BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Forumin Financiar Juglindor, Edicioni i Dytë, "Ndikimet, mundësitë dhe sfidat e Bazel II përpara Shqipërisë dhe Evropës Juglindore", Rumani, 8 - 11 nëntor 2005

Data e publikimit: 11.11.2005

 

Zonja dhe Zotërinj,

Çështja që po diskutohet në këtë forum është me të vërtetë aktuale. Mjafton që të lexosh titujt kryesorë të lajmeve për të kuptuar përse administrimi i rrezikut është kaq i rëndësishëm. Disa ngjarje na kujtojnë se nëse bankat nuk e përmbushin detyrimin për të administruar rrezikun në mënyrë të kujdesshme, ato nuk do të mund të mbajnë përgjegjësitë e tyre ndaj aksionerëve dhe ndaj të gjithë publikut. Si rrjedhojë, kostoja për shoqërinë mund të jetë e lartë dhe ndikimi mbi ekonominë shkatërrues.

Një drejtim i mirë dhe i përgjegjshëm është i mundur vetëm kur ka një angazhim të vërtetë për të kryer detyrat e duhura dhe për të administruar rreziqet e çfarëdolloj forme. Administratorët e rrezikut duhet t'u sigurojnë drejtuesve të tyre informacione objektive, të sakta dhe në kohë. Ndërsa administrata e lartë dhe bordi i drejtorëve duhet të sigurohen që brenda firmës të ketë një mjedis transparent, i cili nxit marrjen e rreziqeve të kontrolluara dhe të disiplinuara.

Për të përmirësuar njohjen mbi rrezikun dhe administrimin e tij, Komiteti i Bazelit ka hartuar përqasje rregullatore për të nxitur një sistem bankar të sigurtë dhe të shëndoshë si dhe stabilitet më të madh të sektorit financiar. Megjithatë, tashmë është e qartë se Akordi i vitit 1988 dhe shumë prej amendamenteve të tij janë jo-funksionale dhe janë tejkaluar nga përparimet në sektorin bankar dhe financiar si dhe nga zhvillime të tjera ekonomike. Si rrjedhojë, Komiteti i Bazelit ka hartuar një propozim të ri, i cili njihet me emrin Bazel II. Ky propozim ka për qëllim të jetë më i ndjeshëm ndaj rrezikut sesa Akordi i vitit 1988, në mënyrë që të sigurojë një vendosje dhe një kalibrim më të mirë të kapitalit rregullator dhe të mjaftueshmërisë së kapitalit kundrejt rreziqeve themelore ekonomike me të cilat përballen bankat. Kategorizimi i debitorëve në grupime më të pakta të rrezikut ishte sigurisht një progres në vitin 1988, por krijoi një hendek ndërmjet masës së rrezikut rregullator të çdo transaksioni të caktuar dhe rrezikut ekonomik real të tij. Kjo favorizon kreditë me rrezik të lartë kundrejt atyre me rrezik të ulët, duke marrë parasysh peshën 100 për qind të rrezikut, pavarësisht nga profili i rrezikut të firmave të cilat marrin kredi. Si rrjedhim, ai ndikon negativisht mbi saktësinë e vlerësimit të mjaftueshmërisë dhe të shpërndarjes së kapitalit. Efekti anësor më shqetësues ka qenë shtrembërimi i vendimmarrjes financiare, çka nënkupton kredi dhe investime të bëra bazuar mbi kufizimet rregullatore sesa mbi mundësi të vërteta ekonomike.

Akordi i ri i Bazel II përpiqet t'i zgjidhë këto çështje duke inkurajuar bankat që të sofistikohen më shumë në vlerësimin e rrezikut dhe që të përdorin kërkesa rregullatore më rigoroze së bashku me metodologjinë e matjes së rrezikut të brendshëm. Është e rëndësishme që të pranohet se zbatimi i Akordit të Ri fillimisht është paracaktuar për bankat e mëdha ndërkombëtare, të cilat janë institucione të përbëra që zakonisht operojnë në vende të zhvilluara. Për këtë arsye, Bazel II shpesh është vënë në pikëpyetje në lidhje me implikimet dhe përshtatshmërinë e tij për banka në ekonomi me treg në zhvillim, dhe pikërisht në këtë pikë do të doja të fokusoja komentet e mija.

Në parim, struktura prej tre shtyllash e Akordit të Ri u jep rregullatorëve direktiva më të saktë për të forcuar mbikëqyrjen bankare dhe i nxit bankat që të bëhen më të sofistikuara në administrimin e rrezikut. Zbatimi i Bazel II eliminon metodologjinë "një masë për të gjithë" në vlerësimin e rrezikut dhe në vend të saj ofron një numër metodash të vlerësimit të rrezikut, të cilat bazohen më tepër në mundësitë e falimentimit. Por autoritetet mbikëqyrëse në disa tregje dhe ekonomi në zhvillim, janë të shqetësuara se mos ndoshta Bazel II përbën një sfidë të cilën ato nuk mund ta përmbushin.

Me siguri shqetësimi ynë më i madh ka të bëjë me nevojën për një përqasje të standardizuar, e cila do të mbështetej tek agjencitë vlerësuese të jashtme për llogaritjen e kërkesave të kapitalit minimal. Aktualisht, agjencitë vlerësuese vendore mungojnë tërësisht në Shqipëri dhe nuk janë të zhvilluara si në shumë vende, të cilat nuk bëjnë pjesë në OECD. Nga ana tjetër, në pjesën më të madhe të ekonomive tona, shumë ndërmarrje të vogla nuk mund ta përballojnë që të jenë kliente të agjencive ndërkombëtare të vlerësimit. Duke qenë se kredimarrësve, të cilët nuk janë renditur nga agjencitë vlerësuese, do t'u caktohet rrezik 100 për qind në përputhje me Bazel II, fillimisht pjesa më e madhe e kredive vendore mund të përfundojnë nën këtë kategori 100 për qind. Kjo mund të zvogëlojë ndjeshmërinë ndaj rrezikut të sistemit të ri duke e afruar atë ose duke e bërë të ngjashëm me sistemin e Bazel I.
Nga ana tjetër, bankat shqiptare zotërojnë një pjesë të konsiderueshme të bonove të thesarit dhe të letrave me vlerë të qeverisë. Faktikisht, sipas Bazel I, ky ekspozim i sistemit financiar emërtuar në monedhën vendore vlerësohet me rrezik 0 për qind, pavarësisht nga fakti nëse rreziku i kreditit të borxhit sovran renditet apo jo. Sipas përqasjes së standardizuar të Bazel II është e mundur që borxhit sovran t'i caktohet një rrezik ndërmjet 0 për qind deri në 150 për qind, ka të ngjarë 100 për qind, duke qenë se ai bie në kategorinë e pavlerësuar. Kjo do të thotë që sistemit financiar në Shqipëri mund t'i nevojitet që të rrisë alokimin e kapitalit për të qenë në përputhje me nivelin minimal të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit.

Një synim i rëndësishëm i Bazel II është forcimi i disiplinës së tregut, duke zhvilluar një numër kërkesash të dhënies së informacionit. Në vendet tona ka mjaft hapësira për përmirësim në lidhje me këtë çështje, në mënyrë që pjesëmarrësit në treg të lejohen që të vlerësojnë informacionet kryesore mbi ekspozimin ndaj rrezikut, procesit të vlerësimit të rrezikut, dhe në këtë mënyrë mjaftueshmërisë së kapitalit. Kjo është e rëndësishme pasi rrit presionin publik mbi bankat, në mënyrë që të bëjnë një punë më të mirë në vlerësimin dhe monitorimin e rrezikut. Megjithatë, në terma afatshkurtër, le të themi në Shqipëri, dhënia e informacionit mund të ketë gjithashtu disa ndikime të pafavorshme. Më lejoni të shpjegohem më mirë lidhur me këtë pikë. Zakonisht, publiku është më tepër i ndjeshëm ndaj lajmeve të këqija sesa ndaj zhvillimeve pozitive. Në vende si Shqipëria, reagimet ndërmjet lajmeve të mira apo të këqija janë madje më asimetrike sesa në ekonomitë me treg të pjekur. Publiku në Shqipëri është veçanërisht i ndjeshëm ndaj lajmeve të zymta mbi sektorin bankar apo mbi një bankë të caktuar, ndërkohë që ka prirje që të mos përfillë atë çfarë konsiderohet si pozitive. Kjo mund të jetë pasojë e faktorëve historikë, për shembull kriza e sistemit financiar në vitin 1997 dhe e faktorëve kulturorë, për shembull niveli i ulët i njohurisë mbi biznesin bankar ose si për shembull, reagimi i publikut ndaj paraqitjes së ligjit "Mbi sigurimin e depozitave në vitin 2002". Kjo do të thotë që dhënia e mëtejshme e informacionit siç kërkohet nga Bazel II, mund të jetë problematike, nëse nuk mbështetet nga një kulturë e mjaftueshme nga ana e publikut.

Kjo është edhe arsyeja pse ndihem paksa i shqetësuar në lidhje me efikasitetin dhe volitshmërinë e një zbatimi të menjëhershëm të Bazel II. Prandaj, një përqasje më graduale mund të ishte e nevojshme. Kjo përqasje mund të marrë formën e një standardi të përkohshëm ndërmjet Bazel I dhe Bazel II, i cili mund t'u ofronte bankave në ekonomitë me treg në zhvillim disa nga përfitimet e Bazel II, pa u dashur të përballen me një kosto të lartë. Kjo nënkupton se përshtatja e Bazel II nuk duhet të bëhet e detyrueshme në vlerësimet financiare (për shembull, të BB-së, FMN-së) dhe vendeve duhet t'u jepet mundësia e vazhdimit të zbatimit të Bazel I.

Direktivat bankarë të Bashkimit Evropian janë të detyrueshëm për vendet tona, të cilat synojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian. Duke qenë se elementet e Bazel II janë të rrënjosura në Direktivat e Bashkimit Evropian dhe vendet tona janë duke bërë përparim drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ne do të përballemi me sfidat e zbatimit të Bazel II. Do të doja të theksoja tri sfida në veçanti.

Shqipëria, si shumë vende të tjera të Evropës Lindore ka një numër të konsiderueshëm bankash të huaja. Këto janë në pjesën më të madhe degë ose filiale të bankave nga vende të Bashkimit Evropian, të cilave mund t'u nevojitet të zbatojnë sistemin e ri duke përfshirë elementet e tij më të përparuara, nëse zyrat e tyre qendrore vendosin ta adoptojnë atë në të gjithë rrjetin e punës, për arsye përputhjeje dhe konkurrueshmërie. Duke pasur parasysh se ka një shkallë të lartë të standardizimit në praktikat e administrimit të rrezikut të një grupi bankar - që do të thotë, të njëjtat teknika të administrimit të rrezikut zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë grupin - mbikëqyrja bankare e vendit të degës apo filialit, mund të zgjedhë që të mbështetet tërësisht mbi përqasjen e ndjekur nga mbikëqyrja e vendit-mëmë, me kusht që mjaftueshmëria e modelit u përshtatet kushteve vendore. Nëse nuk është kështu, mbikëqyrja e vendit-mëmë do të duhet të mbështetet në vlerësimin e saj të modeleve të bazuara në vlerësimet e brendshme (IRB-së). Megjithatë, kjo e fundit shtron dy çështje të tjera të ndjeshme. E para, plotësimi i zbatimit të IRB-së vështirësohet nga mungesa e të dhënave të besueshme mbi të paktën një cikël të plotë biznesi. E dyta, ajo kërkon trainimin dhe përgatitjen e mbikëqyrësve bankarë me rregullat e rinj, duke përmirësuar kështu aftësinë e tyre për të kontrolluar dhe për të vlerësuar përqasjet e IRB-së për përputhshmëri, integritet dhe saktësi në mënyrë që të masin si duhet rrezikun, përndryshe, sistemi i alokimit i të gjithë kapitalit mund të bëhet jofunksional. Nga ana tjetër, ky mjedis i ri ka nevojë për bashkëpunim dhe koordinim më të mirë ndërmjet mbikëqyrjes bankare midis vendeve, në mënyrë që të shmanget rregullimi i tepërt i bankave dhe për të ruajtur burimet.

Sfida e dytë lidhet me nevojën e zhvillimit të industrisë sonë vendore të renditjes së rrezikut për vlerësimin e kredimarrësve. Kjo është e domosdoshme për të përftuar zvogëlimin e kostos së mundshme të ndërmjetësimit përmes zbatimit të sistemit të ri. Kjo do të bëjë të mundur që disa huamarrës të marrin vlerësime më të mira të renditjes së rrezikut dhe për rrjedhojë, pesha më të mira rreziku krahasuar me sistemin aktual 100 për qind të pavlerësuar. Megjithatë, kjo nuk është një detyrë e lehtë. Agjencitë e vlerësimit duhet të plotësojnë disa kritere në mënyrë që të jenë të pranueshme. Këto kritere përfshijnë përvojën, pavarësinë nga ndikimi i jashtëm, vlerësime publikisht të disponueshme, kërkesën për të bërë të njohur modelet dhe përqasjet e vlerësimit, burime të mjaftueshme dhe në fund, miratimin ose njohjen nga autoritetet mbikëqyrëse në vendet tona.

Së treti, por sigurisht jo më pak e rëndësishme, sistemi i ri paraqet një sfidë për të gjitha bankat për të përmirësuar kapacitetet e tyre, në mënyrë që të jenë në përputhje me kornizën e re për të konkurruar dhe për të mbijetuar me sukses. Bankat duhet të fillojnë të zbatojnë një përqasje më dinamike dhe progresive për vlerësimin e rrezikut dhe të dispozitave, duke qenë se nën një përqasje të ndjeshme ndaj rrezikut gjithmonë ekziston rreziku i pro-ciklitetit (1), i cili do të thotë se raportet e kapitalit të bankave kanë të ngjarë të luhaten më shumë gjatë cikleve të biznesit.

Pavarësisht nga sfidat e mësipërme, në Shqipëri ne tashmë kemi filluar të ngremë disa nga këto çështje.

  • Së pari, duke u siguruar që kemi konsoliduar arritjet e funksionit tonë mbikëqyrës duke plotësuar kërkesat e Bazel I. Ne jemi të kënaqur që progresi është pohuar gjithashtu edhe nga vlerësimi FSAP, gjatë misionit të tyre në shkurt-mars këtë vit. Disa rekomandime lidhur me kërkesat rreth mbikëqyrjes së konsoliduar do të ndiqen me shumë kujdes.
  • Së dyti, ne kemi drejtuar procesin tonë mbikëqyrës dhe bankat drejt një qëndrimi të orientuar më tepër drejt rrezikut. Në të njëjtën kohë, ne kemi për qëllim që të mbajmë një nivel më të lartë të minimumit të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit sesa standardet evropiane, në mënyrë që të sigurojmë mbështetje për format e tjera të rrezikut, siç është rreziku operacional.
  • Së treti, po përpiqemi që të fitojmë sa më shumë nga përvoja dhe njohuria e vendeve të tjera në rajon, të cilat janë në një shkallë më të avancuar në përpjekjet e tyre për të zbatuar kërkesat e Bazel II, pjesërisht ose plotësisht. Ne gjithashtu, kemi privilegjin që të jemi afër shteteve anëtare të Eurozonës, si Italia dhe Greqia, bankat e të cilave luajnë një rol të rëndësishëm në sistemin tonë financiar. Kjo na jep mundësinë që të përfitojmë nga ekspertiza e autoriteteve mbikëqyrëse të këtyre vendeve, në procesin e adoptimit të kërkesave të reja.
  • Së katërti, ne kemi shtrirë bashkëpunimin tonë me vendet e tjera "mike" në rajon, pasi shumëllojshmëria e problemeve të hasura në këto vende është shumë e ngjashme dhe përvoja e shkëmbyer në këtë aspekt është mjaft praktike.
  • Së pesti, jemi duke u përpjekur që të promovojmë një mjedis ku çështjet e Bazel II të diskutohen në një nivel profesional. Ne nuk po përqëndrohemi vetëm mbi palët e përfshira në mënyrë të drejtpërdrejtë (duke përfshirë qeverinë, autoritetet e tjera mbikëqyrëse të tregut financiar) por gjithashtu, edhe mbi klientët e rëndësishëm të sektorit bankar dhe financiar.

Në përfundim, do të doja të theksoja se Bazel II përfaqëson një pasardhës të logjikshëm dhe të duhur të Bazel I. Ai rrënjos mësimet e kohëve të fundit dhe ato të kaluara dhe jep direktiva të shkëlqyera për sistemin financiar dhe autoritetet e mbikëqyrjes sesi ato të ecin përpara. Nga ana tjetër, zbatimi i tij mund të jetë paksa shumë ambicioz dhe një detyrë e vështirë për vendet tona. Prandaj, është në interesin tonë që të gjejmë mënyra për ta bërë atë sa më të përshtashëm për nevojat tona, duke ndjekur një përqasje graduale sesa duke rrezikuar suksesin e tij përmes një adoptimi të painformuar.

(1) - Sipas Bazel II, vlerësimi i rrezikut të kredisë së huamarrësit do të varet nga ecuria e ekonomisë, nëse ajo ka një trend në rritje apo në zbritje. Në rastin më të keq, kur ekonomia do të përfshihet tërësisht nga rënia ekonomike, bankave do t'iu duhet që automatikisht të rrisin nivelin e kapitalit ose të zhvendosen drejt mjeteve më pak të rrezikshme, të cilat kërkojnë një ngadalësim në sigurimin e kredive, duke shkaktuar në këtë mënyrë kriza kredish dhe rënie ekonomike të mëtejshme.