BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbajtur në çeljen e ekspozitës së Bankës së Shqipërisë me temë "100 vjet Pavarësi: pasqyrimi i historisë në monedhën kombëtare", Muzeu Historik Kombëtar, 25 tetor 2012

Data e publikimit: 25.10.2012

 

Njëzet vjet më parë, në shkurt të vitit 1992, qeveritë e 12 vendeve të Bashkimit Evropian firmosën në qytetin holandez të Maastiricht-it, traktatin me anë të të cilit angazhoheshin të adoptonin një monedhë të përbashkët.

Natën e Vitit të Ri të vitit 2002, dhjetë vjet më parë, dritat e kateve më të larta të bankave qendrore evropiane qëndruan gjithmonë të ndezura. Guvernatorët dhe bashkëpunëtorët e tyre më të ngushtë fjetën pak. Përgatitjet për prezantimin e Euros qenë të përpikta por ky ishte një eksperiment i pa provuar më parë. Nuk ekzistonin veprime të ngjashme ku mund të bazoheshin dhe variablat në lojë qenë të shumta.

Ndërsa 20 vjet më parë, ne shqiptarët rijetuam eksperiencën e ndryshimeve shumë të rëndësishme historike, plot shqetësime dhe entuziazëm jo më pak të fuqishëm se ai i përjetuar nga paraardhësve tanë që themeluan Shtetin Shqiptar 100 vjet më parë. Pikërisht në këtë vit të shënuar për sistemin monetar evropian, ndodhën në vendin tonë, ndër të tjera, edhe ndryshime thelbësore ekonomike. Transformim ky që do t’i jepte jetë sistemit bankar dynivelësh dhe do të hapte rrugën për krijimin e një banke qendrore me tipare dhe funksione bashkëkohore.

20 vitet e fundit treguan vlerën e pashembullt të një banke qendrore të pavarur, si një nga gurët e themelit të Shtetit Shqiptar dhe përpjekjet e saj në vite për ruajtjen e vlerës së monedhës kombëtare LEKUT.

Këta 20 vjet për ekonominë shqiptare sigurisht që nuk kanë qenë të njëjtë me ata të fqinjëve tanë evropianë por zhvillimet tregojnë pa diskutim se ajo është tashmë e orientuar drejt një ekonomie tregu të zhvilluar dhe integrimit përfundimtar në Bashkimin Evropian. Kjo periudhë ka treguar sesa të rëndësishme janë reformat strukturore që ndërmori ekonomia shqiptare, duke e bërë atë më konkurruese dhe më të mbrojtur nga kriza. 

Me anë të kësaj ekspozite të organizuar me rastin e kremtimit të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Banka e Shqipërisë është krenare të rikujtojë një prej aspekteve më kryesore të procesit shtetformues të vendit, të cilit zakonisht nuk i kushtohet e njëjta vëmendje si ngjarjeve politike, atyre ushtarake dhe vetë zhvillimeve të ekonomisë reale. Ky aspekt është historia e monedhës sonë kombëtare.

Por, njëkohësit duam të sjellim në vëmendje se, ashtu siç del në pah edhe nga ajo pjesë e ekspozitës kushtuar qarkullimit monetar gjatë periudhës së lashtësisë, në trevat historike shqiptare që në shek. IV para e.s, kur u pre monedha e parë vendase në tregun e shkëmbit, kanë qarkulluar monedhat më kryesore të Evropës. Një mesazh tjetër jo më pak i rëndësishëm që kërkon të transmetojë kjo ekspozitë është se historia e Shqipërisë është e lidhur ngushtë me atë të pjesës tjetër të kontinentit të vjetër të cilit i përket në mënyrë të pakthyeshme, e se pavarësisht devijimeve historike, e ardhmja e saj është paracaktuar të jetë evropiane.

Megjithëse monedha jonë kombëtare nuk mundi të instituohej si valuta e Shtetit Shqiptar menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, ngjarjet dhe peripecitë e historisë së saj, kontribuojnë më së miri në rrëfimin e historisë së vendit tonë, mes vështirësive dhe shpresave të kohës. Si një prej simboleve më të rëndësishme të një shteti sovran, emetimi i monedhës kombëtare shqiptare dhe rrjedhimisht krijimi i një banke qendrore kombëtare ishte një ndër projektet dhe aspiratat kryesore të baballarëve dhe ideologëve të Shqipërisë.

Falë saj aspirohej që Shqipëria të gëzonte jo vetëm një pavarësi politike por edhe një pavarësi ekonomike - ajo do t’i shërbente jo vetëm zhvillimit të ekonomisë së vendit por edhe konsolidimit të pavarësisë së tij. Në fjalimin e tij, të mbajtur disa ditë pas firmosjes së marrëveshjes mbi krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, Ismail Qemali u shpreh: “Ashtu si çdo njeri, i cili sado i pasur të jetë ka nevojë për kredi, madje sipas kredive që ka kuptohet se sa është nderi i tij. Kështu dhe shtetet kanë nevojë për kredi dhe lavdërohen me kredinë që kanë në gjirin e bursave të përgjithshme.”

 Kjo shprehje e Ismail Qemalit është sa e vjetër aq dhe e kohës, sepse ajo që u vërtetua sot është se Sovraniteti i vendeve varet nga çmimi i obligacioneve qeveritare në treg. 

Të dashur pjesëmarrës,

Historia e monedhës është e lashtë sa vetë bota. Kujt do t’i shkonte në mendje se sëpatat do të ishin mjeti kryesore i shkëmbimit në rajonin tonë që zëvendësonte paranë në kohët e lashta.

Po ashtu, mendoj se edhe evropianët e sotëm, gjermanët, holandezët, francezët, italianët, do të habiteshin në qoftë se dikush do t’ju thoshte pas luftës së dytë botërore që në vitin 2010 monedha e tyre marka gjermane, guldeni holandez, frangu francez, lireta italiane e kështu me radhë, nuk do të kishin më vlerë dhe do të zëvendësoheshin nga një monedhë e përbashkët e quajtur Euro. Për habinë më të madhe kjo do të ishte monedha e parë pa shtet dhe në vend të figurave të mbretërve, prijësve ose dijetareve në të, do të zinin vend ura, harta, harqe, godina, yje, e kështu me radhë. Dhe më e habitshme do të ishte që kjo monedhë, nga një përgjegjësi e përveçme e një shteti, do të kthehej në një përgjegjësi të përbashkët.

Por aq i habitshëm është dhe parashikimi që Viktor Hygo ka bërë në vitin 1855 kur thoshte: “Një monedhë kontinentale e bazuar te besimi dhe te metalet e çmuara, që përbën bazën e kapitalit të të gjithë Evropës, dhe e mbështetur nga aktiviteti i një popullsie 200 milionëshe: kjo monedhë e vetme do të zëvendësojë dhe nxjerrë nga qarkullimi të gjithë llojet e tjera absurde të parasë që qarkullojnë sot, së bashku me imazhet princërore dhe mizërinë e tyre.”

Por kjo monedhë ka akoma rrugë të gjatë për të bërë në kudhrën e farkëtarit. Kështu që rruga jonë me lekun është akoma e gjatë.


Tiparet, cilësia dhe karakteristikat teknike të parasë janë pjesë e kredibilitetit të saj. Por sigurisht ajo që karakterizon vlerën e vërtetë të parasë është fuqia e saj blerëse. Në këto 20 vjet Banka e Shqipërisë ka arritur të sigurojë një monedhë të shëndetshme, të besueshme dhe të dashur për të gjithë shqiptarët. 

Së fundi dëshiroj theksoj se ky vit ka qenë një vit i shënuar për numizmatikën me nxjerrjen e një serie dedikuar 100-vjetorit të pavarësisë, seri të cilën po jua bëjmë prezent në ekspozitën që po inaugurojmë sot.

Uroj që me anë të kësaj ekspozite të kemi krijuar një ide mbi udhëtimin e monedhës sonë kombëtare dhe rrjedhimisht, edhe sistemit monetar aktual. Shpresoj që të gjithë vizitorët të kenë dëshirë të vizitojnë përsëri ekspozita të tilla, pasi koha kur Banka e Shqipërisë do të çelë muzeun e saj është afër. Për të realizuar këtë projekt i jemi drejtuar historianëve, ekonomistëve, bibliotekarëve, arkivistëve, artistëve, ekspertëve të komunikimit dhe arkitektëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Rezultati përfundimtar do të rrjedhë nga bashkëpunimi i hollësishëm mes botës akademike, institucioneve, industrisë kulturore dhe Bankës së Shqipërisë. Mendoj se bashkëpunimi për ruajtjen dhe ekspozimin e vlerave kombëtare është mesazhi i duhur në prag të këtij 100-vjetori.