BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mbajtur në ceremoninë e lancimit të projektit “Analiza e nevojave të Bankës së Shqipërisë”

Data e publikimit: 17.04.2014

 

I nderuar zoti Mersch,

I nderuar zoti Hamza,

I nderuar zoti Bajrami,

Të nderuar zotërinj ambasadorë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Synimi i projektit që po lançojmë sot është mbështetja e Bankës së Shqipërisë në procesin e përafrimit me rregullat, procedurat dhe standardet e bankingut qendror në Bashkimin Evropian. Ky është një hap i mëtejshëm përpara në bashkëpunimin gjithmonë e më të ngushtë midis Bankës së Shqipërisë, Bankës Qendrore Evropiane dhe Eurosistemit. Kam kënaqësinë të kemi sot të pranishëm mes nesh Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe Zëvendësguvernatorin e Bankës Kombëtare të Maqedonisë, si bashkë-përfitues të këtij projekti.

Projekti mbulon 13 fusha të ndryshme të bankingut qendror, të identifikuara nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore Evropiane, në të cilat Banka e Shqipërisë ka nevojë të përparojë për të arritur një nivel të krahasueshëm me atë të një banke qendrore në Bashkimin Evropian. Këto fusha prekin të gjitha funksionet kryesore të Bankës së Shqipërisë, si: stabiliteti monetar dhe financiar, operacionet, infrastruktura financiare, transparenca, llogaridhënia dhe kapitali njerëzor.

foto 2 6566 0

Për herë të parë në një projekt të tillë përfshihet edhe teknologjia e informacionit gjë që reflekton impaktin që ka pasur evolucioni teknologjik i dekadave të fundit në sistemet operative të bankave qendrore.

Programi i bashkëpunimit do të zbatohet në partneritet me 11 banka të Bashkimit Evropian, ku Banka Qendrore Evropiane ka një rol bashkërendues. Me dy prej këtyre bankave, Bankën e Italisë dhe Bankën e Francës, vetëm përpara dy vjetësh, Banka e Shqipërisë përfundoi me sukses një tjetër program binjakëzimi.

Gjatë periudhës gjashtëmujore të zbatimit të projektit, bankat qendrore të Eurosistemit do të ofrojnë ekspertizë përmes trajnimeve, konferencave, seminareve, vizitave të ekspertëve dhe mbështetjes në forcimin e kapaciteteve administrative dhe misioneve të rregullta në nivel teknik. Një formë e tillë bashkëpunimi synon të forcojë marrëdhënien ekzistuese dhe të ndërtojë një rrjet më të gjerë bashkëpunimi midis Bankës së Shqipërisë, bankave qendrore të rajonit dhe Eurosistemit.

Projekti financohet nga Komisioni Evropian, në kuadër të politikave mbështetëse ndaj bankave qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të forcuar stabilitetin makroekonomik dhe financiar në rajon. Kjo formë asistence teknike, ka qenë veçanërisht e suksesshme në të shkuarën, duke krijuar lidhje të forta institucionale midis bankave qendrore të Eurosistemit dhe atyre të rajonit. Binjakëzimi mbështetet mbi një plan të detajuar pune që synon përmbushjen e një numri objektivash konkretë dhe të matshëm.

Kjo nënkupton se në përfundim të projektit, Banka e Shqipërisë do të ketë përfituar nga asistenca e duhur teknike për t’i mundësuar ushtrimin e përgjegjësive të veta institucionale, në fushat e përcaktuara nga marrëveshja, në mënyrë më efektive dhe më efiçente. Unë besoj se faktori kryesor i suksesit në programe të tilla bashkëpunimi teknik është i lidhur ngushtë me pasjen e synimeve dhe objektivave të qarta, të vendosur në bashkëpunim me partnerët tanë evropianë.

Marrëveshjet e binjakëzimit janë një instrument i rëndësishëm për të siguruar përputhshmërinë e Shqipërisë me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Marrëveshja aktuale vjen në kohën e duhur, duke pasur parasysh se vetëm dy muaj na ndajnë nga marrja e vendimit për dhënien e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Shqipërinë nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

Objektivi përfundimtar i këtij bashkëpunimi do te shkoje përtej ndihmesës për të arritur nivele të larta profesionalizmi, pavarësie dhe transparence. Ai do te kontribuoje në promovimin e stabilitetit monetar dhe financiar në vend. Gjithashtu, ndihma e përfituar do ti japë një shtyse procesit te  integrimit evropian, duke pasur si fokus të veçantë përmbushjen e kritereve të konvergjencës ligjore dhe ekonomike me Bashkimin Evropian. Kjo thekson edhe një herë rolin e integrimit evropian si një motor i modernizimit ekonomik dhe shoqëror në vendet tona.

Marrëveshja e sotme vjen në një moment kur angazhimi i Bankës Qendrore Evropiane në rajonin tonë nuk fokusohet vetëm në fushën e bashkëpunimit teknik, por shtrihet dhe në atë politike.

Përveç monitorimit të ngushtë të ekonomisë shqiptare dhe atyre të rajonit, Banka Qendrore Evropiane luan një rol aktiv në nismën Vjena 2, e cila synon të identifikojë dhe të zbusë rreziqet sistemike në vendet ku operojnë banka evropiane. Kjo nismë po eksperimenton një mekanizëm të ri bashkërendues midis Bashkimit Evropian dhe rajonit tonë, duke mbledhur përfaqësues nga bankat mëmë, filialet, autoritetet mbikëqyrëse mëmë dhe ato pritëse, institucionet financiare ndërkombëtare dhe Komisioni Evropian.

Gjithashtu, Banka Qendrore Evropiane ka filluar të marrë përsipër një rol të ri mbikëqyrës për rreth 130 bankave sistemike në Eurozonë, një pjesë e të cilave ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe në Shqipëri apo në vendet e tjera të rajonit përmes degëve dhe filialeve. Ky rol, i cili pritet të bëhet funksional në terren prej muajit nëntor të këtij viti, do të ushtrohet në bashkëpunim me autoritetet mbikëqyrëse kombëtare dhe do të ketë implikime edhe për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, për shkak të pranisë së bankave me seli në Eurozonë në sektorët tanë bankarë.

Me krijimin e Mekanizmit të Vetëm Mbikëqyrës, Banka Qendrore Evropiane do të bëhet mbikëqyrësi mëmë për një numër bankash evropiane që operojnë në Shqipëri. Krahas përmirësimit të cilësisë së mbikëqyrjes bankare, ky mekanizëm ka të gjithë potencialin e nevojshëm të lehtësojë bashkëpunimin midis shtetit mëmë dhe shtetit pritës, duke forcuar kështu bashkëpunimin midis Bankës Qendrore Evropiane dhe bankave qendrore të rajonit në fushën e stabilitetit financiar.

Të nderuar pjesëmarrës, sfidat e përbashkëta që kemi përpara janë të shumta dhe kërkojnë zgjidhje brenda një kohe të shkurtër.

Nga ana e Bankës së Shqipërisë, mund t’ju siguroj se do të vazhdojmë të mbetemi në kontakt të ngushtë me Bankën Qendrore Evropiane dhe bankat anëtare të Eurosistemit, duke thelluar më tej komunikimin tonë të hapur dhe të sinqertë të vendosur në të shkuarën.

Përafrimi me standardet dhe praktikat më të mira të bankingut qendror të Bashkimit Evropian është një proces mjaft i rëndësishëm, jo vetëm për ushtrimin efektiv të detyrave të një banke qendrore, por edhe për funksionimin efiçent dhe të qëndrueshëm të sistemit financiar dhe përfitimin e ekonomisë në tërësi. Shpreh besimin tim që zbatimi i këtij projekti do të karakterizohet nga një frymë konstruktive bashkëpunimi midis Bankës së Shqipërisë dhe bankave qendrore të rajonit, nga njëra anë dhe Bankës Qendrore Evropiane dhe Eurosistemit, nga ana tjetër.

Më lejoni ta mbyll fjalën time me një falënderim të sinqertë dhe mirënjohje për të gjithë aktorët që kanë luajtur një rol aktiv në lançimin e këtij projekti, duke filluar nga:

  • Banka Qendrore Evropiane, për bashkërendimin e të gjitha veprimtarive;
  • bankat qendrore të vendeve anëtare për bërjen të mundur ofrimin e një numri të madh ekspertësh për të ndihmuar në implementimin e projektit;
  • dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë për financimin e tij


Ne e vlerësojmë shumë asistencën e Komisionit në adoptimin dhe implementimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian dhe jemi seriozisht të angazhuar të vazhdojmë bashkëpunimin e  suksesshëm me Delegacionin të nisur gjatë projekti të shkuar të binjakëzimit.

Në këtë kontekst, gjej me vend të përsëris mesazhin tim se rruga për integrimin në Bashkimin Evropian kalon më së pari nga integrimi rajonal. Sistemi financiar dhe bankat qendrore janë në pararojë të këtij procesi. Ne presim që ky hap i joni të ndiqet më me vendosmëri nga agjentët ekonomikë, publikë e privatë. Në opinionin tim, integrimi rajonal mund dhe duhet të shërbejë si pararendës i integrimit evropian.

Së fundi, një falënderim dhe mirënjohje e thellë shkon për zotin Mersch për bashkëpunimin e suksesshëm midis institucioneve tona gjatë mandatit të tij si Guvernator i Bankës Qendrore të Luksemburgut dhe tani në Bordin Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane dhe, mbi të gjitha, për miqësinë e tij.

Ju faleminderit shumë për vëmendjen.