BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në Forumin e Tretë të Hapur me sistemin bankar në Shqipëri

Data e publikimit: 13.10.2009

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Kam kënaqësinë e veçantë të hap punimet e forumit të tretë të dialogut të Bankës së Shqipërisë me sistemin bankar. Komunikimi ynë me tregun dhe me administratorët e lartë të tij është kthyer tashmë në një traditë, për të shkëmbyer ide dhe për të paraqitur qëndrime në lidhje me zhvillimet që ndikojnë veprimtarinë bankare dhe atë financiare në përgjithësi.

Takime të tilla janë një instrument i rëndësishëm që plotësojnë komunikimin ndërinstitucional dhe që njëkohësisht krijojnë një dritare komunikimi me publikun e gjerë. Ato i shërbejnë identifikimit të çështjeve, të cilat përfaqësojnë një sfidë për veprimtarinë e tregut financiar në tërësi dhe janë parakusht i konceptimit të zgjidhjeve, që synojnë bashkërendimin e interesave të palëve që operojnë në tregun financiar, me qëllimin final forcimin e stabilitetit financiar.

Forumi i tretë që zhvillojmë sot është forumi i vazhdimësisë. Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj forumin e parë, të cilin pa asnjë hezitim do ta përkufizoja si forumin që konsolidoi themelet e stabilitetit financiar në Shqipëri. Në konkluzionet e dala prej tij bien në sy shumë masa të natyrës parandaluese, të cilat në rrjedhën e kohës me precipitimin e krizës rezultuan të një rëndësie imunitare të jashtëzakonshme.

Forumi i dytë shënon një arritje tjetër të spikatur, ku si lajtmotiv kryesor ishte konfirmimi i zbatimit skrupuloz nga ana e sistemit bankar, të të gjitha detyrave dhe rekomandimeve të mëparshme. Ky forum, i cili u zhvillua në prag të shpërthimit të krizës globale, tregoi se sistemi bankar shqiptar kishte rritur ndjeshëm imunitetin e tij.

Ai trajtoi në thellësi çështje të rëndësishme të lidhura:

  • me transparencën dhe shërbimet ndaj klientelës,
  • me rreziqet e lidhura me kredinë në valutë dhe me kredinë konsumatore, si dhe
  • me funksionimin e tregut ndërbankar dhe transmetimin e politikës monetare në ekonomi.

Forumi i sotëm vjen në një moment të rëndësishëm për sistemin bankar dhe atë financiar në përgjithësi. Pas një viti të vështirë, duket se situata po normalizohet përfundimisht. Për këtë arsye, besoj se në mënyrë figurative, forumi i tretë do të ketë si lajtmotiv kryesor konsolidimin e besimit të publikut mbi sistemin bankar shqiptar. Arritjet në këtë drejtim nuk mungojnë. Statistikat tregojnë se niveli i depozitave po i afrohet në mënyrë të qëndrueshme nivelit të tyre para krizës, ndërkohë që vazhdon gjallërimi i kredisë në lekë, nga njëri muaj në tjetrin.

Të nderuar pjesëmarrës,

Takimi i sotëm zhvillohet në vijim të disa ngjarjeve të rëndësishme financiare dhe ekonomike, që diktoi kriza ndërkombëtare. Tani që situata është kthjelluar dhe ka hyrë në një proces përmirësimi, po bëhet një analizë e plotë rreth shkaqeve të saj, rreth reagimit të autoriteteve publike dhe rreth veprimeve që duhen ndërmarrë për të rritur kapacitetin mbrojtës të sistemit financiar botëror.

Më lejoni që në vazhdim të ndalem shkurtimisht në karakteristikat kryesore të kësaj krize të pashoqe, për të vijuar më tej me disa argumente mbi funksionimin dhe mbi disa rregullime të nevojshme për përsosjen e mëtejshme të sistemit financiar në Shqipëri.

Kriza lindi në SHBA nëpërmjet shpërthimit të problemeve me kreditë jocilësore për shtëpi, duke nxjerrë në pah një sërë problemesh ekzistuese. Tani është bërë e qartë se disekuilibrat botërorë të flukseve të parasë, të ndikuara prej sjelljeve të papërballueshme të shpenzimeve apo të kursimeve mes vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, kanë çuar përgjatë kohës në politika monetare tejet të lirshme kryesisht në vendet me ekonomi të përparuar, të cilat i kanë thelluar me tej këto disekuilibra dhe kanë ndikuar në rritjen e rrezikut të veprimtarisë financiare në kërkim të një kthimi më të lartë nga investimi.

Risitë në produktet financiare, të shfaqura brenda ose jashtë bilancit të institucioneve financiare, gjetën tek shtresëzimi i skajshëm i tregjeve të zhvilluara financiare mekanizmin e nevojshëm për të fshehur madhësinë reale të rrezikut.

Politikat e remunerimit të strukturave drejtuese të institucioneve financiare që u vunë në qendër të krizës, mbështetën agresivitetin për fitime afatshkurtra e të paqëndrueshme, në kurriz të nevojës për të kuptuar mirë rrezikun dhe për të synuar një performancë pozitive dhe qëndrueshmëri afatgjatë të investimeve. Disa prej mekanzimave të tregut, rezultuan joefikase për ti paraprirë zhvillimeve në disa prej institucioneve me shtrirje globale. Dobësi të theksuar shfaqën edhe autoritetet rregullativë të tregut financiar, të cilët besuan se vështirësitë do t’i zgjidhte mekanizmi i disiplinës së tregut apo edhe mbështetja më e madhe në modelet e brendshme të vlerësimit të vetë industrisë financiare. Po ashtu, është bërë e qartë që autoritetet rregullativë e mbikëqyrës nuk i kanë kushtuar vëmendjen e nevojshme zhvillimeve me rëndësi për të gjithë sistemin financiar, duke u përqendruar më tepër në sjelljen e institucioneve të veçanta. Në këtë këndvështrim, vlerësohet që kanë qenë të pamjaftueshme veprimet për të monitoruar ecurinë e çmimeve të mjeteve jofinanciare dhe në përgjithësi, mënyrës së vlerësimit dhe të regjistrimit të tyre në bilancet e bankave, për të parandaluar rritjet e pajustifikuara dhe për të shmangur lëvizjet përforcuese (prociklike) të tyre.

Të gjithë këto elementë, gjykohen si përfundime që kapërcejnë juridiksione të veçanta dhe që kërkojnë një përgjigje globale në kushtet e rritjes së integrimit financiar dhe të thellimit të pandalshëm të globalizimit ekonomik.

Ekonomitë në zhvillim janë prekur në mënyra të ndryshme nga kjo krizë.

Goditja e krizës është ndjerë më rëndë në ato vende, ku ekonomia është dëmtuar prej politikave makroekonomike e financiare, që kanë ulur konkurrueshmërinë e ekonomisë, që kanë pakësuar hapësirat për stimulim financiar, që kanë patur një rritje ekonomike të paekuilibruar ose një varësi të theksuar në burimet e huaja të financimit për të stimuluar një ekspansion financiar dhe ekonomik shpesh të pakontrolluar.

Të gjendur përballë një situatë tepër të rëndë financiare, që u shtri me shpejtësi në të gjithë sektorin real të ekonomisë botërore, autoritetet publike në vendet me ekonomi të përparuar, ndërmorën veprime të jashtëzakonshme për të siguruar funksionimin e tregut financiar si dhe për të krijuar kushte që të ndalnin rënien ekonomike.

Nëpërmjet veprimeve të bankave qendrore, u hodh likuiditet në tregje me një kosto të ulët, ndërkohë që qeveritë ndërmorën veprime të jashtëzakonshme për të mbështetur me kapital institucionet financiare si dhe për të mbështetur kërkesën e brendshme agregate. Edhe disa nga vendet në zhvillim, me ekonomi të fuqishme dhe me peshë në rritje në ekonominë botërore, nëpërmjet politikave të tyre stimuluese kanë mbështetur kërkesën e brendshme dhe kanë ruajtur rritjen ekonomike, duke luajtur një rol të rëndësishëm në zbutjen e efekteve të krizës ndërkombëtare. Krahas masave të jashtëzakonshme që morën për të përballuar efektet e krizës në afat të shkurtër, autoritetet e vendeve me ekonomitë më të mëdha dhe institucionet financiare ndërkombëtare, janë angazhuar tashmë fuqimisht për të ndryshuar mënyrën e funksionimit të sistemit financiar botëror dhe të superstrukturës rregulluese të tij. Mjaft standarde të rregullimit dhe të mbikëqyrjes së tregjeve financiare pritet të ndryshojnë, duke synuar të vendosin kufijtë e nevojshëm për dinamizmin dhe novacionet e tregjeve financiare, me qëllim që të sigurohet stabiliteti i sistemit dhe të rritet aftësia e tij, për të përballuar goditjen nga rreziqe të ndryshme.

Në mënyrë më të detajuar, objektivat kryesorë të këtyre ndryshimeve do të jenë: të forcohen mekanizmat që rrisin qëndrueshmërinë e sistemit financiar, të orientohen drejt stimujt që përcaktojnë vendimmarrjen në veprimtarinë financiare si dhe të pakësohet prociklikaliteti në veprimtarinë financiare. Ndryshimet në superstrukturën rregulluese dhe mbikëqyrëse kanë për qëllim forcimin e mekanizmave institucionale, nëpërmjet të cilëve do t’i kushtohet një vëmendje më e madhe rreziqeve sistemike dhe institucioneve financiare me rëndësi globale, do të vendosen kushte më të mira për konvergimin e standardeve mbikëqyrëse dhe do të forcohet bashkëpunimi mes autoriteteve rregullativë që veprojnë në juridiksione të ndryshme. Në të njëjtën kohë, roli i institucioneve financiare ndërkombëtare do të orientohet në drejtim të administrimit të krizave financiare dhe burimet e tyre do të përshtaten për këtë qëllim.

Për shumë arsye, të cilat konvergojnë në proceset e pandalshme të integrimit financiar dhe të globalizimit ekonomik, asnjë vend nuk mund të pretendojë të qëndrojë jashtë këtyre zhvillimeve.

Në një rast të tillë, ai që fillimisht mund të perceptohej si një mjedis financiar më i “lirshëm” që do të ofronte një përparësi konkurrenciale, do t’i linte shpejt vendin riciklimit të problemeve që ishin në themel të kësaj krize, rënies së besimit të investitorëve dhe rritjes së kostove financiare e sociale të korrigjimit të situatës. Sigurisht, secili vend do t’i përshtasë këto standarde në funksion të shkallës së zhvillimit aktual të sistemit financiar, përbërjes dhe thellësisë së tij, si dhe të objektivave për zhvillimin e tij të ardhshëm. Është e rëndësishme të theksohet se këto masa, nuk do të ishin të mjaftueshme në rast se ato nuk shoqëroheshin nga politika më të përgjithshme, të cilat do të synojnë diversifikimin e burimeve që kontribuojnë në rritjen e ekuilibruar ekonomike, në financimin e agjentëve ekonomike, që përmirësojnë kuadrin ligjor të zhvillimit të biznesit dhe që ndjekin politika makroekonomike të shëndetshme.

Më lejoni tani të ndalem në situatën e sistemit tonë financiar dhe të ndaj me ju disa qëndrime, që përgjithësisht janë diskutuar mes nesh edhe më parë. Situata stanjative e sistemit financiar gjatë vitit të fundit, është diktuar prej ecurisë së sektorit bankar, për shkak të peshës së tij.

Pjesa tjetër e sistemit financiar, përfaqësuar nga shoqëritë e sigurimit dhe kompanitë e tjera financiare jobankare, ka njohur një rritje të mirë. Pavarësisht nga kjo, pesha e tyre në sistemin financiar mbetet e ulët. Sektori bankar u përball mirë me një situatë të komplikuar të likuiditetit, në tremujorin e fundit të vitit 2008 dhe në tremujorin e parë të vitit 2009. Tërheqja e një pjese të depozitave nga sektori bankar, u përballua falë mjaftueshmërisë së mjeteve likuide, disponueshmërisë së kapitalit dhe ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë për të plotësuar nevojat për likuiditet, duke synuar të ruajë qëndrueshmërinë e tij dhe të zbusë tkurrjen e pritshme të rolit ndërmjetësues të sektorit bankar. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë ka mbështetur kërkesat për likuiditet të sektorit bankar nëpërmjet operacioneve të tregut të hapur. Pas një uljeje të normës së interesit me 0.5 pikë përqindjeje në muajin janar 2009 dhe presioneve të zbutura inflacioniste në vend, politika monetare i kushtoi një rëndësi të veçantë stabilitetit financiar, duke mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit për të gjithë periudhën. Në këtë mënyrë, në afat të shkurtër u synua të mbështetej kërkesa për mjete financiare të shprehura në monedhën kombëtare. Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë vazhdoi me një regjim më të fuqishëm mbikëqyrjeje të zhvillimeve në sektorin bankar.

Një qëndrim i tillë mbështeti administrimin efektiv të situatës së likuiditetit të sektorit bankar, ofroi një orientim të kreditimit drejt monedhës kombëtare dhe ndikoi në ruajtjen e parametrave të qëndrueshmërisë financiare e të kapitalizimit të veprimtarisë. Situata hyri në fazën e një përmirësimi cilësor pas rifillimit të procesit të rritjes së depozitave të publikut pranë sektorit bankar. Ky proces, i cili u zhvillua në mënyrë graduale dhe të qëndrueshme në tremujorin dytë të vitit 2009, vijon me ritme të kënaqshme. Gjatë gjithë kësaj periudhe, bankat kanë vepruar me kujdesin e nevojshëm dhe me përgjegjshmëri.

Për këtë arsye, unë dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast për t’ju falenderuar, personelin që ju drejtoni, si edhe aksionerët e institucioneve tuaja, për angazhimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

Megjithatë, situata e përjetuar me likuiditetin, si edhe efektet e krizës ndërkombëtare mbi sektorin real të ekonomisë, kanë sjellë uljen e theksuar të ritmit të kreditimit dhe kanë ndikuar negativisht në cilësinë e portofolit të kredisë së sektorit bankar. Për këtë arsye, rezultati financiar i sektorit, ndonëse më i ulët se ai në vitin 2008, vazhdon të jetë pozitiv.

Për secilin nga ne, tashmë është e qartë që sektori bankar duhet të përballojë një klimë më të vështirë biznesi dhe ka nevojë të përshtatet për një periudhë afatmesme. Në fakt, po konstatohet një ndërvarësi komplekse midis rritjes ekonomike dhe shëndetit financiar të bankave. Rënia e investimeve dhe pjesërisht e konsumit në ekonomi, është reflektuar në ulje të kërkesës për kredi. Nga ana tjetër, rritja e primeve të rrezikut ka bërë që bankat të jenë më të kujdesshme në dhënien e kredive, duke i kushtuar një vëmendje në rritje treguesve të likuiditetit. Si rezultat, gadishmëria juaj për të kredituar ekonominë me fonde, ka rënë. Banka e Shqipërisë gjykon se mund të hyhet në një rreth vicioz, në të cilin moskreditimi i ekonomisë rezulton në një ngadalësim ekonomik të zgjatur që për shkak të lidhjes së interesave, dëmton të gjithë aktorët në ekonomi, përfshi edhe bankat. Ne mendojmë se kjo situatë kërkon veprime kundërciklike në nivel të përgjithshëm. Në praktikë, sektori bankar duhet të ushtrojë rolin që ka në nxitjen dhe zhvillimin e aktivitetit ekonomik, padyshim me kujdesin e nevojshëm. Ky sistem është gjeneratori dhe kontrollori i ekonomisë së tregut.

Dhënia e impulseve të zhvillimit në mënyrë koncertale duhet të jetë një detyrë parësore e tij, ndërkohë që sinergjitë pozitive që do të krijohen, do të sjellin përfitime të dyanshme: si për rritjen ekonomike ashtu edhe për stabilitetin financiar.

Banka e Shqipërisë gjykon se industria bankare duhet të realizojë një rishikim të strategjive të rritjes së veprimtarisë bankare, duke synuar harmonizimin më të mirë të tyre me burimet e nevojshme njerëzore, financiare e teknologjike. Prioritare mbetet edhe njohja dhe administrimi në mënyrë efektive i rreziqeve të veprimtarisë. Në terma më praktikë, ky proces duhet të synojë vendosjen e mekanizmave të brendshëm, të cilët parandalojnë krijimin e ekseseve në drejtime të caktuara të veprimtarisë bankare, synojnë diversifikimin më të mirë të investimeve dhe mbështesin forma sa më të qëndrueshme të burimeve të financimit. Të gjitha këto, kërkojnë forcimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, stimulimin e strukturave që vlerësojnë dhe administrojnë rreziqet e veprimtarisë dhe në përgjithësi, rritjen e profesionalizmit në personelin e bankave si edhe vendosjen e marrëdhënieve të qëndrueshme me depozituesit dhe përfituesit e tjerë të shërbimeve bankare nëpërmjet rritjes së transparencës.

Në këtë kuadër, disa çështje të cilat meritojnë vëmendje të veçantë do të ishin:

a) vendosja e parametrave që sigurojnë një ekuilibër më të mirë midis ecurisë së mjeteve me rrezik të sektorit bankar dhe burimeve të financimit, përsa i takon llojit të monedhës, afatit të maturimit, normës së interesit;

b) përcaktimi i vëllimeve dhe karakteristikave të caktuara të mjeteve të veprimtarisë së bankave, që mundësojnë ruajtjen e niveleve të kënaqshme të likuiditetit;

c) identifikimi i mekanizmave të caktuar që do të zbusnin ciklikalitetin në veprimtarinë bankare, veçanërisht në kushtet e rritjes së shpejtë të veprimtarisë bankare ose në rastet e tkurrjes së ndjeshme të saj;

d) forcimi i kërkesave për administrimin e situatave të jashtëzakonshme dhe vazhdimësinë e biznesit;

e) përmirësimi i strukturave të drejtimit, të llogaridhënies dhe të vlerësimit të performancës si dhe rritja e efektivitetit të shpenzimeve që shkojnë për trainimin, stimulimin financiar dhe fuqizimin e burimeve njerëzore;

f) forcimi i mëtejshëm i kërkesave për transparence ndaj klientit, si edhe fuqizimi i kuadrit rregullativ për mbrojtjen e tij nga praktikat e mundshme abuzive te sistemit financiar.

Banka e Shqipërisë do të angazhohet me të gjitha burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare në këtë proces, duke synuar të përmirësojë më tej kuadrin e saj të procedurave ligjore, rregullative dhe operacionale, në mënyrë që të krijohen kushte më të qëndrueshme për një veprimtari bankare që zgjerohet në mënyrë të ekuilibruar, mbetet fitimprurëse dhe realizon procesin e ndërmjetësimit në mënyrë konkurruese në afatgjatë. Ne jemi të bindur që ky proces rivlerësimi është i nevojshëm, jo thjesht për të vepruar në kuadër të konvergjencës me standardet ndërkombëtare, të cilat po ndryshojnë, por edhe për të vepruar në mënyrë parandaluese ndaj disa rreziqeve të veprimtarisë financiare e bankare, të cilat lindin prej zhvillimit të shpejtë të saj. Në këtë proces, do të shfrytëzojmë përvojën e krijuar në muajt e fundit si dhe drejtimet në të cilat po ndryshojnë standardet ndërkombëtarë në këtë fushë. Ne jemi të vetëdijshëm që ky proces kërkon komunikim të vazhdueshëm me industrinë bankare. Gjithashtu, zbatimi i masave që do të identifikohen do të bëhet, duke lejuar kohën e nevojshme për rimëkëmbjen dhe përgatitjen e industrisë bankare.

Në fakt, Banka e Shqipërisë e ka nisur këtë proces diskutimi dhe veprimi brenda saj. Disa akte rregullative të kuadrit mbikëqyrës, të cilat po diskutohen së fundi dhe ku veçojmë projekt-rregulloren “Për administrimin e rrezikut të likuiditetit”, janë përgatitur duke patur parasysh objektivat e mësipërm. Gjithashtu, po plotësohen procedurat për identifikimin, vlerësimin dhe reagimin ndaj rreziqeve sistemike.

Në këtë kuadër, po shqyrtohet mundësia që disa kërkesa të kuadrit rregullativ mbikëqyrës të përshtaten për institucionet financiare dhe bankat me rëndësi sistemike, duke njohur rëndësinë që këto institucione kanë për sistemin financiar dhe ekonominë në tërësi dhe nevojën që ato të veprojnë, në mënyre sa më të kujdesshme. Në përgjithësi, Banka e Shqipërisë do të rishikojë procedurat ekzistuese për administrimin e situatave të jashtëzakonshme financiare, duke synuar jo vetëm parandalimin e tyre, por edhe reagimin me efektivitet në kushtet e ndodhjes së tyre. Në këtë kuadër, do të rishikohet kuadri i veprimeve të mundshme operacionale si dhe konceptet që përcaktojnë mënyrën dhe format e bashkëpunimit me institucione të tjera përgjegjëse për funksionimin e tregut financiar.

Në një kuadër më të gjerë, Banka e Shqipërisë beson që të gjitha autoritetet publike që kanë rol në rregullimin, mbikëqyrjen dhe zhvillimin e tregut financiar, duhet të angazhohen në një proces të ngjashëm, me qëllimin përfundimtar forcimin e kuadrit rregullativ dhe operacional për forcimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të sistemit financiar. Për këtë, mendojmë se është e nevojshme të ndiqen politika të tilla që mundësojnë rivendosjen dhe ruajtjen e ekuilibrave në veprimtarinë fiskale, monetare e bankare, në mbështetje të një rritjeje të qëndrueshme ekonomike në afat të mesëm dhe të gjatë. Për t’i dhënë një përgjigje më afatgjatë zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, autoritetet publike duhet të nxitojnë për të ndërtuar dhe për të zbatuar politika më të fuqishme zhvillimi, të cilat në afatmesëm realizojnë vendosjen e një ekuilibri më të mirë në kontributin që japin sektorë të ndryshëm për rritjen ekonomike, që rrisin konkurrueshmërinë e ekonomisë sonë dhe që e formalizojnë më tej atë. Për gjetjen e ekuilibrave më të mirë të zhvillimit edhe në sistemin financiar, do të ishte e nevojshme të hartoheshin politika që do të nxisnin zhvillimin më të shpejtë të sektorit financiar jobankar dhe që do të mbështesnin krijimin e tregjeve të kapitalit dhe të borxhit për subjektet private.

Realizimi i këtyre objektivave do të kërkonte paraprakisht forcimin e standardeve të raportimit financiar; plotësimin, saktësimin dhe përmirësimin e zbatimit të kërkesave ligjore për zhvillimin e marrëdhënieve të një biznesi; si dhe mbrojtjen më të mirë të të drejtave të kreditorëve e të konsumatorëve të institucioneve e të produkteve financiare. Në terma më praktike, këto masa do të zgjeronin burimet e financimit për zhvillimin ekonomik, duke ulur relativisht në këtë mënyrë varësinë e tij prej sektorit bankar. Gjithashtu, është e nevojshme që autoritetet publike, nëpërmjet bashkëpunimit të fuqishëm mes tyre, të rishikojnë dhe të përmirësojnë kuadrin e masave për përballimin me eficiencë të situatave të jashtëzakonshme financiare, duke qenë të gatshëm të angazhojnë për këtë qëllim burimet e nevojshme financiare, njerëzore dhe teknologjike dhe të ndërmarrin ndryshimet e nevojshme ligjore dhe rregullative.

Të nderuar drejtues të sistemit bankar në Shqipëri,

Ngjarjet që kemi përjetuar në këto 12 muajt e fundit të bëjnë të besosh se balancat ekonomike dhe financiare të para krizës, me shumë gjasa do të zhvendosen në një ekuilibër të ri. Mendoj se kjo që sapo thashë përbën dhe thelbin e kontributit tonë në të ardhmen: të bëjmë të mundur që lëvizja e ekonomisë drejt këtij ekuilibri të ri të jetë sa më e natyrshme. Të gjithë institucionet, politikëbërësit, administratorët duhet të angazhohen seriozisht në ndërtimin e këtij shtrati të ri për ekonominë tonë në mënyrë që në kalimin e viteve ajo të jetë tërheqëse, konkurruese dhe fitimprurëse për çdo agjent ekonomik, vendas apo i huaj qoftë ai.

Largimi nga trysnia që ushtron vorbulla e krizës do të kërkojë shumë optimizëm, energji dhe burime financiare. Në rang kombëtar, prioritet i madh mbetet sigurimi i prurjeve të qëndrueshme valutore, veçanërisht të atyre në formën e investimeve të huaja direkte. Gjykoj se sistemi bankar ka një rol të dorës së parë në këtë drejtim. Ai duhet të jetë aktiv në identifikimin, inkurajimin, mbështetjen financiare.

Në këtë mënyrë, efekti (multiplikator) shumëfishues i investimeve të huaja do të fitonte një dimension të ri.

Nxjerrja e vendit jashtë efekteve negative të krizës kërkon jo vetëm energji, por edhe përpjekje të bashkërenduara. Rruga e pakthyeshme drejt një sistemi demokratik të ekonomisë së tregut kërkon përsosjen e arkitekturës financiare dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit në terma afatgjatë. Për këtë qëllim, hartimi dhe zbatimi i politikave të mençura të zhvillimit duhet të jetë një prioritet konstant, real dhe largpamës, në përputhje të plotë me kornizat e konvergimit evropian. Vetëm në këtë mënyrë do të bëjmë të mundur të vjelim të gjithë avantazhet krahasuese, që vendi ynë dhe rajoni më gjerë ofrojnë për investitorët e huaj.

Më lejoni që në përfundim, të theksoj edhe njëherë se një sistem bankar i mirëkapitalizuar është një zhvillim i shumëpritur. Megjithatë, të konsiderojmë vetëm kapitalin rregullator mendoj se nuk mjafton. Ajo që realisht mendoj se përbën një sfidë të vazhdueshme është kapitali i besimit të publikut. Ky i fundit nuk është produkt rregulloresh apo praktikash mbikëqyrjeje bankare.

Ai është produkt i sakrificave të të gjithë aktorëve. Rritja e besueshmërisë në publik, do të çonte në mobilizimin më efektiv të të gjithë burimeve financiare në ekonomi, duke i adresuar ato sipas parimeve të tregut të lirë në të mirën e individëve, bizneseve, vendimmarrësve dhe vetë industrisë bankare. Në fund të fundit kjo do të përkthehej në të mirën e vendit, duke i dhënë një shans më shumë, real dhe të prekshëm procesit të konvergimit të shpejtë të vendit me atë Evropian.

Duke ju falënderuar për vëmendjen, ju ftoj të diskutojmë rreth këtyre çështjeve.