BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, në takimin rajonal me drejtorë të degëve të bankave të nivelit të dytë, me biznesmenë dhe me pedagogë të Fakultetit Ekonomik në qytetin e Korçës

Data e publikimit: 16.12.2004

 

Mirëdita të gjithëve,

Është kënaqësi e veçantë sa herë që më jepet rasti të vizitoj qytetin e Korçës dhe këtë ndjesi më vjen mirë ta pranoj që po e ndjej edhe në këto momente. Qëllimi i këtij takimi të sotëm është shumë i thjeshtë. Ai ka të bëjë me lançimin e vizionit të ri në lidhje me ristrukturimin e Bankës së Shqipërisë, pjesë e së cilës janë dhe degët e saj nëpër qytete të ndryshme të vendit.

Ekonomia jonë ka kohë që ka hyrë në një proces të pandërprerë të zhvillimit sasior dhe cilësor, përfshi dhe një shtrirje gjeografike gjithnjë e më të madhe. Në këtë kuptim, edhe rajoni gjeografik juglindor i vendit, në qendër të të cilit është qyteti i Korçës, vlerësohet se jep një kontribut të rëndësishëm dhe mua më vjen mirë që një pjesë të mirë të protagonistëve kryesorë të këtij zhvillimi i kemi të pranishëm në këtë sallë.

Ashtu siç e përmenda edhe në takimin e para pak ditëve me një përfaqësi të biznesit dhe të bankave, të dy komunitetet kanë nevojë të bashkëpunojnë më ngushtë me njëri - tjetrin dhe në mënyrë që ky bashkëpunim të jetë efikas gjykojmë se ne si Bankë e Shqipërisë te kemi rolin tonë aktiv, jo vetëm nëpërmjet krijimit të një ambienti të sigurtë makroekonomik, por edhe nëpërmjet sigurimit të një sërë veprimesh të tjera, të cilat nga njëra anë do të nxisin aktivitetin kreditues të sistemit bankar dhe nga ana tjetër, do të ndikojnë në orientimin më të saktë të biznesit drejt projekteve dhe investimeve më të sigurta.

  • Për këtë qëllim, në planet tona afatshkurtra dhe afatmesme kemi menduar që degëve tona nëpër rrethe t'i japim një rol të ndryshëm nga ai që ato kanë luajtur deri më sot. Ne e gjykojmë të domosdoshme se aktualisht ka ardhur koha që degët tona të mos jenë thjesht magazina dhe distributorë cash-i. Gjithashtu do të hiqet dorë edhe nga disa veprime jo të natyrës së bankingut qendror, të cilat gradualisht do të thithen natyrshëm nga ana e bankave tregtare.

Synimi ynë është që këto degë të shndërrohen në një model të përparuar të prezencës së Bankës së Shqipërisë nëpër rajone të ndryshme të vendit. Ato do të jenë stacione të mirëfillta të grumbullimit të informacionit në lidhje me aktivitetin ekonomiko financiar të rajonit, duke i paraprirë analizave dhe studimeve të mëtejshme. Kjo punë kërkimore do t'i shërbejë jo vetëm programimit të një politike monetare më të qartë, por edhe modernizimit te elementeve të transmisionit të kësaj politike nga qendra në bazë dhe anasjelltas.

Kjo nismë e Bankës së Shqipërisë për të monitoruar aktivitetin ekonomik jo vetëm në metropol por edhe në rajone të tjera të vendit, mendoj se ka një interes të veçantë për të gjitha grupet e interesit të pranishme në këtë sallë, përfshi dhe përfaqësinë akademike të Universitetit të Korçës. Për këtë arsye, ju ftoj në këtë proces tranformimi, duke ju sugjeruar që jo vetëm të na jepni "lëndën e parë", informacionin e duhur por edhe që të përdorni pa asnjë kufizim bazën tonë të të dhënave, konkluzionet e anketimeve tona, analizat periodike dhe punët e tjera studimore. Unë shpresoj që dobishmëria e kësaj pune analitike të jetë e madhe dhe në këtë proces të asistohemi dhe të bashkëpunojmë me stafin akademik të Universitetit të Korçës, ndërkohë që edhe studentët e Fakultetit Ekonomik mund të jenë utilitarë, sidomos në rastet e ndryshme të anketimit.

Në vijim, dëshiroj të shtoj disa komente të tjera në lidhje me zhvillimet e fundit të sistemit bankar, të cilat mendoj se kanë krijuar premisa të mira për një ekspansion të vërtetë të këtij biznesi, ekspansion i cili do të ndikojë pozitivisht edhe në ecurinë e aktiviteteve tuaja.

Më parë, ishim përsëri këtu në Korçë, për të inaguruar një degë të re banke. Pas kësaj hyrjeje të re numri i degëve të bankave në këtë qytet arriti në 6, ndërkohë që për të gjithë rajonin numri i degëve së bashku me agjensitë është 13. Ky interes i biznesit bankar për t'u shtrirë në rajonin tuaj, mendoj se pasqyron zhvillimet specifike që ky rajon ka, në raport me zona të tjera të vendit. Unë personalisht jam i mendimit se ky rajon ka potencial të madh ekonomik, dhe për më tepër theksoj se ky rajon është nga të paktët që ka një potencial multi sektorial, përfshi dhe atë bujqësor. Po kështu, gjykoj se edhe marrëdhëniet ndërkufitare janë një oportunitet i mirë për zhvillimin intesiv të rajonit dhe, duke përgjithësuar sa thashë më sipër, do ta inkurajoja sistemin bankar që të jetë më agresiv në këtë rajon, me plane dhe me objektiva konkretë për të mbështetur ekonominë tuaj.

Pas përfundimit të sistemit të pagesave në vlerë të mëdha, Banka e Shqipërisë para pak kohësh inaguroi fillimin e një projekti shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me kryqëzimin e pagesave në vlerë të vogël. Funksionimi i këtij sistemi të ri do të rrisë ndjeshëm shpejtësinë e pagesave midis përdoruesve të bankave, një element mungesa e të cilit i ka mbajtur larg bizneset prej bankave. Përfitoj nga rasti për të sensibilizuar bizneset për avantazhet që do të shoqërojnë funksionimin e këtij sistemi pasi ndërmjet të tjerash të dy sistemet së bashku do të ndihmojnë arritjen e standardeve ndërkombëtare të ATM dhe POS (pajisje automatike dhe elektronike të pagesave) për numër popullsie. Sfida për sistemin bankar dhe bizneset, por dhe për Bankën e Shqipërisë mbetet nxitja e publikut në përdorimin e tyre.

Për të bërë realitet këtë që thashë më sipër do të inkurajoj sistemin bankar që të jetë më aktiv, që do të thotë se bankat duhet të shkojnë drejt popullsisë dhe bizneseve me produkte të qarta dhe të gatshme, me shërbime të shpejta dhe efikase. Duke vlerësuar zhvillimet e fundit në sistemin bankar si në rritjen e numrit të degëve ashtu dhe në shtimin e shërbimeve bankare në sportel, mendoj se në vitin 2005 sistemi bankar do të jetë më atraktiv. Gjykoj se shenjat optimiste të vitit që po lëmë do të pasohen nga veprime energjike të sistemit bankar në biznesin e pagesave me karta elektronike, e në këtë frymë do të shprehesha që zgjidhjet e sistemit bankar të jenë në favor të një karte të unifikuar.

Sigurisht që hapat në këtë drejtim do të jenë më kompleksë dhe natyrshëm që disa prej tyre kërkojnë dhe bashkëveprim ndërinstitucional. Banka e Shqipërisë tashmë po shtron rrugën drejt përdorimit të gjerë të kartave në Shqipëri. Shërbimi me karta krediti jo vetëm që do të kontribojë në reduktimin e cash-it në ekonomi, por do të japë një ndikim pozitiv edhe në uljen e ekonomisë informale.

Megjithatë, ajo që mendoj se është e rëndësishme në kontekst të këtij takimi ka të bëjë me nxitjen dhe me inkurajimin e ushtruar ndaj sistemit bankar, që ky nivel shërbimesh të jetë i pranishëm njëtrajtësisht në të gjithë territorin e vendit ku bankat ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Vetëm në këtë mënyrë, avantazhet e pagesave elektronike dhe të të gjitha lehtësive të tjera, do të jenë të njëjta në të gjithë territorin e Republikës, si për ju ashtu edhe për publikun në përgjithësi. Duke ndjekur këtë logjikë mendoj se do të krijojmë shanse reale për një zhvillim të harmonizuar gjeografikisht duke dhënë një kontribut të vërtetë në rritjen e mirëqenies në shkallë vendi.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në përfundim nuk më mbetet gjë tjetër veçse edhe një herë të shpreh simpatinë time personale, për traditën dhe kulturën që ka karakterizuar trevën tuaj ndër vite. Për më tepër, përfitoj nga rasti që t'ju uroj edhe për festat e fundvitit dhe duke shpresuar se takimi i sotëm është vetëm hapi i parë në dialogun tonë të gjatë, me lejoni t'ju falenderoj edhe një herë për praninë në këtë tryezë bisedimesh.

Faleminderit.