BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, mbajtur në takimin përmbyllës të vitit me Shoqatën Shqiptare të Bankave.

Data e publikimit: 23.12.2011

 

Të nderuar drejtues të bankave,

Të nderuar pjesëmarrës,

Takimi përmbyllës i vitit me Shoqatën Shqiptare të Bankave, tashmë i shndërruar në traditë të komunikimit mes sektorit bankar dhe Bankës së Shqipërisë, ofron një mundësi mjaft të mirë për të bërë një bilanc të shkurtër të rezultateve që arriti ky sektor  gjatë këtij viti si dhe për të identifikuar sfidat e tij për vitin në vijim.

Sektori bankar arriti të mbyllë me sukses vitin 2011. Roli i tij në mbështetjen e aktivitetit ekonomik të vendit ishte i një rëndësie të veçantë, ndërkohë që nga ana tjetër kujdes i madh është treguar për të garantuar shëndetin financiar të tij.

Në këtë drejtim, roli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Mbikëqyrja bankare ka qenë e një natyre paravepruese dhe parandaluese, duke krijuar njëkohësisht hapësira të nevojshme për një administrim sa më fleksibël të veprimtarisë bankare. Përmirësimet e ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, një sërë ndryshimesh në bazën rregullatore të aktivitetit bankar si dhe inspektimet në vend nëpërmjet pranisë fizike, kanë ndikuar në rritjen e imunitetit dhe amortizimin e efekteve negative që gjeneron kriza globale. Banka e Shqipërisë ka kryer në mënyrë periodike provat e rezistencës për të gjithë bankat e sistemit, duke imponuar në çdo rast rritjen e kapitalit për banka të veçanta, në mënyrë që siguria dhe funksionaliteti i sektorit bankar të mos vihet në dyshim për asnjë moment.

Aktualisht, po punojmë që ky projekt të shndërrohet në një bashkëpunim rajonal, duke marrë parasysh faktin se grupe të njëjta bankare janë shtrirë në të gjithë rajonin. 

Duke iu referuar raportimeve të plota të bankave për fundin e muajit shtator 2011, vërehet që totali i aktiveve të sektorit bankar është zgjeruar me ritme të mira, duke u rritur me 9.5% që prej fillimit të vitit dhe rreth 13% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Portofoli i kredive të sektorit bankar është rritur me 9.6% gjatë vitit, ose rreth 15% në krahasim me një vit më parë, duke zënë 49.1% të totalit të aktiveve. Gjatë vitit, kredia në lekë është rritur me ritme më të shpejta se kredia në valutë. Zgjerimi i aktivitetit është mbështetur kryesisht prej rritjes së depozitave, të cilat zënë 81.4% të totalit të detyrimeve.

Gjatë vitit, ato janë rritur me 9.7% dhe janë 14.1% më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit 2010. Treguesit e likuiditetit paraqiten në nivele të qëndrueshme dhe pritet të forcohen si rezultat i kërkesave të fundit rregullative të Bankës se Shqipërisë. Deri në muajin shtator, veprimtaria bankare rezultoi me fitim në masën 1.3 miliardë lekë dhe kthimi mbi aktivet, dhe ai mbi kapitalin ishin përkatësisht 0.2% dhe 1.9%. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit rezultoi në nivelin 15.1%, duke u paraqitur më mirë se niveli në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit. Kjo për shkak të rritjes së kapitalit nga disa banka, pas kërkesës së bërë nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Zhvillimet e lartpërmendura konfirmojnë qëndrueshmërinë e besimit të publikut në sektorin bankar shqiptar dhe kontributin e rëndësishëm që sektori bankar ka dhënë në financimin e ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti.

Ato mund të konsiderohen arritje të çmuara në kushtet kur sfidat për ekonominë shqiptare dhe agjentët ekonomikë gjatë vitit 2011 u rritën. Rënia e cilësisë së portofolit të kredisë dhe kërkesat për administrimin e rrezikut të kreditit janë shoqëruar me rritjen e fondeve përkatëse rezervë nga ana e bankave, dhe kjo ka ndikuar në dobësimin e rezultatit financiar. Në përgjigje, bankat kanë arritur të optimizojnë kostot e veprimtarisë dhe të fuqizojnë treguesit e tyre të kapitalit.

Duke mbështetur këto masa, veprimtaria mbikëqyrëse e Bankës së Shqipërisë e ka vënë theksin në identifikimin e saktë të gjendjes së portofolit të kredisë, duke kërkuar që bankat të veprojnë me vendosmëri për të rikuperuar vlerën e kredive me probleme.

Kjo do të mundësohet si nëpërmjet mbështetjes për huamarrësit cilësorë që ndeshin probleme të përkohshme, ashtu edhe nëpërmjet ekzekutimit të kolateraleve për huamarrësit e pashpresë. Çështja e ekzekutimit të kolateraleve dhe nevoja për përmirësimin e kuadrit përkatës ligjor dhe operacional, është konsideruar me përparësi nga ana e Bankës së Shqipërisë. Në vijim të rekomandimeve që dolën nga forumi i posaçëm i organizuar për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë është seriozisht e angazhuar për të përshpejtuar trajtimin e tyre me përparësi nga autoritetet e tjera publike.

Gjithashtu, në bashkëpunim me ju, Banka e Shqipërisë identifikoi dhe ndërmori edhe disa veprime të tjera mbikëqyrëse dhe rregullative, që synuan fuqizimin e gjendjes së kapitalizimit të veprimtarisë dhe përmirësimin e kërkesave për treguesit minimalë të likuiditetit në monedhën vendase dhe në monedhë të huaj.

Në vijim, u përgatitën dhe u miratuan edhe disa ndryshime në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, të cilat në thelb plotësojnë dhe përmirësojnë kuadrin mbikëqyrës të veprimtarisë bankare. Këto veprime ishin të nevojshme për të trajtuar perceptimin e një rreziku të shtuar prej zhvillimeve financiare ndërkombëtare dhe atyre në rajon. Shfrytëzoj këtë mundësi për t’ju falënderuar për bashkëpunimin dhe veprimet konkrete që keni ndërmarrë në zbatimin e këtyre kërkesave të reja, si edhe për të shprehur besimin për përmbushjen e plotë të tyre nga ana juaj në afatet e kërkuara.

Të nderuar drejtues të bankave,

Më shumë se tre vjet pas fillimit të krizës, perspektiva e daljes prej saj për ekonominë botërore mbetet e paqartë. Sidoqoftë, bëhet fjalë për një proces gradual dhe të shtrirë në kohë.

Në përgjithësi, institucionet financiare në Evropë dhe më gjerë, vijojnë të ndeshen:

  • Me pasiguri të theksuara në vlerën e ekspozimeve të tyre në letrat me vlerë të borxhit sovran,
  • Me vështirësi në sigurimin e likuiditetit në tregjet e shumicës, 
  • Me ulje të sasisë dhe shtrëngim të kushteve të kreditimit të ekonomive vendase,
  • Me rritje të kërkesave për kapital që burojnë kryesisht prej normave të reja rregullative nga autoritetet mbikëqyrëse.

Nevoja për uljen e rrezikut të investimeve në borxhin sovran është shoqëruar me përpjekje të mëdha për konsolidimin fiskal në mjaft vende, veçanërisht në Evropë.

Si rezultat, pritshmëritë për rritjen ekonomike të Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe ato për vendet që deri tani kishin shënuar një rritje ekonomike më të mirë se mesatarja, kanë shënuar rënie të theksuar. Duket sikur zgjidhja për një situatë të tillë, do të vijë vetëm prej aftësisë që kanë vendet e ndryshme për të ndërmarrë në këtë periudhë reforma të rëndësishme sociale dhe ekonomike, si edhe për të siguruar mbështetje financiare, në mënyrë që nga njëra anë të ruhet qëndrueshmëria e sistemit financiar dhe nga ana tjetër t’i jepet frymëmarrje sipërmarrjeve private, duke ndikuar në ndryshimin e pritjeve të tyre për zhvillimet ekonomike në të ardhmen.

Ekonomia e vendit tonë ka ruajtur një rritje pozitive ekonomike gjatë kësaj periudhe, duke treguar një aftësi të mirë të agjentëve ekonomikë për të përthithur goditjet e jashtme.

Ky fleksibilitet përfaqëson një karakteristikë të çmuar që do të vijojë të mbështesë zhvillimin ekonomik të vendit, duke zbutur ndikimin e goditjeve të ndryshme edhe në të ardhmen. Është e rëndësishme që sektori bankar të shfrytëzojë dhe të mbështesë këtë tipar të çmuar të agjentëve ekonomikë, privatë dhe publikë, duke iu ofruar atyre plotësimin e qëndrueshëm të nevojave për financim dhe për shërbime të tjera. Një veprim i tillë duhet të mbështetet jo vetëm në përvojën e deritanishme të suksesshme, por edhe në një logjikë ekonomike në kushtet kur janë të pakta vendet e rajonit që kanë ruajtur një rritje ekonomike pozitive. Sidoqoftë, në çdo rast, mjedisi ekonomik do të mbetet sfidues ndaj ai duhet të vlerësohet me realizëm dhe veprimet që do të ndërmerren duhet të orientohen prej konceptit të kujdesit, duke respektuar kërkesat e kuadrit rregullativ dhe atij mbikëqyrës.

Dëshiroj të theksoj që tiparet e një drejtimi të përgjegjshëm bankar në këtë periudhë do të dallohen prej aftësisë që do të tregoni për të kontrolluar dhe administruar rreziqet e veprimtarisë në përgjithësi dhe veçanërisht prej shpejtësisë me të cilën do të zhvilloni kapacitetet e institucionit për të testuar qëndrueshmërinë, dhe performancën ndaj skenarëve të ndryshëm të zhvillimeve të ardhshme. Standardet ndërkombëtare kërkojnë që fokusi të vendoset jo në planifikimin e ngjarjeve të pritshme me një probabilitet të lartë, por në vlerësimin e qëndrueshmërisë së institucionit ndaj zhvillimeve relativisht ekstreme dhe të pafavorshme.

Më tej, ky proces duhet të bëhet pjesë e analizës më të zgjeruar dhe të vazhdueshme që ju duhet të kryeni për të vlerësuar nevojat tuaja për kapitalizim të qëndrueshëm të veprimtarisë dhe për të përcaktuar masa të tjera mbrojtëse.

Këto kërkesa gjenden aktualisht në kuadrin rregullativ mbikëqyrës dhe Banka e Shqipërisë është e gatshme të ndajë me ju përvojën e saj për zhvillimin me efektivitet të tyre.

Në përfundim, më lejoni të them se Banka e Shqipërisë është në një proces të përsosjes së kuadrit rregullativ dhe praktikës mbikëqyrëse, si pjesë e një bashkëpunimi me Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.

Respektimi i plotë dhe në kohë i kërkesave të kuadrit ligjor dhe rregullativ lidhur me gjendjen e kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë, dhe në përgjithësi mënyra e administrimit të rreziqeve të veprimtarisë nga ana e bankave, do të mbeten përparësi e vazhdueshme e veprimtarisë mbikëqyrëse.

Ky proces orientohet prej objektivit të përbashkët për ruajtjen e qëndrueshmërisë së sektorit bankar dhe të sistemit financiar. Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në bashkëpunimin me sektorin bankar për përmbushjen me sukses të këtij objektivi.

Ashtu si në këto vitet e fundit, Banka e Shqipërisë do të marrë të gjithë vendimet që i gjykon të përshtatshme për të garantuar se objektivat themelorë të saj për stabilitetin e çmimeve dhe për qëndrueshmërinë e sistemit bankar do të përmbushen në vazhdimësi, në të mirë të rritjes së qëndrueshme të vendit në terma afatgjatë.

Duke ju falënderuar për punën tuaj të çmuar, ju uroj një vit të ri plotë suksese profesionale dhe gëzime familjare!

Faleminderit!