BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë , z. Ardian Fullani, në konferencën “Forcimi i lidhjeve në Evropën-Juglindore. Ankorat politike dhe perspektivat e biznesit”, 19 shtator 2013

Data e publikimit: 19.09.2013

 

I nderuar z. Kryeministër,

Të nderuar miq nga Universiteti i Oksfordit

Të nderuar zonja dhe zotërinj të trupit diplomatik, akademikë dhe të ftuar.

Kam kënaqësinë dhe nderin e veçantë të hap këtë konferencë të përbashkët të Bankës së Shqipërisë dhe Universitetit të Oksfordit, mbi forcimin e lidhjeve ndërmjet ekonomive të rajonit tonë. Tre vite më parë, në shtator të vitit 2010, ftuam Universitetin e Oksfordit të mbështeste diskutimin akademik të Bankës së Shqipërisë mbi modelin e rritjes ekonomike dhe karakterin e tij rajonal. Në atë moment pati edhe keqinterpretime të këtij debati, si një diskutim mbi përparësinë e sistemit të ekonomisë së tregut dhe të filozofive alternative të organizimit ekonomik të një shoqërie. Megjithatë, tre vjet më vonë, të gjithë konstatojmë se modeli i rritjes ekonomike është kthyer në temën qendrore të debatit akademik dhe ekonomiko-politik.

Prej një periudhe disa vjeçare ekonomia jonë është nën ndikimin e krizës globale,  i shprehur kryesisht në ngadalësimin e aktivitetit ekonomik. Ai ka frenuar investimet dhe kreditimin e ekonomisë, duke çuar njëkohësisht në përkeqësimin e bilanceve të sektorit publik e atij privat.

Me gjithë këto zhvillime, ekonomia shqiptare ka arritur të ruaj stabilitetin e çmimeve dhe ekuilibrat e përgjithshëm makroekonomik e financiar të vendit. Sistemi financiar shqiptar ka treguar një shkallë të lartë imuniteti. Pavarësisht ngadalësimit të rritjes ekonomike, ai mbetet në tërësi, likuid, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës, duke pasqyruar punën e kujdesshme të Bankës së Shqipërisë në vitet që i paraprinë dhe gjatë krizës.

Politikat e kujdesit të Bankës së Shqipërisë, por edhe reagimi i sektorit bankar, mundësuan që sistemi të mos përballej me probleme ekstreme, të cilat do të kërkonin përdorimin e fondeve publike. Mos harrojmë që në Shqipëri kemi të pranishme grupe bankare nga vende të Bashkimit Evropian që u preken thellë nga kriza. 

Banka e Shqipërisë, gjatë punës së saj ka patur në qendër të vëmendjes,qëndrueshmërinë e sektorit bankar  , si në drejtim të stabilitetit financiar e mbikëqyrjes bankare, ashtu dhe në atë të politikes monetare dhe administrimit të likuiditetit.

Banka e Shqipërisë është përpjekur të jetë proaktive dhe t'u paraprijë problemeve, duke përshtatur veten dhe rolin e politikave te saj në përputhje me zhvillimet globale dhe situatën në tregun e brendshëm.

Situata e paqartë ekonomike e financiare globale, ka diktuar në vazhdimësi nevojën për të ridimensionuar rolin e institucioneve, përfshirë dhe atë të bankës qendrore. Aktualisht, bankat qendrore u janë drejtuar masave makroprudenciale, sepse mekanizmat tradicionalë të transmetimit të politikës monetare po vuajnë prej bilanceve të rënduara të agjentëve ekonomikë, publikë e privatë. Për të koordinuar më mirë këtë rol dhe për të monitoruar më mirë ekonominë, bankat qendrore në botë po e mbështesin politikën e tyre monetare me ndërmarrjen e masave të nevojshme makroprudenciale. Këto zhvillime globale e gjejnë Bankën e Shqipërisë të përgatitur dhe me përvojën e nevojshme. Ajo ka një strukturë të ngjashme me  atë që  po adaptohet nga Banka Qendrore Evropiane dhe bankat e tjera qendrore të vendeve te zhvilluara. Për më tepër, Banka e Shqipërisë ka tashmë një eksperiencë disa vjeçare dhe të suksesshme në përdorimin e masave kundërciklike, si një mënyrë për menaxhimin e ekuilibrit makroekonomik e financiar të vendit.

Pa dashur t’i radhisë të gjitha, dëshiroj të veçoj ndryshimin e koeficienteve të rrezikut për të kontrolluar zgjerimin e kreditimit në valutë dhe vendosjen e limiteve në raportet kredi  ndaj kolateralit për të kontrolluar shkallën e borxhit në ekonomi.

Një nga mësimet më të rëndësishme të krizës botërore është se trajtimi në mënyrë të pavarur i çështjeve të stabilitetit monetar (do me thënë i qëndrueshmërisë së çmimeve) dhe  të stabilitetit financiar, jo vetëm që nuk është një zgjidhje optimale por është e prirur të prodhojë kriza. Ekonomia funksionon si një mekanizëm kompleks, me ekuilibra shpesh të brishtë e të ndërvarur, i cili nuk respekton kufijtë e ndarjeve institucionale të përgjegjësive. Për çdo ekonomi ka vetëm një normë interesi, ka vetëm një masë kritike të ndërmjetësimit financiar dhe një ekuilibër të brishtë të bilanceve të sektorit financiar që garanton zhvillimin e qëndrueshëm e afatgjatë të vendit. Harmonizimi i këtyre tre objektivave është kusht i domosdoshëm për ruajtjen e ekuilibrit financiar të ekonomisë. Rrjedhimisht identifikimi dhe harmonizimi i tyre nën një çati të përbashkët vlerësohet si zgjidhja optimale për të garantuar stabilitetin ekonomik e financiar të vendit. Për këtë arsye, një nga praktikat më të ndjekura  për rregullimin institucional të paskrizës është jo thjesht unifikimi i mbikëqyrësve të sistemit financiar, por integrimi institucional i tyre me rolin dhe funksionet e tjera të bankës qendrore.

***

I nderuar z. Kryeministër,

Të nderuar pjesëmarrës,

Në mënyrë të pakontestueshme, në afat të gjatë, rritja ekonomike e një vendi përcaktohet nga fuqia e tij punëtore dhe shkalla e kualifikimit të saj;  produktiviteti, teknologjia dhe aftësia e tij për inovacion; si dhe nga shkalla e akumulimit të kapitalit, e cila në vetvete reflekton si preferenca sociale ashtu edhe stimujt fiskalë dhe shkallën e zhvillimit të sistemit financiar. Të tre këta grupe faktorësh kushtëzohen nga struktura ekonomike e një vendi dhe nxitja e stimulimi i tyre realizohet nëpërmjet reformave strukturore. E ritheksoj se, në afat të gjatë, rritja ekonomike përcaktohet vetëm nga reformat strukturore dhe nga shkalla e konkurrencës së ekonomisë sonë kundrejt partnerëve tregtarë, dhe kundrejt tregut botëror. Nga ana tjetër, detyra e politikave fiskale e monetare është të evitojnë devijimet afatshkurtra të ekonomisë nga ky trend afatgjatë dhe të krijojnë një ambient të qëndrueshëm për zhvillimin ekonomik e financiar të vendit.

Ekonomia shqiptare ka nisur tashmë rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ky proces ka si rezultat final rritjen e mirëqenies ekonomike, por ai nënkupton edhe integrimin e plotë në zinxhirët tregtarë, industrialë e financiarë, si dhe adoptimin një filozofie të vetme të menaxhimit ekonomik, një praktikë të vetme  rregullatore e institucionale, dhe pranimin e rregullave të harmonizuara të lojës në të gjithë hapësirën evropiane.

Në këtë kontekst dua të theksoj dy momente kryesore:

  • Së pari, procesi i integrimit evropian duhet të jetë ankora jonë më e fortë e reformave strukturore, qofshin këto ligjore, rregullative, institucionale, infrastrukturore apo politike. Natyrisht që Shqipëria ka shumë për të bërë dhe veçoritë e ekonomisë sonë lejojnë gjithë hapësirat e duhura për kalibrimin e këtyre modeleve në përshtatje me avantazhet krahasuese dhe nevojat parësore të vendit. Por, besoj se do të ishte e dobishme që të gjithë këto reforma të integroheshin në këtë vizion unik integrimi.
  •   Së dyti, biznesi shqiptar duhet të bëjë më shumë për të nxitur procesin e integrimit. Ai duhet të jetë më aktiv në adoptimin e teknologjive dhe proceseve prodhuese e menaxhuese të përparuara.

Po kështu, edhe sektori financiar ka vend të jetë më vizionar në politikat e prioritetet e tij të shpërndarjes së burimeve financiare, si dhe të punojë më shumë për nxitjen e tërheqjes së investitorëve të huaj dhe vendosjen e urave të bashkëpunimit me biznesin lokal.

Gjykoj se me të drejtë kemi theksuar se integrimi rajonal është një hap i domosdoshëm që duhet t’i paraprijë integrimit evropian. Ekonomitë e rajonit janë të vogla në terma krahasuese me partnerët tanë tregtarë, por krijimi i zonave të unifikuara në terma të tarifave doganore, sistemeve ligjore e praktikave juridike, integrimit financiar dhe politikave zhvillimore, krijon nxitjen e duhur për thithjen e investimeve të huaja dhe rrit fuqinë tonë negociuese me partnerët ndërkombëtarë.

***

Në mbyllje të fjalës sime, dëshiroj të ri-theksoj se Banka e Shqipërisë e shikon stabilitetin ekonomik e financiar të vendit si një kusht të domosdoshëm për një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Tashmë kjo nuk është më një çështje teorike e disiplinimit të sjelljes së politikës ndaj ekonomisë apo diskutim mbi respektimin e barazisë midis brezave, por një mësim i hidhur nga kriza e fundit dhe një realitet i prekshëm për shumë vende të Eurozonës. Ne i kemi ftuar në vazhdimësi të gjithë politikëbërsit dhe agjentët ekonomikë në vend të bëhen pjesë e këtij vizioni.

Si autoriteti monetar i vendit, i mandatuar për të garantuar stabilitetin e çmimeve në vend, ne kemi punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë për t’i dhënë vendit një mjedis me inflacion të ulët. Ky ambient rrit garancinë e kursimtarëve dhe të investuesve në planet e tyre afatgjata dhe mundëson zhvillimin e sistemit financiar. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë është një politikë moderne, e cila bazohet në parimet më të avancuara të bankingut qendror dhe përdor një kuadër instrumentesh, e një aparat komunikimi në linjë me praktikat e BQE-së. Angazhimi i Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve është ylli polar i punës sonë. Hartimi dhe zbatimi në mënyrë të pavarur i politikës monetare, ekskluzivisht në funksion të stabilitetit të çmimeve, është një nga ankorat e brendshme të ekonomisë shqiptare, e cila duhet të ruhet e të forcohet më tej.

Paralelisht me të, Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare ka nevojë edhe për dy ankora të tjera: stabiliteti financiar dhe qëndrueshmëria fiskale.

Funksioni jonë rregullues e mbikëqyrës i sistemit bankar, i cili përbën dhe rreth 95% të sistemit financiar në Shqipëri, ka qenë i suksesshëm në garantimin e stabilitetit financiar të vendit. Edhe ky funksion është zhvilluar dhe kryhet në linjë me praktikat më të mira botërore, në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucione homologe apo partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Mundësia për të patur një vizion të integruar të zhvillimeve ekonomike e financiare, si dhe mundësia për të kombinuar, por jo përzierë politikën monetare me masat makroprudenciale, ka rritur efektivitetin e aksionit të Bankës së Shqipërisë. dhe ka ndihmuar në përmbushjen më të mirë të dy objektivave individualë të stabilitet financiar dhe të stabilitetit të çmimeve. Ky rregullim institucional, i cili është provuar efektiv dhe është në përputhje me tendencat më të fundit në rang botëror, duhet të vazhdojë të funksionojë si një ankorë e dytë e politikave të brendshme ekonomike.

Së fundi, Banka e Shqipërisë gjykon se Shqipëria duhet të ketë sa më shpejt një rregull fiskal, jo vetëm të qartë e transparent, por edhe efektiv në disiplinimin e politikës fiskale dhe në ruajtjen e besimit të tregjeve financiare ndaj shëndetit të financave publike.

Kjo ankorë e tretë do të plotësonte kuadrin e ankorave të brendshme të politikave ekonomike. Së bashku me bashkëpunimin e ngushtë me institucionet financiare ndërkombëtare, ajo do të mundësonte një kuadër konsistent dhe transparent për zhvillimin e vendit. Garantimi i likuiditetit dhe aftësisë paguese të ekonomisë shqiptare përmes partnershipeve dypalëshe dhe shumëpalëshe  është prioriteti i politikave të bankës qendrore. Ky vizion dhe partneritet duhet të bëhet boshti i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kombëtare.