BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, Seminari Rajonal Indekset e besimit të konsumatorit dhe biznesit 2, organizuar nga Banka e Shqipërisë, GTZ dhe Instituti gjerman Ifo, Hotel "President", Tiranë, 1 dhjetor 2006

Data e publikimit: 01.12.2006

 

Të nderuar pjesëmarrës!

Seminari i sotëm, mbi indekset e besimit, është i një rëndësie të veçantë për vetë faktin se prek elementet bazë të vlerësimit dhe të vendimmarrjes në fushën e politikave ekonomike, informacionin dhe dimensionin real të tij. Sikurse në çdo proces vendimmarrjeje, informacioni përbën lëndën e parë të arritjes në një gjykim të shëndoshë mbi politikën e duhur monetare të një banke qendrore.

Autoritetet monetare kanë të domosdoshme përgatitjen e analizave të treguesve makroekonomikë, në funksion të hartimit të një politike monetare që garanton stabilitet të treguesve të brendshëm si dhe të raporteve me ekonomitë partnere në marrëdhëniet tregtare. Në një aspekt më të përgjithshëm, ekonomia e një vendi nuk mund të arrijë një konkurrueshmëri dhe standarde ndërkombëtare, nëse politikat e zhvillimit mbështeten në një bazë jo të plotë informacioni. Përgatitja e një kornize të plotë informacioni në fushën ekonomike përbën një sfidë të vendeve të rajonit për arritjen e standardeve perëndimore. Për Shqipërinë, në stadin aktual të saj, kjo sfidë është edhe më e ngutshme.

Gjendja aktuale e statistikave kombëtare ka vend për zgjerim të bazës statistikore dhe qëndrueshmëri të tyre në kohë. Megjithatë, përparimi në fushën e statistikave, sikurse në shumë fusha të tjera, kërkon kohën, fondet dhe hapësirën e duhur ligjore për ndërmarrjen e projekteve të qenësishme. Ndërkohë, vendimet tona duhet të mbështeten mbi baza sa më të shëndosha. Hartimi i indekseve të besimit, si tregues të pritshmërive ekonomike, nuk zëvendëson mungesën e informacionit statistikor të gjendjes korente të një ekonomie. Këto indekse i mundësojnë tregjeve dhe autoriteteve monetare të rivlerësojnë në kohë strategjitë që ruajnë ekuilibrat e objektivave përkatës. Një banke qendrore, indekset e besimit i mundësojnë përshtatjen e qëndrimit të politikës monetare në kohën e duhur për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve ndërsa ekonomia rritet me ritmet potenciale.

Vendet e zhvilluara janë në pararojë të sigurimit të indekseve të besimit, si tregues të ecurisë së pritshme të ekonomisë. Integrimi i tregjeve dhe procesi i globalizimit rrisin domosdoshmërinë e hartimit të këtyre indekseve në rajonin tonë duke qenë se objektivi i politikës monetare, stabiliteti i çmimeve, pasqyron qëndrueshmërinë dhe hapjen ekonomike ndaj vendeve të rajonit dhe më tej. Prej katër vjetësh, Banka e Shqipërisë ka filluar vlerësimin e indeksit të besimit të bizneseve dhe të indeksit të besimit të konsumatorëve. Këto anketime realizohen çdo tremujor, me ndihmën e INSTAT-it, dhe përfshijnë mbi 600 biznese të sektorëve të prodhimit, të ndërtimit e të shërbimeve dhe rreth 1500 konsumatorë. Informacioni i mbledhur mbulon ecurinë e çmimeve, të konsumit, të të ardhurave, të prodhimit, të punësimit, të investimeve e të disa treguesve të tjerë, të cilët ndihmojnë në vendimmarrjen për qëndrimin e politikës monetare.

Që prej fillimit, në këtë proces të rëndësishëm Banka është asistuar nga ekspertët e Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike IFO, me reputacion ndërkombëtar në fushën e indekseve të besimit të biznesit. Deri më sot rezultatet e këtyre pyetësorëve janë pasqyruar indirekt në analizat dhe raportet periodike dhe në studime të ndryshme të bankës qendrore. Konsolidimi i mëtejshëm i këtyre indekseve do të hapë rrugën e publikimit të tyre në përdorim të agjentëve ekonomikë, si një urë shtesë e komunikimit me bankën qendrore. Një hap paraprak i rëndësishëm në këtë drejtim, është dhe konsolidimi i metodologjisë së zbatuar në llogaritjen e këtyre indekseve, nëpërmjet një ekspertize profesionale si ajo e IFO-s.

Hapat e ndërmarrë në kuadër të zgjerimit dhe konsolidimit të bazës statistikore të autoritetit monetar në kohë reale, do të mundësojnë administrimin në kohë të situatave dhe sfidave që sjell zhvillimi i ekonomisë dhe integrimi i mëtejshëm i tregjeve të rajonit. Koordinimi i punës midis bankave qendrore të rajonit për adoptimin e metodologjisë dhe vetë indekseve, mundëson shfrytëzimin maksimal të bazës ekzistuese të njohurive mbi specifikat e rajonit tonë, kundrejt ekonomive më të zhvilluara. Përdorimi i të njëjtës metodologji në ndërtimin e indekseve do të bënte më të lehtë krahasimin e tyre midis vendeve. Paralelisht, këta tregues do të shërbenin si një mjet komunikimi me institucionet ndërkombëtare, të specializuara në njohjen dhe identifikimin më të mirë të prioriteteve sipas vendeve, si edhe me investitorët e huaj që kanë interes në rajonin tonë.

Qëllimi ynë është që të përputhim maksimalisht indekset që po ndërtojmë me standardet më të mira ndërkombëtare në këtë fushë, larg zgjidhjeve voluntariste. Padyshim që kryesfida qëndron në përdorimin efikas të tyre në vendimmarrjen tonë.
Ne vlerësojmë se produktet për të cilat është diskutuar gjatë këtyre dy ditëve, indekset e besimit në përgjithësi, do të jenë një mjet i fuqishëm i komunikimit të Bankës së Shqipërisë me aktorët e tregut, publikun në përgjithësi. Nuk hezitoj të deklaroj se lançimi i këtyre dy produkteve, veçanërisht në kontekstin e aspiratës për të adoptuar inflacionin e shënjestruar, do të përsosë me tej procesin vendimmarrës në Bankën e Shqipërisë.

Kohët e fundit, Banka e Shqipërisë ka përshpejtuar ritmet e zhvillimit, si në drejtim të përmirësimit të procesit vendimmarrës ashtu edhe në kuadër të përsosjes së mekanizmave që përçojnë vendimet e saj. Çështja shtrohet se sa të shpejtë janë aktorët e tregut për të ndjekur ritmet aktuale të Bankës së Shqipërisë. Është e rëndësishme që diferenca e shpejtësive të ngushtohet, në mënyrë që dialogu ynë me tregun të jetë i standardizuar dhe transparent. Për të mundësuar një komunikim sa më bashkëkohor, ndër të tjera, një rol të rëndësishëm ka edhe bashkëpunimi në rritje ndërmjet Bankës së Shqipërisë, tregut financiar, Ministrisë së Financave, INSTAT-it si dhe institucioneve të tjera. Për më tepër, duhet bashkëpunuar më shumë edhe me grupe të tjera interesi, si Dhoma e Tregtisë, Konfindustria, media, publiku në përgjithësi.
Në këtë pikë dua të theksoj se roli i medias është i një dimensioni të veçantë. Një media profesionale, do të ishte e aftë të ndërtonte modele të besueshme dhe të kuptueshme komunikimi, të lehta për t'u asimiluar nga publiku.

Produktet që ne po përgatitemi të lançojmë së shpejti, pra indekset e besimit, duhet ta justifikojë titullin.
E thënë ndryshe, publiku duhet të besojë se produkti i nxjerrë nga Banka e Shqipërisë është i besueshëm, se ai është objekti dhe treguesi real i pritjeve të publikut. Ndërkohë që në këmbim ne presim që të na kthehet mbrapsht jehona e besimit të publikut.

Ju uroj një ditë produktive pune.

Faleminderit!