BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në forumin e Bankës së Shqipërisë me përfaqësuesit e bizneseve kryesorë që operojnë në Shqipëri

Data e publikimit: 23.11.2009

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi për mua të ndodhem sot mes jush, për të ndarë së bashku pikëpamjet tona mbi ecurinë aktuale dhe perspektivat e zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Si pjesa më dinamike e ekonomisë shqiptare, kontributi juaj ka qenë i prekshëm në zhvillimin ekonomik të vendit gjatë viteve të tranzicionit. Iniciativa, vullneti dhe përkushtimi juaj, kanë sjellë rezultate të prekshme në zhvillimin e vendit. Në një shifër të vetme, ecuria e ekonomisë shqiptare mund të përmblidhet në rritjen mbi 65 për qind të prodhimit të brendshëm bruto dhe të mirëqenies për banor gjatë këtyre viteve tranzicion. Perspektiva jonë e zhvillimit mbetet po kaq pozitive. Stabiliteti makroekonomik i vendit, vazhdimi dhe thellimi i reformave strukturore, si dhe realitetet gjeopolitike të afrimit me ekonomitë e zhvilluara të Bashkimit Evropian, do të ndihmojnë në çlirimin dhe shpërblimin më të plotë të potencialit dhe të energjive tuaja.

Forumi i sotëm do të synojë të evidentojë zhvillimet ekonomike të vendit dhe do të ndërmarrë një diskutim të gjerë publik mbi alternativat e modeleve të rritjes ekonomike në të ardhmen.

Më lejoni fillimisht, të bëj një pasqyrë të shkurtër të zhvillimeve më të fundit në ekonominë shqiptare, për t’u ndalur më tej në disa pikëpamje tonat për zhvillimin ekonomik të vendit në të ardhmen.

Ecuria e ekonomisë gjatë periudhës së krizës

Zhvillimet e vitit 2009 kanë treguar se ekonomia shqiptare është ndikuar nga kriza globale e kohëve të fundit, kryesisht si pasojë e pakësimit të kërkesës së huaj dhe të remitancave, e rritjes së primeve të rrezikut, reduktimit të burimeve të financimit dhe rritjes së kostos së këtij të fundit. Megjithatë, ekonomia jonë vazhdoi të shënojë rritje ekonomike pozitive gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste mbeten të kontrolluara. Aktiviteti ekonomik në vend është mbështetur nga stimuli fiskal dhe ruajtja e kërkesës konsumatore në nivele të qëndrueshme, ndërkohë që investimet dhe eksportet kanë shënuar rënie gjatë nëntëmujorit të parë të vitit.

Megjithëse pozitive, ecuria ekonomike e nëntëmujorit të parë të vitit karakterizohet nga një ngadalësim i ritmit të rritjes, duke u reflektuar edhe në rënien graduale të presioneve inflacioniste. Pavarësisht një korrektimi të lehtë gjatë vitit 2009, deficiti i llogarisë korente mbetet ende në nivele të larta, duke reflektuar konsumin e lartë të ekonomisë shqiptare dhe pamundësinë e kapaciteteve prodhuese në vend për t’iu përgjigjur. Politika fiskale ka patur një natyrë ekspansioniste gjatë vitit 2009, e pasqyruar kryesisht në rritjen e shpenzimeve buxhetore, më së shumti si rezultat i rritjes së shpejtë të shpenzimeve kapitale.

Të ardhurat buxhetore kanë patur një ecuri më të ngadaltë se parashikimet, si pasojë edhe e ngadalësimit të ritmit të rritjes ekonomike gjatë kësaj periudhe.

Për rrjedhojë, shtimi i shpenzimeve buxhetore është financuar nëpërmjet përdorimit të të ardhurave të privatizimit dhe të rritjes së huamarrjes publike.

Kjo politikë ka ushtruar presion për rritjen e normave të interesit të letrave me vlerë të borxhit të qeverisë me afat të gjatë maturimi. Tregjet financiare janë karakterizuar nga përmirësimi i likuiditetit dhe rifitimi i besimit të agjentëve në to. Furnizimi i vazhdueshëm nga ana e Bankës së Shqipërisë të tregut të parasë nëpërmjet operacioneve për injektimin e likuiditetit, ka ndihmuar për të qetësuar pjesëmarrësit e tregut si dhe për të furnizuar tregun me fonde, të cilat i kanë shërbyer ndërmjetësimit në monedhën vendase për sektorin privat. Nevojat për likuiditet në tregun ndërbankar kanë rezultuar në ulje, duke mos ushtruar presion tek normat afatshkurtra të interesit.

Politika e matur monetare e Bankës së Shqipërisë ka ndihmuar në qetësimin e tensioneve në tregun financiar, ndërkohë që ulja e fundit e normës bazë të interesit duhet të përkthehet në kreditim më të madh të sektorit privat.

Ashtu si kemi deklaruar dhe më parë, Banka e Shqipërisë e shikon të ardhmen e vendit me optimizëm të kujdesshëm. Them me optimizëm sepse, me gjithë goditjen e madhe që pësuam, stabiliteti makroekonomik dhe financiar i vendit nuk u prekën. Për më tepër, rivendosja e besimit në sistemin bankar i hap rrugën rikuperimit të procesit të kreditimit dhe mbështetjes së ekonomisë me fonde. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë mbetet ende në pozita kujdesi sepse rreziqet financiare mbi ekonominë nuk janë tejkaluar plotësisht. Sistemi bankar ka ende mungesa likuiditeti ndërsa ekonomia botërore mbetet e dobët. Për këtë arsye, zhvillimi i ardhshëm ekonomik do të varet si nga puna jonë e përbashkët, ashtu edhe nga ecuria e tregjeve ekonomike dhe financiare botërore.


Të nderuar pjesëmarrës,

Nën optikën e zhvillimit historik dhe sidomos të ngjarjeve të fundit, në vazhdim do të ndalem në disa probleme që ne, si autoritet politik, mbikëqyrës dhe rregullator, kemi evidentuar si mësime që duhen nxjerrë dhe çështje që duhen adresuar në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit.

Mësimet që nxjerrim nga kriza

Që në fillim, dua të theksoj se, në vija të përgjithshme, filozofia e zhvillimit ekonomik të vendit ka qenë e saktë. Hapja e tregjeve dhe rritja e konkurrencës i kanë mundësuar ekonomisë shqiptare përfitimin e fryteve të iniciativës së lirë të sektorit privat. Praktika e ekonomive të bazuara mbi parimet e tregut të lirë, ka treguar gjerësisht se iniciativa private mbetet gjeneratori më eficient i aktivitetit ekonomik .

Ky proces është mbështetur nga reduktimi i vazhdueshëm i peshës së shtetit në ekonomi, si dhe nga përqendrimi i tij në prokurimin e të mirave publike dhe në zhvillimin e infrastrukturës. Zhvillimi progresiv i tregjeve financiare, ka gjeneruar fondet e nevojshme për mbështetjen e investimeve dhe të konsumit në ekonomi.

Megjithëse për arsye kryesisht historike, sistemi bankar e ka bazuar aktivitetin e tij në ndërmjetësimin e fondeve të brendshme të ekonomisë, zhvillimet e kohëve të fundit treguan se ai mbetet po aq i aftë në gjenerimin e fondeve të huaja në mbështetje të nevojave për likuiditet dhe kapital të ekonomisë shqiptare. Nga ana tjetër, integrimi i sistemit tonë financiar me atë evropian, ka rritur qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare ndaj goditjeve të ndryshme, më e fundit nga të cilat është ende në veprim. Ai ka sjellë gjithashtu një ekspertizë të nevojshme në drejtim të administrimit financiar dhe atij ekonomik të një biznesi, ka zhvilluar infrastrukturën dhe mjetet e pagesave në ekonomi si dhe ka ndihmuar në transferimin efecient të rrezikut në ekonomi.

Me gjithë arritjet, personalisht gjykoj se modeli i zhvillimit të vendit ka nevojë për modifikime dhe përmirësime, të cilat duhet të synojnë rritjen e eficiencës dhe të qëndrueshmërisë së tij. Në kushtet e një ekonomie që kërkon dinamizëm për kalimin nga një ekonomi në tranzicion në një ekonomi në zhvillim, angazhimi për një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë duhet të jetë kryefjala e reformave aktuale dhe të ardhshme ekonomike, si në nivel institucional e politik, ashtu edhe në nivel ndërmarrjeje dhe konsumatori.

Cilat janë mangësitë e vërejtura në këtë drejtim?

Së pari, përfituesit kryesorë të rritjes ekonomike kanë qenë konsumi i brendshëm dhe investimet, ndërkohë që ekonomia shqiptare nuk ka arritur ende të krijojë një sektor eksporti konkurrues, të aftë për të gjeneruar të ardhura të qëndrueshme valutore të cilat do të mundësojnë ruajtjen e balancave të jashtme ekonomike. Në një prizëm tjetër, ky zhvillim nuk duket i balancuar në terma sektorialë. Kështu, disa sektorë, si tregtia, ndërtimi dhe shërbimet kanë kontribuar në mënyrë disproporcionale në zhvillimin e vendit ndërsa të tjerë si, bujqësia dhe industria, më pak.

Së dyti, ekonomia shqiptare vazhdon të vuajë nga dobësi strukturore, të cilat tkurrin konkurrueshmërinë e saj në tregjet ndërkombëtare të produkteve dhe të kapitalit. Kjo sjellje ilustrohet edhe nga indekset e konkurrueshmërisë ndërkombëtare të përpiluar së fundmi nga Forumi Ekonomik Botëror, ku Shqipëria renditet poshtë vendeve të rajonit. Disa nga problemet më akute i referohen nevojës për përmirësimin e edukimit dhe zhvillimin e infrastrukturës, në të gjitha dimensionet e saj. Të dy këto probleme frenojnë tërheqjen e investimeve të huaja dhe mbajnë mbrapa zhvillimin e vendit.

Së treti, dhe në nivel më mikro, eficienca e përdorimit të fondeve të ekonomisë duhet përmirësuar. Kjo nënkupton nevojën për përmirësimin e sistemeve të drejtimit dhe të kontrollit të bizneseve private, rritjen e aftësive parashikuese dhe analitike, si dhe rritjen e transparencës së tyre.

Më lejoni në vijim të ndalem pak më në detaje në çështjet e ngritura më sipër.

Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i vendit

Ashtu siç e kemi theksuar në vazhdimësi në raportet tona periodike, rritja ekonomike e viteve të fundit është mbështetur fuqishëm në kreditimin e sistemit bankar. Shtesa e kredisë bankare ka dhënë një impuls prej mesatarisht 7 pikësh përqindjeje të PBB-së gjatë pesë viteve të fundit, duke kontribuar dukshëm në rritjen e konsumit dhe të investimeve në ekonomi. Rritja e tyre ka krijuar premisat për zgjerimin e bazës prodhuese dhe për rritjen e mirëqenies, por ajo ka sjellë edhe zhbalancime makro dhe mikroekonomike.

Në nivel makroekonomik, konsumi dhe investimet e larta u shoqëruan me forcim të presioneve inflacioniste, zgjerim të deficitit tregtar dhe të atij të llogarisë korente. Këto shenja mbinxehjeje ishin sinjale të qarta se ai nivel konsumi nuk mund të mbahej për shumë kohë, duke kërkuar eventualisht marrjen e masave frenuese nga autoriteti monetar.

Ky është çelësi për të kuptuar politikën tonë të kujdesshme monetare gjatë viteve 2006-2008. Investimi institucional që ne kemi bërë gjatë këtyre viteve në drejtim të konsolidimit të stabilitetit makroekonomik dhe financiar u shpërblye me një ndikim shumë më të butë se vendet e rajonit nga kriza botërore. Në përputhje me filozofinë moderne të administrimit makroekonomik, Banka e Shqipërisë mbetet e vendosur të mos lejojë që një rritje e shpejtë dhe afatshkurtër ekonomike të dëmtojë perspektivat afatgjata të zhvillimit të vendit.

Në nivel mikroekonomik, rritja e konsumit në ekonomi u shoqërua me rritjen e borxheve në bilancet e bizneseve dhe të familjeve shqiptare, si dhe me mbi-investime në sektorë të caktuar. Të dy këta tregues janë në nivele relativisht të ulëta krahasuar me vendet e rajonit apo ato në nivele të ngjashme zhvillimi, dhe nuk mund të cilësohen si problematike. Megjithatë, shkalla e shpejtë e rritjes së tyre të krijon idenë e një vizioni afatshkurtër nga agjentët ekonomikë dhe në raste të veçanta, edhe shmangie nga racionaliteti.

Duke qëndruar te konsumi familjar , Banka e Shqipërisë fton të gjithë agjentët ekonomikë të jenë më largpamës dhe realistë në planet e tyre të konsumit dhe të kursimit. Kjo ftesë nuk nënkupton tkurrjen e konsumit dhe as ndryshimin e preferencave për të, por thjesht vendosjen e tij në kontekstin e planeve afatgjata që barazojnë të ardhurat me shpenzimet në nivel familjar. Përtej dimensionit kohor, siç jemi përpjekur vazhdimisht të tërheqim vëmendjen, kredimarrësit duhet të jenë të kujdesshëm edhe në monedhën e marrjes së kredisë.

Kjo do të thotë që mbrojtja më e mirë për ta do të ishte përputhja e monedhës në të cilën përftohet kredia me monedhën në të cilën kanë të ardhurat. Në një këndvështrim më pragmatist, kjo këshillë mund të reduktohet në një thirrje për një konsultë më të ngushtë me sistemin bankar dhe agjentët e specializuar të tregut financiar.

Kriza e fundit botërore tregoi me forcë, veçanërisht në SHBA dhe në Angli, se bilancet e dëmtuara të konsumatorit familjar janë premisë për goditje të forta ekonomike dhe kushtëzojnë rritjen afatgjatë të vendit. Nga ana tjetër, ajo ilustroi se vendet të cilat mundën të ruajnë një certifikatë të pastër të shëndetit financiar të konsumatorit, vende ndër të cilat futet edhe Shqipëria, patën një ndikim më të moderuar dhe gëzojnë premisa për një rritje më të shpejtë. Në një kuptim filozofik, mësimi bazë i ekonomisë së tregut është se çdo gjë që konsumohet do të paguhet: dreka falas nuk ka.

Duke u kthyer te bizneset dhe kredia për investime, portofoli i së cilës përbën edhe 2/3 e kredisë totale të sistemit bankar, mesazhi im është në thelb i njëjtë: rritni horizontin kohor të vendimmarrjes dhe të investimeve tuaja dhe mbështetini ato në analiza e plan-biznese të detajuara. Ajo që dua të theksoj është se ky mesazh duhet të perceptohet më me urgjencë nga ana juaj, pasi ju dispononi resurset e nevojshme financiare dhe njerëzore për të qenë më të kujdesshëm në huamarrje dhe në investime. Ka ardhur koha që bizneset shqiptare të shmangin sjelljen në grup, ku një ide biznesi ndiqet në mënyrë pothuajse automatike nga biznese të tjerë, pa studiuar madhësinë e tregut, avantazhet konkurruese, shkallën e ekspertizës, apo eficiencën financiare të përdorimit të fondeve, sipas të gjitha hallkave në të cilat duhet të kalojë një vendimmarrje e kujdesshme.

Tendenca e kohëve të fundit për diversifikimin e bizneseve shqiptare është një gjë e dobishme në parim, por ajo nuk duhet bërë në dëm të specializimit dhe uljes së eficiencës, apo aq më pak pa kryer analizat makroekonomike dhe sektoriale.

Një çështje tjetër që dua të diskutoj me Ju, të cilën e preka tërthorazi në ekspozenë fillestare të mësimeve të krizës, është edhe ecuria ndërsektoriale e ekonomisë.

Zhvillimi ekonomik i vendit është karakterizuar nga një model rritjeje e investimi i cili ka favorizuar bizneset e shërbimit dhe të ndërtimit, përkundrejt industrive eksportuese apo konkurruese me importet. Edhe pse kjo ecuri reflekton deri diku tendencën për të shkuar drejt strukturës ekonomike të vendeve të zhvilluara, ajo ka rezultuar në mbi-investime në sektorë të caktuar. Zhvillimi i ekonomisë nuk mund të jetë i qëndrueshëm në qoftë se alokimi i fondeve nuk realizohet duke ndjekur produktivitetin dhe parimin e eficiencës sektoriale. Keqpërdorimi i fondeve financiare dëmton agjentët dhe të gjithë ekonominë, duke lënë pasoja afatgjata në bilancet dhe borxhet e kompanive, në tregun e punës dhe në shpërndarjen e kapitalit dhe teknologjisë midis sektorëve në ekonomi.

Për të minimizuar këto lloj rreziqesh, Banka e Shqipërisë ju këshillon që të ndërprisni lëvizjet inerciale në sjelljet tuaja dhe të vlerësoni me realizëm kontekstin rajonal dhe evropian të zgjedhjeve tuaja. Avantazhet krahasuese të Shqipërisë nuk duhen kërkuar vetëm në pasuritë e mbitokës dhe të nëntokës, apo në plotësimin e kërkesave ende të pashërbyera të tregut shqiptar, por edhe në forcën e lirë punëtore të vendit dhe në pozicionimin e tij si një anëtar i ardhshëm i Bashkimit Evropian. Ndërveprimi në rritje me sistemin bankar do të ndihmonte qartësimin e planeve tuaja dhe do të ulte rrezikun financiar, duke ju krijuar juve mundësinë të fokusoheni në administrimin e rrezikut të biznesit për të cilin edhe jeni të specializuar.

Për ta mbyllur diskutimin tim në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, dëshiroj të theksoj se edhe sistemi bankar mund dhe duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim.

Sistemi financiar është truri i një ekonomie tregu; ai i cili përcakton kthimin dhe rrezikun e pritur të investimeve në ekonomi duke mundësuar pastaj edhe përdorimin prioritar të fondeve të kufizuara financiare. Me gjithë performancën e tij të mirë, sistemi bankar shqiptar duhet të bëjë më shumë për të inkuadruar në vendimmarrjen e tij analizat makroekonomike dhe ato në nivel sektorial, si dhe stabilitetin financiar të vendit. Zhvillimi i njësive të kërkimit brenda bankave të mëdha është tashmë një kërkesë e kohës . Gjithashtu, përpjekje më të mëdha duhen bërë për të rritur mbështetjen me fonde të bizneseve të vogla dhe të mesme. Po ashtu, marketimi më agresiv i instrumenteve derivative të cilat do të ulin rrezikun financiar të bizneseve, veçanërisht të atyre që operojnë në sektorin e eksportit, duhet të ketë një vëmendje më të madhe nga sistemi bankar.

Këto që sapo përmenda do të jenë një pjesë e rëndësishme e filozofisë së ardhshme të Bankës së Shqipërisë në fushën e reformave strukturore në tregun financiar dhe në zhvillimin e funksionit të saj mbikëqyrës dhe rregullues në të.

Dobësitë strukturore dhe nevoja për reforma

Një mësim i vlefshëm që Banka e Shqipërisë ka nxjerrë nga kriza është nevoja për vazhdimin dhe thellimin e reformave strukturore në ekonomi, Këto reforma, jo vetëm që krijojnë një ambient më të përshtatshëm për zhvillimin e sipërmarrjes private, por ato rritin edhe qëndrueshmërinë e ekonomisë ndaj goditjeve. Ato ndihmojnë gjithashtu edhe në thithjen e investimeve të huaja direkte, të cilat janë mbështetësi më i mirë i zhvillimit të vendit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë. Megjithatë, siç theksohet edhe në raportin e BERZH, Shqipëria është nga vendet e pakta që ka vazhduar reformat strukturore edhe gjatë vitit 2009.

Në këtë drejtim, Shqipëria mbetet ende mbrapa vendeve të rajonit, duke tërhequr në total vetëm rreth 1100 USD për frymë investime të huaja direkte gjatë 20 viteve tranzicion.

Në gjithë kuadrin e gjerë të problemeve të reformës, dëshiroj të ndalem sot në nevojën për investime në edukim dhe në infrastrukturë. Një parim i njohur biznesi thotë se pasuria më e çmuar e një ndërmarrjeje janë punonjësit e saj. Ne në Bankën e Shqipërisë e kuptojmë: Sa më i lartë të jetë profesionalizmi aq më e lartë është pavarësia jonë institucionale.

Në një shkallë më të madhe, kjo vlen edhe për ekonomitë kombëtare. Progresi i vendit tonë, konvergjenca me vendet e zhvilluara të Evropës Lindore dhe më tej me ato të Bashkimit Evropian, do të varet nga shkalla jonë e arsimit dhe e edukimit dhe nga krijimi i një tregu pune të lirë dhe konkurrues. Konkurrenca në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare bazohet mbi të gjitha në gjenerimin e ideve dhe zbërthimin e tyre në produkte përfundimtare. Duke iu referuar përsëri Indeksit të Konkurrueshmërisë Botërore, Shqipëria renditet e 90-a në shkallën e edukimit dhe trajnimit të lartë, dhe vetëm e 109-a dhe e 126-a respektivisht në shkallën e sofistikimit të biznesit dhe të inovacionit. Këto mangësi do të fillojnë të bëhen gjithnjë e më tepër pengesë në rritjen ekonomike të vendit në të ardhmen, nëse nuk adresohen shpejt dhe në kohën e duhur.

Reformat publike të sistemit arsimor dhe nevoja për mbështetje më të madhe me fonde të tij duhet të jenë një përparësi e çdo politike zhvillimi. Nga ana tjetër, gjykoj se edhe biznesi shqiptar mund dhe duhet të bëjë më shumë për të mbështetur arsimin shqiptar. Së pari, biznesi mund dhe duhet të mbështesë më shumë institucionet e edukimit të lartë, duke bashkëpunuar njëkohësisht me to në fushën e studimeve të tregut dhe të trajnimit të studentëve. Historia e zhvillimit ekonomik ka treguar se vendet që kanë investuar në edukim janë sot në grupin e vendeve më të zhvilluara të ekonomisë botërore. Së dyti, gjykoj se më shumë përpjekje duhen bërë në thithjen e trurit në administrimin e bizneseve tuaja.

Investimi në edukim dhe në rritjen e profesionalizmit është investimi më i mirë që mund të bëjmë së bashku për të ardhmen e vendit.

Paralelisht me këtë, përmirësimi sasior dhe cilësor i infrastrukturës sonë të zhvillimit, duhet të jenë çështje me vëmendje prioritare. Përtej zhvillimit të infrastrukturës rrugore, e cila me të drejtë është një përparësi e sektorit publik, biznesi shqiptar mund dhe duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim. Shfrytëzimi i resurseve të përbashkëta të bizneseve për të ndërtuar zgjidhje të përbashkëta të problemeve në furnizimin me energji elektrike, me ujë e kanalizime, dhe me rrugë lokale, duhet të konsiderohet si një opsion efektiv i tejkalimit të këtyre problemeve. Krijimi i zonave të diferencuara dhe të specializuara të zhvillimit, do iu krijojë atyre më shumë mundësi për të përfituar nga ekonomitë e shkallës dhe zgjidhjen e përbashkët të problemeve. Gjithashtu, infrastruktura informatike dhe ajo e telekomunikimit janë sektorë të cilët mund dhe duhen të adresohen më me eficiencë nga sektori privat.

Administrimi dhe transparenca e bizneseve

Megjithëse një pjesë të problemeve i preka dhe më lart, dëshiroj të ndalem edhe për një moment në problemin e përmirësimit të cilësisë së administrimit dhe të rritjes së transparencës së bizneseve.

Administrimi i biznesit është ura lidhëse midis ideve dhe rezultateve. Ai ndikon eficiencën e përdorimit të fondeve dhe përcakton bizneset fituese nga ato jofituese.

Në këtë aspekt, gjykoj se çështjet e përmendura më sipër, rritja e horizontit kohor të investimeve, mbështetja e tyre në studime tregu dhe në plan-biznese të kujdesshme, orientimi i pozicionit të biznesit në kontekstin kombëtar, rajonal dhe global, rritja e specializimit dhe profesionalizimit, forcimi i bashkëpunimit me sistemin financiar, kërkojnë investime të vazhdueshme në drejtim të administrimit tuaj.

Së fundi, një aspekt që mendoj se meriton vëmendje më të madhe është edhe transparenca e bizneseve tuaja. Rritja e saj do të ndihmonte më së pari transaksionet tregtare dhe financiare midis bizneseve, duke rritur besimin dhe duke ulur rrezikun në to. Gjithashtu, lidhja e qëndrueshme dhe afatgjatë me sistemin financiar ka si kusht transparencën e dyanshme të palëve. Përtej marrëdhënieve me sistemin bankar, problemi i transparencës është një pengesë serioze në krijimin dhe funksionimin e tregut të kapitaleve në Shqipëri. Në këtë drejtim, mendoj se biznesi shqiptar duhet të ndërgjegjësohet se rritja e transparencës dhe e formalizimit janë në interesin e tij afatgjatë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Vizionet afatgjata përkthehen në sukses nëpërmjet punës dhe sakrificave afatshkurtra. Banka e Shqipërisë ju fton të punojmë së bashku dhe në interes reciprok në zgjidhjen e këtyre problemeve.

Ju faleminderit !