BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbajtur në konferencën e organizuar nga The Economist me temë, "Tryeza e Parë e Biznesit me Qeverinë Shqiptare: Identifikimi i mundësive të reja të biznesit", Hotel Sheraton Tiranë

Data e publikimit: 14.09.2006

 

I nderuar Kryetar! Të nderuar pjesëmarrës!

Kam kënaqësinë të jem këtu sot për të ndarë me ju dhe për të diskutuar me ju për pikëpamjet tona, zhvillimet e ardhshme makroekonomike dhe të tregjeve financiare, si dhe për të paraqitur në vija të përgjithshme drejtimin e politikës sonë. Prisja me kënaqësi të flisja në këtë forum. Është një shans i madh që një institucion kaq i njohur të përqendrojë vëmendjen tek Shqipëria. Dëshiroj të falenderoj The Economist Conferences dhe shpreh vlerësimet e mija më të larta për këtë sipërmarrje.

Jam i bindur se anëtarët e gjithë komuniteteve të pranishme në këtë sallë, vendase apo të huaja, do të largohen nga ky forum me një imazh të qartë mbi realitetin ekonomik dhe mundësitë që ofron Shqipëria për biznes. Ekonomia shqiptare, e ndihmuar edhe nga kushtet gjeopolitike dhe ecuria e deritanishme, ndonëse e vogël po të nisemi nga një vështrim i shpejtë, paraqet një numër përparësish dhe stimuj të natyrës financiare ekonomike.

Kohët e fundit ekonomia shqiptare ka arritur një ekuilibër të admirueshëm makroekonomik, në thelb të të cilit qëndron një rritje ekonomike në rreth 5 - 6 për qind, një inflacion i ulët që luhatet rreth intervalit 2 - 3 për qind, si dhe një deficit buxhetor i cili nga njëri vit në tjetrin vjen duke u zvogëluar. Dëshiroj të theksoj se roli i Bankës së Shqipërisë ka qenë i spikatur në këto arritje dhe me të drejtë kemi marrë vlerësime pozitive, si nga institucionet e brendshme ashtu edhe nga ato ndërkombëtare të specializuara. Politika monetare që kemi hartuar dhe ndjekur ka qenë në pajtueshmëri me programin makroekonomik afatmesëm të vendit, duke pasur si shtylla kryesore stabilitetin e çmimeve dhe stabilitetin e sistemit financiar të vendit.

Më lejoni që në vijim të bëj një përmbledhje të shkurtër të disa prej zhvillimeve më të spikatura të kohëve të fundit si dhe pritshmëritë tona ekonomike për të ardhmen.

Rritja ekonomike
Pas mungesave të konsiderueshme të energjisë elektrike me të cilat u përballëm në fundin e vitit 2005, duket se industritë tradicionale që nxitin rritjen, si shërbimet (turizmi) dhe ndërtimi po zhvillohen me ritëm të qëndrueshëm, duke kontribuar në rritjen e përgjithshme ekonomike. Mbështetur në këto zhvillime, si dhe në tregues të tjerë pozitivë, rritja ekonomike vlerësohet se do të jetë në harkun 5 - 5.5 për qind. Sfida kryesore mbetet konsolidimi i kësaj ecurie në periudhë afatgjatë. Mendoj se autoritetet shqiptare i kanë identifikuar tashmë këto sfida, të cilat përkojnë plotësisht me këndvështrimet e Bankës së Shqipërisë. Sa për kujtesë, do t'i përmblidhja disa nga këto prioritete: Ndërtimi i burimeve të reja energjitike, mundësisht alternative dhe administrimi më i mirë i atyre ekzistuese, të cilat do t'i rradhisja si parësore. Nga këndvështrimi ynë, furnizimi i mjaftueshëm dhe i sigurt me energji elektrike mbetet shqetësimi kryesor për të arritur rritjen ekonomike. Zgjidhja e këtij problemi është prioritare në prag të një kërkese globale gjithnjë në rritje dhe çmimeve të larta të energjisë. Një hap tjetër i rëndësishëm për ecjen përpara është privatizimi i shpejtë i pasurive të mbetura ende pronë shtetërore. Vëmendje e veçantë duhet t'iu kushtohet reformave strukturore, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me të drejtat mbi pronën dhe kuadrin ligjor. Në gjykimin tonë, shërbimet, ndërtimi dhe veçanërisht bujqësia mbeten forca shtytëse për rritjen e PBB-së në vitet e ardhshme.

Për rrjedhojë, do të isha plotësisht dakord me çdo iniciativë që inkurajon Investimet e Huaja Direkte (IHD) në këta sektorë, nëpërmjet ligjeve atraktive dhe masave të tjera. Besoj se Investimet e Huaja Direkte janë shumë të rëndësishme për të siguruar stabilitet afatgjatë të sektorit të jashtëm. Madje rritja e produktivitetit, që zakonisht shoqëron flukset hyrëse të Investimet e Huaja Direkte, do të luajë një rol të ndjeshëm në pakësimin e deficitit të llogarisë korente. Ekonomia jonë ka nevojë për më shumë Investimet e Huaja Direkte, prandaj Klasifikimi i Kredive të Vendit përbën një prioritet kryesor për ekonominë tonë.

Kam bindjen se Investimet e Huaja Direkte përfaqësojnë një sfidë rajonale më tepër sesa individuale për Evropën Juglindore. Vendet e rajonit duhet të koordinojnë përpjekjet e tyre për të krijuar një treg rajonal. Projektet rajonale infrastrukturore do të rrisnin ndjeshëm atraktivitetin dhe konkurrencën, si dhe ndërgjegjësimin e tregjeve ndërkombëtare financiare drejt rajonit tonë. Kjo do të përmirësonte besimin dhe do të siguronte stimuj të nevojshëm ekonomikë për të hyrë në rajon, gjë që do të çonte në rritjen e investimeve të huaja direkte për çdo ekonomi.

Inflacioni
Ekonomia jonë ka kaluar një periudhë relativisht të gjatë me çmime të qëndrueshme. Inflacioni vjetor i matur nga indeksi i çmimeve të konsumit është vlerësuar 2.4 për qind në 12 muajt e fundit. Të dyja politikat, monetare dhe fiskale, kanë ndikuar pozitivisht në këtë drejtim. Megjithatë, kohët e fundit janë shtuar presionet për inflacion. Shtimi i shpejtë i kredisë për ekonominë, rritja e shpejtë e çmimeve të naftës, rritja administrative e çmimeve të energjisë, si dhe rreziqe të tjera kanë potencial për të krijuar presione inflacioniste dhe paraqitin rrezik për të ngritur pritjet inflacioniste. Banka e Shqipërisë do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mbajtjen e inflacionit në të ardhmen e afërt dhe të largët në nivelin 3 për qind, me një zonë tolerance plus/minus 1 për qind.

Normat e interesit
Gjatë viteve të fundit, normat e interesit kanë shënuar rënie si reflektim i një politike zbutëse të Bankës së Shqipërisë. Kjo ka qenë një tendencë e përgjithshme për gjithë aktivet financiare në lekë apo në valutë. Sistemi bankar aplikon një interes prej 9.7 për qind mesatarisht për kreditë në lekë. Kthimi i investimit në letrat me vlerë të qeverisë për afatin 12-mujor ra në minimumin 5.74 për qind, në qershor 2006. Megjithatë, në përputhje me vendimet më të fundit të Bankës së Shqipërisë dhe me një prirje të përgjithshme globale, muajt e fundit ka një ndryshim të kahut të interesave si për monedhën vendase, ashtu edhe për ato të huaja. Kjo tendencë duket se do të mbizotërojë edhe për një periudhë afatshkurtër, nga 6 deri në 12 muajt në vijim.

Sistemi bankar
Sistemi bankar shqiptar vazhdon të zgjerohet dhe konsolidohet. Ai është solid, i konsoliduar dhe i mirëkapitalizuar. Sistemi përbëhet prej 17 bankash, tre prej të cilave janë tërësisht me kapital vendas. Rrjeti bankar është zgjeruar vazhdimisht duke mbuluar edhe zona të largëta. Është rritur numri i produkteve bankare të ofruara si dhe është përmirësuar cilësia. Hyrja në treg e grupeve të rëndësishme financiare evropiane, ka krijuar një mjedis konkurrues më të mirë si dhe ka rritur më tej eficiencën. Zgjerimi i portofolit të kredisë dhe normat më konkurruese në huadhënie, kanë thelluar ndërmjetësimin financiar. Të dhënat më të fundit tregojnë se në qershor të vitit 2006, aktivet e sektorit bankar arritën në 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP).

Ndryshimet e shpejta në sistemin bankar në drejtim të rritjes së kredidhënies, dhe integrimi financiar në tregun global imponojnë nevojën për standarde më të larta të transparencës, të përgjegjshmërisë dhe qeverisjes së vetë sistemit bankar, jo vetëm për sa i përket Bankës së Shqipërisë por edhe vetë publikut. Bankat duhet të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe duhet të integrojnë stabilitetin e gjithë sistemit bankar në funksionin e tyre të dobishëm.

Reforma të sistemit financiar
Prej vitesh sistemi bankar ka qenë i përfshirë në një sistem të vazhdueshëm transformimesh. Programi për Vlerësimin e Sektorit Financiar (FSAP) shënon një moment sinjifikativ në këtë proces. Në emër të institucionit që unë drejtoj, përfitoj nga rasti që të falenderoj FMN-në dhe BB-në për përpjekjet e tyre të shkëlqyera për këtë çertifikim financiar, transparent e profesional të sistemit financiar në Shqipëri.

Banka e Shqipërisë mbetet e përqëndruar për të përmbushur rekomandimet FSAP-it, duke ndjekur prioritetet dhe hierarkinë institucionale.

  • Banka e Shqipërisë ka shtuar mundësitë hyrëse dhe investuese të bankave të nivelit të dytë në tregun e letrave me vlerë.
  • Ka përfunduar projektligji i ri "Për bankat ne Republikën e Shqipërisë".
  • Ka filluar funksionimin sistemi i automatizuar i klerimit të pagesave me vlerë të vogël.
  • Është rritur ndjeshëm numri i transfertave elektronike. Ka rezultate konkrete në reduktimin e cash-it në ekonomi.
  • Është rritur shkalla e përfshirjes nën mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë e të gjitha institucioneve financiare jobankare, që ushtrojnë aktivitet në territorin e Republikës së Shqipërisë.
  • Është rritur më tej transparenca e vendimmarrjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Njoftimet nxirren rregullisht dhe faqja e internetit të Bankës së Shqipërisë, publikon çdo informacion të ri lidhur me veprimtarinë e përditshme.
  • Ka pasur një progres të ndjeshëm për ndërtimin e Qendrës së Informacionit të Kredive. Shpresojmë që nga fundi i vitit të ardhshëm kjo qendër të vihet në funksionim.
  • E fundit por jo më pak e rëndësishme, do të theksoja se tashmë është bërë prezent një plan konkret veprimesh, për pjesën e mbetur të rekomandimeve të FSAP.

Të nderuar pjesëmarrës!

Formulimi dhe zbatimi i politikës monetare është një proces i natyrës më sfiduese. Veçanërisht globalizimi e ka ekspozuar ekonominë tonë ndaj goditjeve të natyrës shock. Po kështu, edhe politikat monetare të dy bankave të mëdha ECB dhe FED ndikojnë në ekonominë shqiptare, kryesisht për shkak të shkallës së lartë të zëvendësimit të monedhës.

Rritja e shpejtë e vëllimit të kredisë përbën zhvillimin më të spikatur ndër faktorët e brendshëm. Sipas të dhënave tona, vlerësohet se kredia për ekonominë në harkun kohor të këtyre dy viteve është zgjeruar me rreth 10 - 12 pikë përqindjeje të PBB-së. Me këtë ritëm pritet të arrijë nivelin 18 - 20 për qind, në fund të vitit 2006. Vlen të përmendet se rreth 30 për qind e tepricës së kredisë është në formën e kredisë konsumatore, ndërkohë që rreth 75 për qind është dhënë në valutë.

Kjo përfaqëson një zhvillim shumë të rëndësishëm që meriton vëmendjen tonë të plotë. Shqetësimet tona kryesore lidhen me presionet inflacioniste dhe me huatë e pakthyera në afat, që mund të shoqërojnë këtë ekspansion kreditimi.

Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë gjykoi se drejtimi aktual i politikës monetare nuk krijonte stimuj të mjaftueshëm për të kontrolluar kërkesën agregate. Për rrjedhojë, Banka e Shqipërisë ndryshoi kursin e politikës monetare, duke vendosur në mes të muajit korrik rritjen e normës bazë të interesit (repot njëjavore) me 0,25 pikë përqindje. Me kënaqësi shohim që tregu financiar po reagon ndaj këtij vendimi. Megjithatë, bazuar në një parashikim të afërt për inflacionin dhe në prani të disa rreziqeve, të cilat i shpjegova më sipër, Banka e Shqipërisë parashikon se presionet inflacioniste në 12 muajt në vijim, do të mbeten të larta. Aktualisht ne po vlerësojmë me kujdes shkallën e reagueshmërisë së tregut dhe po gjykojmë nëse nevojitet marrja e ndonjë mase tjetër.

Njëkohësisht, shqetësim në rritje përbën dhe cilësia e kredidhënies. Përshpejtimi i zgjerimit të kredisë sjell sfida si për bankat ashtu edhe për autoritetin mbikëqyrës. Përgjigja ndaj këtyre sfidave do të synojë në arritjen e stabilitetit makroekonomik, nëpërmjet një sistemi bankar të mirëkapitalizuar. Me këtë synim në mendje, Banka e Shqipërisë, si autoriteti mbikëqyrës, ka intensifikuar dialogun me bankat me qëllim që të gjejë një konsensus të mjaftueshëm për: përcaktimin e objektivave realistë për rritjen vjetore të aktivitetit; rritjen e kredisë dhe ruajtjen e cilësisë së mirë të portofolit të kredive; forcimin e kontrollit të brendshëm dhe sistemet e monitorimit të rrezikut; monitorimin e kujdesshëm të treguesve të kapitalit.

Dëshiroj të theksoj në fjalën time, se Banka e Shqipërisë do të jetë e vendosur në zbatimin me rigorozitet të të gjitha kërkesave që rrjedhin nga ligji dhe kuadri rregullativ. Nga ana jonë do të bëjmë modifikime në kuadrin rregullativ dhe mbikëqyrës, lidhur me çështjet e mësipërme, me një qasje realiste e fleksibël. Qëllimi i vetëm i kësaj qasjeje konformiste ndaj rregullave mbikëqyrës, është të krijojmë mjedisin e duhur për të shmangur shqetësime potenciale në të ardhmen në stabilitetin financiar.

Në përfundim, dëshiroj të theksoj për gjithë komunitetin e biznesit, për individët dhe për gjithë agjentët e tjerë ekonomikë se Banka e Shqipërisë do të bëjë gjithë përpjekjet e duhura për të siguruar dhe konsoliduar më tej ekuilibrat makroekonomikë në ekonominë shqiptare, duke pasur në qendër të vëmendjes stabilitetin financiar.

Shpreh bindjen se komuniteti i biznesit e kupton këtë mision të rëndësishëm. Banka e Shqipërisë synon të shprehë hapur perspektivat e saj lidhur me zhvillimet ekonomike, me qëllim që asnjë nga veprimet e saj të mos jetë i papritur për ju. Prandaj, ju ftoj të interpretoni sinjalet tona drejt dhe t'i integroni ato qetësisht në vendimet që merrni për të ardhmen. Dëshiroj t'ju kujtoj se marrëveshja jonë afatmesme me FMN-në dhe përqëndrimi i politikës drejt Bashkimit Evropian dhe Mekanizmit të Kursit të Këmbimit Evropian (ERM), jep garanci shtesë për zotimin tonë.

Duke falenderuar edhe një herë The Economist Conference për këtë mundësi, jam i hapur për pyetje apo komente të mundshme.