BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2006, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë, 25 prill 2007

Data e publikimit: 25.04.2007

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj anëtarë të Komisionit për Ekonominë dhe Financat,


Është privilegj i veçantë, që në zbatim të detyrimit ligjor të paraqes para Jush Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë, për vitin 2006.

Në këtë raport përmblidhet veprimtaria e Bankës së Shqipërisë në zbatim të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore. Në pjesën e parë, më lejoni të përqendrohem në ecurinë e ekonomisë kombëtare për të trajtuar më tej pjesët më specifike, që lidhen me përgjegjësitë institucionale dhe kontributet e drejtpërdrejta të Bankës së Shqipërisë në drejtim të kontrollit të inflacionit, të ruajtjes së stabilitetit financiar, të përmirësimit të infrastrukturës financiare si dhe të rolit tonë në integrimin evropian dhe atë rajonal.

1. Zhvillimet ekonomike gjatë vitit 2006

Zhvillimi ekonomik i vendit gjatë vitit 2006 ka qenë përgjithësisht në përputhje me programin afatmesëm të zhvillimit ekonomik të vendit. Ekonomia shqiptare ka patur ritme krahasimisht të kënaqshme rritjeje, në sajë të dinamizmit të sektorit privat, stabilitetit makroekonomik dhe fryteve të reformave të deritanishme strukturore. Sistemi bankar ka dhënë një stimul të fuqishëm në mbështetje të aktivitetit ekonomik, duke rritur kredinë për ekonominë me rreth 70 miliardë lekë ose mbi 700 milionë dollarë amerikanë.

Në bazë të treguesve të disponueshëm ekonomikë, norma e rritjes ekonomike vlerësohet të jetë rreth nivelit 5 për qind. Kjo rritje është shoqëruar me stabilitet çmimesh, të shprehur në një inflacion mesatar vjetor prej 2.4 për qind. Kushtet monetare, të karakterizuara nga norma historikisht të ulëta interesi dhe qëndrueshmëri e kursit të këmbimit, kanë favorizuar rritjen e investimeve dhe të konsumit në ekonomi. Në mënyrë të veçantë, ato janë reflektuar edhe në rritjen e shpejtë të kredisë, duke mbështetur më tej rritjen e ekonomisë. Zhvillimet fiskale kanë rezultuar brenda kufijve të programuar, duke kontribuar në konsolidimin e mëtejshëm të financave publike dhe kontrollin e deficitit buxhetor.

Gjithsesi, realizimi i shpenzimeve kapitale kërkon një vëmendje më të madhe, në drejtim të nivelit të planifikuar ashtu edhe përsa i takon ritmikës të kryerjes së këtyre shpenzimeve.

Rritja ekonomike është reflektuar edhe në tregun e punës. Numri i të punësuarve në vend ka shënuar rritje, ndonëse ajo ende nuk reflekton tërësisht zhvillimet në sektorët e tjerë të ekonomisë. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik në vend është shoqëruar me rritjen e shkëmbimeve tregtare me jashtë. Bilanci i pagesave është mbyllur në terma pozitivë, duke mbështetur qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit.

Treguesit sasiorë dhe cilësorë të ecurisë ekonomike, flasin për një rritje të kënaqshme, të mbështetur kryesisht në aktivitetet e shërbimeve dhe të prodhimit industrial. Shitjet e realizuara nga ndërmarrjet ekonomike, gjatë nëntëmujorit të parë, ishin rreth 11 për qind më të larta sesa në vitin 2005. Fakti që tremujori i parë regjistroi një rritje të lartë vjetore të shitjeve, tregon se ndërmarrjet e prodhimit dhe të shërbimeve, i tejkaluan problemet e shkaktuara nga kufizimet në furnizimin me energji elektrike, në fund të vitit 2005. Zhvillime pozitive janë regjistruar në sektorin e industrisë dhe në mënyrë të veçantë, në industrinë përpunuese. Aktiviteti tregtar në vend, vazhdon të sigurojë pjesën më të madhe të shitjeve, si edhe të shënojë ritme të konsiderueshme rritjeje vjetore.

Sektori i ndërtimit, vlerësohet të ketë patur një ecuri afërsisht të njëjtë me atë të vitit të kaluar. Tregues të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të këtij sektori, imponojnë domosdoshmërinë për një vëmendje më të madhe, veçanërisht në orientimin më të mirë të burimeve financiare, private apo publike. Zhvillimet në degën e ndërtimit gjatë viteve të fundit, veçanërisht përqendrimi i skajshëm i ndërtimeve në territore të caktuara, dëshmojnë për mungesë të eficiencës së politikave të zhvillimit urban, duke mos garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë të degës. Për më tepër, ende dega e ndërtimit vazhdon të mbizotërohet nga ndërtimet për banesa, duke lënë shumë prapa zëra të tjerë strategjikë siç janë investimet në infrastrukturën rrugore, në ndërtime industriale, në bonifikime dhe infrastrukturë bujqësore përfshirë dhe investime të tjera, që lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e jetës në komunitetet e vogla urbane dhe rurale.

Prodhimi bujqësor gjatë vitit 2006 ka rikuperuar pjesërisht rënien e ritmit të rritjes, të vërejtur gjatë vitit 2005. Projeksioni për rritjen e sektorit në vitin 2006 qëndron në nivelin 2.5 për qind, duke qenë më i lartë se rritja në vitin 2005, por më i ulët se norma mesatare e rritjes gjatë pesë viteve të fundit. Investimet në sektorin e bujqësisë dhe financimi nga ana e sistemit bankar, do të rriten në përputhje me potencialin që ka kjo degë, vetëm nëse eliminohen pengesat e krijuara nga probleme të shumta strukturore.

Toka bujqësore nuk shfrytëzohet në maksimum, si pasojë e migrimit të jashtëm dhe të brendshëm dhe problemeve me titujt e pronësisë. Infrastruktura relativisht e pazhvilluar e zonave rurale, vështirëson daljen e produkteve në treg. Copëzimi i tokës bujqësore pengon organizimin efektiv të prodhimit, ul rendimentin dhe rrit koston e përdorimit të mekanikës bujqësore.

Përsa i përket energjisë, Banka e Shqipërisë vlerëson se ajo mbetet sfida jonë kryesore në periudhën e afërt dhe atë afatmesme.

Për rreth një dekadë e gjysmë po përballemi me kufizime të theksuara në furnizimin me energji elektrike. Përkimi në kohë i krizave aktuale me një ambient global shumë të ndjeshëm ndaj këtij problemi, ka bërë që kostot e importimit të burimeve energjitike të jenë relativisht të larta, të cilat në terma afatgjatë do të ishin të papërballueshme. Nga vrojtimet e Bankës së Shqipërisë rezulton se pasojat negative që kjo situatë krijon, janë të shumta dhe të lidhura drejtëpërsëdrejti me aktivitetin ekonomik të sektorit prodhues si në nivel korrporatash ashtu edhe në atë të biznesit të vogël apo të mesëm. Përsëritja e herëpashershme rrit rrezikun që periudhat me kufizime të ndjeshme të energjisë, të mos konsiderohen më si goditje rastësore por gjithnjë e më shumë të klasifikohen si faktorë të përhershëm, të cilët duhen faktorizuar në kostot e prodhimit dhe për rrjedhim, në politikat e formimit të çmimeve dhe në pritjet për to.

Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë vlerëson se, duke filluar që nga viti 2007, të gjithë aktorët vendimmarrës përkatës nevojitet të zbatojnë një politikë të re administrimi, konkrete, të ndryshme nga praktika 15-vjeçare. Pjesë integrale e saj nuk duhet të jetë vetëm administrimi i burimeve aktuale energjitike, por dhe hapat konkretë në rrjetin shpërndarës si masa afatshkurtra për të kaluar në veprime më afatgjata, që do të kuptonin ndërtimin e burimeve alternative të energjisë. Zgjidhja sa më e shpejtë e situatës energjetike, do të ketë ndikime pozitive për biznesin shqiptar, për shëndetin e financave publike, për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit dhe për stabilitetin makroekonomik.

Në përfundim të kësaj pjese të parë, do të doja te evidentoja disa çështje të tjera, të cilat mendoj se duhet të përfshihen në listën e prioriteteve të zhvillimit afatmesëm ekonomiko-financiar të vendit. Ekonomia shqiptare po largohet nga statusi i një ekonomie në tranzicion duke iu afruar atij të një ekonomie në zhvillim. Ky hap cilësor kërkon thellimin e mëtejshëm të reformave strukturore, rritjen e efektivitetit të politikave të zhvillimit dhe zgjerimin e kapaciteteve absorbuese të vendit, në drejtim të rritjes së konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare në kontekstin rajonal dhe më gjerë.

Si një çështje të afërt dhe të perspektivës do të evidentoja thellimin e vazhdueshëm të deficitit tregtar. Edhe pse momentalisht pozicioni i jashtëm i vendit, i materializuar në tregues të tillë si borxhi i jashtëm, niveli i rezervave valutore apo pozicioni i përgjithshëm i bilancit të pagesave nuk paraqitet problematik, vlerësoj se rritja e eksporteve nuk është e mjaftueshme, veçanërisht në kontekst të varësisë së lartë që ka ekonomia shqiptare ndaj dërgesave të emigrantëve. Deficiti korent relativisht i lartë, rreth nivelit 7.6 për qind të PBB-së, është një argument më shumë në këtë drejtim. Ky i fundit, në prani edhe të një deficiti fiskal, rrit ekspozimin e ekonomisë tonë dhe bën të domosdoshëm sigurimin e prurjeve valutore të një natyre më të qëndrueshme. Kjo, do të përkthehej në një nevojë për më shumë investime të huaja direkte cilësore, të cilat nga ana e tyre do të kontribuonin në një rritje të qëndrueshme të eksporteve.

Për këtë qëllim, duke përfituar edhe nga një ambient global, i cili në vazhdimësi është në kërkim të tregjeve të reja, do të sugjeroja një strategji kombëtare marketingu më cilësore. Në këtë strategji, duhet të evidentohen në mënyrë profesionale dhe bashkëkohore, të gjitha nismat e fundit dhe oportunitetet e shumta që ofron Shqipëria. Gjithashtu, mendoj se ka ardhur koha që në planet tona afatgjata të zhvillimit, duhet të integrojmë edhe projekte të përbashkëta rajonale. Infrastruktura rrugore, energjia, komunikacioni, turizmi e fusha të tjera, janë ende të pazhvilluara në nivel rajoni. Për këtë arsye, vlerësoj se projektet rajonale të natyrës strategjike ngjallin një shkallë më të lartë interesimi tek investitorët vendas dhe të huaj. Ekonomitë e rajonit të marra të shkëputura, janë relativisht të vogla, por të marra të gjitha së bashku, mendoj se formojnë një treg tërheqës me shumë mundësi investimi.

Këto vitet e fundit, është verejtur gjerësisht se shkalla e depërtimit të investimeve të huaja në rajonin tonë është relativisht e vogël dhe kryesisht, pasqyron procesin e privatizimit të pasurive të rëndësishme publike. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ekonominë shqiptare. Më konkretisht, gjatë periudhës 2000 - 2006, investimet e huaja direkte të marra së bashku, sipas statistikave të bilancit të pagesave, llogariten rreth 1.45 miliardë usd, rreth 3.5 për qind e PPB-së së realizuar në të njëjtën periudhë.

Në qoftë se do të identifikonim arsyet pse flukset e FDI janë kaq modeste, mund të përmendnim problemet komplekse që karakterizojnë rajonin tonë, ndërkohë që edhe në plan kombëtar ekzistojnë arsye të ndryshme, të cilat ulin aftësinë thithëse të ekonomisë sonë.

Banka e Shqipërisë mendon se stadi aktual i zhvillimit të vendit, krijon mundësi të mëdha në këtë drejtim. Eksperienca e vendeve të sapoanëtarësuara, ka treguar se nënshkrimi i MSA dhe negociatat që pasojnë atë, janë ndjekur nga fluks i lartë FDI-sh. Gjithsesi, nuk mund të pretendojmë që ky fenomen do të jetë automatikisht i pranishëm edhe në Shqipëri. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë gjykon se thellimi i mëtejshëm i reformave strukturore është i domosdoshëm dhe se ky proces, duhet të pasohet me përmirësimin e klimës së biznesit si dhe me rritjen e shkallës së zbatimit të ligjit.

Si problem të fundit, por jo më të parëndësishmin, do të doja të ekspozoja shkallën ende të ulët të mbulimit të aktivitetit ekonomik me të dhëna statistikore. Politika monetare që ne po ndjekim, është një proces sa dinamik aq dhe vizionar. Përveç ekzistencës së tregjeve eficiente ajo kërkon edhe një mbështetje të gjerë me të dhëna statistikore të freskëta dhe metodologjikisht të sakta.

Pavarësisht përpjekjeve tona të vazhdueshme dhe mirëkuptimit që kemi gjetur tek INSTAT, ne e shikojmë të domosdoshme që të apelojmë për një vëmendje më të madhe të të gjithë shoqërisë dhe institucioneve përkatëse në veçanti, në drejtim të shtimit të informacionit statistikor dhe konsolidimit të mëtejshëm të atij ekzistues. Ka ardhur koha që të gjitha insititucionet monitoruese, licencuese, vendimmarrëse përfshirë dhe organizatat e shumta joqeveritare, të ndjejnë një përgjegjësi më të madhe në këtë drejtim. Është momenti që ato të zhvillojnë modele vlerësimi dhe matjesh të tërthorta, për shumë nga treguesit demografikë, ekonomikë, socialë dhe financiarë.

Më lejoni tashmë të prezantoj një çështje tjetër të rëndësishme të fjalës time, që ka të bëjë me një nga përgjegjësitë kryesore ligjore të Bankës së Shqipërisë, stabilitetin e çmimeve të konsumit.

2. Zhvillimet në inflacion dhe politika monetare

Inflacioni i çmimeve të mallrave të konsumit gjatë vitit 2006, është luhatur në pjesën më të madhe midis kufijve të intervalit 2 - 3 për qind. Viti u mbyll me një normë vjetore të inflacionit prej 2.5 për qind. Kjo vlerë ishte pranë inflacionit mesatar vjetor prej 2.4 për qind, duke qenë e njëjtë me atë të vitit 2005. Presionet inflacioniste ndonëse në mënyrë të moderuar, kanë ardhur në rritje gjatë vitit 2006. Norma mesatare e inflacionit vjetor u ngjit në 2.7 për qind, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit, nga 2.0 për qind që ishte në gjysmën e parë të vitit.

Në përgjithësi, stabiliteti i inflacionit mesatar vjetor gjatë viteve të fundit, flet për qëndrueshmëri të normës së inflacionit, pavarësisht nga luhatjet në kohë dhe në madhësi, të faktorëve që kanë kushtëzuar ecurinë e çmimeve të konsumit. Zhvillimet në anën e kërkesës dhe të ofertës së ekonomisë kanë qenë të balancuara, duke mos krijuar premisa për presione inflacioniste.

Politika fiskale ka respektuar treguesit e programuar në nivel vjetor, duke stabilizuar ndikimin e komponentit të sektorit publik në kërkesën agregate. Po kështu, politika monetare ka kontrolluar kushtet e likuiditetit, zhvillimin e normave të interesit dhe ka ndjekur ecurinë e kursit, duke monitoruar nëpërmjet tyre stimujt financiarë të aktivitetit ekonomik. Nga ana tjetër, nivelet e ulta të inflacionit gjatë viteve të fundit, janë reflektuar në ankorimin e pritjeve inflacioniste të ekonomisë pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Ky faktor i fundit, mund të ketë kontribuar në frenimin e efekteve të raundit të dytë, që mund të shkaktonin në ekonomi disa nga goditjet e ofertës, me të cilat u përball ekonomia shqiptare, si çmimet e larta të naftës dhe rritjet e çmimeve të administruara.


Kushtet monetare dhe vendimet e politikës monetare

Vendimet e politikës monetare për normën bazë të interesit në ekonomi, janë ndërmarrë në bazë të analizave të vazhdueshme të zhvillimeve korente dhe të pritshme, të faktorëve të kërkesës dhe të ofertës, me origjinë në ambientin e brendshëm dhe të jashtëm. Në kushtet kur u evidentua një gjallërim i presioneve inflacioniste dhe në praninë e një numri faktorësh që pritej të favorizonin më tej këtë situatë, Banka e Shqipërisë vendosi për një ndryshim të kahut të politikës monetare, në fillim të tremujorit të tretë të vitit 2006. Ky ndryshim erdhi pas një periudhe neutraliteti, që zgjati rreth 1.5 vjet. Ndryshimi i kahut të politikës monetare, u materializua në dy rritje të normës bazë të interesit, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2006. Në muajt korrik dhe nëntor 2006, norma e repove njëjavore u rrit përkatësisht me nga 0.25 pikë përqindjeje. Maturia në vendimmarrjen e politikës monetare, gjeti shprehje në distancimin në kohë të dy lëvizjeve shtrënguese në normat e interesit.

Në periudhën kohore korrik - nëntor 2006, janë bërë vlerësime të vazhdueshme mbi masën e reagimit dhe ndjeshmërinë e tregut bankar ndaj qëndrimit të politikës monetare mbi normat e interesit. Rritja totale e këtyre të fundit me 0.5 pikë përqindjeje, vlerësohet të ketë normalizuar ritmet e rritjes vjetore të ofertës së parasë, duke iu përgjigjur në mënyrë më të plotë kërkesës për mjete monetare, nga ana e sektorëve publik e atij privat. Veprimet e politikës monetare kanë ndihmuar në stabilizimin e pritjeve inflacioniste të agjentëve ekonomikë, për një periudhë afatmesme.


Politika fiskale

Banka e Shqipërisë vlerëson se gjatë vitit 2006, politika fiskale ka mbështetur kënaqshëm zhvillimet në inflacion. Treguesit fiskalë u realizuan brenda kufijve të programit buxhetor, duke mos krijuar premisa për rritjen e presioneve inflacioniste në ekonomi. Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2006, u konstatua një përqendrim i lartë i shpenzimeve buxhetore. Realizimi i deficitit buxhetor në fund të vitit, i vlerësuar me rreth 3.2 për qind të PBB-së apo 0.7 pikë përqindjeje më i ulët se ai i një viti më parë, ka ndikuar në tkurrjen e presioneve inflacioniste dhe në kontrollin e zgjerimit monetar.


Faktorë të kërkesës

Kërkesa e brendshme gjatë vitit 2006, ka mbështetur në një masë të konsiderueshme ritmet pozitive të rritjes ekonomike. Ecuria e mirë e kërkesës së brendshme është reflektuar nga një numër treguesish të aktivitetit ekonomik. Kështu, treguesi i shitjeve për nëntëmujorin e parë të vitit, shënoi një rritje vjetore prej 12.4 për qind. Në mënyrë të veçantë, rritja e importeve të makinerive dhe pajisjeve dhe rritja e kredive për pasuri të patundshme, janë tregues të zgjerimit të investimeve në vend. Kërkesa e brendshme ka ardhur në rritje edhe si pasojë e zgjerimit të shpejtë të aktivitetit kreditues, i cili shënoi një rritje prej 57 për qind në terma vjetorë. Krahas efekteve pozitive të zgjerimit të investimeve, rritja e kërkesës së brendshme ushtron presion për rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimeve.

Në mungesë të ndonjë presioni të dukshëm inflacionist nga ana e kërkesës, mund të vlerësohet se ekonomia shqiptare po shfrytëzon kapacitetet e lira pa rritur kostot dhe rrjedhimisht, çmimet përfundimtare të mallrave dhe shërbimeve. Gjithashtu, duhet theksuar se një pjesë e kësaj kërkese të brendshme është plotësuar nëpërmjet rritjes së importeve dhe të deficitit tregtar, duke lehtësuar presionin mbi çmimet e konsumit.

Faktorë të ofertës

Çmimet e importit. Ekonomia shqiptare është një ekonomi relativisht e hapur dhe, për pasojë, çmimet e importit përbëjnë një element të rëndësishëm të inflacionit në vend. Përgjithësisht, gjatë këtij viti, kushtet ekonomike të partnerëve tregtarë të Shqipërisë kanë qenë të favorshme, duke lehtësuar kontrollimin e presioneve nga ana e ofertës dhe duke mundësuar respektimin e objektivit të inflacionit.
Çmimet e naftës. Çmimet e konsumit gjatë vitit 2006 u ndikuan nga situata e tensionuar në tregun ndërkombëtar për çmimin e naftës. Ndikimi i këtij faktori, përsa i përket intensitetit të veprimit në normën e inflacionit, nuk ishte i njëtrajtshëm, duke qenë më i lartë gjatë nëntë muajve të parë të vitit dhe duke shënuar rënie, gjatë tremujorit të fundit.

Kursi i këmbimit. Gjatë vitit 2006, zhvillimet në kursin e këmbimit kanë mbështetur dobësimin e presioneve inflacioniste të kahut të ofertës. Monedha vendase është mbiçmuar ndaj dollarit amerikan dhe ka ruajtur të pandryshuar pozitën e saj në lidhje me euron. Tendencat mbiçmuese të lekut, ndonëse të dobësuara në muajt e fundit, kanë bërë që çmimi i importeve në monedhën vendase të bjerë. Në këtë mënyrë, kursi i këmbimit ka ndihmuar në frenimin e efektit të çmimit të lartë të naftës në tregjet botërore dhe në ruajtjen e një norme të ulët inflacioni.

Prodhimi bujqësor. Prodhimi bujqësor është një ndër faktorët kryesorë të brendshëm, që kushtëzojnë zhvillimet në çmimet e konsumit. Sasia e prodhimeve bujqësore vendase, ndikon në mënyrë të menjëhershme nivelin e çmimeve të mallrave ushqimorë. Gjatë vitit 2006, efekti sezonal i rritjes së prodhimit bujqësor, është shfaqur më me vonesë sesa në vitet e kaluara, duke bërë që rënia e çmimeve të mallrave ushqimorë të regjistrohej vetëm në muajt shtator dhe tetor.

Çmimet e prodhimit. Gjatë vitit 2006, çmimet e prodhimit vazhduan të ndjekin prirjen rënëse, të vërejtur që prej muajit prill 2005. Megjithatë, përqendrimi i indeksit të çmimeve të prodhimit në sektorin prodhues të industrisë, e vështirëson krahasimin e tij me indeksin e çmimeve të konsumit. Gjithashtu, vlerësohet se pjesa e prodhimit vendas nuk është ende një përbërës përcaktues i ofertës së mallrave në tregun vendas, duke mos ndikuar kështu çmimet e konsumit.

Papunësia dhe pagat. Ecuria e mirë e aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2006 u reflektua dhe në treguesit e tregut të punës, dhe kryesisht në nivelin e papunësisë. Mundësi të reja punësimi u krijuan, duke bërë që norma e papunësisë të vazhdojë prirjen rënëse të vërejtur prej më shumë se dy vjetësh. Përmirësime janë vërejtur dhe në drejtim të të ardhurave. Kështu, pagat në sektorin shtetëror, paga minimale dhe pensionet kanë pësuar rritje sipas programit të buxhetit. Ecuria e deritanishme e inflacionit tregon se ekonomia shqiptare nuk vuan nga mospërputhje të ndjeshme midis rritjes së pagave dhe produktivitetit.

Pritjet inflacioniste. Pritjet e biznesit dhe të publikut në terma afatshkurtër deri afatmesëm, janë luhatur rreth niveleve të faktuara të inflacionit. Sipas vlerësimeve periodike të Bankës së Shqipërisë, pritjet e publikut kanë konverguar, në pjesën më të madhe, rreth vlerave 1 - 3 për qind. Ndërkohë, pritjet e biznesit për ecurinë e çmimeve, shfaqin një luhatshmëri më të lartë. Në ankorimin e pritjeve të publikut të gjerë drejt vlerës së inflacionit të synuar nga Banka e Shqipërisë, një rol të rëndësishëm ka luajtur politika monetare dhe konsolidimi i stabilitetit makroekonomik.

3. Zhvillimet në ofertën e parasë

Gjatë pjesës më të madhe të vitit 2006, treguesit monetarë kanë pasqyruar kërkesën e stabilizuar për mjete monetare. Ritmi mesatar i rritjes së M3, rezultoi 12 për qind. Kërkesa për para e sektorit publik u rrit me vetëm 3.3 për qind, gjatë vitit 2006. Kjo huamarrje, relativisht e ulët, ka balancuar ritmet e larta të kreditimit të sektorit privat, duke influencuar pozitivisht në ruajtjen e stabilitetit monetar. Në përputhje me tendencën e vënë re gjatë viteve të fundit, zhvillimet monetare janë karakterizuar nga zhvendosja drejt mjeteve monetare më afatgjata.

Ecuria e parasë jashtë bankave ka ndjekur tendencën e përgjithshme të kërkesës për para. Pesha e parasë jashtë bankave ndaj M3 në fund të vitit, shënoi 24.2 për qind ose 1.7 pikë përqindjeje më pak se një vit më parë. Në terma nominalë, paraja jashtë bankave pësoi rritje prej 13.6 miliardë lekësh ose 9.1 për qind.

Ambienti makroekonomik, gjatë vitit 2006, ka qenë i favorshëm për rritjen e qëndrueshme të depozitave në lekë të sistemit bankar. Normat pozitive të interesave realë janë shoqëruar me rritje të mëtejshme të depozitave në lekë. Depozitat në lekë janë rritur me 38 miliardë gjatë vitit 2006, duke plotësuar nevojat prej 35.9 miliardë lekësh të ekonomisë dhe të qeverisë për kredi në monedhën kombëtare.

Në vitin 2006, depozitat në valutë janë rritur me rreth 29.4 për qind. Ritmi më i lartë i rritjes së depozitave në valutë kundrejt ritmit të rritjes së ofertës monetare, ka çuar në rreth 29 për qind raportin e depozitave në valutë ndaj M3. Pesha e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave u rrit në 38.5 për qind, kundrejt 35.5 për qind në vitin 2005.


4. Kërkesa për para

Zgjerimi i kërkesës për para kulmoi në muajin dhjetor me një rritje vjetore prej 16.7 për qind. Kontributin kryesor në rritjen e kërkesës për para gjatë vitit e ka dhënë kredia për ekonominë. Ky kontribut shënoi maksimumin e tij në muajin qershor, duke ardhur në zbehje në muajt në vijim, si pasojë e rritjes së huamarrjes publike. Pozicioni valutor me jashtë ka ruajtur një peshë relativisht të qëndrueshme në krijimin e mjeteve monetare gjatë vitit.

Kredia për ekonominë

Zhvillimi i sistemit bankar dhe rritja e rolit të bankave si ndërmjetës financiarë, kanë sjellë zgjerim të ndjeshëm të aktivitetit kreditues gjatë viteve të fundit. Portofoli i kredisë arriti në 191.2 miliardë lekë ose 21.3 për qind të PBB-së, në fund të vitit 2006. Portofoli i kredisë për ekonominë përbënte 31.3 për qind të totalit të aktiveve të sistemit bankar dhe rreth 37.4 për qind të depozitave të sistemit bankar.

Në terma absolutë, kredia për ekonominë u rrit me 69.3 miliardë lekë gjatë vitit 2006, krahasuar me rritjen prej 52 miliardë lekësh gjatë 2005-ës. Gjatë dy viteve të fundit, bankat tregtare kanë plotësuar më mirë kërkesën në rritje për kredi në lekë. Në fund të vitit 2006, kredia në lekë përbënte 29 për qind të portofolit të kredisë, duke shënuar një zgjerim të moderuar në peshën e saj.

Kredia për bizneset përbën pjesën kryesore të portofolit të bankave, duke arritur në 66.5 për qind të totalit në fund të vitit 2006. Në terma vjetorë, kredia për biznese u rrit me 52 për qind. Struktura e shpërndarjes së kësaj kredie, sipas përdorimit, ka tentuar të bëhet më uniforme, krahasuar me një vit më parë. Pjesa më e madhe e kredisë për bizneset (34.5 për qind), përdoret për blerjen e pajisjeve dhe makinerive. Ndërkohë që, 23.2 për qind e portofolit të kredisë për biznese, është përdorur për financimin e investimeve të zgjerimit të sipërfaqeve të kryerjes së aktiviteteve.

Kredia për individët arriti në 7 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, në vitin 2006 ose 33.5 për qind e totalit të portofolit të kredisë. Më shumë se gjysma e kredisë së individëve (59.3 për qind) është akorduar për financimin e blerjeve të pasurive të paluajtshme. Ndërkohë që rritje ka shënuar edhe financimi i blerjeve të mallrave të konsumit. Raporti i kredisë për konsum, në totalin e portofolit të individëve është 27.3 për qind, nga 20 për qind një vit më parë. Në veçanti, kredia konsumatore ka njohur rritje të dukshme në muajt karakteristikë të pushimeve verore si dhe gjatë muajve të fundit të vitit, në periudhën e festave.

Duke u ndalur në kreditimin e sektorëve të veçantë, duhet theksuar se sektori i tregtisë mbetet më i kredituari nga sistemi bankar, me 22.4 për qind të portofolit të kredisë. Kredia për sektorin e ndërtimit ka paraqitur frenim të ritmeve të rritjes, gjatë vitit 2006. Ky sektor paraqiti shenja të përkohshme përmirësimi gjatë muajve të verës, duke iu rikthyer më pas trendit rënës. Ndërkohë, kreditimi i ulët i sektorit të bujqësisë tregon për probleme të vazhdueshme strukturore, që pengojnë kreditimin e këtij sektori.

shpërndarjen gjeografike të kredisë, vihet re se 68 për qind e portofolit, është e përqendruar në Tiranë. Pas saj, renditen Durrësi dhe Vlora, me 8 dhe 4 për qind të portofolit të kredisë, përkatësisht. Kjo tregon rëndësinë e madhe ekonomike të zonës së Tiranës si dhe nevojën për përmirësimin e infrastrukturës ekonomike, në pjesën tjetër të vendit.


Mjetet valutore neto

Pozicioni valutor i sistemit bankar është përmirësuar, gjatë vitit 2006. Mjetet valutore neto të sistemit bankar arritën në nivelin 2.4 miliardë usd në fund të këtij viti, duke shënuar një rritje vjetore prej rreth 440 milionë usd.


Kërkesa për para e qeverisë

Llogaria e qeverisë ka paraqitur një ecuri jo të zakontë, gjatë vitit 2006. Për pjesën më të madhe të vitit, kërkesa për para e qeverisë ka qenë negative, duke e përqendruar huamarrjen e brendshme të planifikuar, në dy muajt e fundit të vitit. Financimi gjithsej i deficitit për vitin 2006, rezultoi rreth 22.6 miliardë lekë.

 

5. Tregu financiar dhe normat e interesit

Viti 2006 është karakterizuar nga rritja e aktivitetit në tregun e parasë dhe në tregun e kapitaleve, ndërkohë që ecuria e normave të interesit është orientuar përgjithësisht, nga politika monetare e Bankës së Shqipërisë. Në kushtet e tepricës së likuiditetit, normat e interesit kanë patur një tendencë rënëse gjatë gjysmës së parë të vitit. Pas sinjalizimit të shtrëngimit të kushteve monetare në gjashtëmujorin e dytë, normat e interesit kanë qenë në rritje.

Tregu ndërbankar ka qenë më aktiv gjatë vitit 2006, duke siguruar një mënyrë më efektive për administrimin e fondeve të tepërta të bankave. Vëllimi mesatar ditor i transaksioneve, arriti shifrën 1.6 miliardë lekë ose 0.2 miliardë lekë më shumë se mesatarja e vitit të kaluar. Tregu ndërbankar është karakterizuar nga ngushtimi i diferencës së normave të interesit sipas maturiteteve dhe pozicionimi i tyre pranë normës bazë të interesit. Spread-i mesatar midis interesave njëditorë dhe shtatëditorë zbriti në 0.7 pikë përqindjeje në vitin 2006, nga 1.6 pikë përqindjeje në vitin 2005.

Në gjysmën e parë të vitit 2006, ka pasur një ulje të vazhdueshme të yield -eve të bonove të thesarit dhe të obligacioneve të qeverisë, si pasojë e kërkesës së ulët të qeverisë për financim. Në gjysmën e dytë të vitit 2006, pas sinjaleve shtrënguese të Bankës së Shqipërisë dhe rritjes së kërkesës për likuiditete në sistem, pati një rritje graduale të këtyre yield-eve. Krahasuar me një vit më parë, yield-et janë rritur përkatësisht me 0.83 pikë përqindjeje, 0.45 pikë përqindjeje dhe 0.98 pikë përqindjeje.

Emetimet e obligacioneve të qeverisë janë rritur krahasuar me vitin e kaluar, duke bërë që portofoli i bankave, të vetmet pjesëmarrëse në këtë treg, të rritet me 37.0 miliardë lekë. Pesha që zënë obligacionet kundrejt totalit të letrave me vlerë të qeverisë është rritur në 22 për qind në vitin 2006, nga 12 për qind vitin e kaluar. Struktura e maturiteteve të tyre varion nga 2 deri në 5 vjet. Obligacionet pesëvjeçare u emetuan për herë të parë, në muajin nëntor të këtij viti, për shumën 6.3 miliardë lekë. Kërkesa për to rezultoi më e lartë sesa shuma e emetuar.

Tregu i depozitave në lekë është karakterizuar nga ulja e interesave, në gjysmën e parë të vitit 2006 dhe rritja e tyre, pas sinjaleve shtrënguese të politikës monetare. Normat e interesit janë rritur më shpejt për afatet e gjata të maturimit, duke reflektuar përshtatjen e kohëzgjatjes së tyre me rritjen e borxhit afatgjatë të qeverisë.

Normat e interesit për kreditë në lekë janë ulur në të gjitha afatet, gjatë vitit 2006. Interesi mesatar i ponderuar në muajin dhjetor 2006 zbriti në 12.92 për qind, nga 13.50 për qind që ishte një vit më parë. Me gjithë uljen e kostos së ndërmjetësimit në krahasim me vitin e kaluar, niveli i spread-it mbetet ende relativisht i lartë. Ai ndikohet nga konkurrenca jo e plotë në këtë treg dhe nga natyra me rrezikshmëri më të lartë e kredive të akorduara në lekë.

Në tregun e depozitave në valutë, normat e interesave në dollarë dhe në euro kanë vazhduar trendin e tyre rritës, si rezultat i shtrëngimit të politikës monetare nga Fed-i dhe Banka Qendrore Evropiane, gjatë vitit 2006. Në të njëjtën kohë, janë rritur dhe normat e interesave për kreditë e akorduara në këto monedha. Rritja më e madhe e këtyre interesave ka qenë në kreditë nga 6 muaj në një vit, në euro dhe në kreditë deri në 6 muaj, në dollarë. Në fund të vitit 2006, interesat mesatarë të ponderuar të kredive në dollarë, arritën 9.42 për qind dhe interesat e kredive në euro arritën në 8.17 për qind, nga 8.47 për qind dhe 7.95 për qind që ishin përkatësisht në fund të vitit të kaluar.


6. Kursi i këmbimit

Gjatë vitit 2006, leku ka ruajtur tendencën mbiçmuese ndaj valutave kryesore, ndonëse me një intensitet më të ulët. Në terma vjetorë nominalë efektivë, leku është mbiçmuar mesatarisht me 1.1 për qind gjatë vitit 2006. Një vit më parë, ky mbiçmim ishte 2.8 për qind. Diferenca e normave të interesit lekë-valutë, edhe pse në rënie gjatë tre viteve të fundit, ka vazhduar të jetë në nivele pozitive.

Zhvillimet ekonomike gjatë vitit 2006, kanë mbështetur një monedhë vendase të qëndrueshme. Presionet mbiçmuese për lekun, janë përqendruar kryesisht në muajt korrik-gusht dhe dhjetor. Përveç hyrjes sezonale të valutës, që është faktori kryesor i forcimit të lekut në këtë periudhë, në treg janë reflektuar dhe rritjet e normës bazë të interesit.

Oferta e lartë e valutës në këtë periudhë, është thithur pjesërisht nga ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë, të cilat kanë synuar përmbushjen e objektivit të saj për rritjen e rezervës ndërkombëtare neto, në përputhje me programin e përgjithshëm makroekonomik të vendit.

7. Instrumentet e politikës monetare

Marrëveshja e riblerjes me maturim njëjavor me çmim fiks, është instrumenti kryesor i përdorur gjatë vitit 2006. Në përputhje me situatën e likuiditetit, Banka e Shqipërisë është zhvendosur nga marrëveshjet e riblerjes tek ato të anasjellta, ndërkohë që edhe afati i maturimit ka ndryshuar nga javor deri në tremujor. Ky spektër lëvizjesh, është imponuar nga faktorë sezonalë, nga sjellja e buxhetit si edhe nga nevoja për të përforcuar sinjale të caktuara, të politikës monetare.

Për të plotësuar nevojat më afatgjata të tregut me likuiditet, gjatë 4 muajve të fundit të vitit 2006, u kryen katër transaksione blerjeje me të drejta të plota të bonove të thesarit, me vlerë nominale totale prej 3.2 miliardë lekësh.

Gjatë vitit 2006, për investimin e likuiditeteve të lira, bankat e nivelit të dytë përdorën instrumentin e depozitës njëditore pranë Bankës së Shqipërisë, mesatarisht për 1.6 miliardë lekë në ditë ose 0.82 miliardë lekë më shumë se në vitin 2005.

Kredia njëditore është përdorur vetëm në shtatë raste, pavarësisht mungesës së likuiditetit gjatë tremujorit të tretë të vitit. Për të katërtin vit rradhazi, instrumenti i fundit kreditues i Bankës së Shqipërisë, kredia lombard nuk pati asnjë rast përdorimi.

Instrumenti i rezervës së detyruar, u përdor në vazhdimësi edhe gjatë vitit 2006 për të tërhequr likuiditetin e sistemit bankar. Ritmi mujor i rritjes së rezervës së detyruar në lekë gjatë vitit 2006, ishte mesatarisht më i lartë se gjatë vitit 2005, 0.92 për qind kundrejt 0.76 për qind, duke reflektuar rritjen në kategoritë respektive që përfshihen në llogaritjen e rezervës së detyruar.

8. Administrimi i rezervës valutore

Gjatë vitit 2006 rezerva valutore bruto, e vlerësuar dhe e raportuar në usd, është rritur me 368.06 milionë usd, duke regjistruar në fund të muajit dhjetor, vlerën 1,793.12 milionë usd.

Nga kjo rritje, rreth 205 milionë usd janë akumulim nga ndërhyrjet valutore të Bankës së Shqipërisë. Këto ndërhyrje, kanë synuar përmbushjen e objektivit sasior për këto mjete dhe zbutjen e luhatjeve në periudhat e pikut të ofertës valutore. Ndërkohë që efekti i kursit të këmbimit ka qenë pozitiv, në masën 106 milionë usd pjesa tjetër e rritjes është kontribut i hyrjeve nga disbursimet e huaja.


9. Ecuria e sistemit bankar

Sistemi bankar vijoi zhvillimin e tij të qëndrueshëm edhe gjatë vitit 2006. Rezultati neto i sistemit bankar për vitin 2006 rezultoi me fitim prej 7.45 miliardë lekësh, rreth 12.9 për qind më shumë se viti 2005. Të ardhurat nga aktivitetet kryesore (të ardhurat neto nga interesi), rezultuan 31.2 për qind më shumë se një vit më parë, duke reflektuar orientimin e sistemit bankar në veprimtari me kthim më të lartë si dhe rritjen e vëllimit të aktiveve në tërësi.

Në fund të vitit 2006, e ardhura neto nga interesat ishte 92.6 për qind e të ardhurave bruto të sistemit bankar, krahasuar me 84 për qind në fund të vitit 2005. Ky tregues, ka shënuar rritje të vazhdueshme, veçanërisht në tre vitet e fundit, duke shprehur qëndrueshmërinë e të ardhurave neto në tërësi për sistemin bankar.

Gjatë vitit 2006, aktivet e sistemit bankar shënuan rritje me 127.7 miliardë lekë, rreth 57.6 miliardë lekë më shumë se rritja e aktiveve e evidentuar në vitin 2005. Kontributin kryesor në rritjen e aktiveve të sistemit bankar e dhanë bankat e mëdha, ndonëse pesha e tyre në treg, vjen në rënie. Llogaritjet tregojnë që niveli i përqendrimit për aktivitetin e kredidhënies është më i ulët, krahasuar me nivelin e përqendrimit për aktivet dhe për depozitat.

Rritja e konsiderueshme e kredidhënies është shoqëruar me rritjen e madhësisë së portofolit të kredive me probleme, me rreth 3.1 miliardë lekë, krahasuar me fundin e vitit 2005. Në fund të vitit, treguesi i cilësisë së portofolit të kredisë, i shprehur si raport i kredive me probleme ndaj totalit të portofolit të kredive në terma bruto, llogaritet 3.1 për qind ndaj 2.3 për qind në fund të vitit 2005.

Aftësia e sistemit bankar për të mbuluar me kapital humbjet e rrjedhura nga kreditë, shënon rënie por mbetet në nivele të mira. Treguesi "kredi me probleme ndaj tepricës së kredisë (neto)", i cili vlerëson madhësinë neto të ekspozimit ndaj rrezikut të kredisë, vazhdon të llogaritet në nivele të ulëta, prej 1.4 për qind në fundvitin 2006.

Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin, në fund të vitit 2006 paraqitet në nivelin 18.1 për qind, duke shënuar një rënie prej 0.5 pikë përqindjeje, krahasuar me fundin e vitit 2005. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit për vitin 2006, vazhdon të ruajë prirjen rënëse të shfaqur gjatë viteve të mëparshme. Bankat e mëdha shënojnë një rritje të treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit, kryesisht si rezultat i rritjes së kapitalit rregullator në fund të vitit, me rreth 62.3 për qind.

Në fund të vitit 2006, raporti i aktiveve likuide ndaj totalit të aktiveve të sistemit bankar, shënoi vlerën 57.6 për qind, krahasuar me 62.6 për qind që ishte në fund të dhjetorit 2005.

Gjatë vitit 2006, sistemi bankar njohu zhvillime të rëndësishme sasiore dhe cilësore. Në fund të vitit, sektori bankar shqiptar përbëhej nga 17 banka prej të cilave, 3 ishin me kapital privat tërësisht shqiptar. Në fillim të vitit 2006 nisi aktivitetin e saj Banka Union. Në maj të vitit 2006, u miratua shitja e 80 për qind të aksioneve të kapitalit aksioner të Bankës Italo-Shqiptare, që i përkisnin Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Capitalia S.A., Itali, tek aksioneri i ri SanPaolo IMI S.p.A., Itali. Në të njëjtën periudhë, u miratua transferimi i pronësisë së 60 për qind (plus 2 aksione) të aksioneve të kapitalit aksioner të Bankës Kombëtare Tregtare nga Kent Bank/Bayindir Bank, tek aksioneri i ri institucional turk, Çalik-Seker Konsorsiyum Yatirim Anonim.

Në gusht të vitit 2006, u miratua transferimi i pronësisë së 11.25 për qind të aksioneve të kapitalit të Bankës ProCredit, nga BERZH tek ProCredit Holding AG (aksioner ekzistues). Në tetor të vitit 2006, u miratua transferimi i 71.97 për qind të aksioneve të kapitalit të Bankës Emporiki S.A. të Greqisë, tek aksioneri Credit Agricol S.A., Francë. Ky transferim, ndikon edhe në pjesëmarrjen indirekte të Credit Agricol S.A. te kapitali aksioner i Bankës Emporiki të Shqipërisë sh.a., në të njëjtën masë.

Gjatë vitit 2006, rrjeti i bankave u zgjerua edhe me 62 degë dhe agjenci të reja, me një shtrirje në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, ku peshën më të madhe e zë rrethi i Tiranës, me 30 degë dhe agjenci të reja të hapura.Gjithashtu, u dha miratimi për dy degë të bankave jashtë territorit të Shqipërisë dhe dy degë të tjera janë në proces miratimi.


10. Aktivitete të tjera të Bankës së Shqipërisë


Sistemi i pagesave

Sistemi i pagesave në Shqipëri ka krijuar tashmë fizionominë e një sistemi të modernizuar si nga ana rregullative ashtu dhe nga ajo operacionale. Numri i transaksioneve të procesuara gjatë vitit 2006 ka një rritje prej 13 për qind, krahasuar me vitin 2005. Ndërkohë, vlera e transaksioneve është rritur me 21 për qind gjatë vitit 2006, duke arritur shifrën 2,664.43 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2005, numri mesatar ditor i pagesave (në të dy sistemet) është rritur nga 312, në 352 ose në 40 transaksione më tepër në ditë. Në vitin 2006, sistemit të pagesave iu shtua një bankë e re, duke e çuar numrin e pjesëmarrësve në 17 banka.

Në muajin mars 2006, filloi shlyerja e pagesave elektronike me kartat VISA. Aktualisht, numërohen 6 banka anëtare në këtë skemë. Numri i kartave në qarkullim është shtuar me 9 herë gjatë vitit 2006, krahasuar me vitin 2004. Shtesa e numrit të kartave, krahasuar me vitin 2005 është 127,552 copë, me gati 56 për qind. Paralelisht me rritjen e numrit të kartave, kemi edhe shtimin e numrit të ATM-ve dhe POS-ve, përkatësisht me 130 ATM dhe 404 POS.

Integrimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar

Detyrimet që rrjedhin nga MSA për Bankën e Shqipërisë lidhen me përmbushjen e kriterit ekonomik të Kopenhagenit, garantimin e të drejtës së vendosjes dhe lirisë për të ofruar shërbime financiare për bankat dhe institucionet e tjera financiare komunitare, liberalizimin e lëvizjeve të kapitalit dhe pagesave rrjedhëse ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së si dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë komunitar (acquis communautaire) në këto fusha.

Një nga zhvillimet më të rëndësishme gjatë vitit 2006, për sa i përket përafrimit të legjislacionit vendas me atë komunitar, ishte hartimi dhe miratimi i ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë". Ligji në fjalë, ka adoptuar pjesën më të madhe të dispozitave të Direktivës 2000/12/EC, në lidhje me fillimin dhe vazhdimin e veprimtarisë së institucioneve të kreditit.

Më 8 nëntor 2006, Komisioni Evropian publikoi Raportin Vjetor të Progresit për Shqipërinë. Në raport, Komisioni Evropian vlerësoi politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë në drejtim të bashkëpunimit me institucionet financiare ndërkombëtare si dhe mbajtjes së inflacionit nën kontroll, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të qëndrueshmëm makroekonomik në vend.

Në të njëjtën kohë, Komisioni shprehu vlerësimin edhe për ndjekjen e një politike të besueshme monetare, duke theksuar veçanërisht marrjen e masave nga ana e Bankës së Shqipërisë, në drejtim të ndryshimit gradual të strategjisë së politikës monetare drejt regjimit të shënjestrimit të shprehur të inflacionit, me qëllim forcimin e transparencës dhe besueshmërisë së politikës monetare.

Raporti evidentoi gjithashtu, zhvillimet pozitive në sektorin bankar në vend si dhe vlerësoi progresin e realizuar në drejtim të ngritjes së regjistrit të kredive, lëvizjes së lirë të shërbimeve bankare dhe financiare, lirisë së vendosjes së bankave të huaja si dhe liberalizimit të mëtejshëm të lëvizjeve të kapitalit.

Më 27 janar 2006, Bordi Ekzekutiv i FMN-së miratoi marrëveshjen e re trevjeçare me Shqipërinë, me një vlerë prej 17.045 milionë sdr. Objektivat kryesorë të programit të ri kanë të bëjnë me ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, si një parakusht për rritjen ekonomike si dhe me përmirësimin e administrimit fiskal, të administrimit të borxhit publik dhe të mbikëqyrjes së institucioneve financiare.

Në vijim të marrëveshjes "Për administrim dhe konsulencë të investimit të rezervës valutore", gjatë vitit 2006, Grupi i Bankës Botërore i ka ofruar asistencë teknike Bankës së Shqipërisë, në kuadër të programit Këshillues për Administrimin e Rezervës Valutore (RAMP).

Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2006, ka mbajtur kontakte të vazhdueshme edhe me BERZH-in, kryesisht në drejtim të ofrimit të informacionit dhe statistikave për zhvillimet në ekonominë shqiptare në përgjithësi, dhe për sektorin financiar në veçanti. Në Raportin e Tranzicionit 2006, BERZH vlerësoi pozitivisht mbajtjen e inflacionit brenda objektivave të Bankës së Shqipërisë si dhe konsolidimin e sistemit bankar gjatë vitit 2006.

Banka për Rregullime Ndërkombëtare (BIS) është një tjetër institucion me të cilin Banka e Shqipërisë ka mbajtur marrëdhënie të ngushta, gjatë vitit 2006. BIS ka qenë veçanërisht aktive në ofrimin e asistencës teknike për Bankën e Shqipërisë, nëpërmjet seminareve dhe trajnimeve të organizuara nga Instituti i Stabilitetit Financiar, i cili promovon stabilitetin financiar ndërkombëtar përmes shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit në fushën e mbikëqyrjes së sistemit financiar.


Gjatë vitit 2006, Banka e Shqipërisë forcoi marrëdhëniet dypalëshe me bankat qendrore të rajonit dhe më gjerë. Personalisht, kam zhvilluar vizita zyrtare në shumë prej bankave qendrore të rajonit dhe të Evropës, ku kam diskutuar mbi zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare si dhe mbi thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe të asistencës teknike, që këto banka mund t'i ofrojnë Bankës së Shqipërisë. Në muajin qershor, Guvernatori i Bankës së Greqisë, z. Nicholas C. Garganas ka zhvilluar një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri. Kjo vizitë është zhvilluar në vazhdën e marrëdhënieve dypalëshe midis dy institucioneve, me një theks të veçantë në shkëmbimin e informacionit dhe të përvojës në fushën e mbikëqyrjes bankare.

Rritja e marrëdhënieve me bankat qendrore të rajonit, kulmoi në tryezën e rrumbullakët të muajit tetor 2006, në Tiranë, ku guvernatorët e bankave qendrore të Rumanisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës diskutuan në lidhje me stabilitetin financiar të rajonit.

Në kuadër të objektivit të Bankës së Shqipërisë, për të përfituar nga përvoja e bankave qendrore të Evropës Qendrore dhe Lindore, të anëtarësuara vitet e fundit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ), gjatë vitit 2006, janë forcuar marrëdhëniet e bashkëpunimit me Bankën Kombëtare të Polonisë, Bankën Kombëtare Çeke dhe Bankën Kombëtare Bullgare.


Emisioni i monedhës

Shtesa e monedhës në qarkullim, në vitin 2006, prej 14,7 miliardë lekësh, i është përgjigjur zhvillimit të balancuar makroekonomik të vendit. Arkëtimet e parave të bankave të nivelit të dytë nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2006, u vërtetuan në nivelin e 105 miliardë lekëve, duke mbetur pothuaj në të njëjtin nivel me vitin 2005. Përsa i përket pagesave në cash nga arkat e Bankës së Shqipërisë për bankat e nivelit të dytë, furnizimi është realizuar sipas kërkesave të paraqitura prej tyre dhe duke synuar në të njëjtën kohë mbajtjen e strukturës së monedhës në qarkullim në kufijtë e projektuar, për fundvitin 2006.

Shpejtësia e qarkullimit të parasë në vitin 2006, për ciklin e shkurtuar të qarkullimit, në total rezultoi pothuaj në të njëjtin nivel me vitin 2005. Megjithatë, shpejtësia e qarkullimit pati ndryshime për prerje të veçanta të kartëmonedhave dhe monedhave metalike. Kështu, rritje e ndjeshme e shpejtësisë së qarkullimit u vërtetua në kartëmonedhat e prerjeve 5.000 lekë, 1.000 lekë dhe 500 lekë, përkatësisht me 13,3 për qind, 38,9 për qind dhe 8,3 për qind.

Ndryshime në legjislacionin bankar

Legjislacioni bankar gjatë vitit 2006, në vijim edhe të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në datë 12.06.2006, ndryshoi dhe u përmirësua në mënyrë thelbësore me hartimin dhe miratimin nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë të ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë"; ligj, i cili hyn në fuqi në 1 qershor 2007.

Ligji "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" u mundëson bankave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian si dhe të gjitha bankave të tjera të huaja, ofrimin e shërbimeve bankare në Shqipëri nëpërmjet një dege apo filiali të tyre, pa bërë asnjë dallim ndërmjet kushteve për licencimin e këtyre degëve dhe filialeve, dhe kushteve për licencimin e bankave shqiptare. Për më tepër, në zbatim të dispozitave të MSA - së, ligji i miratuar parashikon trajtimin e tyre në ushtrimin e veprimtarive bankare dhe veprimtarive financiare pas licencimit, në të gjitha aspektet, si bankë shqiptare.

Për të siguruar dhe forcuar mbrojtjen e depozituesve dhe investitorëve, si dhe për ruajtjen e stabilitetit të sistemit bankar, ligji i ri parashikon rregulla më të qartë për administrimin e rreziqeve, me të cilat mund të përballen bankat, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Duke marrë në konsideratë kushtet aktuale të rritjes me ritme të shpejta të kredidhënies në sistemin bankar, ligji i ri trajton në mënyrë më të plotë dhe të detajuar, edhe lloje të tjera të rrezikut, të ndryshme nga rreziku i kredisë, me të cilat mund të përballen bankat si dhe ekspozimet e lejuara të këtyre të fundit, kur përballen me këto rreziqe.

Ndërmjet të tjerash, ligji parashikon për herë të parë, krijimin dhe mbajtjen nga Banka e Shqipërisë të Regjistrit të Kredive. Qëllimi i ngritjes së këtij regjistri, në kushtet e një zhvillimi të vrullshëm të aktivitetit të kredidhënies, është të ndihmojë bankat për të marrë vendime të mirinformuara kur u japin kredi klientëve të tyre, si dhe të forcojë mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë mbi sistemin bankar shqiptar.

Gjatë vitit 2006, Banka e Shqipërisë ka nisur studimin e parakushteve dhe kushteve të zbatimit në një periudhë afatmesme (viti 2009), të një regjimi të ri të politikës monetare. Në këtë kontekst, janë shqyrtuar mundësitë e përmirësimit të infrastrukturës ligjore për krijimin e këtyre kushteve, në përputhje me standardet ndërkombëtare në këtë fushë. Gjithashtu, është studiuar mundësia e përmirësimit të ligjit organik të Bankës së Shqipërisë, i cili përkon me parashikimin e ndryshimit të tij si prioritet afatmesëm në Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA - së.

Këto ndryshime, parashikohet të përcaktojnë kompetenca dhe procedura të qarta në lidhje me procesin e vendimmarrjes së Bankës së Shqipërisë si dhe në lidhje me transparencën e këtij procesi, çfarë përbën dhe një nga parakushtet thelbësore për hartimin dhe zbatimin e një politike monetare efektive.

Në kuadrin e reformës ligjore, të ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë për ndryshimin dhe përmirësimin e Kodit të Procedurës Civile, Banka e Shqipërisë është angazhuar plotësisht në bashkëpunimin me sektorin bankar, për plotësimin dhe saktësimin e procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm, të titujve ekzekutivë.

Propozimet e Bankës së Shqipërisë, kanë patur për qëllim përmirësimin e bazës ligjore, lidhur me zbatimin e procedurave për ekzekutimin e akteve, të cilat përbëjnë tituj ekzekutivë. Qëllim kryesor, mbetet shkurtimi i kohës së ekzekutimit të këtyre akteve me qëllim rritjen e sigurisë në zhvillimin e aktivitetit të kredidhënies, duke ulur rrezikun e kredisë me të cilin përballen bankat.

Në fund të vitit 2006, Banka e Shqipërisë ka bashkëpunuar ngushtësisht me Ministrinë e Financave, gjatë procesit të hartimit të projektligjit "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit". Banka e Shqipërisë, si autoriteti mbikëqyrës i sistemit bankar, e shikon me përparësi përmirësimin e kuadrit ligjor për parandalimin e përdorimit të sistemit bankar, për pastrimin e parave të rrjedhura nga aktivitetet kriminale dhe pasurive prej tij, në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian në këtë fushë dhe me rekomandimet e tjera ndërkombëtare.

Këtë vit u përfundua me sukses me asistencën e Bankës Botërore, hartimi dhe plotësimi i kuadrit rregullativ për administrimin e rezervës valutore, duke rishikuar politikën e Bankës së Shqipërisë për administrimin e kësaj rezerve, kriteret dhe kushtet e administrimit si dhe decentralizimin e kompetencave vendimmarrëse, gjatë këtij procesi.


Kontrolli i brendshëm

Në vitin 2006 janë realizuar 44 audite dhe 3 procedura verifikimi. Nga auditet e ushtruara, inspektorët paraqitën 269 gjetje dhe dhanë 197 rekomandime. Auditet u kryen në Bankën e Shqipërisë, përfshirë 5 degët e saj në rrethe si dhe njësinë e Shtypshkronjës.

 

11. Bilanci i Bankës së Shqipërisë

Gjatë vitit 2006, totali i aktiveve të Bankës së Shqipërisë u rrit më tej, duke regjistruar nivelin 255,5 miliardë lekë, rreth 14 për qind më i lartë se ai i fundvitit 2005.

Rritje pasqyrojnë të dyja grupet përbërëse, si aktivet e huaja ashtu edhe ato vendase, ndërkohë që grupi i parë zë rreth 68 për qind të totalit të aktiveve, nivel ky i njëjtë me vitin e kaluar. Në krahun e pasiveve, detyrimet e huaja kanë një rënie të lehtë (nga 8 në 7 për qind të totalit) krahasuar me një vit më parë, ndërsa detyrimet vendase kanë pësuar rritje në masën 16 për qind. Paraja në qarkullim është treguesi që ka peshën kryesore në këtë rritje (rreth 45 për qind të rritjes), i pasuar nga zëri i "detyrimeve ndaj qeverisë" (rreth 29 për qind të rritjes) dhe zëri "detyrime ndaj bankave" (rreth 26 për qind të rritjes).
Në përgjithësi, bilanci kontabël i Bankës së Shqipërisë dhe pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve, reflektojnë disa nga zhvillimet bazë që janë regjistruar në ekonomi, ku Banka e Shqipërisë ka një rol të rëndësishëm.

Të ardhurat e realizuara gjatë vitit 2006, tejkalojnë nivelin e para një viti, vetëm me rreth 5 për qind. Ndikimin kryesor në këtë rritje e kanë të ardhurat nga interesat në valutë (rreth 20 për qind më shumë se viti 2005). Kjo reflekton ecurinë e normave të interesit në tregjet e huaja valutore. Ky efekt absorbon rënien në zërin "të ardhura nga interesat në lekë" (rreth 7 për qind më pak se viti 2005), që pasqyron një normë mesatare të interesit poshtë asaj të vitit 2005, megjithë tendencën në rritje gjatë fundit të vitit.

Nga ana tjetër, shpenzimet për interesa tejkalojnë nivelin e para një viti me rreth 25 për qind, duke reflektuar fenomenet pozitive të rritjes së nivelit të depozitave dhe gjendjes së likuiditetit në sistemin bankar. Shpenzimet për interesat në valutë janë tejkaluar në masën rreth 64 për qind krahasuar një vit më parë, ndërsa për interesat në lekë kemi rritje të shpenzimeve në masën rreth 14 për qind. Shpenzimet e tjera (operative dhe amortizimi) kapin një shumë pothuajse të njëjtë me atë të vitit të mëparshëm.

Në përfundim, kompensimi pothuajse i plotë mes rritjes së të ardhurave dhe rritjes së shpenzimeve financiare, bën që fitimi neto i Bankës së Shqipërisë për vitin 2006, të paraqitet në nivel të njëjtë me vitin e kaluar, në masën rreth 5,16 miliardë lekë (ose 99.6 për qind e fitimit të realizuar gjatë vitit 2005).


* * *


Të nderuar deputetë,

Në përfundim të fjalës time, do të dëshiroja të theksoja se Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2006 ka përfshirë në axhendën e saj të gjitha rekomandimet e lëna nga Kuvendi i Shqipërisë, në rezolutën e miratuar prej tij më datë 25 maj 2006. Po kështu, dëshiroj t'ju siguroj se e njëjta filozofi do të karakterizojë punën tonë edhe gjatë vitit 2007. Duke kuptuar drejt rolin dhe misionin e insitucionit tonë, në emër të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, deklaroj se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet një institucion i përgjegjshëm, thellësisht e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Kushtetuta dhe Ligji.

Prioritetet tona gjatë vitit 2007 janë të shumta por më lejoni të përmend ato më të rëndësishmet:

• Ruajtja e stabilitetit të çmimeve të konsumit mbetet objektivi kryesor ligjor i Bankës së Shqipërisë. Ne jemi të bindur se vendimet e marra në vitin 2006 ishin të përshtatshme dhe ato kanë shërbyer për të orientuar pritjet inflacioniste brenda intervalit të vendosur si objektiv. Ndërkohë që, bazuar në filozofinë tonë të vështrimit nga e ardhmja ne do të vlerësojmë me kujdes të gjithë faktorët e rrezikut, në mënyrë që të veprojmë në momentin e përshtatshëm dhe në intensitetin e duhur.

• Stabiliteti makroekonomik është i një rëndësie parësore por pa dyshim, që i një rëndësie kaq jetike është dhe stabiliteti financiar. Për nga rëndësia dhe për nga momenti në të cilin ndodhet zhvillimi ekonomiko-financiar i vendit, ky prioritet merr një rëndësi të jashtëzakonshme. Për më tepër, shtimi i shpejtë i kredisë përbën një argument për më shumë kujdes, veçanërisht në drejtim të cilësisë së saj. Duke qenë plotësisht të ndërgjegjshëm për rolin tonë si institucion vendimmarrës dhe rregullues njëkohësisht, kemi vendosur që të rrisim vigjilencën në këtë drejtim dhe si hap të parë, do të krijojmë një njësi të specializuar, Departamentin e Stabilitetit Financiar.

• Banka e Shqipërisë, edhe një herë thekson objektivin e saj për konsolidimin e mëtejshëm të sistemit bankar. Ky proces, i cili ishte i pranishëm gjatë vitit 2006, duhet të vazhdohet më tej gjatë vitit në vazhdim. Ne do të synojmë që sistemi bankar të jetë bashkësi e institucioneve të shëndosha: që mbështeten nga aksionerë të fuqishëm dhe me përvojë në industrinë bankare; që zbatojnë standardet më të mira të përgjegjshmërisë në drejtim; që realizojnë një veprimtari të ekuilibruar me rreziqe të mirëadministruara; që janë në gjendje të përballojnë dhe të zhvillohen në kushtet e konkurrencës që ofron një treg i hapur dhe i integruar në tregun financiar ndërkombëtar; që mbështesin zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe që, në mënyrë transparente, i ofrojnë publikut shërbime dhe produkte bankare cilësore dhe eficiente.


Dëshiroj të falenderoj edhe një herë Kuvendin e Shqipërisë për shkallën e mirëkuptimit dhe mbështetjen e vazhdueshme, që i ka dhënë Bankës së Shqipërisë.

Ju faleminderit për vëmendjen.