipas standardeve bashkëkohore. Për këtë qëllim, po punojmë në tre drejtime kryesore:

  • Hartimi i ligjit “Për sistemin e pagesave në Republikën e Shqipërisë” hyn në prioritetet afatshkurtra që Republika e Shqipërisë, nëpërmjet Bankës së Shqipërisë, ka ndërmarrë në kuadër të detyrimeve që rrjedhin nga MSA-ja, Dokumenti i Partneritetit Evropian; si dhe në prioritetet afatshkurtra dhe afatmesme të parashikuara në Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së. Ky projektligj synon:

    - forcimin e kornizës institucionale të sistemit;
    - rritjen e transparencës së kornizës ligjore, përmes qartësimit të detyrave të pjesëmarrësve në sistem;
    - përcaktimin e një regjimi të plotë për licencimin dhe mbikëqyrjen e të gjithë sistemeve përkatëse;
  • Ndryshimet në kuadrin ligjor në Bankën e Shqipërisë do të shoqërohet edhe me përmirësimin e kuadrit rregullativ në fuqi, ku në qendër të vëmendjes do të jetë përmirësimi i akteve nënligjore të mbikëqyrjes bankare.

6 - Banka e Shqipërisë, duke filluar që nga fundi i këtij viti, do të hedhë në qarkullim kartëmonedhën e re me vlerë nominale 2000 lekë, ndërkohë që është rishtypur e gjithë seria ekzistuese. Dua të theksoj se e gjithë sasia e kartëmonedhave të rishtypura, si dhe ato të prerjes 2000 lekë është e pajisur me elementet më moderne të sigurisë. Ndërkohë, përfitoj nga ky rast për të sqaruar publikun se prerja e re është një rregullim i strukturës aktuale, duke plotësuar një boshllëk të madh midis dy prerjeve ekzistuese, me vlerën nominale më të madhe.

Viti 2009 do të jetë një vit i vështirë e për rrjedhim, çdokush duhet të marrë masat për të kuptuar drejt dhe për të interpretuar me profesionalizëm rolin e tij. Për të mbajtur dinamikën e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, drejt konvergjencës së plotë evropiane, sistemi bankar duhet medoemos të përsosë më tej infrastrukturën e tij. Baza të shëndosha të kësaj infrastrukture do të vlerësoja përmirësimin e shërbimit ndaj klientelës, shtimin e komunikimit dhe edukimit të publikut. Të gjitha këto, të shoqëruara me investime në teknologji do të mundësonin transparencë më të madhe me klientelën dhe kosto më konkurruese shërbimi. Kjo do të çonte në përmirësim të imazhit publik, i cili do të rriste besimin e publikut ndaj sistemit bankar.

Të nderuar bankierë,

Më lejoni që në mbyllje të fjalës time të theksoj edhe një herë rëndësinë e madhe që na imponon momenti. Kudo që të jemi, brenda apo jashtë vendit, duhet ta konsiderojmë sfidën e kapërcimit të kësaj krize si një detyrë patriotike, e cila kërkon impenjim dhe ndërgjegjësim të lartë moral, shoqëror dhe politik.

Duke ju falenderuar edhe një herë për ftesën, përfitoj nga rasti që t’ju uroj festat e fundvitit.

Gëzuar!