BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, në takimin e përurimit të punimeve për ndërtimin e sistemit të kryqëzimit të pagesave në vlerë të vogël

Data e publikimit: 18.11.2004

 

Zbatimi i Sistemit të kleringut në Bankën e Shqipërisë

Mirëmbrëma të gjithëve,
Ju falenderoj që jeni këtu të pranishëm në një eveniment të rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë dhe të sistemit bankar shqiptar.

Ndjehem i nderuar që më takon mua privilegji i prezantimit të këtij projekti. Duke e konsideruar projektin për ndërtimin e sistemit të kryqëzimit të pagesave në vlerë të vogël ose ndryshe, atë të kleringut, si një ndër sfidat në të cilat Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar janë përfshirë së fundmi, kam gjithë të drejtën të besoj se edhe këtë herë ne do të jemi të suksesshëm.

Ndërtimi i këtij sistemi është pjesë e reformimit të thellë që po i bëjmë sistemit të pagesave në vend, i cili do të përmirësojë cilësisht llojet dhe sigurinë e shërbimeve bankare që lidhen me pagesat.

Ashtu sikurse e dimë, ende shërbimi i pagesave është larg standardeve të përparuara ndërkombëtare dhe paraja është mjeti më i përdorshëm i pagesave. Arsyeja është e thjeshtë - mungesa e një alternative më të lirë, më të shpejtë dhe më të sigurtë.

Të gjithë jemi dëshmitarë të zgjerimit gjeografik, rritjes së numrit si dhe të cilesisë së shërbimeve bankare. Këtu bie në sy, në mënyrë të veçantë, rritja e numrit të kartave bankare, e numrit të ATM-ve si dhe e veprimeve të realizuara nëpërmjet tyre.

Ky zgjerim duket të jetë vetëm fillimi i përdorimit të instrumenteve të reja të pagesës me kartë bankare. Ndonëse procesi i deritanishëm duket të jetë i shpejtë, ai duhet të pasohet nga një rrije e numrit të terminaleve të pranimit të kartave në pikat e shitjes (terminaleve POS) si dhe përdorimi i kartave si mjete të mirëfillta pagese, duke mos i kufizuar përdoruesit e tyre vetëm në tërheqjet cash. Veprime të mëtejshme duhet të ndërmerren për standardizimin apo për unifikimin e teknologjisë së përdorur, duke synuar krijimin e një karte të unifikuar.

Megjithë arritjet e kryera, kostoja e pagesave ende mbetet e lartë ndërsa koha e kryerjes e gjatë. Projekti, i cili zë fill sot, ka për qëllim pikërisht uljen e kostove, rritjen e shpejtësisë dhe rritjen e sigurisë në pagesat bankare. Për këtë qëllim, do të synohet që pagesat bankare t'i nënshtrohen një procesi bashkëkohor standardizimi dhe automatizimi synim i të cilave do te jetë nga njëra anë përmirësimi i raporteve Bankë - Klient; Bankë - Biznes; si dhe Biznes - Klient dhe nga ana tjetër krijimi i infrastrukturës bazë, ku bankat do të mbështeten për automatizime të mëtejshme në marrëdhëniet me publikun apo me bizneset.

Më konkretisht, ky sistem, i cili mendohet të përfundojë në qershorin e ardhshëm, vlerësohet se do të:

  • Rrisë shpejtësinë e veprimeve të pagesave, deri në realizimin e pagesave të vogla ndërbankare, në jo me shumë se 2 ditë.
  • Zvogëlojë dukshëm kostot e operimit të sistemit bankar dhe të tarifave të shërbimeve të pagesave.
  • Krijojë (në thonjza) dhe përdorë formën e re të pagesës, "debitimin direkt". Kjo mënyrë pagese, e cila aktualisht është në hapat e parë të përdorimit në një numër bankash, me përfundimin e projektit do të ketë një format dhe përdorim plotësisht të ri. Ajo do të përdoret gjerësisht në realizimin e pagesave të shërbimeve "utilitare", dhe do të sjellë ndryshime thelbësore dhe në përputhje me tendencat botërore, të marrëdhënieve Bankë-Biznes, Bankë-Klient dhe Biznes-Klient.

Të ftuar të nderuar, miq dhe bashkëpunëtorë!

Sistemi kryqëzimit të pagesave në vlerë të vogël, në thelb është një sistem i bankave, por përparësitë dhe përfitimet e tij janë drejt publikut dhe bizneseve në vend. Bankat do të jenë përcjellëset e përparësive të sistemit tek publiku. Ato do të pasojnë dhe shoqërojnë këtë ndërmarrje me afrimin e mëtejshëm të klientelës, automatizimin e veprimeve me bizneset si dhe aplikimin më të gjerë të teknologjive moderne sikurse mund të jetë Internet Banking.

Zbatimi i projektit, është një proces jo i lehtë dhe kërkon angazhim serioz nga i gjithë sistemi bankar. Me zbatimin e sistemit AIPS, në janar të po këtij viti, bankat dhe Banka e Shqipërisë krijuan një eksperiencë të mirë bashkëpunimi dhe demonstruan se, së bashku, mund të realizojnë projekte ambicioze dhe të vështira. Në zbatimin e projektit të ri Banka e Shqipërisë, është e vendosur të përdorë këtë eksperiencë pozitive, duke e përmiresuar veçanërisht në drejtim të rritjes së shkallës së transparencës dhe të gjithëpërfshirjes së bankave në vendimmarje.

Në përfundim, dëshiroj të adresoj një falenderim të thellë për Bankën Botërore, bashkëfinancuesen tonë në këtë projekt kaq të rëndësishëm. Angazhimi i ekspertizës dhe i shkallës së saj të njohjes është një nga garancitë e suksesit të projektit. Tashmë, Banka e Shqipërisë ka një eksperiencë të gjatë dhe tejet pozitive të bashkëpunimit me Bankën Botërore në realizimin e projekteve të përbashkëta. Duke përfituar nga prania e zotit Bossone në këtë ceremoni përurimi, dëshiroj që në emrin tim dhe të stafit që unë drejtoj, të shpreh konsideratat e mija të larta dhe respektin tim të thellë për të, për institucionin dhe për bashkëpunëtorët e tij.