BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës Shkolla e Mesme e Përgjithshme "Qemal Stafa", 13 dhjetor 2007

Data e publikimit: 13.12.2007

 

I nderuar z. Ministër,

Shumë të dashur nxënës dhe të tjerë të pranishëm në këtë sallë!
Jam sinqerisht shumë i emocionuar që ndodhem sot këtu. Për të gjithë ne ka patur një kohë "të artë" të të qenurit nxënës gjimnazi ose më mirë gjimnazist! Për ju koha është tani! Përpiquni ta respektoni dhe ta vini në shërbim të së ardhmes tuaj!

Nuk dua të bëj për ju mësuesin dhe as prindin e rreptë. Dua vetëm të jem sa më i afërt dhe i mirëkuptuar. Ajo për të cilën jemi sot këtu lidhet me bankën qendrore dhe me funksionet e saj. Sa e rëndësishme është një bankë qendrore në jetën e secilit prej nesh? Sa e dobishme është një bankë qendrore për mirëqenien e vendit të saj dhe më në fund, a mundet të zhvillohet ekonomia e një vendi pa ekzistencën e një banke qendrore? Të gjitha këto janë pyetje që në kohët e sotme marrin përgjigje pa mëdyshje. Banka qendrore është e dobishme, e domosdoshme, pjesë e pandarë në jetën e qytetarëve të botës moderne.

Dikush mund të pyesë: Ç'lidhje ka e gjitha kjo me mua?

Personalisht, mendoj që një pyetje e tillë meriton përgjigjen klasike: "Ju, të rinjtë, jeni e ardhmja e një shoqërie". Siç jemi të gjithë dëshmitarë, shoqëria shqiptare po synon të integrohet në Evropën e Bashkuar. Në fjalë më të thjeshta, shoqëria jonë po përpiqet të bashkojë vlerat e saj më të mira me ato të popujve tashmë të bashkuar të Evropës. E pa dyshim, që ndër vlerat me të cilat mund të krenohet shoqëria jonë, kam bindjen e plotë që jeni ju.

Për të ardhur më afër temës tonë, dua t'ju bëj një prezantim të thjeshtë të Bankës tonë Qendrore. Ajo quhet Banka e Shqipërisë dhe siç mund ta dini është e vendosur në sheshin "Skënderbej", në një godinë solide e pothuaj 70-vjeçare. Funksioni i saj kryesor është ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Në këtë mënyrë, ajo kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe të mirëqenies në vend. Një detyrë tjetër e rëndësishme e Bankës së Shqipërisë është sigurimi i stabilitetit të sistemit bankar në vend. Banka e Shqipërisë është gjithashtu, institucioni që gëzon të drejtën ekskluzive të nxjerrjes dhe qarkullimit të monedhës kombëtare, që siç e dini të gjithë është Leku!

Një mision tjetër i rëndësishëm i Bankës është përgjegjësia për mbarëvajtjen e pagesave në monedhën kombëtare.

Këto dhe funksione të tjera, po kaq të rëndësishme, Banka e Shqipërisë i kryen në shërbim të zhvillimit të ekonomisë dhe rritjes së mirëqenies së të gjithë shqiptarëve. Për të arritur këtë synim, Banka nuk vepron e vetme, e izoluar apo e shkëputur nga një realitet i përgjithshëm. Është themelore që Banka e Shqipërisë të jetë e pavarur, larg ndikimeve të çdo lloj natyre. Nga ana tjetër, pavarësia nënkupton një llogaridhënie dhe transparencë, që të kombinuara së bashku, arrijnë besueshmëri të lartë. Kjo e fundit është një kusht i domosdoshëm për arritjen e objektivave të mësipërm.

Brenda kësaj kornize institucionale, në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare të specializuara, Banka ka hartuar e miratuar ligje e rregullore bashkëkohore, të cilat i japin mundësi të zhvillojë aktivitetin e saj në një ambient rregullativ të shëndoshë e të sigurtë.

Ajo gjithashtu, ka investuar në krijimin e një baze teknologjike moderne. Programe e sisteme të përparuara janë në shërbim të personelit të Bankës së Shqipërisë. E gjitha kjo, i krijon mundësi të respektojë standardet më të larta të kohës në këtë fushë e të ndjekë ritmet e zhvillimit të përgjithshëm, të bankingut të ditëve të sotme.

Por, investimi më i rëndësishëm që Banka e Shqipërisë ka bërë në vite, është ai i krijimit të një personeli të miredukuar, të kualifikuar, të specializuar, që për nga aftësitë është i krahasueshëm me atë të mjaft bankave të tjera qendrore, në vende mjaft më të zhvilluara se i yni.

Dikush këtu me të drejtë mund të pyesë: Sa njerëz në Shqipëri i dinë të gjitha këto? Unë do të sillja si përgjigje një tjetër pyetje: Sa njerëzve do iu shërbente të dinin rreth Bankës së Shqipërisë? Përgjigja në këtë rast vjen natyrshëm. Të gjithë është mirë të dinë! Duke patur dituri mbi një institucion dhe punën e tij mund të vendosësh një marrëdhënie me të. Në rastin tonë, që marrëdhënia të jetë e qëndrueshme dhe të funksionojë në shërbim të së mirës së përbashkët, do duhej të ishte një marrëdhënie besimi, fryt i komunikimit të vazhdueshëm.

Në përpjekjen e saj për të fituar dhe ruajtur besimin e publikut, Banka e Shqipërisë komunikon me të, mbështetur në parime të transparencës e të respektimit të vlerave reciproke.

Unë dua të përfitoj nga rasti që më jepet, dhe të jem i sinqertë, nuk është e zakonshme të jem para një auditori kaq premtues sa ju, të them dy fjalë për një program edukimi, që kemi ideuar e filluar të zbatojmë, të quajtur "Banka qendrore në jetën e përditshme!".

Nuk duhet të habiteni kur them që ju jeni një grup mjaft i synuar nga ne. Pak më lart përmenda ambicien tonë të madhe për t'u integruar në Evropë, por unë kam gjithashtu, bindjen që financat sikurse çdo gjë tjetër duhen mësuar dhe ju jeni në moshën kur mësimi është parësor.

Për këtë arsye programi i mësipërm, është projektuar të zhvillohet në 3 drejtime:

1. Seminare trajnuese për mësuesit e lëndës së ekonomisë, në fushën e ekonomisë, financës dhe bankingut në përgjithësi, e bankës qendrore në veçanti.

2. Takime në shkollat e mesme me nxënës të vitit të tretë që zhvillojnë lëndën e ekonomisë, biseda rreth argumenteve që lidhen me ekonominë, administrimin e financave personale dhe rolin e funksionet e bankës qendrore veçanërisht. Shpërndarja e broshurave edukative që ne përgatisim për publikun e gjerë.

3. Zhvillimi i një konkursi, midis shkollave të mesme të Tiranës, të titulluar "Vlera e vërtetë e parasë". Nëpërmjet tij, synojmë që ju jo vetëm të merrni njohuri rreth mënyrës se si banka qendrore vepron në përmbushje të objektivit kryesor të saj: Ruajtjes së stabilitetit të çmimeve!, por të zhvilloni edhe aftësinë e të punuarit në grup për të arritur rezultatin e sigurisht, edhe të argëtoheni.

Në fund, është shumë e rëndësishme për mua t'ju kujtoj dhe njëkohësisht t'ju siguroj për këtë, që do të mirëprisja me kënaqësi dhe vlerësim maksimal, çdo koment, kërkesë, ide apo sugjerim tuajin në këtë drejtim.

E them me bindje të plotë që ato do të reflektohen në punën tonë të mëtejshme në fushën e edukimit. Vetëm në këtë mënyrë, marrëdhënia do të jetë dobiprurëse për të gjithë ne.

Ju falenderoj që më pritët si mik në shkollën tuaj dhe më dhatë një kënaqësi të veçantë.