BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Forumin me aktorët e sistemit financiar, me tematikë funksionimin e tregut të parasë e atij financiar, mbikëqyrjen dhe stabilitetin financiar, Tirana International Hotel, Tiranë, 3 prill

Data e publikimit: 03.04.2008

 

Mirëdita të gjithëve,

Të nderuar bankierë, të nderuar pjesëmarrës,

Sot është një ditë e madhe, e shënuar për të gjithë ne. Mbledhja e sotme e njoftuar kohë më parë koincidon me një ngjarje të një rëndësie të veçantë. Ftesa për në NATO është një privilegj i cili sjell me vete besimin, certifikimin dhe sigurinë për investime te reja për Shqipërinë.

Në të njëjtën kohë dhe mbi të gjitha, mbart përgjegjësinë në arritjen e standardeve dhe materializimin e reformës strukturore. Ftesa e sotme për në NATO është garanci për integrimin e mëtejshëm në familjen evropiane.

Banka e Shqipërisë, në vazhdim të përpjekjeve të kohëve të fundit për të rritur eficiencën e tregut financiar si dhe për të garantuar stabilitetin e sistemit bankar, vjen sot para jush me një nismë të re, në qendër të së cilës është instalimi i një kanali periodik komunikimi midis saj dhe sistemit bankar. Në të vërtetë, komunikimi ynë me sistemin bankar ka qenë i vazhdueshëm dhe në të gjitha nivelet, duke prekur një tematikë të gjerë të problemeve të çastit dhe të perspektivës që shoqërojnë aktivitetin bankar në Shqipëri.

 

guvernatori ne takimin 3

Dua të kumtoj se ajo çka është ndryshe në këtë nismë të re, ka të bëjë me domosdoshmërinë e një dialogu të përhershëm të strukturuar mirë si nga përmbajtja ashtu dhe nga faktori kohë. Më konkretisht, bëhet fjalë për një forum periodik në qendër të të cilit do të jetë trajtimi analitik i shumë pikëpyetjeve dhe sfidave që bashkërisht duhet t'i adresojmë në mënyrën dhe në kohën e duhur.

Tregu financiar përbën një argument të cilin e kemi përmendur shumë herë kohët e fundit. Në mjaft nga prononcimet e mija publike, në deklaratat e Këshillit Mbikëqyrës, në raportet dhe materialet studimore të institucionit, në shumë nga kontaktet formale dhe informale të Bankës së Shqipërisë me grup bankash apo banka të veçanta, i është kushtuar një vëmendje e veçantë elementeve të ndryshme që ndikojnë në thellimin dhe zgjerimin e tregut financiar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për stabilitetin financiar të sistemit.

Megjithatë, mendoj se e reja e këtij forumi qëndron se brenda shtëpisë së bankierëve, do të diagnostikojmë dhe së bashku do të përcaktojmë terapinë e duhur, për të garantuar një të ardhme të sigurtë. Po kështu, edhe periudha ndërmjet dy takimeve do të përkojë me një dialog të vazhdueshëm në nivelet e ekspertëve, për të rritur shkallën e asimilimit të detyrave dhe konkluzioneve që do të dalin nga secili forum.

Është kjo arsyeja, për të cilën publikisht ju ftoj që të jeni aktivë, largpamës, me propozime konkrete të orientuara nga e ardhmja. Banka e Shqipërisë e kupton drejt se si çdo biznes privat, edhe biznesi i komunitetit bankar synon maksimalizimin e fitimit.

Pavarësisht kësaj, dëshiroj të ritheksoj edhe një herë se për ne mbetet po kaq themelore:

  • Përmirësimi i vazhdueshëm i qeverisjes së bankave;
  • prezantimi i produkteve të reja;
  • funksionimi i tregut ndërbankar;
  • rritja e lëvizjes së fondeve ndërmjet sistemit;
  • ndërtimi i kapaciteteve të plota teknologjike;
  • thithja e burime të afta njerëzore;
  • njohja dhe mbrojtja nga rreziqet e shumta;
  • shtimi i kreditimit në lekë;
  • forcimi i kontrollit të brendshëm;
  • si dhe publikimi i rezultateve të aktivitetit tuaj.

Nuk hezitoj që të përsëris edhe një herë, se për Bankën e Shqipërisë stabiliteti i sistemit bankar dhe eficienca e tregut financiar, janë të një rëndësie themelore. Në këtë kuptim, ju ftoj edhe juve që t'i konsideroni këto dy përparësi të Bankës së Shqipërisë, si përparësi kryesore të aktivitetit tuaj.

Gjatë vitit 2007 ekonomia shqiptare ka njohur përgjithësisht zhvillime pozitive. Rritja ekonomike e qëndrueshme u realizua në harmoni me objektivat për stabilitetin e çmimeve të konsumit dhe të deficitit buxhetor. Monedha kombëtare ishte e qëndrueshme.

Viti 2007 ishte i mbarë edhe për sistemin bankar. Rezultati neto i sistemit bankar për vitin 2007 raportohet rreth 42 për qind më shumë se ai i vitit 2006. Aktivet e sistemit bankar shënuan rritje me 118.6 miliardë lekë ose 19 për qind më e lartë se gjendja e tyre në fund të vitit 2006. Teprica e kredisë së sistemit bankar, gjatë vitit 2007, shënoi rritje me 94.5 miliardë lekë ose 47.7 për qind më e lartë se teprica e fundvitit 2006.

Bankat kanë rritur produktet elektronike në shërbim të klientëve të tyre. Tashmë në sistemin bankar shqiptar, 11 banka përdorin transaksionet në rrugë elektronike. Vlen të theksohet zgjerimi i shërbimit të internet banking edhe në tre banka të tjera të sistemit. Dëshmi tjetër e rritjes së konkurrencës bankare si dhe e rritjes së vëllimit të transaksioneve financiare nëpërmjet bankave, është zgjerimi i rrjetit bankar me degë dhe agjenci të reja. Gjatë vitit 2007, numri i degëve dhe agjencive brenda territorit të Republikës së Shqipërisë u rrit me 103, nga të cilat 43 janë hapur të reja, në rrethin e Tiranës.

Gjatë vitit 2007 për herë të parë u evidentuan elemente moderne të konsolidimit të sistemit bankar, nëpërmjet bashkimit me përthithje të dy bankave.

Një arritje tjetër, është krijimi i regjistrit të kredive, i cili konsiderohet si një element i rëndësishëm i garantimit të stabilitetit të sistemit bankar.

Megjithatë, dua të theksoj se viti 2007 dhe muajt e parë të vitit 2008, përkojnë me një situatë relativisht komplekse, përsa i përket zhvillimeve globale. Aktualisht, përballemi me një rritje të forta çmimesh të lëndëve të para dhe produkteve ushqimore, e cila drejtohet nga një kërkesë e lartë në rritje e ekonomive në zhvillim. Tregjet financiare vazhdojnë të reflektojnë efektet negative të krizës së kredive që gjeneroi ekonomia e SHBA. Ndryshe nga vlerësimet fillestare, duket se përhapja e saj është e më e madhe, duke infektuar një numër të konsiderueshëm institucionesh të mëdha financiare. Bankat qendrore kanë injektuar likuiditet në mënyrë të vazhdueshme, ndërkohë që Rezerva Federale ka ulur në mënyrë agresive normën bazë të interesit, për të shmangur një recesion të ekonomisë.

Për shkak të disa faktorëve që lidhen me karakteristikat e zhvillimit të veprimtarisë financiare brenda vendit, situata e vështirë në tregjet ndërkombëtare nuk pritet që të ketë një efekt real dhe të ndjeshëm në tregun e brendshëm financiar. Megjithatë, situata në tregjet financiare ndërkombëtare mbetet e paqëndrueshme, ndaj ndikimi i saj mbi tregun e brendshëm financiar mund të ndryshojë. Për këtë arsye, është e nevojshme që këto zhvillime të ndiqen dhe të analizohen me kujdes nga institucionet financiare dhe autoritetet rregullative të vendit.

Zgjatja në kohë dhe përkeqësimi i mundshëm situatës në tregjet financiare ndërkombëtare, mund të kenë një ndikim të reduktuar në tregun financiar shqiptar nëpërmjet disa drejtimeve, ku veçojmë:

  • Shtimin e rrezikut që mbart huadhënia e shpejtë dhe veçanërisht ajo në valutë, si rezultat i rritjes së luhatshmërisë së kursit të këmbimit dhe ndryshimit të shpeshtë të normave të interesit.
  • Rritjen e ekspozimit të sistemit financiar ndaj sektorëve të ekonomisë që ndikohen negativisht nga ngadalësimi i ekonomisë rajonale dhe globale.
  • Kombinimin e vështirësive në tregjet financiare ndërkombëtare, me dinamikën e pafavorshme të çmimeve të burimeve energjitike dhe të lëndëve të para të produkteve ushqimore në shkallë botërore.

Të nderuar pjesëmarrës,

Problemet që përmenda më sipër natyrshëm më vijnë në ndihmë për të shpenzuar pak kohë më shumë në çështjet e stabilitetit financiar, për t'ia lënë më pas rradhën eficiencës së tregut financiar.

Besoj se nuk them ndonjë të re po përsërita edhe një herë, atë që e kam cituar vazhdimisht se "objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është stabiliteti i çmimeve të konsumit". Megjithatë, gjykoj se politika monetare dhe stabiliteti financiar janë dy gjëra të lidhura në mënyrë të pandashme me njëra - tjetrën. Personalisht e kam të vështirë të përcaktoj se nga anon balanca në ditët e sotme. Gjithsesi, jam i bindur se çdo investim që bëjmë sot për të garantuar stabilitetin financiar do të na kthehet në eficiencë të shtuar të politikës monetare.
Do të mundohem që të bëj një renditje të çështjeve për të cilat do të doja të tërhiqja vëmendjen tuaj:

Kredia për ekonominë.

Kreditimi në valutë tashmë është një realitet i prekshëm. Arrihet deri aty sa kredia konsumatore të jepet në valutë. Të financosh konsumin e individëve në valutë është njësoj sikur të shesësh produkte ushqimore pa afat skadence. Sipas konstatimeve të bëra prej ekspertëve tanë duket se bankat po rendin të zënë treg, shpesh herë duke mos treguar kujdesin e duhur për cilësinë. Të dhënat konfirmojnë shqetësimin tonë për shtimin e kredive me probleme. Treguesi i kredive me probleme ndaj totalit të portofolit të kredive në terma bruto, përllogaritet 3.6 për qind në fund të janarit 2008. Përqindjet për kredinë në lekë vazhdojnë të jenë të larta. Duke iu referuar kredisë me maturim deri në një vit, sipas të dhënave të janarit 2008, ekziston një diferencë prej 7.3 pikë përqindjeje ndaj përqindjeve të depozitave në lekë me të njëjtën afat maturimi. Ndërkohë, që i njëjti tregues për valutën është 4 %. Aktualisht, jemi dëshmitarë të një strategjie marketingu shumë agresive për produktet e kredisë në monedhë të huaj, ndërkohë që me përjashtim të një rasti, është totalisht inekzistente për huatë në lekë.

Mund të vazhdoj të përmend edhe konstatime të tjera të kësaj natyre. Nga takime të shumta me përfaqësues të sistemit bankar, pak a shumë jam njohur me arsyet që sipas jush shpjegojnë këtë situatë. Dëshiroj të theksoj se ndër to ka arsye objektive me të cilat jam dakord, por në një pjesë të mirë më duhet të replikoj me to, duke shprehur kundërshtinë e Bankës së Shqipërisë.

Nga këndvështrimi ynë, gjykojmë se ende po vazhdoni të nënvlerësoni rrezikun e kursit të këmbimit. Pavarësisht, një perceptimi të publikut të thjeshtë për një çmim më të lirë të kredisë në valutë, mendoj se është e rrezikshme që e njëjta filozofi të gjejë vend edhe tek ju. Për më tepër, kur filozofi mbizotëruese bëhet ajo për zënien e tregut. Ne gjykojmë se aktualisht ju po shpërndani rrezikun tek individët, duke krijuar edhe probleme të natyrës moral hazard.

Duke përfituar nga ky rast dëshiroj që sinqerisht t'ju pyes juve: si ka mundësi që kredia konsumatore të jepet në monedhë të huaj? Si ka mundësi që kreditë për hipoteka të jepen në valutë të huaj? A e dini që pjesa më e madhe e individëve të punësuar i kanë të ardhurat në lekë? Cila prej bankave ka bërë një përllogaritje të ekspozimit ndaj këtij rreziku? Cila prej jush ka kryer veprime për t'u mbrojtur prej tij?

Shpresoj që në diskutimet tuaja të adresoni pyetjet e mësipërme, pasi mendoj se ka ardhur koha që të ndalemi konkretisht në këto probleme, duke iu shmangur citimeve fiktive.

Në këto kushte, Banka e Shqipërisë ka përgatitur një paketë ndryshimesh rregullative, e cila ndërthur masa administrative me ato të kujdesit dhe të inspektimit mbikëqyrës. Pa u ndalur në trajtimin e detajuar të tyre, do të doja të sillja në vëmendjen tuaj se ndryshimet në rregulloren "Për administrimin e rrezikut të kredisë", në rastet kur klienti nuk është i mbrojtur ndaj rrezikut të kursit të këmbimit do të përfshijnë këto detyrime për bankat:

  • krijimin e fondeve rezervë për humbjet nga kredia;
  • rritjen e kapitalit kur shkelet një kufi i caktuar ndaj ekspozimit në monedhë të huaj.

Administrimi i rrezikut.

Faktorët që kam vendosur të diskutoj sot me ju, janë të lidhur me njëri tjetrin. Më sipër, ngrita një shqetësim për një rrezik specifik, por ajo që përbën çështjen e dytë ka të bëjë me rrezikun në përgjithësi, me shkallën që bizneset tuaja janë të ekspozuara ndaj rreziqeve të ndryshme. Më lejoni t'ju kujtoj se ju menaxhoni kursimet e shqiptarëve e për rrjedhim, ekspozimi nuk rrezikon vetëm kapitalet tuaja por edhe ato të individëve.

Për këtë arsye kërkoj angazhimin tuaj maksimal që të vlerësoni me seriozitet këtë çështje. Mendoj se sistemi bankar duhet të investojë më shumë në burime njerëzore dhe në infrastrukturën e përshtatshme për të njohur dhe administruar drejt rreziqet e veprimtarisë. Dëshiroj të sqaroj se vënia në jetë e tij do të ndiqet në mënyrë rigoroze, duke u bërë pjesë e vlerësimeve të aktivitetit të çdo banke të veçantë.

Administrimi dhe kontrolli i brendshëm.

Qeverisja e mirë është baza për zhvillimin e qëndrueshëm të biznesit dhe të pozitave financiare. Kjo sigurisht që kërkon njerëz me shkallë të lartë integriteti dhe profesionalizmi. Për këtë qëllim, ne mbetemi ende në pritje që institucionet tuaja të jenë shumë sensibël në këtë drejtim, veçanërisht përsa i takon cilësisë së burimeve njerëzore të përfshirë në vendimmarrje dhe administrimin e rrezikut. Për këtë qëllim, do t'ju kërkoj që të siguroni motivimin e duhur për të përzgjedhur personel të kualifikuar, duke krijuar bindjen se karriera dhe shpërblimi shoqëror do t'i takojnë atyre që realisht e meritojnë.

Në disa raste, konstatohet përqendrim de facto i vendimmarrjes në duar të pakta, duke bërë që varësia e institucionit të jetë e përqendruar në individë të caktuar. Për këtë qëllim, mendoj se ju duhet të rishikoni të gjitha procedurat e brendshme mbi të cilat ju zhvilloni aktivitetin tuaj të përditshëm.

Banka e Shqipërisë ka përgatitur një rregullore të re "Për disa kritere bazë për qeverisjen e bankave dhe degëve të bankave të huaja dhe administratorët e tyre". Ky akt, përcakton përgjegjësitë dhe detyrat e strukturave drejtuese të institucioneve bankare. Janë këto struktura që përgjigjen dhe garantojnë funksionimin e sigurtë dhe të shëndoshë të institucioneve që drejtojnë. Në këtë rregullore janë mishëruar praktikat më të mira ndërkombëtare dhe standardet që burojnë nga Komiteti i Bazelit dhe Bashkimi Evropian.

Nga pikëpamja konceptuale, përmbajtja e kësaj rregulloreje është zgjeruar dhe përfshin:

  • rregullat dhe kriteret për qeverisje efektive;
  • kërkesat lidhur me reputacionin, kualifikimet dhe përvojën;
  • kriteret e vlerësimit për miratimin e administratorëve;
  • kushtet që sjellin shkarkimin e tyre;
  • përgjegjësitë e këshillit drejtues dhe drejtorisë;
  • kriteret për efektivitetin e punës së këshillit drejtues;
  • politikat dhe procedurat e administrimit të rrezikut.

Problemet e lidhura me qeverisjen do të shihen me përparësi dhe seriozitet nga Banka e Shqipërisë, gjatë vlerësimeve periodike që do t'i bëhen aktivitetit tuaj.

Sistemi bankar duhet t'i japë përparësi forcimit të strukturave që kontrollojnë dhe garantojnë funksionimin, konform rregullave të këtyre procedurave. E kam fjalën për kontrollin e brendshëm, që duhet të ketë një rol më aktiv. Kontrolli i brendshëm duhet të jetë aktiv, i përgjegjshëm, të mbulojë çdo qelizë të bankës në mënyrë që të kthehet në një parandalues i mbarsjes dhe zhvillimit të fenomeneve të padëshiruara.

Kohët e fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi rregulloren "Për sistemin e kontrollit të brendshëm në banka dhe degët e bankave te huaja". Në këtë akt rregullativ, kontrolli i brendshëm në banka, konsiderohet si pjesë e rëndësishme e qeverisjes së bankave. Rregullorja përcakton kriteret për organizimin e kontrollit të brendshëm, duke synuar funksionimin e pavarur, të paanshëm dhe të përgjegjshëm të tij.

Transparenca me publikun.

Qeverisja e mirë kupton transparencë të rritur me klientët dhe tregun. A është sistemi bankar në Shqipëri aq transparent sa do të donim ne të ishte?

Transparenca përbën një çështje që e kam prekur sistematikisht këto kohët e fundit. Më duhet të pranoj se ka progres por mendoj se hendeku në këtë drejtim është ende i madh. Duke e vënë veten në rolin e një individi që do të konsumojë produkte apo shërbime bankare do të shtroj pyetjen: sa e lehtë është për mua që të orientohem saktë dhe shpejt për alternativën më të mirë? Po kështu, si depozitues sa të lehtë e kam për të mësuar rreth gjendjes financiare të bankës time? Cila është banka që ofron komisionet më të leverdisshme? Ku mund ta gjej informacionin që më tregon se sa është rritur banka ime gjatë periudhës? Do të më duhet të pres një vit për të mësuar diçka apo mund të gjej një informacion me frekuencë më të shpeshtë?

A jeni të sigurtë ju se klientët arrijnë të kuptojnë që shumë prej ofertave që ju bëni aktualisht janë me përfitime të përkohshme, pasi në një kohë të dytë kushtet e tyre ndryshojnë?

Duke mos dashur të futem në shumë hollësi më duhet të kujtoj se pas krizës së kredive në Amerikë, qëndron edhe një arsye shumë e thjeshtë në dukje: edhe pse diku në kontratat që bankat firmosnin me individët e thjeshtë ishte pjesa specifike për kushtet e kredisë, ata në pjesën dërrmuese nuk kishin dijeni për to.
Më këtë dua të them që nuk ka nevojë për të bërë transparencë për hir të transparencës. Duke i adresuar çështjet e mësipërme mendoj se do të jemi më të mbrojtur. Në qoftë se një klient i di deri në fund pasojat e kreditimit në valutë kur të ardhurat i ka në lekë, me siguri që ai do të hezitojë. Në qoftë se një klient i kupton shumë mirë kushtet dhe penalitetet, përsëri ai do të hezitojë.

Gjithsesi në rolin e drejtuesit të bankës qendrore, përfitoj nga rasti t'ju kumtoj se Banka e Shqipërisë do të nxisë sistemin bankar të përballet drejtpërdrejt me tregun. Për të kaluar në një çështje tjetër do të konkludoja duke theksuar edhe një herë: Transparencë me çdo çmim dhe me çdo kusht!

Duke përmbledhur sa më sipër, më lejoni të përsëris edhe një herë se Banka e Shqipërisë do të kërkojë nga strukturat drejtuese të bankave që në përgjithësi, t'i ndjekin me kujdes zhvillimet e tregut, të forcojnë sistemet e kontrollit në institucionet e tyre, të marrin masa për të diversifikuar sa më mirë burimet financiare dhe drejtimet e investimit të tyre, të zhvillojnë në vazhdimësi një veprimtari të mirëkapitalizuar dhe të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme rreziqet e saj. Banka e Shqipërisë do të përforcojë masat për të pasuruar dhe për të zbatuar kuadrin rregullativ, në drejtim të përmirësimit të përgjithshëm të sistemeve të vlerësimit të rrezikut në bankat tregtare, si edhe do të bashkëpunojë me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare për të nxitur zbatimin e plotë të këtyre parimeve, në pjesën tjetër të tregut financiar.

Të nderuar bankierë,

Angazhimi i Bankës së Shqipërisë në drejtim të zhvillimit të tregjeve të parasë do të jetë konkret në drejtim të kuadrit operacional, atij rregullativ dhe mbikëqyrës.

I parë nga aspekti i zbatimit operacional të politikës monetare, angazhimi i Bankës së Shqipërisë do të pasqyrohet në orientimin e operacioneve monetare drejt krijimit të një strukture likuiditeti të përshtatshme, për të gjallëruar aktivitetin në tregun ndërbankar.

Teprica strukturore e likuiditetit që ka karakterizuar sistemin bankar, është shoqëruar nga një sjellje pasive e bankave, ndërkohë që përvoja të shumta tregojnë një lidhje të drejtë, midis një mungese strukturore të likuiditetit me zhvillimin e tregu ndërbankar. Pavarësisht këtij synimi, dua të theksoj se në asnjë rast, arritja e tij nuk do të komprometojë objektivin kryesor: zbatimin e politikës monetare.

Për këtë qëllim, do të kërkoja që orientimi i operacioneve drejt një deficiti strukturor likuiditeti të vlerësohet si një mundësi fitimprurëse për institucionin tuaj. Shfrytëzimi i kësaj mundësie nga njerëzit që ju duhet të trajnoni dhe motivoni, do të sjellë zhvillimin e tregut të parasë, e cila në analizë të fundit do të jetë fitimprurëse për ju edhe në dobi të një transmetimi më eficient të politikës monetare.

Duke ju siguruar transparencë të plotë dhe asistencë teorike dhe praktike në lidhje me këto operacione, dua të sqaroj edhe një herë tre aspekte themelore të punës sonë:

  1. Së pari, sinjalizimi i politikës monetare është dhe do të vazhdojë të bëhet vetëm nëpërmjet vendimit të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë për normën bazë të interesit
  2. Së dyti, instrument kryesor për zbatimin e politikës monetare është dhe do të vazhdojë të jetë marrëveshja e riblerjes me maturim njëjavor.
  3. Së treti, përdorimi i instrumenteve me afat më të gjatë maturimi apo forma e ankandit, nuk mbartin asnjë lloj sinjali të politikës monetare përveç se janë teknika operacionale për zbatimin sa më efektiv të ndërhyrjes në tregun e parasë.

Për t'ju krijuar më shumë hapësirë në drejtim të administrimit të likuiditetit dhe nga ana tjetër, për të nxitur pozicionimin tuaj aktiv në tregun e parasë, po punohet që të zgjerohet hapësira e përdorimit të rezervës së detyruar. Do të jetë aftësia juaj profesionale ajo që do të bëjë transformimin e kësaj lehtësie, nga një mundësi për të plotësuar kërkesat e papritura për likuiditet, në një alternativë konkrete për t'u pozicionuar në treg në bazë të pritjeve të mirëbazuara.

Të gjitha këto masa kanë një emërues të përbashkët: zhvillimin e tregut ndërbankar të parasë. Këto masa nuk do të kishin efektivitet pa angazhimin tuaj.

Për të shmangur çdo justifikim të natyrës subjektive, më lejoni të risjell në vëmendjen tuaj projektligjin e hartuar nga Banka e Shqipërisë, për marrëveshjet e riblerjes ndërmjet bankave të sistemit. Aktualisht, projektligji është në proces miratimi. Miratimi i këtij ligji do të kërkojë një angazhim më të madh nga ana juaj, për të shfrytëzuar këtë instrument të ri. Në këtë kuadër, kërkojmë nga ju që të filloni përgatitjet për të zbatuar në praktikë këtë ligj, pasi justifikimet nuk do të jenë të mirëpritura. Tregu i repove në Eurozonë është tregu më i madh ndërbankar, duke zënë 35 për qind të totalit të tregtimit. Bankat, të cilat janë pronare të pjesës më të madhe të sistemit bankar në Shqipëri janë përbërëse të këtij tregu dhe si të tilla, ne besojmë që do të jenë të gatshme dhe interesuara, të ofrojnë asistencë për tregtimin nëpërmjet marrëveshjeve të riblerjes edhe në tregun vendas. Pjesëmarrësit e tregut duhet të kontribuojnë në ndërtimin e një tregu financiar të zhvilluar dhe eficient, pasi në këtë mënyrë rrisin shanset që të përcaktojnë saktë çmimin e produkteve të tyre.

Shpresoj që forumi në vazhdimin e tij të jetë i frytshëm dhe debatues. U përpoqa që të hedh në tryezën e debatit disa çështje dhe probleme me të cilat mendoj se duhet të përballemi dhe ku roli i secilit prej nesh është konkret dhe i prekshëm.

Unë dua t'ju siguroj se Banka e Shqipërisë do të jetë tërësisht e angazhuar në marrjen e masave për nxitjen, rritjen dhe zgjerimin e tregut dhe të instrumenteve të ndërmjetësimit financiar.

Ky forum do të konfirmojë rolin e Bankës së Shqipërisë dhe të sistemit bankar si dy nga faktorët e rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë në përgjithësi dhe të sistemit financiar, më në veçanti.

Fatmirësisht, kur çdo institucion financiar ndjek motivet dhe është i kujdesshëm për stabilitetin e vet financiar, atëherë kjo do të garantonte prosperitet afatgjatë të të gjithë sistemit, efikasitet të lartë të përçimit të politikave ekonomike në përgjithësi, dhe të politikës monetare më në veçanti. Prandaj, ju ftoj t'i ndiqni këto stimuj për të siguruar objektivat tuaj dhe njëkohësisht, për t'i ofruar një shërbim më cilësor publikut.

Pavarësisht nga sfidat që gjenden përballë autoriteteve publike dhe agjentëve të ndryshëm ekonomikë, Banka e Shqipërisë beson se realizimi i politikave të miratuara si edhe fleksibiliteti i ekonomisë, do të ndikojnë në realizimin e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme gjatë vitit 2008. Sistemi financiar dhe posaçërisht sektori bankar, do të luajnë një rol aktiv në ndërmjetësimin financiar dhe në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit, duke ruajtur qëndrueshmërinë dhe performancën e mirë financiare.