BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në konferencën e përbashkët për shtyp të misionit të FMN-së me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë

Data e publikimit: 27.10.2009

 

Fillimisht do të dëshiroja të falenderoja misionin e FMN-së dhe veçanërisht shefin e tij, z. Gerwin Bell, për punën e madhe që kanë kryer javën e fundit.

Kjo vizitë e radhës e FMN-së, në kuadrin e konsultimeve për Artikullin IV, përkon me një periudhë ende të vështirë përsa i takon presioneve që gjeneron kriza e madhe, që ka përfshirë ekonominë botërore që nga viti i kaluar.

Me kënaqësi kemi konstatuar se Banka e Shqipërisë ndan vlerësime të njëjta për shumë nga zhvillimet që ka kaluar ekonomia shqiptare në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009. Përfitoj nga rasti që edhe njëherë të theksoj konkluzionin e artikuluar prej kohësh: (1) se ekonomia shqiptare dhe sistemi i saj financiar treguan një shkallë të kënaqshme rezistence, dhe (2) se politikat e ndërmarra nga të dy autoritetet, si nga Banka e Shqipërisë ashtu edhe nga ana e Ministrisë së Financave, kanë rezultuar të dobishme në krijimin dhe përcjelljen e stimujve të duhur në drejtim të stabilitetit financiar dhe aktivitetit ekonomik të vendit.

Duke u ndalur më konkretisht në politikën monetare të Bankës së Shqipërisë, dua të vlerësoj se ajo ka qenë e matur përgjatë gjithë kësaj periudhe, duke reflektuar me kujdes mbi zhvillimet e fundit makroekonomike, mbi zhvillimet në sistemin bankar dhe pritshmëritë e agjentëve. Pjesë e këtij kujdesi kanë qenë edhe taktikat e përdorura prej Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë me synim shtimin e injektimit të likuiditetit në sistem.

Gjithsesi, duke kthyer vështrimin në horizontin afatshkurtër dhe atë afatgjatë, do të doja që shkurtimisht të ndalesha në dy – tre çështje, të cilat Banka e Shqipërisë ka vendosur të ketë në axhendën e saj të prioriteteve, për muajt që vijnë.

Së pari, do të doja të theksoja edhe një herë një idenë time të lançuar në Forumin e Tretë të Bankës së Shqipërisë me sistemin bankar, në lidhje me zhvendosjen e ekonomisë drejt një ekuilibri të ri të ndryshëm nga ai i parakrizës. Ky është një argument që po mbizotëron debatin e ditës dhe personalisht mendoj se duhet ta faktorizojmë këtë konkluzion në projeksionet tona makro të zhvillimit të vendit për vitet që vijnë.

Së dyti, Banka e Shqipërisë vlerëson të domosdoshme për periudhën në vijim një kujdes dhe vigjilencë financiare në rritje. Kjo do të nënkuptonte një forcim të mëtejshëm të stabilitetit makrofinanciar, veçanërisht në harmonizimin më të mirë të dy politikave bazë në ekonomi, për të vazhduar stimulimin e domosdoshëm të aktivitetit ekonomik të vendit.

Së treti, do të vlerësoja si shumë të rëndësishme vazhdimësinë e kreditimit të ekonomisë, thithjen e investimeve të huaja si dhe thellimin e reformave strukturore. Banka e Shqipërisë është e angazhuar në sigurimin e stabilitetit afatgjatë të çmimeve dhe për këtë qëllim, vendimmarrja e saj do të vazhdojë të jetë e ankoruar me këtë objektiv ligjor të saj. Në kushtet e një realiteti të ri, post-krizë, nuk do të heqim vëmendjen nga proceset strukturuese të ekonomisë për të përshtatur më tej ekonominë shqiptare në përballjen e efekteve post-krizë dhe për ta kthyer atë në një ekonomi vibrante, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.