BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në Forumin e Katërt të Bankës së Shqipërisë me sistemin bankar, 15 prill 2010

Data e publikimit: 15.04.2010

 

Të nderuar drejtues të bankave,

Të nderuar pjesëmarrës,

Dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në këtë takim periodik, i cili synon të ofrojë një platformë për të shkëmbyer ide dhe për të paraqitur qëndrime në lidhje me zhvillimet që ndikojnë veprimtarinë bankare dhe atë financiare në përgjithësi dhe që janë me rëndësi në kuadër të stabilitetit të sistemit financiar.

Ditën e djeshme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi Raportin e Stabilitetit Financiar, i cili mbulon vitin 2009. Është hera e tretë që përgatitet një raport i tillë dhe sot kam kënaqësinë të deklaroj se tashmë kemi një produkt të konsoliduar, që synon përputhshmërinë maksimale me standardet më të mira. Konkluzionet e nxjerra prej tij tregojnë se sektori bankar në Shqipëri kapërceu një situatë të veçantë likuiditeti në vitin 2009 dhe ka nisur tashmë një periudhë rimëkëmbjeje të qëndrueshme. 
Ritmi i kënaqshëm i rritjes së depozitave, veçanërisht këto muajt e fundit, konfirmon rikthimin e besimit të publikut mbi sistemin bankar. Gjithashtu, konkluzionet e kësaj analize shkencore konfirmojnë që sektori bankar në Shqipëri është i shëndetshëm, i qëndrueshëm dhe jep garanci të plota për mobilizimin e kursimeve të popullatës dhe kanalizimin e tyre në mbështetjen e aktivitetit ekonomik të vendit. Unë do të ftoja të gjithë të pranishmit në këtë takim, institucionet vendimmarrëse dhe ato qeveritare, mediat, publikun në përgjithësi që të njihet me këtë dokument. Vetëm kështu do të kuptoni më mirë gjendjen aktuale, arritjet dhe sfidat me të cilat përballemi në të ardhmen.

Në vijim, dëshiroj të shpreh një vlerësim mbi gjendjen e ekonomisë në vend, duke u ndalur më pas në një vlerësim të situatës, në të cilën gjendet sektori bankar dhe pritjet për vitin 2010. Cilësia e kredisë dhe transparenca e bankave ndaj klientëve, janë dy çështje që kam zgjedhur për t’i trajtuar në mënyrë më të veçantë.

Ekonomia e vendit, sipas vlerësimeve paraprake të INSTAT-it arriti të shënojë një rritje ekonomike pozitive 3,3% gjatë vitit 2009, me gjithë ndikimin e krizës financiare dhe ekonomike ndërkombëtare. Sistemi financiar, i dominuar prej sektorit bankar, u paraqit i qëndrueshëm dhe stimuli fiskal e monetar zbuti vështirësitë e sektorit real të ekonomisë. Ky nivel rritjeje është shumë afër parashikimeve të fillimvitit 2009 të bëra publike nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Ndër faktorët që mbështetën rritjen ekonomike gjatë vitit të kaluar përmendim veprimet e autoriteteve publike për të rivendosur me shpejtësi besimin e publikut në sistemin financiar dhe sektorin bankar, si edhe stimulin monetar dhe fiskal që u realizua nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit, injektimit të likuiditetit dhe rritjes së shpenzimeve publike.

Ndër faktorët që ndikuan në rënien e ritmit të rritjes ekonomike përmendim:

  • qëndrueshmërinë e deficitit të bilancit tregtar;
  • rritjen e vështirësive të sipërmarrjeve të biznesit për shkak të rënies së kërkesës së jashtme dhe rënies së financimit nga ana e sektorit bankar;
  • dhe një dinamizëm më i ulët i konsumit të familjeve.

Vlera e mjeteve të sektorit bankar u rrit në 886.3 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 6.3% kundrejt fundit të vitit 2008. Ecuria e burimeve financiare e të ardhurave dhe e kapitalit të sistemit financiar, u ndikua prej krizës financiare ndërkombëtare dhe ndikimit të saj në ekonominë reale të vendit. Në sektorin bankar, rënia e depozitave të publikut u ndërpre në fund të tremujorit të parë dhe rikthimi i tyre në banka ka vijuar me ritme të qëndrueshme gjatë gjithë pjesës tjetër të vitit 2009.

Sidoqoftë, ndryshimet në situatën e likuiditetit, nënçmimi i kursit të këmbimit si edhe vështirësitë e sektorit real të ekonomisë, ndikuan në ngadalësimin e kreditimit dhe në rënien e cilësisë së tij. Në fund të vitit 2009, veprimtaria e kreditimit, duke përfshirë edhe interesat e përllogaritura, zinte rreth 50.8% të totalit të mjeteve të sektorit bankar, ose rreth 40% të Produktit të Brendshëm Bruto. Ndërkohë, raporti i kredive me probleme ndaj vlerës së përgjithshme të portofolit të kredisë u ngjit në nivelin 10.5%. Nevoja për rritjen e fondeve rezervë për përballimin e rrezikut të kreditit nga ana e bankave, ndikoi në rënien e rezultatit financiar të sektorit. Megjithatë, gjatë vitit 2009, rezultati financiar i sektorit bankar ishte pozitiv për rreth 3.5 miliardë lekë. Kapitalizimi i veprimtarisë mbeti i kënaqshëm gjatë vitit 2009, si rezultat i rënies së investimeve me rrezik të lartë në banka, injektimit të kapitalit të ri nga aksionerët dhe ruajtjes së një rezultati neto pozitiv. Në fund të vitit 2009, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 16.2%.

Autoritetet publike ndërmorën disa veprime për të mbështetur sistemin financiar dhe veçanërisht sektorin bankar, gjatë vitit 2009. Ndër këto veprime, veçojmë: miratimin e ligjit për rritjen e vlerës së sigurimit të depozitave të publikut, si edhe vendimet e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për të kufizuar ekspozimin e bankave ndaj grupeve të huaja bankare zotëruese dhe për të pezulluar shpërndarjen e fitimit të bankave të realizuar në vitin 2008 dhe gjatë vitit 2009. Së bashku me këto vendime, gjatë vitit 2009 vijuan të zbatohen edhe një sërë vendimesh të tjera të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë që në tremujorin e fundit të vitit 2008, në lidhje me krijimin e kushteve më lehtësuese për sigurimin e likuiditetit në tregun ndërbankar. Vendimet e Bankës së Shqipërisë në muajt janar dhe tetor për të ulur normën bazë të interesit me 1 pikë përqindjeje, në nivelin 5.25%, kontribuan më tej në rritjen e mundësive të sektorit bankar për të siguruar likuiditet me një kosto më të ulët.

Zhvillimi ekonomik i vendit gjatë vitit 2010, do të mbështetet prej një situate më të favorshme të ekonomisë ndërkombëtare, e cila do të ofrojë një mjedis më të mirë për investimet e huaja dhe do të mbështesë më mirë kërkesën për eksportet e vendit. Në ekonominë e brendshme, zhvillimet e konstatuara gjatë vitit 2009 në lidhje me rritjen e deficitit buxhetor dhe të borxhit të brendshëm, uljen e ritmit të kreditimit nga ana e sektorit bankar dhe një situatë më e ngurtë në ecurinë e prodhimit dhe të konsumit, duhet të adresohen nëpërmjet veprimeve të shpejta dhe të vendosura, me një shtrirje kohore të përshtatshme.

Në këtë kuadër, është e domosdoshme të kontrollohet deficiti buxhetor për vitin 2010, në nivele që garantojnë respektimin e objektivave të përcaktuar në Kuadrin Makroekonomik Afatmesëm, në lidhje me nivelin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik. Konsolidimi i financave publike, i pasqyruar nëpërmjet rivendosjes së prirjes rënëse të deficitit buxhetor, fiton rëndësi për uljen e kostos së financimit të tij.

Gjithashtu, kjo ndikon në përmirësimin e situatës së likuiditetit në tregun financiar, duke çliruar më shumë burime financiare në sistem, përdorimi i të cilave do të mbështesë rritjen e kreditimit në sektorin privat. Sipërmarrjet e biznesit dhe familjet duhet të vlerësojnë me realizëm ecurinë e pritshme të ekonomisë gjatë vitit 2010. Kjo periudhë duhet të shfrytëzohet nga sipërmarrjet e biznesit për të kontrolluar kostot dhe për të kryer veprimet e nevojshme për ristrukturimin e veprimtarisë me qëllim përmirësimin e eficiencës. Në përgjithësi, këto veprime të autoritetit fiskal dhe të agjentëve ekonomikë privatë në afat të shkurtër, janë të nevojshme për të krijuar një mjedis më të përshtatshëm që do të mundësojë ndërmarrjen e masave të tjera për rritjen e kontributit të prodhimit në rritjen ekonomike dhe rritjen e kursimeve të brendshme, në një afat më të gjatë.

Gjatë vitit 2010, sektori bankar do të zgjerojë veprimtarinë në nivele më të larta se në vitin 2009, por përsëri më pak se mesatarja afatgjatë e rritjes vjetore. Zgjerimi i veprimtarisë ka të ngjarë të jetë më i shpejtë në gjysmën e dytë të vitit. Në drejtim të burimeve të financimit të veprimtarisë, sektori bankar do të përfitojë prej rritjes së qëndrueshme të depozitave të publikut. Rritja e depozitave në lekë, do të vazhdojë të mbështetet prej flukseve më të qëndrueshme për depozituesit, kthimit real pozitiv dhe pritjes për një qëndrueshmëri më të madhe në kursin e këmbimit. Rritja e depozitave në valutë do të reflektojë ecurinë sezonale, duke qenë më e lartë në stinën e verës.

Struktura e maturimit të depozitave në përgjithësi, nuk pritet të ketë ndryshime të rëndësishme prej gjendjes aktuale, megjithatë afati mesatar i maturimit të depozitave pritet të jetë më i lartë gjatë vitit 2010, në krahasim me vitin 2009. Madhësia e këtij ndryshimi do të përcaktohet prej ecurisë së të ardhurave të depozituesve dhe prej stimujve që do të vendosin bankat për të orientuar strukturën e kursimeve.

Banka e Shqipërisë do të vijojë të ofrojë likuiditetin e nevojshëm në tregun ndërbankar. Përsa i takon linjave të financimit dhe kapitalit të aksionerëve, Banka e Shqipërisë do të vijojë të kërkojë që bankat të disponojnë sasitë e nevojshme jo vetëm për të zhvilluar një veprimtari normale e për të qenë në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullativ, por edhe për të mbështetur një rigjallërim të veprimtarisë me rreziqe të mirëkontrolluara. Përsa i takon investimeve të bankave, Banka e Shqipërisë pret ritme më të larta të kreditimit nga ana e sektorit bankar gjatë vitit 2010 në krahasim me vitin 2009, ku pjesa më e madhe e rritjes vlerësohet të ndodhë në gjysmën e dytë të tij.

Në kuadër të vlerësimit të rreziqeve, në afat të shkurtër, situata financiare e sektorit bankar ka përfituar pozitivisht nga këto zhvillime:

a) Përmirësimi i ndjeshëm i situatës së likuiditetit, në kushtet e rikthimit të besimit të publikut dhe rritjes së qëndrueshme të depozitave. Vlerësohet që gjatë vitit 2009, rritja vjetore e vlerës së depozitave të publikut ishte në nivelin 7.6%, duke u ngjitur në vlerën 694.3 miliardë lekë. Aktualisht, gjendja e depozitave ka kapërcyer vlerën e tyre në fundin e muajit shtator 2008, përpara fillimit të tërheqjes së depozitave.

b) Ritmi i rritjes së depozitave të publikut do të ishte më i lartë, nëse do të përmirësohej situata në sektorin real të ekonomisë dhe do të gjallërohej veprimtaria e kreditimit nga sektori bankar.

c) Rritja me ritme më të ulëta e mjeteve me rrezik të sektorit bankar. Gjatë vitit 2009 është pakësuar ndjeshëm zgjerimi i mjeteve (aktiveve) me rrezik të sektorit bankar, i ndikuar kryesisht prej ritmit shumë më të ulët të rritjes së kreditimit dhe në përgjithësi, rënies së ritmit të zgjerimit të veprimtarisë bankare. Në fakt, gjatë vitit 2009 sektori bankar e rriti kreditimin me rreth 13.2%, kundrejt një rritjeje prej rreth 35.7% në vitin 2008. Vlerësohet që kredia në lekë është rritur me rreth 23%, ndërsa kredia në valutë është rritur me rreth 9%. Sidoqoftë, në terma realë, rritja reale e kreditimit në valutë ka qenë negative.

d) Nënçmimi i kursit të këmbimit të monedhës kombëtare gjatë vitit 2009, vlerësohet se ka ndodhur me një ritëm dhe madhësi të përballueshme, duke i lejuar sektorit bankar dhe agjentëve të tjerë ekonomikë kohën e nevojshme për ndërmarrjen e veprimeve të përshtatshme dhe mbrojtëse. Pritshmëritë për një qëndrueshmëri të kursit të këmbimit gjatë vitit 2010 janë më të mëdha. Megjithatë, lëvizjet në kursin e këmbimit në kushtet e një regjimi fleksibël janë normale dhe duhet të jenë një fenomen i pritshëm nga ana e agjentëve ekonomikë, për të cilin ata duhet të jenë të përgatitur.

Në afat të mesëm, sektori bankar duhet të përballojë ndikimin që jep në veprimtarinë e tij ecuria e cilësisë së kredisë. Gjatë vitit të kaluar, kreditimi u rrit në vlerë mesatare prej rreth 13.2%. Pjesa më e madhe e rritjes ndodhi në kreditimin në lekë, e mbështetur prej rritjes graduale të depozitave të publikut dhe injektimit të likuiditetit nga Banka e Shqipërisë.

Kreditimi në valutë ishte stanjativ, në kushtet kur disponueshmëria e fondeve të lira në valutë nga ana e bankave u pakësua dhe nënçmimi i kursit të këmbimit kufizoi kërkesën për kredi. Një arsye tjetër e ngadalësimit të kreditimit në përgjithësi gjatë vitit të kaluar, qëndron edhe në adoptimin e një qëndrimi më të kujdesshëm nga ana e bankave, në kushtet e rritjes së rrezikut të kësaj veprimtarie, si rezultat i rritjes së vështirësive në sektorin real të ekonomisë. Konkretisht, raporti i kredive me probleme u ngjit në fund të vitit në nivelin 10.5%. Rritja e tij ka vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti, ndonëse me një ritëm më të ulët. Si rezultat i rënies së cilësisë së kredisë, për të gjithë sektorin bankar janë dyfishuar fondet përkatëse rezervë, duke ndikuar negativisht në rezultatin financiar të sektorit bankar. Ky i fundit, për vitin 2009, ishte sa gjysma e vlerës së vitit 2008 dhe kishte një përqendrim më të madh.

Edhe më parë, Banka e Shqipërisë ka theksuar që duhet të synohet rigjallërimi i kreditimit, si një zhvillim që mbështet jo vetëm ekonominë dhe klientët, por edhe vetë bankat. Sigurisht, mjedisi ekonomik mbetet sfidues dhe një rikthim në ritmet e rritjes së kredisë të vitit 2008, është jorealist e madje jo i dëshirueshëm. Por ne mendojmë se ekzistojnë mundësitë, veçanërisht në lidhje me ecurinë në rritje të depozitave, që rritja e kredisë të jetë më e mirë në vitin 2010, në krahasim me një vit më parë. Një pritshmëri e tillë duket se mbështetet edhe nga vetë ju, sipas përgjigjeve që keni dhënë në anketimet e muajve të parë të këtij viti, të kryer nga Banka e Shqipërisë për këtë qëllim. Megjithatë, ndonëse rigjallërimi i kreditimit është një zhvillim i dëshiruar, kjo duhet të realizohet mbi bazën e një analize të kujdesshme, duke ndjekur me vëmendje ecurinë e cilësisë së kredisë. Në terma më praktikë, është e nevojshme që për kreditë ekzistuese bankat të reflektojnë plotësisht madhësinë e kredive me probleme dhe të krijojnë rezervat përkatëse për rrezikun e humbjeve nga kreditë.

Në portofolin e kredive me probleme, bankat duhet të identifikojnë klientët me probleme të përkohshme dhe të kapërcyeshme dhe të ndërtojnë politika që ofrojnë mbështetje për këta klientë, në këmbim të shtimit të elementeve që mbrojnë bankën prej rrezikut të këtyre kredive në të ardhmen. Për klientët që i vlerësojnë me një mundësi të ulët të pagesës së detyrimit të kredisë, bankat duhet të ndjekin pa hezitim procedurat për ekzekutimin e garancive dhe të formave të tjera të kolateraleve, për rikuperimin e një vlere sa më të madhe të kredisë. E gjithë vendimmarrja në këtë proces duhet të jetë e qartë dhe e dokumentuar, dhe duhet të ketë si bazë analizën e strukturave të specializuara të bankës. Pa kryer më parë një proces të tillë, është e parakohshme dhe mund të rezultonte kundërproduktive, implementimi i masave me karakter të përgjithshëm rregullativ për lehtësimin e përkohshëm të këtij problemi.

Për kreditë e reja, nisur nga përvoja e bankave me problemet e shfaqura në portofolin e kredisë dhe arsyet përkatëse, është e domosdoshme të ketë një shpërndarje më të mirë sektoriale dhe një ekuilibër më të arsyeshëm midis projekteve të investimeve publike dhe private, midis klientëve që përfaqësojnë sipërmarrje biznesi apo familje, midis formave të dhënies së kredisë në lekë ose në valutë, duke e orientuar kreditimin në mënyrë që të zvogëlohet ekspozimi ndaj formave më problematike dhe të ulet përqendrimi i kreditimit në përgjithësi. Duke vlerësuar para së gjithash mundësinë e pagesës së kredisë nga ana e kredimarrësve dhe sigurinë e kreditimit, Banka e Shqipërisë gjykon që ekzistojnë hapësira të mjaftueshme për bankat tregtare, që në varësi të madhësisë dhe mundësive që kanë, të mbështesin më shumë kreditimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe të ofrojnë mundësi më të mëdha financimi në lekë. Gjithashtu, monitorimi i ecurisë së cilësisë së kredisë në nivel të përgjithshëm, do të kërkojë domosdoshmërisht ndjekjen me vëmendje të situatës në bankat individuale, të cilat mund të shfaqin zhvillime të ndryshme nga mesatarja e sektorit.

Ecuria e cilësisë së portofolit të kredisë do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi rezultatin financiar të bankave. Në këtë kuadër, merr rëndësi ndjekja me kujdes e vlerave të kapitalizimit të veprimtarisë bankare, pavarësisht niveleve të tij aktualisht të mjaftueshme. Dëshiroj të theksoj se ky është një proces që vë në një provë tjetër, aftësinë e strukturave drejtuese të bankave për të administruar situatën me kujdes, me integritet dhe me profesionalizëm. Gjithashtu, në këtë proces kërkohet që aksionerët e bankave, të cilët rritën vlerën e investimit dhe të fitimit të tyre gjatë periudhës së “boom”-it të kreditimit, të gjenden aktualisht pranë tyre për të plotësuar nevojat eventuale për kapital ose forma të tjera financimi.

Më lejoni të ndalem edhe në një çështje tjetër, të cilën e konsideroj të rëndësishme për t’u trajtuar në vazhdimësi dhe që lidhet me transparencën e bankave ndaj klientëve. Pavarësisht përmirësimeve të përgjithshme në këtë drejtim, dua të ndalem në çështjet që lidhen me shërbimet bankare.

Në Bankën e Shqipërisë, jo rrallë vijnë ankesa nga qytetarë, përdorues të rregullt ose të rastësishëm të shërbimeve bankare, në lidhje me kostot që aplikojnë bankat për këto shërbime. Rezulton që në mjaft raste qytetarët vendosen përpara faktit të kryer përsa i takon detyrimeve ndaj bankës për shërbimin e përfituar, pa patur më parë një informacion të mirëfilltë rreth arsyes dhe shumës së këtyre detyrimeve. Në raste të tjera, përdoruesi i shërbimit nuk gjen shpjegimin e nevojshëm dhe bindës nga ana e bankës, për arsyet e lindjes së detyrimit dhe mënyrën e llogaritjes së tij. Nuk përjashtohen rastet kur problemi qëndron në kulturën financiare të qytetarit, por sidoqoftë, duket që puna e personelit të bankës për të siguruar transparencë me klientin është sipërfaqësore dhe ndonjëherë e mangët. Në një koncept më të përgjithshëm dhe më teknik, mbetet e paqartë mënyra e përcaktimit të kostove nga bankat tregtare për shërbimet që ofrojnë.

Mbështetur edhe në një analizë të fundit të kryer nga Banka e Shqipërisë mbi nivelin e komisioneve të ndryshme që aplikohen nga sektori bankar, nuk rezulton që bankat e analizuara të kenë bërë një analizë të dokumentuar të kostos së shërbimeve që ofrojnë për klientët dhe më pas të kenë ndërtuar një metodologji të përcaktimit të komisioneve përkatëse. Në të njëjtën kohë, mungon një standard i formës, i përbërjes dhe i emërtimit të komisioneve për shërbime të njëjta në banka të ndryshme, duke e bërë realisht të vështirë krahasimin ndërbankar prej kërkuesve të shërbimeve dhe duke rritur konfuzionin e publikut. Gjithashtu, transaksionet midis klientëve të bankave të ndryshme, penalizohen prej komisioneve relativisht më të larta, duke penguar në këtë mënyrë kryerjen e pagesave nëpërmjet bankave, me pasoja të padëshirueshme për ecurinë e cash-it në ekonomi.

Në lidhje me mënyrën e vendosjes së komisioneve, bankat orientohen prej institucioneve konkurrente në treg dhe nuk rezulton të ketë një politikë aktive e vizionare të zhvillimit të shërbimeve bankare, duke mbështetur rritjen e përdoruesve që lehtësisht mund të kthehen në klientë potencialë të bankave. Nuk është e rastit që të ardhurat nga komisionet e shërbimeve bankare, zënë vetëm 5.5% të të ardhurave të përgjithshme të tyre. Sipas nesh, kjo tregon që bankat nuk po tregohen aktive që nëpërmjet politikave konkurruese në këtë fushë, të realizojnë potencialin e konsiderueshëm që ekziston për rritjen e të ardhurave. Përfitoj nga ky rast që të kërkoj angazhimin tuaj maksimal për të adresuar këtë çështje me synimin për të realizuar një përmirësim rrënjësor në këtë drejtim. Banka e Shqipërisë do të shqyrtojë mundësinë që nëpërmjet kuadrit rregullativ të kërkojë ndërtimin dhe zbatimin e metodologjive të dokumentuara për komisionet e shërbimeve bankare si edhe të nxisë krijimin e një standardi për paraqitjen/publikimin e komisioneve dhe mënyrën e monitorimit të tyre.

Të nderuar drejtues të sistemit bankar,

Banka e Shqipërisë ka demonstruar në vazhdimësi se është një institucion i përgjegjshëm dhe vizionar. Përballimi i situatës së vështirë nuk ishte i rastësishëm. Aksionet dhe veprimet tona të ndërmarra gjatë katër viteve të fundit, në periudhën para dhe gjatë krizës, ishin të një rëndësie themelore. Me të njëjtën shkallë përgjegjshmërie po vlerësojmë masat dhe veprimet që duhet të karakterizojnë aktivitetin tonë në muajt në vijim. Ndër të tjera, e kam fjalën për të ashtuquajturin plan daljeje, ose siç njihet ndryshe, “exit strategy”. Kjo strategji i referohet tërheqjes graduale të masave të jashtëzakonshme politike dhe rregullatore të vendosura në kuadrin e përballimit të efekteve të krizës.

Banka e Shqipërisë, duke ndjekur me kujdes përmirësimin e likuiditetit në sistemin bankar si dhe rikthimin e besimit të publikut ndaj këtij sistemi ka filluar të zbatojë strategjinë e daljes.

Konkretisht, në fillim të këtij viti, Banka e Shqipërisë ndryshoi formën e ankandit të instrumentit të saj kryesor rifinancues të sistemit, nga ankand me çmim të fiksuar, në ankand me shumë të kufizuar. Kam kënaqësinë t’ju informoj se ky ndryshim u kuptua mjaft mirë nga tregu, duke vijuar me një stabilitet të normave të interesit të tregut ndërbankar. Përveç kësaj, po pozitivisht reagoi edhe tregu i letrave me vlerë, ku normat e interesit për bonot e thesarit 12-mujore janë ulur me rreth 1 pikë përqindjeje gjatë vitit 2010.

Në vijim të kësaj strategjie, Banka e Shqipërisë ka kthyer në normalitet marrëdhëniet e investitorëve bankarë me fitimin e realizuar nga investimi i tyre në Shqipëri. Rivendosja e regjimit të lëvizjes së lirë të kapitalit, përveç një detyrim i Shqipërisë në kuadrin e konventave ndërkombëtare të nënshkruara prej saj, ka një ndikim pozitiv në perceptimin e Shqipërisë si një destinacion i besueshëm investimi dhe në nxitjen e hyrjeve të investimeve të huaja direkte në sistemin tonë financiar.

Gjithashtu, në përputhje me zhvillimin e sistemit bankar, rritjen e rolit të tregut ndërbankar si dhe zhvillimin e kapaciteteve tona institucionale politike dhe analitike, Banka e Shqipërisë po planifikon përmirësimin e operacioneve tona rifinancuese të sistemit. Në këtë kuadër, ne po vlerësojmë mundësinë e ndryshimit të objektivave operacionalë: nga objektiva sasiorë në objektiva cilësorë, të shprehur në formën e normave afatshkurtra të interesit të tregut ndërbankar.

Në fjalën time u mundova të prek të gjitha çështjet që Banka e Shqipërisë mendon se përbëjnë objektivat tanë në të ardhmen e afërt e të largët. Megjithatë, do të doja që t’i kthehem edhe njëherë asaj çka mendoj se përbën kryesfidën tonë për vitin 2010. Ekonomia ka nevojë të financohet për një zhvillim të qëndrueshëm. Ndërmjetësimi financiar është qëllimi i veprimtarisë bankare. Për këtë qëllim, edhe njëherë ju tërheq vëmendjen që të jeni më aktivë në këtë drejtim. Kthimi i depozitave ka krijuar tashmë kushtet për një rigjallërim të kredisë për ekonominë.

Motoja e sistemit bankar për vitin 2010 do të jetë: çdo lek depozitë e shtuar të konvertohet në një lek kredi të re për ekonominë.

Në përfundim, duke shfrytëzuar këtë forum dialogu me sistemin bankar do të doja t’i drejtohesha edhe publikut të gjerë shqiptar.

Kriza e fundit që goditi ekonominë botërore nxori në pah një element të rëndësishëm të filozofisë që karakterizon jetën e përditshme të çdo kombi.

Pavarësisht recetave të ngjashme që aplikuan kombe të veçanta, ajo që bie në sy ishte apeli mbi ndërgjegjen kombëtare të publikut dhe reagimi patriotik i këtij të fundit. Përfitoj nga rasti që një apel të tillë t’ia drejtoj publikut shqiptar, i cili me sjelljen e tij racionale deri më tash ka treguar se është i matur dhe i përgjegjshëm.

Ajo që unë do të apeloja edhe njëherë është e thjeshtë. Duhet të kemi:

  • më shumë besim tek monedha jonë;
  • më shumë besim tek sistemi ynë bankar;
  • më shumë besim tek analizat dhe konkluzionet tona;
  • më shumë depozita do të thotë më shumë kredi;
  • më shumë kredi do të thotë më shumë mirëqenie.

Në fund të fundit kjo është konvergjenca e vërtetë me Bashkimin Evropian.

Në përfundim, dua të theksoj që viti që kaloi ishte një vit relativisht i vështirë për sektorin bankar. Ndonëse viti 2010 pritet të jetë një vit më i mirë, disa çështje të veprimtarisë bankare, siç janë cilësia e kredisë, rigjallërimi i saj, angazhimi i aksionerëve për të mbështetur më fort veprimtarinë e bankave, si edhe forcimi i strukturave të administrimit të rrezikut, duhet të ndiqen me vëmendjen maksimale nga ana juaj.

Si gjithmonë, Banka e Shqipërisë do të jetë vigjilente për të zbatuar me përpikmëri kërkesat e kuadrit ligjor dhe rregullativ që normojnë veprimtarinë bankare. Në këtë proces, këtë herë lypset edhe më shumë bashkëpunimi dhe profesionalizmi juaj.