BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani mbajtur në pritjen e organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, me rastin e mbylljes së vitit 2009

Data e publikimit: 18.12.2009

 

Me rastin e mbylljes së vitit 2009, Shoqata Shqiptare e Bankave organizoi një pritje me bankierët dhe përfaqësuesit e bankave që operojnë në Shqipëri. Me ftesë të Shoqatës Shqiptare të Bankave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, ka mbajtur një fjalim për të pranishmit.

Më poshtë gjeni të plotë fjalën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbajtur në këtë eveniment.


Të nderuar drejtorë bankash,

Të nderuar kolegë dhe miq,

Është kënaqësi që jam me ju sot, për të festuar përvjetorin e Shoqatës Shqiptare të Bankave. Ky eveniment përkon me përfundimin e vitit 2009, duke na dhënë një arsye më shumë për të analizuar ecurinë e sistemit bankar shqiptar gjatë këtij viti dhe kontributin që ka dhënë Shoqata në këtë drejtim.

Në përgjithësi, kjo periudhë ka pasur uljet dhe ngritjet e veta, por gjithsesi është një periudhë që ka shënuar përparim të dukshëm të sektorit bankar shqiptar, duke e kthyer atë në motorin kryesor të rritjes ekonomike të vendit tonë.

Më lejoni, fillimisht të nënvizoj disa nga elementet kryesore që tregojnë përparimin e sektorit bankar shqiptar gjatë këtyre viteve. Sektori bankar, që dominon sektorin financiar në Shqipëri, ka kaluar nga një sektor me 3 banka, ku të gjitha ishin pronë shtetërore dhe kishin mangësi të ndryshme, në një sektor i cili sot numëron 16 banka, të gjitha me pronësi private, ku mbizotëron kapitali i huaj.

Gjatë kësaj kohe, sektori bankar e ka zgjeruar aktivitetin e tij, duke zënë 77% të PBB-së së vendit, ka rritur numrin e degëve, ka ofruar më shumë produkte ndaj publikut dhe ka përmirësuar cilësinë e tyre, si dhe ka rritur rolin ndërmjetësues financiar, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Njëkohësisht, hyrja e grupeve të njohura bankare evropiane nga Greqia, Austria, Italia dhe Franca, është shoqëruar me episode të konsolidimit në industrinë bankare.

Janë miratuar standarde të larta për një qeverisje më të mirë të bankave dhe marrëdhënie më transparente me publikun. Gjatë këtyre viteve, sektori bankar ka qenë mjaft fitimprurës dhe ka operuar në përputhje me kuadrin rregullator dhe mbikëqyrës në lidhje me kapitalin dhe likuiditetin. Bordi i Drejtorëve dhe aksionerët kanë prezantuar menjëherë masat e nevojshme për ruajtjen e gjendjes së shëndoshë financiare dhe në mbështetje të zgjerimit të bankave të tyre me kapital shtesë. Puna mbikëqyrëse e Bankës së Shqipërisë ka ndjekur dhe monitoruar zhvillimin e sektorit bankar gjatë kësaj kohe, në përpjekje për të adoptuar standardet më të mira ndërkombëtare në këtë fushë.


Por sigurisht, asgjë nuk është absolute. Industria bankare është përballur me një numër çështjesh, shumë prej të cilave janë pjesë e fazës së zhvillimit të sektorit tonë financiar në drejtim të konsolidimit të tij dhe zhvillimit të ekonomisë dhe shoqërisë. Ne kemi diskutuar në lidhje me këto çështje në shumë raste të tjera, por kurrsesi nuk do të lija pa përmendur rëndësinë e mekanizmave të duhura për menaxhimin e rrezikut, zgjerimin e balancuar të aktivitetit, procedura të qarta e transparente, e shumë çështje të tjera.

Por, do të doja të ritheksoja rëndësinë e një elementi të vetëm që i përfshin të gjitha këto: qeverisja e mirë. Për ekipin e menaxhimit të një banke, kjo do të thotë:

  • Profesionalizëm, apo aftësi për të marrë vendime të drejta biznesi, pasi të peshohen rreziqet dhe përfitimet;
  • Përkushtim, ose aftësi për të rrënjosur në një institucion një mjedis punëdashës;
  • Përgjegjësi, ose aftësi për të përmbushur objektivat në mënyrë cilësore;
  • Vizion, apo aftësi për të qenë largpamës në planifikimin e ecurisë së institucioneve tuaja; dhe
  • Llogaridhënie, apo aftësi për të krijuar një sistem efikas kontrolli dhe balancimi për proceset dhe strukturat në institucionet tuaja.

Këto elemente, të cilat janë një domosdoshmëri për filozofinë e administrimit, duhet të rrënjosen në mendjen e çdo punonjësi të institucioneve që ju drejtoni, si një kulturë normale në punë. Jam i sigurt se të gjithë ne jemi dakord që këto çështje duhet të përmirësohen më tej në sektorin tonë bankar.

Të nderuar miq,

Gjatë vitit 2009, sektori ynë bankar u përball me një situatë unike dhe sfiduese. Kriza ndërkombëtare ekonomike dhe financiare, ndikoi dukshëm në besimin e publikut ndaj sektorit tonë bankar. Ajo tregoi se sa i ndjeshëm është mjedisi ynë social ndaj goditjeve financiare dhe se sa e rëndësishme është që të jemi të përgatitur për më të keqen. Krizat financiare janë më të vështirat për t’u administruar dhe pasojat e tyre kërkojnë një kohë të gjatë për t’u absorbuar.

Në të vërtetë, falë likuiditetit të sektorit bankar, mbështetjes së aksionerëve dhe masave të marra nga Banka e Shqipërisë, sektori bankar e përballoi gjendjen e shkaktuar nga tërheqja e depozitave në fillim të këtij viti. Me siguri, goditjen afatshkurtër tashmë e kemi lënë pas, por horizonti nuk është ende i qartë. Për të menaxhuar situatën e likuiditetit, ju u detyruat të pakësonit kreditimin. Kjo ka përkuar me vështirësi më të theksuara në sektorin real të ekonomisë, i cili ka ndikuar në kërkesën për kredi. Tashmë po përballemi me një përkeqësim të cilësisë së portofolit të kredisë, i cili do të rëndojë në rezultatin tuaj financiar për një periudhë afatmesme.

Banka e Shqipërisë i njeh dhe i mbështet përpjekjet e sektorit bankar për të identifikuar sa më herët dhe për të mbuluar me fonde rezervë sa më shpejt kreditë me probleme. Ne ju inkurajojmë që të vazhdoni të tregoni maturinë e duhur, kur vlerësoni cilësinë e kredisë. Nga ana tjetër, ju duhet të mbështesni klientët tuaj dhe të vazhdoni kreditimin e huamarrësve të besueshëm, pasi kjo është e dobishme për klientët tuaj, për ju dhe për gjithë ekonominë. Unë do të vazhdoj t’jua theksoj këtë gjë, pasi jam i bindur se keni mundësi reale për ta bërë këtë në kushte konkurruese, veçanërisht për kreditë në monedhën kombëtare. Nga ana jonë, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të japë mbështetjen e nevojshme, duke ruajtur rrjedhjen e likuiditetit në përmbushje të nevojave tuaja. Kreditimi kërkon më shumë punë dhe analizë jo vetëm nga zyrat, por edhe në terren. Kërkon njohje të thellë të klientit dhe ndjekje të tij dhe të tregut. Por ai është vital për bilancet e bankave dhe aktivitetin ekonomik të vendit.


Ndikimi i krizës financiare ndërkombëtare në sektorin tonë bankar duhet të shërbejë si një mësim për të ardhmen. Siç e kemi përmendur në botimet e fundit, është e nevojshme që të kryeni një proces rivlerësimi të objektivave dhe të modeleve tuaja të zhvillimit për të ardhmen, në mënyrë që të siguroni një aktivitet të vazhdueshëm, të qëndrueshëm dhe fitimprurës.

Gjithashtu, ju duhet të zhvilloni politika dhe struktura që përmirësojnë aftësinë tuaj për veprim në rrethana të pazakonta dhe për të ruajtur "biznesin si zakonisht" për fushat më të rëndësishme. Banka e Shqipërisë tashmë është duke punuar, me synimin që brenda një periudhe të caktuar kohore dhe pas konsultimit me ju, të mbështesë këtë proces nëpërmjet futjes së ndryshimeve në kuadrin rregullator dhe mbikëqyrës. Me gjykime më të thella dhe pas ndryshimeve në standardet mbikëqyrëse në nivel evropian, ne duhet të punojmë së bashku për të siguruar një treg financiar më të balancuar, pa rrezik dhe të qëndrueshëm, si dhe një veprimtari të tillë të institucioneve në të ardhmen. Dua të shpreh besimin tim se industria bankare në Shqipëri do të jetë një aktor aktiv në përmbushjen e këtyre objektivave.

Më lejoni tani të përfundoj me një urim të sinqertë për një Vit të Ri të lumtur dhe të suksesshëm për ju, familjet tuaja dhe institucionet që ju drejtoni! Për Shoqatën e Bankave, uroj që Viti i Ri të përfaqësojë një periudhë përparimi kuptimplotë dhe arritje të mëtejshme!

Faleminderit!