BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në hapjen e panairit "Klik Ekspo Group", 25 nëntor 2008

Data e publikimit: 26.11.2008

 

I nderuar zoti Kryeministër!
Të nderuar zotërinj Ministra,
Të nderuar zotërinj Ambasadorë,
I nderuar zoti Uldedaj!
Të nderuar sipërmarrës!
Zonja dhe zotërinj të nderuar!

Ndjehem i privilegjuar që ndodhem sonte këtu mes jush dhe njëkohësisht të jem mik i sipërmarrjes shqiptare.

Kohët që po jetojmë sot, apelojnë për një vëmendje të veçantë, të forumeve ekonomike - financiare, veçanërisht kur diskutojnë institucionet shtetërore, sistemi bankar dhe sipërmarrja private. Tryeza globale e diskutimeve makrofinanciare dhe e politikave të së ardhmes është në vëmendjen e ditës dhe ky forum i sotëm, mendoj se është në vazhdën e kësaj filozofie mbizotëruese të kohës.

Në një kontekst gjithëpërfshirës, e veçanta e zhvillimeve ekonomike gjatë muajve të fundit ka qenë situata e turbullt, që kaluan tregjet dhe institucionet monetare e financiare, e cila këto 2 -3 javë është shoqëruar me zhvillime të tjera. Të dhënat më të fundit tregojnë se ekonomitë e vendeve të zhvilluara, SHBA-së, Eurozonës, Anglisë dhe Japonisë kanë regjistruar rënie të aktivitetit ekonomik.

Megjithatë, shumica e ekonomive në zhvillim, ka rezultuar me imunitet më të lartë ndaj pasojave të krizës globale. Mbështetja e aktivitetit ekonomik në faktorët e brendshëm, vlerësohet të jetë arsyeja kryesore që qëndron prapa këtij imuniteti, pavarësisht një integrimi jo të plotë financiar me vendet e zhvilluara.

Edhe pse Shqipëria ka qenë një "importuese neto" e zhvillimeve globale, përsëri ekonomia e saj ka treguar një shkallë të lartë rezistence dhe absorbimi. Ekonomia shqiptare, në tremujorin e tretë, ka vazhduar të ndjekë trajektoren e mëparshme. Të dhënat në dispozicion, evidentojnë se aktiviteti ekonomik i nëntë muajve të parë të vitit ka ecur sipas parashikimeve. Balancat makroekonomike mbeten të qëndrueshme dhe sistemi bankar vazhdon të jetë i shëndetshëm. Aktiviteti ekonomik në vend ka vazhduar prirjen rritëse. Kontributin kryesor ka vijuar ta japë sektori i shërbimeve, e në veçanti ai i tregtisë.

Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rënie edhe në muajin tetor, duke zbritur në 2.7 për qind. Zhvillimet në inflacionin bazë, tregojnë se balancat makroekonomike në vend dhe kushtet monetare kanë qenë të përshtatshme, për të garantuar një normë inflacioni afër objektivit të synuar nga Banka e Shqipërisë. Në këtë stabilitet, kanë kontribuar edhe pritjet inflacioniste të agjentëve ekonomikë, të cilat paraqiten të ankoruara rreth nivelit 3 për qind. Këto zhvillime provojnë se veprimet e marra nga Banka e Shqipërisë kanë qenë efektive në kontrollin e presioneve inflacioniste. Politika fiskale gjatë vitit 2008, në tërësi, ka respektuar objektivat e përcaktuar në Programin Buxhetor Afatmesëm, të hartuar për periudhën 2008 - 2010, dhe si e tillë nuk ka gjeneruar tensione në ekonomi dhe në ecurinë e çmimeve.

Sistemi bankar në Shqipëri, ka vazhduar të operojë në parametra optimalë, në përputhje me standardet e mbikëqyrjes së kujdesshme bankare. Të dhënat më të fundit dëshmojnë se "efekti domino" i tregut ndërkombëtar financiar është përballuar në mënyrë të kënaqshme. Banka e Shqipërisë nga ana e saj, ka furnizuar dhe do të vazhdojë të furnizojë tregun ndërbankar me sasinë e duhur të likuiditetit.

E kam përmendur edhe herë të tjera: Asgjë nuk vjen falas! Me këtë pohim dua t'i vë theksin të menduarit në perspektivë, që ka karakterizuar vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë këto vitet e fundit. Këtu nuk kam parasysh vetëm stabilitetin e çmimeve por edhe sfidën më të madhe të momentit: Stabilitetin e sistemit bankar. Këshilli Mbikëqyrës, në mënyrë të vazhdueshme ka modifikuar bazën rregullative duke krijuar stimuj për një kredidhënie gjithnjë e më cilësore, ndërkohë që të tjera vendime kanë synuar domosodshmërinë: për më shumë transparencë të sistemit bankar ndaj publikut, për një kontroll të brendshëm më efektiv si dhe për një qeverisje dhe administrim më të mirë.

Pavarësisht çka thashë më sipër, në këto momente rëndësi të dorës së parë merr e ardhmja. Për shumë arsye që i kam përmendur edhe më parë, në kontekstin global, fundi i vitit 2008 dhe pjesa më e madhe e 2009-ës, do të jetë i vështirë, i ngarkuar me sfida dhe shtigje, të panjohura më parë. Tejkalimi i krizës ekonomike në nivel botëror do të kërkojë kohën e vet. Zgjidhja e saj do të materializohet nëpërmjet ripërcaktimit të një sërë ekuilibrave të brendshëm dhe të jashtëm të ekonomive, riformatimit të shumë institucioneve mbikëqyrëse, ridizenjimit të kuadrit rregullator të mjaft segmenteve të tregut financiar.

E vendosur në këtë ambient të përgjithshëm, do të tingëllonte jo realiste ideja se ekonomia jonë e vogël, do t'i rezistonte pa asnjë konsekuencë këtij cunami global. Megjithatë, problemi është më kompleks. Sot nuk mjafton vetëm konstatimi i rreziqeve me të cilat mund të përballemi potencialisht. Mendoj, që sot, për të gjithë ne, prioritet mbetet ideimi dhe zbatimi i masave parandaluese dhe kuruese, të cilat do të zvogëlonin shkallën e materializimit të këtyre rreziqeve. Kur them ne, kam parasysh shtetin, me tërësinë e institucioneve dhe mekanizmave të tij.

Sfida jonë e madhe, e bankës qendrore, e sistemit bankar, e qeverisë, e autoriteteve të tjera vendimmarrëse dhe zbatuese, e komunitetit të biznesit dhe e publikut në përgjithësi, është mbajtja në nivele të pandryshuara e kërkesës agregate, potencialeve prodhuese dhe burimeve financiare në ekonomi. Kjo është një çështje me rëndësi kombëtare.

E thënë ndryshe: si do të mbajmë ekonominë reale në punë; si do të bëjmë të mundur që aktiviteti ekonomik të mos tkurret; si do të bëjmë që biznesi juaj të vazhdojë të ruajë të njëjtat ritme; si do të bëjmë që vendet e punës të vazhdojnë të shtohen e jo të pakësohen. Kjo të nderuar pjesëmarrës, quhet qëndrueshmëri në rritjen e aktivitetit ekonomik të vendit. Në emër të institucionit që unë drejtoj, do të doja t'ju siguroja se Banka e Shqipërisë, si një nga autoritetet me peshë në vendimmarrjen ekonomiko - financiare të vendit, mbetet plotësisht e angazhuar në këtë drejtim.

Koha sot bën apel që të gjitha strategjitë e zhvillimit, politikat ekonomike, masat, rregullat duhet t'i nënshtrohen një analize të rreptë kosto dhe përfitim. Në këtë kontekst, kriza edhe pse ende jo e konturuar plotësisht, tashmë na i ka dhënë leksionet e para. Mendimi im është që, autoritetet publike dhe private, t'i vlerësojnë këto leksione si oportunitete të së ardhmes. Nga gabimet mësohet për t'i shërbyer më mirë perspektivës. Gjykoj se duhet ta shohim të ardhmen nga një optikë optimiste dhe njëkohësisht, qëndrimi të jetë realist dhe konseguent.

Sot ka ardhur koha që Shqipëria të fillojë të prodhojë të mira materiale dhe sigurisht, më shumë shërbime se më parë. Megjithë progresin e admirueshëm në këtë drejtim, vlerësoj se hendeku për t'u plotësuar është ende i madh. Bujqësia dhe industria mbeten ende dy degë të rëndësishme që operojnë larg potencialit të tyre. Po kështu, edhe sektorët e tjerë, të gjallëruar gjatë viteve të tranzicionit kanë nevojë për më shumë orientim dhe rregullim. Këto masa, do të bëjnë të mundur një diversifikim më të mirë të ekonomisë shqiptare, duke shtuar qëndrueshmërinë e saj me kalimin e kohës. Sfida të tjera mendoj se kanë të bëjnë me pozicionin e jashtëm të vendit, duke nënkuptuar zbutjen e deficitit të llogarisë korente dhe sigurimin e burimeve alternative të hyrjeve valutore.

Për këtë arsye, mendoj se roli i shtetit duhet të theksohet më tepër, jo vetëm në drejtim të kompletimit të bazës ligjore dhe asaj rregullative por edhe përsa i takon përfundimit të një sërë reformave të rëndësishme strukturore, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me tokën, me titujt e pronësisë, reformën e pensioneve, me mbështetjen më të mirë të biznesit të vogël dhe atij të mesëm, me përmirësimin e mëtejshëm të ambientit të biznesit dhe me përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës kombëtare. Përforcimi i mëtejshëm i rrjetave të sigurisë, në kontekstin e një pozicioni të qëndrueshëm fiskal dhe financiar, është një detyrim, përmbushja e të cilit do të ulte rrezikun real dhe atë të perceptuar të ekonomisë shqiptare, duke nxitur rritjen e investimeve të brendshme dhe të huaja. Mendoj se ka ardhur momenti që buxheti i shtetit të bëjë pjesë të projekteve strategjike të investimit, sipërmarrësit privatë nëpërmjet programeve të përbashkëta të financimit.

Një rol shumë i rëndësishëm i takon edhe sistemit bankar. Kredia bankare ka luajtur një rol kyç për zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo ka qenë burim fitimi për biznesin tuaj dhe për rrjedhim, mendoj se ajo duhet të jetë e tillë edhe në të ardhmen. Në kontaktet me homologët respektivë, këto kohët e fundit si dhe në takimet e ndryshme me drejtues të lartë të selive qendrore të bankave të huaja, kam parashtruar me realizëm situatën ekonomike të vendit si dhe kam kërkuar që interesimi i tyre për ekonominë shqiptare të mbetet i pandryshuar.

Duke shfrytëzuar natyrën e këtij aktiviteti, përfitoj nga rasti t'i drejtohem edhe sipërmarrësve shqiptarë. Ju duhet të vazhdoni të jeni aktivë dhe të fokusuar në ideimin dhe zbatimin e planeve tuaja të biznesit për të ardhmen. Kjo do të ishte rruga e vetme që ju të qëndroni të kapitalizuar, fitimprurës dhe të besueshëm nga sistemi bankar. Në kushtet aktuale ekonomike, sipërmarrja private duhet të jetë nxitës dhe promotor, si në ideimin e projekteve strategjike të brendshme, rajonale dhe më gjerë, ashtu dhe procesin e zbatimit të tyre. Ekzistojnë të gjitha kushtet që biznesi të dalë përtej kufijve zyrtarë të rajonit, duke u bërë në këtë mënyrë një faktor për sigurimin e një aktiviteti të qëndrueshëm rajonal, që do të thotë dhe një integrim real drejt standardeve të synuara.

Në përfundim, dëshiroj të theksoj se vendet e vogla, si Shqipëria, duhet të jenë optimiste, fleksibël dhe të adoptueshme për t'u bërë sfiduese. Vetëm në këtë mënyrë ato do të jenë të afta të lundrojnë në ujërat ndërkombëtare.

Ju faleminderit.