BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Forumin e Pestë Ndërkombëtar të Bankingut, Athinë, 5-6 dhjetor 2006.

Data e publikimit: 08.12.2006

 

E nderuar dr. Margret Doyle,
I nderuar z. Kryetar,
Të nderuar pjesëmarrës,

Do të doja të falenderoja "The Economist Conferences (Konferencat e Ekonomistit)" për ftesën që ato i bënë Bankës së Shqipërisë, për të marrë pjesë në këtë forum të rëndësishëm. Është një kënaqësi e veçantë të jemi këtu sot. Tema e fjalës time do të jetë: "Reformat ekonomike". Me lejoni të shpreh pikëpamjet e mija mbi reformat bankare dhe financiare të kaluara dhe të ardhshme në Shqipëri dhe në rajon. Tema sigurisht që nuk është e re. Megjithatë, reformat dhe zbatimi i tyre janë një proces dinamik, që duhet të reflektojë ndryshimet dhe pritshmëritë për zhvillimet e ardhshme si në tregjet vendase, ashtu edhe në ato globale. Për rrjedhojë, do të ketë gjithmonë një diskutim të hapur për ide dhe zgjidhje të reja.

Bankat qendrore janë bashkëpunëtore të rëndësishme për reformat ekonomike dhe zbatimin e tyre. Ato jo vetëm mirëpresin dhe ndihmojnë, por gjithashtu, gjenerojnë reforma në tregjet e kapitalit, të punës dhe të produkteve. Këto reforma kanë efekte që shkojnë përtej përfitimeve ekonomike të një rritjeje të qëndrueshme dhe stabiliteti financiar afatgjatë. Unë kam bindjen se efektet pozitive do të materializohen në begatinë e rajonit të Evropës Juglindore dhe në integrimin e tij ekonomik dhe politik në Bashkimin Evropian.

Banka e Shqipërisë ka qenë krijuese dhe përkrahëse e vazhdueshme e reformave si institucionalisht, ashtu edhe si garantuese e çmimeve të qëndrueshme, kushteve makroekonomike të favorshme dhe stabilitetit financiar. Është një fakt i pamohueshëm që integrimi financiar, të cilin ne po përjetojmë, do të jetë pararendës i procesit të integrimit të Bashkimit Evropian. Kjo do të zbusë sfidat dhe do të përshpejtojë procesin e integrimit evropian, të cilin shqiptarët e kanë përqafuar me konsensus të gjerë popullor.

Ashtu si edhe në shumë ekonomi të tjera në tranzicion, reformat bankare në Shqipëri u zbatuan si pjesë përbërëse e reformave strukturore të ndërmarra për të transformuar ekonominë shqiptare në një ekonomi tregu. Përmirësime të vazhdueshme, bashkë me miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të ri bankar dhe rregulloret mbikëqyrëse, procesin e likuidimit dhe privatizimit të bankave shtetërore dhe atyre me kapital të huaj, kanë ndryshuar tregjet bankare dhe financiare.

Bankat e huaja kanë shërbyer si faktor nxitës për rritjen e eficiencës, numrit, cilësisë dhe mbulimit të ndërmjetësimit financiar. Hyrjet e reja, shkrirjet dhe blerjet e kohëve të fundit, po ndryshojnë strukturën e tregut për sa i përket aktiveve dhe detyrimeve. Reformat që sollën aktorët e mëdhenj evropianë dhe kapitalin e tyre në treg, kanë rritur edhe më shumë besimin tek ekonomia jonë dhe tek rajoni në përgjithësi.

Megjithatë, prania e bankave të huaja nuk zëvendëson nevojën për një strukturë ligjore dhe institucionale. Për më tepër, zhvillimet e fundit në tregjet bankare dhe financiare mund të nxisin faktorë shtesë rreziku lidhur me ekspozimin asimetrik, probleme me mbikëqyrjen e vendit pritës dhe rrjetin e sigurisë financiare, me mbizotërimin e bankave të huaja. Këto sfida dhe zhvillimet e pritshme financiare në rajon do të ravijëzojnë qëllimin dhe strukturën e reformave në të ardhmen. Prandaj, ju lutem të më lejoni t'ju paraqes shkurtimisht pikëpamjet e mija për tendencat e ardhshme të tregjeve financiare rajonale.


Tregjet financiare në rajon po bëhen pjesë e zhvillimeve më të gjera globale, të cilat nxisin integrimin financiar, liberalizimin dhe risitë financiare. Tregu rajonal fitimprurës dhe procesi i konsolidimit kanë imponuar një integrim financiar vertikal në rajon. Më pak se dhjetë banka evropiane me qendër në Vjenë, Athinë ose Milano mbizotërojnë tregjet bankare rajonale. Procesi i integrimit financiar do të vazhdojë, duke e bërë rajonin akoma dhe më të integruar me vendet evropiane. Sistemet financiare do të drejtojnë rrugën drejt integrimit financiar dhe efektet pozitive të këtij procesi do të përhapen akoma dhe më shumë.

Tregjet financiare janë dhe do të vazhdojnë të jenë të dominuara nga bankat. Sektori financiar jobankar do të rritet me shpejtësi të madhe, megjithatë bankat do të vazhdojnë të jenë aktorët kryesorë. Ato do të ndihmojnë në ndërtimin e mëtejshëm të infrastrukturës së nevojshme për aktivitetet financiare jobankare dhe do të mbështesin rritjen në ekonomitë tona. Jo shumë kohë më parë, pyeta një mikun tim, i cili kthehej nga mërgimi pas 15 vjetësh: "Përse u ktheve?". Përgjigjja e tij ishte e thjeshtë por e vërtetë: "Për mua nuk ka rëndësi se ku më pëlqen të jetoj, - më tha ai - rëndësi ka se ku janë mundësitë". Me reduktimin e hendekut në standardet e jetesës dhe me lulëzimin e mundësive në Shqipëri për shqiptarët, ata do të kthehen. Ata do të sjellin kapitale të rëndësishme njerëzore dhe aftësi administruese, të cilat do t'i kenë përvetësuar në vendet ku kanë punuar. Shumë emigrantë shqiptarë janë në këtë fazë të ciklit të migrimit dhe ne shohim përfitime të mundshme nga ky proces. Është roli i bankave të mbështesë këtë kapital njerëzor me kapitalin financiar të nevojshëm dhe të ofrojë shërbime financiare për t'i zhvilluar aftësitë e tyre sipërmarrëse.

Ky rol i vjen shumë natyrshëm bankave tregtare greke që veprojnë në Shqipëri, të cilat gjej rast t'i falënderoj për besimin e tyre të hershëm tek Shqipëria. Ato janë partnere të natyrshme për këta sipërmarrës të rinj, të cilët njohin kulturën dhe ndoshta kanë punuar për një kohë të gjatë në zyrat greke përkatëse. Mundësia që këto sipërmarrje të përfshijnë edhe kapital grek në rastin e investimeve me kapital të përbashkët, përbën një arsye më shumë në favor të mendimit tim. Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, kompanitë greke janë të pozicionuara në vendet e para, për sa i përket sasisë së kapitalit të investuar në ekonominë shqiptare, ndërsa qëndrojnë në vendin e dytë për numrin e Investimeve të Huaja Direkte.

Përfshirja e këtyre bankave në financimin e këtyre aktiviteteve do të luajë një rol pozitiv në zhvendosjen e ekuilibrave të portofolit të kredive, nga kredi për individët dhe për bizneset e vogla, drejt kredive për aktivitete prodhuese në industri dhe agrikulturë. Në të njëjtën kohë, kjo mund të nxisë edhe rritjen e mëtejshme të normës së rritjes së kredisë në ekonomi, e cila gjatë dy viteve të fundit ka njohur një rritje të shpejtë, duke shkaktuar shqetësim për stabilitetin makroekonomik dhe financiar.

Rezultatet e reformave nuk ishin të kufizuara me hapjen dhe zhvillimin e tregut financiar vendas. Ato sollën stabilitet të çmimeve dhe stabilitet financiar, rritje ekonomike të qëndrueshme, ndërtimin e institucioneve dhe rritjen e besimit. Këto zhvillime tërhoqën vëmendjen e grupeve të mëdha financiare, i sollën ato në rajon dhe veçanërisht në Shqipëri. Siç e përmenda edhe më lart, hyrja në treg e grupeve të mëdha financiare dhe procesi i konsolidimit që e pasoi, do të vazhdojnë të shtohen. Ajo çka po vërejmë tani në treg është se peshku i madh po ha të voglin, peshku shumë i madh po ha të madhin në tregjet financiare evropiane, me pasoja për vendet pritëse. Megjithatë, procesi është akoma larg fundit të tij, peshku gjigand (aktori global) mund të hyjë në rajon duke ngrënë peshkun shumë të madh. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, mund të ketë edhe shkrirje mes bankave vendase.

Pavarësisht rritjes së normës së përqendrimit që vjen nga këto shkrirje dhe blerje, ne kemi filluar të vërejmë rritjen e konkurrencës në tregun tonë. Kjo konkurrencë rrit eficiencën, fut shërbime dhe produkte të reja, ul diferencën në normat e interesit dhe sjell efekte pozitive për aktivitetin ekonomik. Ndonëse ky është një parakusht i mirë për të forcuar stabilitetin financiar, nuk është një kusht i mjaftueshëm për të rritur disiplinën financiare.

Aktualisht, aktiviteti i institucioneve financiare dhe i bankave tregtare mbetet i kufizuar, megjithatë ne po fillojmë të shohim shenjat e një përqendrimi të aktiviteteve financiare në një institucion. Ne nuk kemi asnjë dyshim se kjo tendencë do të rritet e do të vazhdojë në të ardhmen. Ajo do të sjellë inovacion, instrumente dhe produkte të reja financiare në treg. Bashkë me të, numri i kartave të kreditit e të debitit, si edhe sistemet e tjera të pagesave do të vazhdojnë të shtohen. Ndonëse këto instrumente mund të mos e zëvendësojnë e as ta reduktojnë përdorimin e cash-it, kjo tendencë duhet marrë parasysh.

Ekonomitë e tranzicionit në rajon janë tregje fitimprurëse. Ato po rriten shumë më shpejt se tregjet evropiane tradicionale dhe ofrojnë perspektiva impresionuese për fitime dhe rritje të mëdha. Për t'ju dhënë një shembull, kthyeshmëria në aktivitetin bankar në Shqipëri ka qenë rreth 20 për qind gjatë dy viteve të fundit. Këto perspektiva pozitive dhe lakmia për të konkurruar shpejt dhe përtej kufijve të arsyeshëm për fitime dhe pjesë tregu mund të krijojnë rreziqe të mundshme. Nëse drejtuesit nuk e shikojnë të plotë kuadrin dhe detyrimet financiare, kjo konkurrencë mund të kthehet në një drejtim të keq, në kredi me probleme dhe në probleme të tjera bankare. Prandaj, nuk ka vend për menaxhim të pakujdesshëm. Është shumë e rëndësishme që stafi drejtues të jetë në lartësinë e sfidave, të cilat nëse materializohen, mund të jenë më të ndërlikuara, sesa në tregjet e zhvilluara që vetë rregullohen. Është e rëndësishme të veprohet në bllok dhe të merret pjesë në projekte rajonale për infrastrukturën, përfshirë këtu edhe ato financiare.

Ne kemi mjaft besim në aftësinë e sistemit bankar për te ndërmarrë praktika më të mira bankare dhe parandaluese. Megjithatë, unë mendoj se nevojiten një sërë masash parandaluese për të siguruar që tendencat e vërejtura së fundmi nuk pengojnë arritjen e stabilitetit financiar. Për këtë arsye, nuk mund të mos i kushtojmë vëmendje përmirësimit të kuadrit ligjor, rregullativ, si dhe masave të natyrës të kujdesit, si elemente të rëndësishme të reformave në sektorin financiar në Shqipëri.

Projektligji i ri për bankat, i përgatitur nga Banka e Shqipërisë, i cili po diskutohet në Parlamentin Shqiptar, siguron një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse në vendet e origjinës të bankave të huaja që ushtrojnë veprimtari bankare në Shqipëri dhe Bankës së Shqipërisë, si autoritet mbikëqyrës i vendit pritës. Më tej, Banka e Shqipërisë ka nënshkruar memorandume të ndryshme mirëkuptimi me autoritetet mbikëqyrëse të rajonit, për të forcuar bashkëpunimin, ndarjen e informacionit dhe për të konsoliduar mbikëqyrjen e bankave ndërkombëtare në vendet e origjinës dhe në ato pritëse.

Në lidhje me rritjen e masave të sigurisë nëpërmjet krijimit të rrjetave të sigurisë financiare, projektligji i ri për bankat kërkon që bankat dhe degët e bankave të huaja, që operojnë në Shqipëri të sigurojnë depozitat në Shqipëri. Agjencia e Sigurimit të Depozitave po ndjek me vëmendje të plotë zhvillimet në sistemin bankar dhe po konsideron një rritje të nivelit të mbulimit për depozitat. Banka e Shqipërisë është në procesin e përgatitjes së një Plani Përafrimi të Integruar për Trajtimin e Bankave me Probleme në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave. Ky plan siguron zgjidhje eficiente, në kohë dhe efektive përsa i përket kostove, të situatave kur bankat vendosen në kujdestari apo likuidim për të mënjanuar çrregullime të mëdha në sistemin bankar dhe për të ruajtur besimin e publikut në këtë sistem.

Në lidhje me rolin e bankës qendrore si një "huadhënës i mundësisë së fundit", kuadri ligjor i Bankës së Shqipërisë i siguron asaj autoritetin dhe kompetencën që t'i japë hua atyre bankave që përballen me vështirësi për shkak të mungesës së likuiditetit, në mënyrë që të ruajë integritetin e sistemit bankar. Megjithatë, për degët e bankave të huaja, bankave "mëmë" do t'u kërkohet që të sigurojnë mbështetjen e duhur financiare për degët e tyre.

Banka e Shqipërisë është tashmë në procesin e harmonizimit gradual të legjislacionit bankar me Acquis Communnautaire. Duke njohur pozicionin e sistemit bankar të Shqipërisë si një "anëtar virtual" në sistemin bankar të Bashkimit Evropian, Banka e Shqipërisë po shton përpjekjet për përmirësimin e strukturës rregullative për të krijuar një legjislacion eficient e të përshtatshëm dhe për liberalizimin e plotë të llogarisë kapitale.

Legjislacioni i sektorit financiar jobankar është nën rishikim. Një ligj i ri mbi letrat me vlerë do të prezantohet së afërmi. Projektligji i ri për letrat me vlerë do të shtojë gamën e instrumenteve financiare që mund të ofrohen në treg dhe do të modernizojë tregun e letrave me vlerë në Shqipëri. Ai siguron një mbrojtje më të mirë për investitorët, investime me kosto më efektive dhe një treg më eficient. Përpjekje të vazhdueshme po bëhen për rishikimin e legjislacionit mbi fondet e pensioneve dhe të investimeve. Qëllimi i rishikimit të legjislacionit konsiston në zgjerimin dhe modernizimin e tregjeve financiare jobankare, duke i bërë ato më eficiente për të tërhequr sa më shumë investitorë.

Për të trajtuar çështjet dhe problemet që lindin si pasojë e rritjes së konkurrencës në sistemin bankar për shkak të rritjes së aktivitetit kredidhënës të bankave, Banka e Shqipërisë po punon njëkohësisht në disa drejtime, si në:

• Krijimin e një Regjistri Kredie, që do të ndihmojë bankat të jenë më të informuara në marrjen e vendimeve mbi dhënien e kredive klientëve të tyre. Regjistri i Kredive është i një rëndësie parësore po të konsiderojmë normën e lartë të kredisë në Shqipëri.
• Rishikimin e kuadrit rregullator mbi normën e mjaftueshmërisë së kapitalit dhe administrimit të rrezikut të kredisë.
• Rritjen e mbikëqyrjes së brendshme dhe përmirësimin e modeleve të "stress-testing".

Për të siguruar një mbikëqyrje financiare të përshtatshme dhe sa më të plotë, është krijuar kohët e fundit një autoritet i ri i integruar, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për të mbikëqyrur kryesisht tregun e letrave me vlerë, të sigurimeve dhe fondeve të pensionit. Ky autoritet së bashku me Bankën e Shqipërisë ndajnë përgjegjësinë për ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar. Bazuar në këtë përgjegjësi, ligji mbi Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) siguron një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet AMF-së dhe Bankës së Shqipërisë për mbikëqyrjen e institucioneve financiare.

Banka e Shqipërisë është në procesin e hartimit të një ligji mbi Sistemet e Pagesave, i cili do të zëvendësojë aktet nënligjore të nxjerra deri tani nga Banka e Shqipërisë. Ligji i ri mbi Sistemin e Pagesave do të marrë në konsideratë standardet dhe kërkesat e Direktivës së re të Bashkimit Evropian mbi Sistemet e Pagesave, i cili do të votohet së shpejti nga Parlamenti i BE-së, si dhe të Direktivës mbi Finalitetin e Shlyerjes në lidhje me Pagesat dhe Letrat me Vlerë.

Ligji i ri mbi Sistemet e Pagesave synon të sigurojë mbrojtjen maksimale të interesave të paguesit, njëkohësisht dhe një shlyerje të shpejtë dhe në kohë të pagesës.


Banka e Shqipërisë po punon aktualisht dhe me aktorë të tjerë, si Ministria e Financave, sistemi bankar etj., për të reduktuar përdorimin e cash-it në ekonomi. Në lidhje me këtë, ne së shpejti do të prezantojmë instrumentin e Debitimit Direkt, si një instrument plotësues për të reduktuar pagesat cash dhe për të rritur përdorimin e kanaleve bankare.

Së fundi, do të doja të shtjelloja çështjen e zbatimit të Akordit të Bazel II. Megjithëse ky akord do te përcaktojë formën e tregjeve financiare në të ardhmen, unë besoj se ai paraqet sfida për sistemin bankar dhe për ne. Ne kemi iniciuar zbatimin e akordit të ri, por aktualisht jemi pragmatikë në miratimin e zbatimit të atyre elementeve të Bazel II, që mund të gjejnë zbatim në mënyrë të sigurtë.

Tani, do të dëshiroja ta zhvendosja vëmendjen tuaj në shtyllën tjetër të rëndësishme të reformave bankare: roli i vetë bankës qendrore dhe politika e saj monetare. Kontributi i Bankës së Shqipërisë ndaj reformave ekonomike vjen gjithashtu, nëpërmjet ruajtjes së çmimeve të qëndrueshme dhe duke ndihmuar për të siguruar qëndrueshmërinë financiare. Gjatë pesë viteve të fundit, politika monetare e Bankës së Shqipërisë e orientuar drejt stabilitetit ka sjellë inflacion të ulët dhe të qëndrueshëm; ajo ka siguruar gjithashtu që parashikimet mbi ecurinë e inflacionit afatmesëm dhe afatgjatë të jenë të kontrolluara mirë. Rritja ekonomike ka qenë e fortë rreth 5 - 6 për qind e PBB-së, ndërsa është karakterizuar nga një shkallë e lartë stabiliteti. Duke reflektuar gjerësisht natyrën e politikës monetare, do të thoja se gjithmonë ka qenë e fokusuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe përdorimin e kontrollit mbi agregatët monetarë si objektiva të ndërmjetëm. Llogaria korente dhe transaksionet e shkëmbimit valutor u liberalizuan në fazat e para të tranzicionit së bashku me adoptimin e regjimit të këmbimit të lirë valutor.

Instrumentet indirekte përdoren për t'i transmetuar tregut normën e interesit dhe sinjalet e likuiditetit. Norma e repove është kthyer në një mjet sinjalizues për normat e interesit afatshkurtër, ndërsa veprimet me repo dhe repo të anasjellta përdoren për të administruar likuiditetin. Reformat për drejtimin e politikës monetare i kanë dhënë bankave fleksibilitet më të madh për të përcaktuar si vëllimin ashtu edhe termat e kreditimit dhe të depozitave.

Banka e Shqipërisë ka ofruar të gjitha kushtet e nevojshme për të siguruar një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe stabilitet çmimesh; megjithatë e vetme ajo nuk mund të garantojë përmbushjen e objektivave. Të gjitha këto zhvillime pozitive kanë ndodhur në prani të një zgjerimi fiskal të kënaqshëm, si element i politikës fiskale të shëndoshë dhe reformave strukturore të sigurta.

Sistemi bankar është kthyer në një furnizues të rëndësishëm të financimit të brendshëm për qeverinë. Bankat e nivelit të dytë kanë luajtur një rol kryesor në të, ndërsa financimi i drejtpërdrejtë nga Banka e Shqipërisë është kufizuar vetëm në trajtimin e çështjeve të pavarësisë dhe të monetarizimit të deficitit. Së fundi, qeveria ka hedhur në treg letra me vlerë me maturitet pesëvjeçar. Përveç kësaj, me konsensusin e FMN-së, qeveria shumë shpejt do të emetojë letra me vlerë të qeverisë në euro. Banka e Shqipërisë e përshëndet një zhvillim të tillë, si një certifikim të një politike fiskale të kujdesshme dhe të përgjegjshme. Në të njëjtën kohë, bëjmë thirrje për më shumë kujdes dhe trajtim të duhur të rreziqeve shtesë.

Megjithatë, është e pamohueshme se zhvillimet më të fundit janë arritur nën syrin mbikëqyrës të Fondit Monetar Ndërkombëtar. FMN ka qenë një element i rëndësishëm i reformave në Shqipëri. Prania dhe Memorandumi i Mirëkuptimit i firmosur në kuadrin e programit ESAF dhe shkrirja aktuale e Programeve PRGF dhe EEF, forcuan besueshmërinë e reformave tona ekonomike dhe shërbyen si mjete sigurie të jashtme. Megjithatë, ndërsa ekonomia jonë rritet dhe marrëveshja aktuale përfundon në vitin 2009, së shpejti ne do të arrijmë të marrim në zotërim të plotë politikat tona ekonomike me një rol të reduktuar të FMN-së sipas nenit 4 të Marrëveshjes.

Banka e Shqipërisë ka dhënë prova të aftësisë, të besueshmërisë dhe të profesionalizmit në shërbim të ekonomisë sonë. Këto tre elemente sigurojnë kushtet e nevojshme për të mbështetur dhe garantuar realizimin e objektivit ekonomik të stabilitetit të çmimeve dhe për të rritur besueshmërinë në ekonominë shqiptare; por ne nuk mund të jemi përgjegjës për sjelljen e aktorëve të tjerë. Jam i bindur se na nevojitet të gjejmë dhe të zbatojmë elemente sigurie të qarta vendase dhe të huaja për të ruajtur besueshmërinë e reformave në të ardhmen.

Për rrugën që kemi përpara, ne po përqendrojmë përpjekjet tona në identifikimin dhe përdorimin e elementeve kryesore të shtetit, politikës, tregjeve, institucioneve dhe publikut të përgjithshëm, që mund të luajnë në mënyrë efektive rolin e elementeve të sigurisë vendase. Si pjesë e këtij veprimi parapritës, Banka e Shqipërisë po analizon me kujdes mundësinë e adoptimit të plotë të regjimit të inflacionit te shënjestruar në politikën monetare gjatë periudhës afatmesme. Ky do të jetë një vendim i kushtëzuar bazuar në rezultatet e kërkimeve, vlerësimeve të parakushteve dhe të aftësive që po grumbullohen. Po analizohen gjithashtu edhe elementë sigurie të tjera të mundshme, si Memorandumi i Mirëkuptimit me Ministrinë e Financave dhe edukimi i publikut.

Në aspektin ndërkombëtar, ne shohim partnerë të shumtë prestigjiozë, të cilët kuptojnë shqetësimet tona dhe çmojnë vlerën e disiplinës fiskale. Ata gëzojnë fuqinë dhe cilësitë e një zëri me influencë. Disa prej tyre kanë qenë tashmë partnerë në reforma dhe do t'i japin atyre formën e ardhshme. Procesi i integrimit evropian dhe Marrëveshja e Asociim Stabilizimit, të cilën sapo e kemi firmosur siguron një garanci. Përveç kësaj, vlerësimi i rrezikut nga agjenci të pavarura mund të luajë gjithashtu këtë rol. Banka e Shqipërisë synon të krijojë linja të hapura komunikimi dhe të përdorë instrumente, të cilat do të fillojnë automatikisht të ushtrojnë presion para se të jetë tepër vonë.

Bindja ime personale është që anëtarësimi në BE është si një proces natyror, ku bankat qendrore luajnë një rol jetësor. Kjo përqasje do të kishte përftime reciproke dhe do të përshpejtonte konvergjencën me standardet evropiane, duke e kthyer vendimmarrjen politike në një rezultat të natyrshëm të përpjekjeve tona. Për t'i bërë reformat më efektive, bankat qendrore të rajonit dhe institucionet evropiane duhet të vazhdojnë dialogun. Për më tepër, institucionet evropiane duhet të marrin një rol më aktiv në mbikëqyrjen, mbështetjen, asistencën dhe drejtimin e reformave në infrastrukturën financiare, ekonomike dhe ligjore. Ky proces do të rriste përgjegjësinë dhe besueshmërinë tonë për ta bërë Shqipërinë partner legjitim për integrimin evropian."

Më lejoni të përfundoj diskutimin tim duke cituar Euripidin, i cili thotë: "Sa më shumë përpjekje, aq më shumë begati".

Edhe një herë faleminderit.

__________________________________
Forumi i Pestë Ndërkombëtar i Bankingut, organizuar nga "The Economist Conferences", me temë "Greqia dhe Evropa Juglindore: Reformat Ekonomike dhe e Ardhmja e Bankingut. A kemi kohë të begata përpara nesh?", Athinë, Greqi, 5-6 dhjetor 2006.