BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në forumin “Zhvillimi i tregut ndërbankar dhe përmirësimi i politikës operacionale në Bankën e Shqipërisë”, 21 qershor 2010

Data e publikimit: 21.06.2010

 

Të nderuar drejtues të sistemit bankar,
Të dashur kolegë,

Jemi mbledhur sot në këtë takim për të diskutuar një çështje të rëndësishme për ecurinë e tregut tonë financiar dhe të ekonomisë shqiptare në tërësi: zhvillimin dhe fuqizimin e tregut ndërbankar.

Besoj se roli dhe rëndësia e këtij tregu është e qartë për të gjithë të pranishmit. Ai përfaqëson hallkën e parë të tregtimit të likuiditetit në ekonomi dhe mekanizmin më transparent të përcaktimit të çmimit të tij.

Duke ofruar instrumentet dhe partnerët e duhur për tregtimin e likuiditetit, tregu ndërbankar ofron mundësinë e rifinancimit të pozicioneve afatshkurtra dhe afatmesme si dhe ndihmon në zbutjen e rrezikut të likuiditetit të aktivitetit tuaj.

Sistemi bankar dhe tregu ndërbankar përbëjnë mjedisin ekskluziv në të cilin operon politika monetare. Një treg ndërbankar i zhvilluar, aktiv dhe eficient, rrit efektivitetin e politikës sonë monetare, duke transmetuar më mirë impulset e saj në ekonomi. Në këtë mënyrë, zhvillimi i tregut ndërbankar është një ndihmesë e madhe në aktivitetin e ndërmjetësimit financiar dhe në nxitjen e kreditimit të ekonomisë, duke kontribuar në mirëqenien ekonomike e sociale të vendit.

Thellimi dhe zgjerimi i tregut financiar është një nga reformat strukturore më të rëndësishme në ekonomi. Ajo duhet të jetë e vazhdueshme dhe kërkon angazhimin e të gjithë faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Natyrshëm ajo përshtatet me fazat e ndryshme të zhvillimit ekonomik të vendit dhe shtetit në tërësi. Unë besoj se nuk mund të ketë një ekonomi të zhvilluar dhe të integruar mirë pa pasur tregje të hapura, të integruara, eficiente, transparente dhe të mirërregulluara.

Përsa thashë më sipër, kuptohet qartë se zhvillimi i tregut ndërbankar është në interesin e të gjitha palëve: të vetë sistemit bankar, të Bankës së Shqipërisë dhe të ekonomisë në tërësi.

Duke qenë e ndërgjegjshme për këtë, Bankës së Shqipërisë i është dashur të ndërtojë një strategji të qartë:

  • Për thellimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të tregut të parasë në Shqipëri;
  • Për krijimin e instrumenteve përkatëse të tregut;
  • Bashkëpunimin e ngushtë dhe racional me sistemin bankar dhe tregun financiar në përgjithësi;
  • Komunikimin e qartë dhe të vazhdueshëm me operatorët e tregut dhe publikun e gjerë;
  • Mbështetjen gjithnjë e më të mirë me zgjidhje teknologjike bashkëkohore.

Si rezultat i këtyre nismave, politika jonë monetare bazohet tashmë tërësisht në instrumente indirekte të administrimit monetar, të cilat veprojnë në përputhje me logjikën e tregut të hapur. Kuadri jonë operacional i krijon sistemit bankar mundësinë e administrimit efektiv të likuiditetit, duke qenë një kundërparti e instancës së fundit për plotësimin e nevojave agregate të sistemit për likuiditet apo edhe për investimin e tij.

Nëpërmjet instrumentit të rezervës së detyruar, Banka e Shqipërisë ju ka krijuar hapësirat e duhura për mbulimin e nevojave të paparashikuara për likuiditet, duke i remuneruar njëkohësisht ato me norma interesi të afërta me normat e interesit të tregut, të cilat shmangin shtrembërimet që mund të sjellë kjo rezervë në aktivitetin tuaj bankar. Rregulloret tona, të cilat kufizojnë rreziqet operacionale të aktivitetit bankar, rreziqet e likuiditetit apo ato të tregut, janë tërësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke krijuar njëkohësisht hapësirat e nevojshme për zhvillimin e tregut ndërbankar. Ne kemi ndërmarrë gjithashtu hapa të rëndësishëm për zhvillimin institucional të tregut ndërbankar, nëpërmjet krijimit dhe mirëmbajtjes së interesave referencë TRIBOR dhe TRIBID, nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm me shoqatën e dealer-ave dhe nxitjes së instrumenteve të reja të tregut ndërbankar.

Në këtë takim të sotëm, dëshiroj t’ju informoj për hapin e fundit të Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim, si dhe të kërkoj një vëmendje më të madhe tuajën për ndërmarrjen e veprimeve të shpejta të cilat do të nxitin rritjen e aktivitetit dhe të rolit të tregut ndërbankar.

Ndryshimi i kuadrit të objektivave operacionalë të Bankës së Shqipërisë

Banka e Shqipërisë është në fazën finale të procesit të rishikimit të objektivave të saj operacionalë. Së shpejti, këto objektiva do të ndryshojnë formën e tyre, duke kaluar nga shënjestrimi i treguesve sasiorë të bilancit të Bankës së Shqipërisë, në shënjestrimin e normave të interesit të tregut ndërbankar.

Objektivat operacionalë të politikës monetare luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e hartimit dhe zbatimit të politikës monetare. Në aspektin teorik, këto objektiva shërbejnë si lidhje midis ndërhyrjeve të autoritetit monetar në tregun ndërbankar dhe objektivit të ndërmjetëm të politikës monetare. Objektivat operacionalë shërbejnë kështu si pikënisje e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare. Në aspektin praktik, këto objektiva shërbejnë për të orientuar dhe disiplinuar në aspektin sasior ndërhyrjet e autoritetit monetar në tregjet e parasë. Ndryshimi i shpejtë i strukturës ekonomike, zhvillimi i tregjeve ndërbankare dhe i agjentëve ekonomikë është shoqëruar me ndryshime rrënjësore në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare.

Ky mekanizëm është bërë tashmë më kompleks, duke përfshirë në vetvete më shumë aktorë. Sofistikimi i të cilëve vjen gjithnjë në rritje, duke përfshirë më shumë instrumente dhe kontrata financiare, të strukturuara në kohë dhe të indeksuara me tregues të ndryshëm. Ekonomia shqiptare është tashmë e integruar ekonomikisht dhe financiarisht në ekonominë botërore, duke marrë tiparet e një ekonomie tregu por duke paraqitur edhe sfidat tipike të administrimit ekonomik të një ekonomie të tillë.

Këto ndryshime kanë diktuar monitorim të vazhdueshëm nga autoriteti monetar, për të bërë ndryshimet e duhura në regjimin e politikës monetare dhe në aspektet operacionale të zbatimit të saj.

Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë ka qenë e angazhuar në vlerësimin e vazhdueshëm të zhvillimeve në tregun ndërbankar dhe në kryerjen e përmirësimeve të duhura në regjimin e saj të politikës monetare.

Dokumenti i Politikës Monetare për periudhën 2009-2011 ishte një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Në këtë Dokument, roli i agregatëve monetarë si tregues të presioneve inflacioniste në ekonomi dhe si objektiva të ndërmjetëm të politikës monetare, u plotësua edhe me informacionin e gjerë të marrë nga sektori real i ekonomisë, i cili sistematizohet dhe finalizohet në ecurinë e parashikuar të inflacionit. Ky ndryshim u mbështet dhe u argumentua tërësisht në eksperiencën shqiptare.

Zhvillimi i tregjeve monetare dhe i inovacionit financiar, rritja e shpejtë e kreditimit dhe e shkallës së dollarizimit të ekonomisë, si dhe rritja e rolit të pasurisë së paluajtshme në alternativat e investimit, i dhanë një nuancë më komplekse funksionimit të ekonomisë shqiptare. Ato u shoqëruan me paqëndrueshmëri të shpejtësisë së qarkullimit të parasë, duke e zbehur lidhjen afatshkurtër dhe afatmesme midis agregatëve monetarë dhe inflacionit.

Ky ndryshim materializon modernizimin e vendimmarrjes së politikës monetare mbështetur në një analizë më të plotë të informacionit duke synuar administrimin e pritshmërimeve të operatorëve në treg.

Një nga drejtimet e punës së Bankës së Shqipërisë gjatë vitit të fundit, ashtu si dhe kemi parashikuar me transparencë në Dokumentin e Politikës Monetare, ka qenë vlerësimi i përshtatshmërisë së objektivave operacionalë dhe adoptimi i formave më të avancuara të tyre. Shënjestrimi i treguesve sasiorë të bilancit të Bankës së Shqipërisë, në formën e një tavani të mjeteve të brendshme neto dhe të një dyshemeje të rezervës ndërkombëtare neto, ka qenë për shumë kohë udhërrëfyesi i ndërhyrjeve tona në tregun ndërbankar.

Megjithatë, zhvillimet e përmendura më sipër sugjerojnë se kjo filozofi dhe praktikë ka mjaft vend për përmirësim. Shënjestrimi i normave të interesit të tregut ndërbankar paraqitet si një alternativë praktike. Ajo ka mbështetje të gjerë teorike dhe ka funksionuar me sukses në praktikën e shumë ekonomive të avancuara.

Në vija të përgjithshme, një filozofi e tillë operacionale udhëhiqet nga nevoja e orientimit të normave afatshkurtra të interesit të tregut ndërbankar afër normës bazë të interesit, të përcaktuar nga autoriteti monetar. Si e tillë, ajo i shërben më mirë kontrollit të horizontit afatshkurtër të kurbës së normave të interesit, duke e bërë më transparent aktivitetin e politikës monetare dhe duke dhënë sinjale më të qarta për aktivitetin ekonomik. Orientimi i operacioneve tona drejt stabilitetit të normave të interesit të tregut ndërbankar do t’i shërbejë funksionimit më të qetë të tregut ndërbankar dhe uljes së primeve të rrezikut në të. Gjithashtu, ky objektiv operacional inkuadrohet mirë në orientimin dhe angazhimin tonë afatmesëm për adoptimin e regjimit të inflacionit të shënjestruar, duke përbërë një hallkë të rëndësishme të adoptimit me sukses të tij.

Për të mbyllur diskutimin teorik të këtij ndryshimi, dëshiroj të theksoj se angazhimi jonë afatgjatë për mbajtjen e rezervave tona valutore në nivelet optimale për të përballuar goditjet e duhura me të cilat mund të përballet vendi, do të mbetet një objektiv i padiskutueshëm i politikës sonë monetare.

Në aspektin institucional, dëshiroj të theksoj se një lëvizje e tillë është jo vetëm një shenjë e shkallës së maturisë së tregut tonë ndërbankar. Ajo kurorëzon gjithashtu përpjekjet tona të vazhdueshme për administrimin sa më efektiv të tij.

Në këtë aspekt, Banka e Shqipërisë ka bërë një punë të madhe për zhvillimin e modeleve të parashikimit të likuiditetit, për zbutjen e impaktit të flukseve fiskale në tregjet monetare dhe për zhvillimin e procedurave e modaliteteve optimale të ndërhyrjes në tregun ndërbankar.

Jam i bindur se kjo punë e përpjekje e jona nuk do të mungojë edhe në të ardhmen, duke mundësuar ndryshimin sa më të butë të objektivit operacional dhe funksionimin optimal të tyre në formën e re.

Zhvillimi i tregut ndërbankar

Të nderuar kolegë,

Roli i Bankës së Shqipërisë në nxitjen e tregut ndërbankar është i padiskutueshëm. Megjithatë, ne jemi të ndërgjegjshëm se zhvillimi i këtij tregu reflekton më së shumti rezultatet e zhvillimit dhe të përpjekjeve të vetë sistemit bankar.
Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë do të kërkonte një vëmendje më të madhe tuajën në këtë drejtim. Më konkretisht, në diskutimin e sotëm ne do të kërkonim të tërhiqnim opinionin tuaj mbi tre hapa të cilët ne gjykojmë se do të nxitnin këtë zhvillim. Së pari, përcaktimi dhe instalimi i normave primare (prime rate) në funksionimin e bankave tregtare. Këto norma mund dhe duhet të shërbejnë si udhëzues për përcaktimin e çmimeve të produkteve bankare, si në kahun e aktivit ashtu dhe në atë të pasivit. Së dyti, funksionimi i tregut të kolateralizuar nëpërmjet nënshkrimit të kontratave të marrëveshjeve repo dhe repo të anasjellta. Ndonëse tregu ndërbankar në konceptin e tij klasik është një treg i pakolateralizuar, plotësimi me instrumentet e mësipërme do t’i hapte rrugë zhvillimit tërësor të tij, duke siguruar një shpërndarje më eficiente të likuiditetit midis operatorëve të tregut.

Së treti, bankat mund dhe duhet të jenë aktive në kuotimin e likuiditetit në lekë, duke ndjekur të njëjtin qëndrim si edhe në tregun valutor. Kuotimi i vazhdueshëm do të nxisë një administrim më aktiv të likuiditetit dhe do të mundësojë përcaktimin e një çmimi të vazhdueshëm për të.

Të nderuar drejtues të sistemit bankar,

Banka e Shqipërisë e sheh zhvillimin e tregut ndërbankar dhe financiar si një proces i cili kërkon angazhimin tonë të vazhdueshëm, por i cili siguron përfitime të prekshme për të gjithë ne. Do t’ju ftoja në vijim të ndanim së bashku opinionet mbi rrugët e duhura për nxitjen e tij, në një diskutim të hapur dhe të frytshëm.