BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Tryezën e Rrumbullakët "Inflacioni i Shënjestruar 2", Hotel Tirana International, 8 dhjetor 2006

Data e publikimit: 08.12.2006

 

Zonja dhe zotërinj,

1) Është kënaqësi të mbyll punimet e kësaj Tryeze të Rrumbullakët dhe t'ju falenderoj të gjithëve për kontributet tuaja. Ndihemi me të vërtetë të lumtur që ishit në Tiranë për të diskutuar strategjinë e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Kjo Tryezë mbi Inflacionin e Shënjestruar ishte një vazhdim i shkëlqyer i Forumit të Hapur që u zhvillua dhjetorin e kaluar. Para një viti, në identifikuam parakushtet për Inflacionin e Shënjestruar. Ndërkohë që dje dhe sot u thelluam më tepër në këto çështje komplekse, çështje të cilat duhet të zgjidhen përpara se Banka e Shqipërisë të fillojë zbatimin formal të regjimit të Inflacionit të Shënjestruar.

2) Në këtë Tryezë të Rrumbullakët, ne diskutuam progresin që kemi bërë gjatë vitit 2006. Një nga temat e diskutuara ishte modelimi dhe parashikimi ekonometrik. Tashmë, ne përdorim një kuadër të besueshëm analitik, i cili mundëson dhënien e informacioneve të nevojshme për vendimmarrjen e politikës monetare. Nën regjimin e Inflacionit të Shënjestruar, do të nevojitet më tepër informacion lidhur me zhvillimet e pritshme të inflacionit në të ardhmen.

3) Sipas ligjit "Për Bankën e Shqipërisë", objektivi kryesor i institucionit tonë është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve në Shqipëri. Për këtë qëllim, ne duhet të jemi të aftë të parashikojmë zhvillimin e tyre në të ardhmen. Modelet aktuale ekonometrike që disponojmë, na japin informacion rreth këtyre zhvillimeve në të ardhmen, ndërkohë që studimet tona dëshmojnë se tashmë jemi të aftë të bëjmë parashikime të besueshme.

4) Ne gjithashtu, diskutuam pasojat e situatave të tilla, ku indeksi i çmimeve të konsumit rritet përtej objektivit, si reflektim i goditjeve të ndryshme që ekonomia mund të pësojë. Një situatë e tillë mund të përkojë me rritjen e çmimeve të energjisë apo naftës. Më tej, fokusi i diskutimeve tona u ndal tek analiza e ndikimit të mëtejshëm të çmimeve mbi situatën makro-ekonomike të vendit.

5) Nëse çmimet rriten, fuqia blerëse do të ulet. Në rastin kur të ardhurat do të mbeten të pandryshuara, individët do të blejnë më pak. Nëse shumë ekonomi familjare do të fillonin të konsumonin më pak, atëherë rritja ekonomike në Shqipëri do të vuante pasojat. Gjithashtu, prodhimi shqiptar do të ngadalësohej për shkak të uljes së përgjithshme të kërkesës për mallra dhe shërbime.

6) I gjithë ky proces mund të kërkojë kohë. Megjithatë çdo ekonomist do të ishte dakord se rritja e lartë e çmimeve ka ndikim negativ mbi ekonominë. Inflacioni i lartë, një mënyrë tjetër kjo për të shprehur rritjen e lartë të çmimeve, do të kishte një ndikim tejet negativ mbi rritjen ekonomike.

7) Më lejoni që edhe njëherë të theksoj se Banka e Shqipërisë synon një rritje mesatare të indeksit të çmimit të konsumit prej 3 për qind. Ne do të ndryshojmë normën e interesit për të siguruar që në të ardhmen rritja e pritshme e çmimeve të jetë në nivelin 3 për qind, +/- 1 pikë përqindjeje. Ne kemi ndërtuar një model makroekonometrik i cili tenton të identifikojë të gjitha kanalet e transmetimit të politikës monetare në ekonominë shqiptare. Qëllimi kryesor i këtij modeli është të analizojë reagimin e çmimeve, të konsumit privat dhe investimeve në përgjigje të ndryshimeve që mund të ndodhin. Në terma analitikë, ne i quajmë këto ndryshime "faktorë shock" në ekonomi.


8) Modeli ynë makroekonomik është premtues. Por, për ndërtimin e modeleve ekonometrike ne na nevojiten statistika. Shqipëria aktualisht ka statistika, por ne na duhen statistika më të mira; me statistika "më të mira" unë nënkuptoj, "më tepër" statistika, statistika "më të besueshme" dhe "akses më të lehtë mbi to".

9) Ne duhet të masim më mirë të gjitha zhvillimet në ekonomi dhe duhet të informohemi sa më shpejt mbi to. Në aspektin e statistikave, historia shqiptare është ende e shkurtër. Seritë tona kohore datojnë vetëm në 15 vitet e fundit. Me kalimin e kohës, pa dyshim që do të kemi seri më të gjata kohore, megjithatë ato duhet të jenë të disponueshme në kohë dhe plotësisht të kuptueshme.

10) Brenda Bankës së Shqipërisë, ne mund të punojmë akoma më tepër mbi statistikat. Gjatë vitit 2007, Banka e Shqipërisë do të përmirësojë bazën e saj të të dhënave mbi statistikat monetare dhe financiare, si dhe statistikat e bilancit të pagesave. Megjithatë, për statistikat e tjera ne vazhdojmë të jemi të varur nga INSTAT-i dhe nga institucione të tjera.

11) Krahas zgjerimit dhe përmirësimit të kuadrit statistikor, ne synojmë përmirësimin e komunikimit me publikun. Në këtë Tryezë të Rrumbullakët, ne diskutuam mbi transparencën e Bankës së Shqipërisë dhe arritëm në përfundimin se Banka e Shqipërisë ka bërë progres të konsiderueshëm.

12) Megjithatë edhe në këtë drejtim miqtë tanë ndërkombëtarë evidentuan se ende ka nevojë për përmirësim. Bashkë me transparencën, ne dëshirojmë të përmirësojmë informacionin e dhënë për publikun. Synimi ynë është që shkalla e kuptimit të politikës monetare nga ana e tregut dhe publikut në përgjithësi të vijë në rritje. Tashmë e dimë se paraja luan një rol të rëndësishëm. Sa më shumë para që të zotërojmë, aq më shumë mund të blejmë me to, e aq më shumë ekonomia jonë do të rritet. Sa më shumë të rritet ekonomia, aq më shumë do të përfitojmë.

13) Po çfarë do të ndodhte me politikën monetare?

14) Të gjithë e dimë se pagat më të larta apo çmimet më të ulëta janë mjaft të volitshme për xhepat tanë personalë. Sa më të larta të jenë pagat apo sa më të ulëta të jenë çmimet, aq më shumë ne mund të blejmë.

15) Por, cila do të ishte ana tjetër e medaljes?

16) Shpenzime më të mëdha do të çonin në rritjen e çmimeve në periudhën afatmesme dhe afatgjatë. Rritja e këtyre çmimeve, apo "inflacioni më i lartë", do të ndikonte negativisht mbi rritjen ekonomike në Shqipëri. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë vlerëson jetik stabilitetin e çmimeve. Detyra jonë kryesore është ruajtja e stabilitetit të çmimeve e për ta bërë këtë, ne përcaktojmë normën bazë të interesit.

17) Sigurisht, ne dëshirojmë t'i komunikojmë më mirë të gjitha çështjet që lidhen me politikën monetare. Dëshirojmë të shpjegojmë përfitimet monetare dhe financiare në nivelin mikro dhe makro. Dëshirojmë të shpjegojmë më mirë qëllimin tonë për objektivin e normës së inflacionit në 3 për qind. Strategjia jonë e komunikimit do të synojë t'i shpjegojë publikut të gjerë se si funksionon politika monetare.

18) Jam i bindur se një kusht shumë i rëndësishëm për zbatimin e suksesshëm të Inflacionit të Shënjestruar është sa të kuptueshëm do të jemi për publikun dhe sa publiku do të na kuptojë. Për këtë ne po bëjmë gjithçka që të jemi me të besueshëm. Siç e përmenda dhe më lart, një kuadër i plotë dhe solid statistikor është mjaft i domosdoshëm. Statistikat e besueshme mund të na informojnë mbi të kaluarën dhe të tashmen, e mbi bazën e tyre, ne mund të ndërtojmë modelet tona ekonometrike për të parashikuar të ardhmen. Nëse do të bëhen parashikime më të mira, ne do të drejtojmë më mirë politikën monetare dhe do të shënjestrojmë më saktë inflacionin.

19) Përmbushja e plotë e parakushteve për zbatimin e Inflacionit të Shënjestruar varet jo vetëm nga Banka e Shqipërisë por edhe nga aktorë të tjerë. Nën regjimin e Inflacionit të Shënjestruar, politika monetare synon mbajtjen nën kontroll të inflacionit në periudha afatgjata. Ne mund të arrijmë këtë objektiv vetëm nëse norma e interesit do të ndikojë efektivisht mbi depozitat, kredinë, konsumin, investimet, mbi ekonominë në përgjithësi. Kjo është mënyra e vetme për një politikë monetare efektive.

20) Disa parakushte të nevojshme për zbatimin formal të Inflacionit të Shënjestruar nuk mund të përmbushen VETËM nga Banka e Shqipërisë. Ato varen nga zhvillimi i ekonomisë shqiptare, nga sigurimi i statistikave, nga INSTAT-i dhe nga institucionet e tjera statistikore, si dhe nga fakti se sa të kuptueshëm do të jemi për publikun. Ato gjithashtu varen nga aktorë të tjerë kryesorë, siç është Ministria e Financave, si dhe nga eficienca e tregjeve financiare. Kështu, zbatimi i plotë i Inflacionit të Shënjestruar është i kushtëzuar.

21) Kjo situatë mund të krahasohet me qepjen e një kostumi për një rast të veçantë. Më lejoni të bëj këtë krahasim.

22) Dikush gjen një rrobaqepës të mirë dhe i kërkon atij që t'i qepë një kostum për një rast të veçantë. Ai i merr të gjitha masat, si për shembull, gjatësinë e krahëve apo atë të këmbëve. Për qepjen e këtij kostumi nevojitet copa e duhur, në ngjyrën e duhur. Me përmbushjen e këtyre kushteve:
(1) gjetja e një rrobaqepësi të mirë; (2) marrja e masave të nevojshme; dhe (3) blerja e materialit të duhur, rrobaqepësi mund të fillojë qepjen e kostumit.

23) Megjithatë, nuk ka ende asnjë garanci që kostumi do t'i rrijë këtij personi për shtat në mënyrë të përsosur. Ose mund të ndodhë që ky person të duket për mrekulli tek rrobaqepësi, por jo ditën e rastit të veçantë. Ose temperatura mund të ketë pësuar ulje e këtij personi do t'i nevojitet të veshë një pallto mbi këtë kostum. Ose mjedisi i këtij rasti të veçantë mund ta bëjë këtë person të ndihet i veshur tejet mirë. Ky person u përpoq ta bënte këtë kostum të dukej i përsosur, por mjedisi rrethues mbetet larg kësaj. Faktorët, mbi të cilat ky person nuk mund të ndikonte, mund të bëjnë që ai të duket ndryshe nga mënyra se si ai do të donte të dukej me kostumin e ri. Përfundimi: kostumi nuk është i përshtatshëm ose më mirë, për disa arsye kostumi ende nuk është i përshtatshëm.

24) Prandaj, të gjitha parakushtet për Inflacionin e Shënjestruar duhet të kontrollohen dhe riadresohen në mënyrë të rregullt.

25) Në këtë Tryezë, ne diskutuam modelimin ekonometrik, statistikat dhe komunikimin, kuadrin ligjor, qeverisjen e brendshme në Bankën e Shqipërisë, si dhe marrëdhëniet dhe angazhimet reciproke që institucionet e tjera kryesore të vendit duhet të vendosin me ne. Gjatë këtij viti, ne hartuam projektligjin e ri për bankat. Ky projektligj siguron mbrojtjen e plotë të klientëve të bankave, parashikon krijimin e regjistrit të kredive, vendos rregulla të reja të administrimit të rrezikut dhe mbi të gjitha rrit besimin në sistemin bankar. Të asistuar nga Departamenti Ligjor i FMN-së, ne ripamë të gjitha marrëveshjet ekzistuese me Ministrinë e Financave, si përfaqësuese e qeverisë. Këto marrëveshje i grupuam dhe standardizuam me qëllim përcaktimin e qartë të rolit të Bankës së Shqipërisë si agjente fiskale e qeverisë. Gjithashtu, ato synojnë krijimin e një mjedisi të shëndetshëm bashkëpunimi dhe partneriteti që do drejtojë secilin institucion në përmbushjen e objektivave të veçanta dhe të përbashkëta. Ne mbetemi të hapur që të bashkëpunojmë me këto institucione për të rritur kuptimin që ato duhet të kenë për politikën monetare, implikimet e saj dhe nevojën për harmonizimin sa më mirë të politikave të ndryshme ekonomike financiare. Së fundi, përmirësuam bazën rregullative respektive me qëllim forcimin e mekanizmave të transmisionit të politikës monetare.

26) Duke përfunduar, dëshiroj të theksoj se ne po vlerësojmë me kujdes të gjitha mundësitë për të zbatuar regjimin formal të Inflacionit të Shënjestruar në periudhën afatmesme. Kjo strategji do të rriste më tej efektivitetin e politikës monetare duke konsoliduar më tej stabilitetin e çmimeve dhe duke kontribuar në një rritje të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare. Nëpërmjet takimeve të këtij lloji, ne do të rivlerësojmë rregullisht statusin e të gjitha parakushteve me ekspertë vendas dhe të huaj. Ndërkohë, po ndërtojmë një bashkëpunimin profesional midis bankës qendrore, INSTAT-it, Ministrisë së Financave, si dhe institucioneve të tjera qeveritare.

27) Zonja dhe zotërinj,

Dhe një herë ju falënderoj për kontributin tuaj dhe ju uroj rrugë të mbarë për në shtëpi!