BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në konferencën e përbashkët për shtyp të Ministrisë së Financave, BSh-së dhe FMN-së në përfundim të konsultimeve për Nenin IV dhe Misionit të Rishikimit të Marrëveshjes PRGF-EFF në Shqipëri.

Data e publikimit: 14.05.2008

 

Gjatë dy javëve të fundit Banka e Shqipërisë ka qenë pjesë e negociatave që autoritetet shqiptare kanë zhvilluar me Misionin e FMN-së, në kuadër të rishikimit të rradhës së marrëveshjes të Shqipërisë me FMN-në. Diskutimet janë përqendruar në vlerësimin e kushteve dhe disa prej problemeve të shfaqura në ekonominë tonë këto kohët e fundit.

Përfitoj nga rasti të theksoj se në tërësi ndajmë të njëjtin vlerësim për periudhën e kaluar, për shkaqet si dhe për kahun nga janë zhvendosur rreziqet në të ardhmen e afërt.

Në lidhje me situatën e përgjithshme makroekonomike, Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia vazhdon të gëzojë një ekuilibër të qëndrueshëm. Sipas vlerësimeve të para, prodhimi i përgjithshëm pritet të rritet në të njëjtin nivelin me atë të vitit 2007. Ajo që përbën interes lidhet me reagimin e prodhimit bujqësor, veçanërisht në kontekst të stimujve të shumtë që ofrojnë çmimet e rritura të produkteve bujqësore.

Ndërprerja e kufizimeve masive dhe të gjata të furnizimit të energjisë ka influencuar pozitivisht procesin e prodhimit dhe të konsumit, në krahasim me gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Megjithatë, ashtu si dhe në të kaluarën, energjia vazhdon të mbetet një problem delikat, një nga rreziqet kryesore për aktivitetin ekonomik të vendit.

Gjatë 4 muajve të parë të vitit 2008, ka vazhduar presioni i ambientit të jashtëm në ekonominë vendase, i shfaqur kryesisht në rritjen e vazhduar të çmimeve të mallrave ushqimorë, të çmimeve të lëndëve të para dhe të çmimeve të naftës.

Inflacioni vjetor në fund të muajit prill 2008 u ndal në nivelin 4.4 për qind, duke tejkaluar me rreth 0.4 pikë përqindjeje kufirin e sipërm të intervalit 3+/-1 %, të synuar nga Banka e Shqipërisë. Kjo shifër në vetvete pasqyron kontributin e grupit të ushqimeve të përpunuara dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike, në muajin mars 2008. Rritja e fundit e çmimit të energjisë elektrike ka kontribuar me 0.7 pikë përqindjeje.

Mbështetur në parashikimet afatshkurtra, rezulton se inflacioni do të vazhdojë të luhatet në nivelet aktuale edhe gjatë muajve në vazhdim, duke arritur në fund të vitit 2008 pak më poshtë se niveli i sipërm i zonës objektiv, të synuar prej Bankës së Shqipërisë.

Gjatë muajve të parë të vitit 2008, zhvillimet fiskale dëshmojnë për një ecuri të kënaqshme të grumbullimit të të ardhurave buxhetore.

Një zhvillim tjetër që kërkon vëmendje të veçantë ka të bëjë me thellimin e deficitit të llogarisë korente. Të dhënat e vitit të kaluar e mbështesin këtë shqetësim. Aktiviteti tregtar i vendit me pjesën tjetër të botës, për muajt e parë të vitit 2008, dëshmon për një ritëm të qëndrueshëm nga ana e eksporteve, i cili gjithsesi është i pamjaftueshëm për të ekulibruar efektin e importeve të rritura, nga ana tjetër.

Duke u ndalur në zhvillimet e së ardhmes, Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet nga ana e ofertës janë ende në kahun rritës dhe mbizotërojnë ndaj atyre nga krahu i kërkesës.

Zhvillimet e fundit në tregjet ndërkombëtare si dhe ato të pritshme lënë të hapur mundësinë për zhvillime të reja në këtë drejtim. Mallrat ushqimorë, lëndët e para por veçanërisht nafta dhe nënproduktet e saj po njohin rritje të pandalshme në tregun ndërkombëtar.

Megjithatë, rreziqet janë të vendosura edhe nga krahu i kërkesës dhe më së shumti, lidhen me zgjerimin e shpejtë të kredisë për ekonominë. Rëndësi e veçantë i duhet kushtuar edhe masave të mundshme që autoritetet mund të ndërmarrin për të zbutur efektin e rritjes së çmimeve të mallrave ushqimorë. Në këtë drejtim Banka e Shqipërisë gjykon të arsyeshme që të adoptohen masa që mundësojnë financimin e drejtpërdrejtë të njerëzve në nevojë.

Kjo nënkupton, skema apo programe të caktuara publike të mbështetjes së kategorive më të varfra të popullatës. Çdo masë e natyrës tjetër subvencionuese apo e rritjes së pagave, duhet të jetë e studiuar mirë për të shmangur efektet anësore të natyrës së raundit të dytë dhe nxitjen e një cikli të ri inflacionist ( ku çmimet rrisin pagat dhe pagat rrisin çmimet).

Një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe pritjeve inflacioniste, të cilat deri në këtë moment kanë qenë të ankoruara më së miri rreth nivelit të synuar prej Bankës së Shqipërisë. Orientimi i mëtejshëm i këtyre pritjeve është një sfidë e vërtetë, e cila ndërthur kombinimin e shumë masave. Por midis tyre do të veçoja, komunikimin e vazhdueshëm për këtë problem, sqarimin e të gjithë procesit të inflacionit dhe rolin e politikës monetare. Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të bëjë publik në mënyrë të vazhdueshme bilancin e rreziqeve në ekonomi, duke shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për të reaguar në mënyrë proaktive, në përputhje me rrethanat dhe kushtet e momentit.

Banka e Shqipërisë, si autoriteti monetar i vendit është maksimalisht e përkushtuar për të marrë vendimet e duhura. Kjo në përputhje me zhvillimet e faktuara dhe veçanërisht, duke vlerësuar mundësinë e materializimit të zhvillimeve të pritshme.

Objektiv themelor mbetet ankorimi afatgjatë i pritjeve inflacioniste drejt nivelit të synuar si dhe qëndrueshmëria e stabilitetit financiar të sistemit bankar.