BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Forumin e Hapur me aktorët e sistemit bankar, datë 29 shtator 2008, Tiranë

Data e publikimit: 29.09.2008

 

Të nderuar drejtues të bankave në Shqipëri,

Të nderuar pjesëmarrës,

Kanë kaluar pothuajse 6 muaj nga koha kur zhvilluam forumin e parë të hapur, në qendër të të cilit ishin arritjet dhe sfidat që karakterizonin sistemin bankar në Shqipëri.

Sot jemi mbledhur përsëri, për të vijuar më tej debatin e nisur, me vullnetin dhe synimin për të konsoliduar më tej stabilitetin e sistemit bankar në Shqipëri. Forumin e parë, produkt i të cilit ishin një sërë vendimesh të rëndësishme të marra kohët e fundit e konsideroj të suksesshëm. Po kështu, kam bindjen se edhe diskutimet e sotme do të jenë produktive dhe do t'i shërbejnë analizimit të kujdesshëm të veprimtarisë së sistemit bankar, veçanërisht në kontekst edhe të zhvillimeve të fundit në tregjet financiare në botë.

Fillimisht do të ndaj me ju një vlerësim të përgjithshëm mbi situatën financiare të sektorit bankar dhe shkallën e ndikimit të tij prej zhvillimeve në tregjet financiare ndërkombëtare. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008, sektori bankar ka vijuar rritjen e tij të qëndrueshme.

Sistemi bankar në Shqipëri është fitimprurës, i mirëkapitalizuar dhe likuid. Rezultati i mirë financiar, vijon të mbështetet prej zgjerimit të shpejtë të veprimtarive me kthim të lartë nga investimi. Në fund të qershorit 2008, portofoli i kredive të sektorit bankar arriti në pothuaj 43 për qind të totalit të aktiveve, një rritje prej 3.6 pikë përqindje në krahasim me fundin e vitit 2007.

Burimi kryesor i financimit të veprimtarisë mbeten depozitat e publikut, të cilat përfaqësojnë 80 për qind të totalit të aktiveve. Financimi i veprimtarisë nëpërmjet linjave të kreditimit të marra nga grupet bankare zotëruese është rritur në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, duke u ngjitur pranë nivelit 9 për qind të totalit të aktiveve.

Në fund të qershorit 2008, kthimi nga investimi i aktiveve mesatare rezultoi 1.3 për qind, ndërsa kthimi nga investimi mbi kapitalin aksioner rezultoi 16.6 për qind. Treguesi i kapitalizimit të sektorit financiar dhe veçanërisht të atij bankar është rritur lehtë. Norma e mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar, ka shfaqur një rritje të lehtë në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2008 duke u ngjitur në nivelin 17.3 për qind.

Treguesi i likuiditetit vazhdon të mbetet në nivele më të larta se vendet e tjera të rajonit. Aktivet likuide të sektorit bankar përfaqësojnë 47 për qind të totalit të aktiveve, duke shënuar një rënie prej rreth 5.7 pikë përqindje, në krahasim me fundin e vitit 2007.

Përhapja e krizës së ekonomisë amerikane në tregjet ndërkombëtare financiare dhe paqartësia për natyrën e efekteve, për hartën e institucioneve, për llojin e instrumenteve dhe për përmasat e saj, teorikisht rrit rrezikun e ndikimit të sistemit financiar në vend. Praktikisht, kjo krizë nuk e ka shtrirë ndikimin e vet në aktivitetin bankar në Shqipëri.

Imuniteti i sistemit tonë ndaj kësaj krize rrjedh nga disa faktorë si:
• niveli relativisht i ulët i ekspozimit të sistemit tonë financiar ndaj institucioneve të huaja financiare;
• niveli i ulët i integrimit në përgjithësi; dhe
• mirëkapitalizimi i veprimtarisë së grupeve bankare evropiane dhe të filialeve të tyre, që veprojnë në vendin tonë.

Në përgjithësi, gjykojmë se aktualisht nuk ka ndonjë rrezik i cili ka mundësi të lartë materializimi dhe që mund të dëmtojë në mënyrë të menjëhershme dhe të rëndë veprimtarinë e sistemit financiar. Megjithatë, në vijim dëshiroj që më poshtë të ndalem pak më hollësisht në analizën e rreziqeve për sektorin bankar.

Analizat e skenarëve të rrezikut, konfirmojnë që sektori bankar është në gjendje të mirë për të përballuar rreziqet e ndryshme, që mund të rrjedhin si rezultat i lëvizjeve të padëshirueshme në kursin e këmbimit dhe në normat e interesit.
Megjithatë, nevojitet një ndjekje e kujdesshme e ecurisë së cilësisë së aktiveve dhe ka ardhur koha për t'i kushtuar një vëmendje më të madhe ecurisë së treguesve të likuiditetit. Kur analizohen këta të fundit, është e rëndësishme që të mbani në konsideratë disa elemente:

Së pari, mungesa e një tregu të zhvilluar të parasë dhe të tregtimit të letrave me vlerë, kufizon mundësitë e institucioneve financiare për të plotësuar nevojat e papritura për likuiditet, nëpërmjet shitjes së aktiveve të konsideruara si "likuide". Për shkak të krizës financiare në tregjet e huaja, është vështirësuar gjithashtu tregtimi për disa letra me vlerë, që më parë preferoheshin nga investitorët.

Së dyti, diferencat në madhësinë e institucioneve në sektorin bankar, sasia dhe cilësia e kolateralit, si edhe kufizimet për ekspozimet e drejtpërdrejta mes institucioneve, vështirësojnë qarkullimin e fondeve likuide në tregun ndërbankar, në kohën dhe në madhësinë e kërkuar.

Së treti, për shkak të rritjes së konkurrencës, ekziston rreziku i krijimit të mospërputhjeve të rëndësishme midis aktiveve dhe burimeve të financimit në bilanc, për sa i takon llojit të monedhës dhe afatit të maturimit.

Së katërti, disa nga institucionet i janë drejtuar gjithashtu huamarrjes nga grupet bankare zotëruese, në një përpjekje për të ruajtur shpejtësinë dhe madhësinë e kreditimit.

Së pesti, për shkak të faktorëve objektivë që kanë kushtëzuar në kohë mungesën e eficiencës, sektori bankar në vendin tonë ka patur nivele mjaft të larta likuiditeti. Në kushtet e rritjes së konkurrencës dhe përmirësimit të eficiencës, është objektivisht e pritshme që treguesit e likuiditetit të vijnë në rënie. Këta faktorë, vështirësojnë përcaktimin e nivelit optimal të likuiditetit, në të cilin rritja e eficiencës në përdorimin e fondeve nuk cënon aftësinë e institucionit për të përballuar rreziqet e veprimtarisë.

Të gjitha këto elemente, konfirmojnë nevojën që strukturat drejtuese të bankave të ndjekin praktika që lejojnë vetë institucionin të plotësojë nevojat e pritshme për likuiditet në mënyrë të pavarur, por duke patur edhe alternativa të cilat përmirësojnë aftësinë e tyre për të gjeneruar likuiditet në rast nevoje. Ju duhet të rishikoni cilësinë e portofolit të letrave me vlerë, veçanërisht të atij në valutë, për të realizuar karakteristikat optimale të sigurisë dhe të tregtueshmërisë. Gjithashtu, portofoli i vendosjeve në valutë, në formën e depozitave ose produkteve të ngjashme me to pranë institucioneve financiare të huaja, duhet të ketë objektiv kryesor sigurinë e investimit dhe përshtatshmërinë e afatit të maturimit.

Në një kuadër më të gjerë, duhet të rivlerësoni përshtatshmërinë e niveleve të treguesve të caktuar, për sa i takon diferencave në afatet e maturimit dhe në llojin e valutës së aktiveve dhe të burimeve të financimit.

Cilësia e aktiveve, e diktuar kryesisht nga cilësia e portofolit të kredisë, mbetet një element i vazhdueshëm rreziku për veprimtarinë bankare, në përgjithësi. Rënia e cilësisë së aktiveve, dëmton jo vetëm të ardhurat e institucionit por cënon edhe pozitën e tij të likuiditetit. Në rastin e sektorit bankar në vendin tonë cilësia e portofolit të kredisë ka ardhur në rënie, por kjo rënie ka qenë graduale dhe situata paraqitet tërësisht e kontrollueshme. Rritja e shpejtë e kredisë dhe vështirësitë që mund të ndeshin sektorë të veçantë të ekonomisë që janë kredituar në mënyrë të ndjeshme, janë faktorë që do të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi cilësinë e kredisë, edhe në të ardhmen e afërt. Në këto kushte, është e rëndësishme që të ndiqni një politikë të identifikimit sa më të shpejtë të kredisë me probleme në bankat tuaja dhe të krijoni menjëherë fondet përkatëse rezervë. Banka e Shqipërisë, do të rrisë numrin e kontrolleve dhe efektivitetin për të monitoruar dhe verifikuar në vazhdimësi këtë proces.

Banka e Shqipërisë, nëpërmjet Departamentit të Mbikëqyrjes, ka ndjekur me kujdes dhe në vijimësi dinamikën e zhvillimeve në sektorin bankar, pjesë e të cilave janë edhe zhvillimet e kohëve të fundit lidhur me normat e interesit mbi produktet e ofruara në treg. Këto norma interesi, vlerësojmë se janë agresive duke dhënë ndikim si në marzh ashtu dhe me potencial rreziku, përsa i përket strukturës së bilancit kontabël.

Siç jeni në dijeni, ne kemi kërkuar informacion prej jush për strategjinë dhe procedurat e ndjekura nga ana e bankës tuaj, në lidhje me aplikimin e këtyre kushteve dhe normave të interesit, qëllimin dhe argumentimin e këtyre vendimmarrjeve si dhe strukturat e përfshira.

Për ne mbetet themelore, që çdo vendim i marrë të jetë produkt i analizave të thella, nga niveli i një eksperti të thjeshtë deri në struktura vendimmarrëse, duke i vënë një theks të veçantë edhe efektit në rezultatin financiar. I gjithë procesi duhet të jetë transparent, i kuptueshëm dhe i asimilueshëm nga publiku i gjerë. Përndryshe, mund të ketë efekte të kundërta.

Vera që lamë pas, provoi se konkurrenca për tregje është një element përcaktues i sjelljes së sistemit bankar shqiptar. Është e vërtetë që bëhet fjalë për një parim themelor të funksionimit të ekonomisë së lirë: KONKURRENCËN. Megjithatë, në momentin që parimet e tjera tregut për shembull, ai i maksimalizimit të fitimit, nuk janë më në të njëjtën gjatësi vale, atëherë balancat ndërmjet tyre mund të prishen e për rrjedhim, elemente të ndryshme rreziku mund të bëhen të pranishme. E përsëris nga takimi i mëparshëm, se është e nevojshme të konsideroni pasojat makroekonomike të sjelljeve tuaja në nivel industrie e institucioni, sepse ato janë faktorë të rëndësishëm për stabilitetin afatgjatë të institucioneve tuaja dhe të sistemit në tërësi.

Dallimi midis bankave të mëdha dhe të vogla, kur bie fjala për besimin e publikut ndaj sistemit në tërësi është relativ. Çdo bankë ka rolin dhe vendin e saj në sistem dhe dallimi midis konceptit bankë e vogël apo bankë e madhe në kontekstin e rreziqeve sistemike, sa vjen e zbehet.

Po kështu, kriza e tregut financiar në SHBA u shkaktua nga pakujdesia e institucioneve financiare për të vlerësuar qëndrueshmërinë e borxhit privat dhe për të vlerësuar saktë efektin e zhvillimeve makroekonomike mbi buxhetin e familjeve amerikane. Pasojat e saj na sjellin në mendje shprehjen se "çdo gjë e ka një çmim dhe se asgjë nuk vjen falas".

Duke iu referuar çështjeve të trajtuara në forumin e prillit, do të doja të risillja në vëmendjen tuaj dy çështje të tjera që mendoj se mbeten prioritete të padiskutueshme për punën tonë në të ardhmen.

Sikundër u premtua në forumin e parë, me hyrjen e tij në fuqi në datë 19 gusht 2008, është në veprim ligji "Për marrëveshjet e riblerjes". Pavarësisht se ky projekt është lajmëruar herët nga ana jonë, sipas informacionit që vjen nga stafi operacional i Bankës së Shqipërisë dhe bankave respektive të nivelit të dytë, konstatohet se hyrja në fuqi e ligjit ju ka gjetur të papërgatitur. Në këto kushte, do t'ju kërkoja që çështja e lidhjes së kontratave për realizimin e marrëveshjeve të riblerjes të vihet urgjentisht në axhendën afatshkurtër të punës tuaj.

Stafi juaj juridik, duhet të vlerësojë në mënyrë të barabartë si produktet e retail-it me ato të Departamentit të Thesarit. Asistenca e Bankës së Shqipërisë si në aspektin juridik ashtu edhe në atë operacional nuk do t'iu mungojë, por nga ana tjetër Banka e Shqipërisë nuk do të faktorizojë në planifikimin e nevojave për likuiditet, mungesën e tij që shkaktohet nga moszbatimi i ligjit të marrëveshjeve të riblerjes.

Më vjen mirë të konfirmoj, se grupi i rregulloreve që ju komunikuam në forumin e parë, pas një dakordësie të përgjithshme për dobishmërinë e tyre, është në fuqi. Tashmë, Banka e Shqipërisë pret reagime të shpejta, duke minimizuar ekzekutimin e detyrueshëm të tyre nga ana jonë. Rregulloret e reja shtojnë kujdesin në elaborimin dhe mbrojtjen ndaj rrezikut të kredive në valutë. Nuk dua të fsheh qëndrimin tonë, se Shqipërisë i nevojitet një sistem bankar likuid dhe i mirëkapitalizuar, sidomos nisur nga situata të cilën po përjetojmë. Pjesë e rëndësishme e paketës së fundit janë dhe rregulloret e transparencës dhe të detyrimit për publikim.

Tashmë, ne kemi bërë hapa drejt një tregu më të rregulluar gjë që duhet të ndiqet edhe nga palët e tjera. Këtu e kam fjalën për klientelën e bankave, që aktualisht ka, mund dhe duhet të njihet me të gjitha të drejtat e saj, në raport me bankën që i shërben.

Në çdo takim me ju, do të theksoj nevojën e forcimit të kontrollit mbi veprimtarinë e institucionit që drejtoni. Krahas faktit që vetëm kështu mund të realizohet filozofia personale e secilit prej jush në zhvillimin e institucionit, ky proces është jetik në mbarëvajtjen dhe sigurinë e veprimtarisë së tij, aq më tepër në kushtet e zgjerimit të shpejtë të kësaj veprimtarie. Në këtë kuadër, strukturat e kontrollit duhet të veprojnë realisht dhe të shtrihen në të gjitha veprimtaritë e bankës. Në mungesë të një procesi të mirë të mbledhjes, të përpunimit dhe të raportimit të të dhënave të veprimtarisë, procesi i kontrollit mbi veprimtarinë e institucionit është i kërcënuar.

Procesi i mbledhjes dhe i përpunimit të të dhënave të sektorit bankar është përmirësuar në vite, si rezultat i investimit në sisteme bashkëkohore të teknologjisë. Megjithatë, në mjaft raste konstatohet se adoptimi i këtyre sistemeve bëhet në mënyrë të pjesshme dhe të nxituar, duke mos shfrytëzuar potencialin e plotë të tyre, duke cënuar njohjen e tyre nga ana e personelit dhe duke dobësuar kontrollin e nevojshëm njerëzor mbi këto sisteme. Në këtë mënyrë, segmentohet procesi i kontrollit mbi veprimtarinë e institucionit dhe vështirësohet procesi i mbledhjes, i përpunimit dhe i raportimit të të dhënave në cilësinë dhe në kohën e duhur. Për pasojë, ju si drejtues të bankave dhe ne si autoritet rregullativ i sistemit, rrezikojmë të marrim vendime mbi të dhëna që nuk janë plotësisht të sakta dhe për më tepër janë "të vjetruara". Ky problem, i cili shfaqet në nivele të ndryshme në banka të ndryshme, duhet të gjejë një zgjidhje përfundimtare. Kjo situatë duhet të ndryshojë dhe për këtë, kërkoj angazhimin tuaj dhe të aksionerëve.

Më konkretisht, kërkoj që sa më shpejt çdo bankë:

a) të bëjë një analizë "kosto/rrezik" të të gjitha veprimtarive të saj, dhe të shtrijë sistemet e teknologjisë së informacionit, të paktën në ato drejtime të veprimtarisë ku rreziku, në mungesën e saktësisë së proceseve është më i madh;
b) të vendosë në "rrjet" të gjitha degët dhe veprimtarinë e saj;
c) të forcojë strukturat njerëzore të kontrollit, në të gjitha proceset e veprimtarisë, veçanërisht në operacionet e thesarit, të mbledhjes së depozitave dhe të dhënies së kredive, si edhe të kryerjes së transfertave / pagesave;
d) të dokumentojë të gjithë procesin, duke evidentuar qartë strukturat dhe personat përgjegjës si edhe duke rregulluar procesin e delegimit të përgjegjësive.

Duke iu rikthyer situatës në tregjet financiare ndërkombëtare, dua të theksoj se për të gjithë ne, është e pafalshme çdo lloj neglizhence në lidhje me vlerësimin serioz të zhvillimeve të fundit në këto tregje.

Monitorimi dhe vlerësimi rast pas rasti i çdo episodi, i çdo lajmi, veprimi apo edhe reagimi të pjesëmarrësve në tregjet e ndryshme, duhet të shndërrohet aktualisht në një rutinë të përditshme të punës tonë, veçanërisht kur bie fjala për marrjen e masave energjike në përputhje me këtë situatë. Në këtë kuadër, zgjerimi i mundshëm i linjave të kreditimit nga grupet bankare zotëruese dhe mundësia e rritjes së varësisë së sektorit bankar prej tyre, përfaqëson një element të shtuar rreziku. Ju duhet të shmangni me çdo kusht krijimin e varësisë nga këto fonde, si edhe t'i kushtoni kujdes shmangies së thellimit të diferencave në llojin e monedhës dhe në afatin e maturimit, që mund të rrjedhin prej saj.

Në kuadrin e zhvillimeve ekonomike globale, pasiguria për zhvillimet e ardhshme në çmimet e mallrave të konsumit dhe në rritjen ekonomike në vendet e Bashkimit Evropian të Zonës së Euros dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të diktojë ecurinë e normave të interesit në tregjet e parasë dhe të kredisë, si edhe ecurinë e kursit të këmbimit. Nëpërmjet ekspozimit të sektorit tonë financiar në burime dhe aktive të përcaktuara në valutë, këto lëvizje mund të ndjehen edhe në tregun e brendshëm. Ekziston gjithashtu, rreziku që përcjellja e vështirësive që ndesh ekonomia e vendeve evropiane dhe më gjerë, të pasqyrohet edhe në vendin tonë nëpërmjet uljes së prurjeve financiare nga emigrantët, përkeqësimit të deficitit tregtar dhe uljes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta.

Ndonëse shkalla e materializimit të këtyre rreziqeve dhe madhësia e tyre nuk priten të jenë të rëndësishme, ju duhet të vlerësoni ndikimin e këtyre skenarëve në objektivat tuaj të zhvillimit dhe të merrni masat e nevojshme për mbrojtjen ndaj tyre. Në një kuadër më të përgjithshëm, në raportet tuaja me institucionet aksionere zotëruese kujtoni që ju drejtoni institucionet bankare që veprojnë në Shqipëri dhe jeni përgjegjës ndaj autoriteteve dhe ndaj publikut të këtij vendi, për mbarëvajtjen e veprimtarisë së institucionit tuaj.

Në përgjithësi, nevojitet rritja e vigjilencës nga ana juaj për të ruajtur ekspozime sa më të ulëta në tregjet financiare ndërkombëtare, si edhe për të siguruar një veprimtari të mirëkapitalizuar dhe likuide.

Banka e Shqipërisë do të verifikojë që ju po ndërmerrni në vijim veprimet e nevojshme konkrete, për të ruajtur dhe për të përmirësuar aftësinë për të gjeneruar në vazhdimësi rezultat financiar pozitiv, duke ruajtur cilësinë e aktiveve dhe treguesit e likuiditetit. Nëse do ta konsiderojmë të nevojshme, si autoritet rregullativ i sektorit bankar, do t'i orientojmë dhe do t'i mbështesim këto veprime, nëpërmjet rishikimit të vazhdueshëm dhe krijimit të stimujve të nevojshëm rregullativë.