BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në ceremoninë e dekorimit nga Presidenti Italian, z. Giorgio Napolitano

Data e publikimit: 07.06.2007

 

Shkëlqesia Juaj, zoti Ambasador Iannucci,
Të nderuar zotërinj ministra,
Të nderuar deputetë,
Shkëlqesi Ambasadorë,
Të nderuar kolegë, miq, dashamirës dhe të ftuar!

Jam më shumë se i nderuar për vlerësimin që më bëhet sot.

Natyrisht çdo njeri pret të vlerësohet një ditë në punën e tij. Momente vlerësimi nuk kanë munguar në karrierën time, por, asnjëherë nuk kisha menduar se një komb tjetër do të më nderonte me besimin e tij.
Në jetën time pak herë jam ndjerë kaq i emocionuar dhe kaq i motivuar.

Megjithatë, do të përpiqem që në fjalë të thjeshta të shpreh mirënjohjen e thellë dhe nderimin e lartë që kam, për Presidentin e Republikës Italiane, shkëlqesinë e tij, zotin Napolitano.

Të jem njëri prej të zgjedhurve, që prej 6 dekadash nderohen me Yllin e Solidaritetit Italian, nga presidentët e shquar të Italisë, djepit të qytetërimit evropian, më bën të ndjehem krenar dhe tërësisht i obliguar në përkushtimin tim.

Megjithë emocionet e këtij momenti, nga thellësia e zemrës time vjen një falenderim i veçantë për Ministrin e Jashtëm të Italisë, zotin D'Alema, dhe për diplomatin e shquar dhe mikun e Shqipërisë, zotin Januci.
Natyrisht me të, unë ndaj prej kohësh përpjekje dhe arritje në zhvillimin e sistemit bankar dhe të ekonomisë shqiptare.

Në një ditë si kjo, dua të falenderoj të gjithë ata që me bashkëpunimin, mbështetjen dhe praninë e tyre në karrierën time, më kanë shtuar besimin në sukses. Një vend i veçantë, sigurisht i takon familjes time, e cila me dashuri dhe durim, më është ndodhur pranë, në ditë të mira dhe të vështira.

Mendoj se për të gjithë miqtë, kolegët, të afërmit e mi, të pranishëm ose jo në këtë holl, ky është një moment i shënuar. Unë jam i lumtur, që këtë ngjarje të madhe në jetën time ta ndaj me ju.


Ambasador Iannucci,

Duke pranuar me mirënjohje këtë dekoratë, dua t'Ju siguroj, se puna dhe përpjekjet e mija, në drejtim të thellimit të bashkëpunimit dhe solidarizimit me vendin mik Italinë, do të jenë të vazhdueshme.

Nuk është e tepërt të them, që të forcosh miqësinë, respektin reciprok, mirënjohjen dhe mirëkuptimin njerëzor midis popujve është në vetvete një mision fisnik. Në këto momente më kujtohet një fjalë e urtë: "Miqësia për njerëzimin është si dielli për lulet. I ushqen vazhdimisht tek i shikon si lulëzojnë".

Në filozofinë e lashtë, të pranuarit e nderimit nga një komb i shquar, të fisnikëron.
Unë e pranoj këtë vlerësim me mirënjohje dhe respekt të thellë për Presidentin e Republikës së Italisë dhe popullin italian.

Amicitiae nostrae memoriam spero sempiternam fore - I hope that the memory of our friendship will be everlasting. (Cicero)