BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në konferencën e përbashkët për shtyp të misionit të FMN-së me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë

Data e publikimit: 02.10.2012

 

Të nderuar gazetarë,

Sikurse jeni në dijeni, gjatë dy javëve të fundit janë zhvilluar bisedime intensive midis përfaqësuesve të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtarë (FMN) dhe autoriteteve shqiptare. Banka e Shqipërisë , si një aktor kyç në hartimin dhe zbatimin e politikave makroekonomike të vendit,  mori pjesë aktivisht  në këto diskutime, duke ndarë vizionin e saj mbi zhvillimet aktuale e të pritura të ekonomisë shqiptare, problematikat e zhvillimit dhe masat optimale për trajtimin e tyre.

Ekonomia shqiptare është duke u përballur gjithnjë e më shumë me sfidën e rritjes ekonomike. Ndonëse  ekonomia shqiptare gjendet në kushtet e një stabiliteti të konsoliduar makroekonomik dhe në prani të themeleve të shëndosha financiare, kërkesa agregate ka qenë e zbehtë, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2012. Kërkesa e brendshme dhe ajo e huaj vuajnë nga pasiguria e lartë, nga kushte relativisht të shtrënguara të financimit dhe nga hapësirat e pakta për politika stimuluese diskrecionare. Në kontekstin ndërkombëtar, ekonomia shqiptare është përballur me një ambient të vështirë të ekonomisë botërore, të karakterizuar nga probleme të rritjes ekonomike, nga prime të larta të rrezikut në tregjet financiare dhe nga ulja e oreksit të këtyre tregjeve për të investuar në vendet në zhvillim. Në kontekstin e brendshëm, ekonomia vijon të përballet me një nivel relativisht të ulët konsumi dhe investimesh private, si dhe me një stimul të munguar të sektorit publik, si pasojë e orientimit në rritje të politikës fiskale drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë afatgjatë të borxhit publik.

Në prani edhe të goditjeve të përkohshme të ofertës, këto faktorë u përkthyen në një rritje ekonomike negative në tremujorin e parë të vitit. Sipas vlerësimeve tona, pjesa e mbetur e vitit ka shënuar një përmirësim të kërkesës agregate dhe të aktivitetit ekonomik, duke sjellë një rritje ekonomike pozitive për vitin 2012. Megjithatë, kjo rritje mbetet krahasimisht e ulët dhe e pamjaftueshme për të siguruar shfrytëzim të plotë të kapaciteteve prodhuese në ekonomi. Ajo ka kushtëzuar presione të ulëta inflacioniste gjatë vitit 2012 dhe është reflektuar në përmirësimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë shqiptare.

Nga ana tjetër, sistemi bankar dhe financiar i vendit mbetet i shëndetshëm. Bankat që operojnë në Shqipëri karakterizohen nga nivele të kënaqshme likuiditeti dhe kapitali, duke qenë të afta të zhvillojnë funksionin e ndërmjetësit financiar. Treguesit e transaksioneve dhe të rrezikut të perceptuar në tregjet financiare janë gjithashtu në përmirësim.   Pas luhatjeve të gjashtëmujorit të parë të vitit, normat e interesit në këto tregje kanë filluar të kenë tendenca rënëse.

Në rrethanat që përmenda më sipër, politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka marrë trajta gjithnjë e më stimuluese. Sikurse jeni në dijeni, gjatë vitit të fundit ne kemi lehtësuar në vazhdimësi kushtet monetare nëpërmjet pesë uljeve të njëpasnjëshme të normës bazë të interesit dhe si rrjedhojë kostoja e parasë në ekonomi ka zbritur në nivelin më të ulët historik. Gjithashtu, nëpërmjet operacioneve tona monetare,  kemi furnizuar sistemin bankar me likuiditetin e nevojshëm për zhvillimin normal të aktivitetit të tij. Së fundi, nëpërmjet rishikimit të normave rregullative dhe zbatimit të një mbikëqyrjeje të kujdesshme të sistemit bankar, ne kemi synuar dhe kemi arritur të krijojmë një ambient të qëndrueshëm financiar për zhvillimin afatgjatë të vendit. Rritja e besimit të publikut në sistemin bankar është shoqëruar me rritje të shpejtë të depozitave bankare, duke reduktuar ndjeshëm varësinë e tij ndaj financimit të huaj afatshkurtër. Të gjitha këto nisma, natyrisht të koordinuara me politika të tjera, kanë rezultuar efektive. Inflacioni mbetet i ulët dhe nën kontroll, pritjet inflacioniste janë të ankoruara, ambienti makroekonomik shfaqet i qëndrueshëm dhe stabiliteti financiar është konsoliduar më tej.

Duke u kthyer nga e ardhmja, Banka e Shqipërisë mendon se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të përballet me problemet e sipërcituara edhe gjatë vitit 2013 e në vazhdim. Ndonëse në përmirësim, aktiviteti ekonomik pritet të mbetet poshtë potencialit, duke u shoqëruar me presione të ulëta inflacioniste dhe duke krijuar premisa për ruajtjen e kushteve monetare stimuluese edhe në të ardhmen. Gjithashtu, projeksionet tona, sugjerojnë se balancat e jashtme të ekonomisë pritet të vijnë në përmirësim. Nga ana tjetër, ritmet e ngadalta të rritjes ekonomike mund të krijojnë presione mbi treguesit e qëndrueshmërisë së borxhit, nëse ato nuk njihen dhe faktorizohen si duhet prej vendimmarrjes fiskale.

Në opinionin e Bankës së Shqipërisë, rikuperimi i ritmeve të rritjes do të kërkojë kombinimin e stimulimit ciklik të ekonomisë me marrjen e masave strukturore që zgjerojnë potencialin e rritjes.

Në aspektin ciklik, Banka e Shqipërisë gjykon se politikat makroekonomike kanë natyrën e duhur stimuluese. Në mungesë të hapësirave, politika fiskale duhet të vijojë të jetë e orientuar drejt qëndrueshmërisë afatgjatë të treguesve të borxhit, ndërkohë që stimuli monetar pritet të transmetohet më i plotë në periudhën e ardhshme. Ne vijojmë të theksojmë mesazhin tonë se biznesi dhe konsumatori duhet të kenë një qëndrim më realist mbi perspektivat e shëndosha të zhvillimit të vendit dhe të rishikojnë drejt rritjes planet e tyre të konsumit dhe të investimeve.

Në aspektin strukturor, ne mirëpresim të gjitha reformat dhe nismat të cilat ndihmojnë potencialin e rritjes së vendit, nëpërmjet zhvillimit të infrastrukturës, përmirësimit të kuadrit ligjor, rritjes së produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, tërheqjes së investimeve të huaja, si dhe ruajtjes e përmirësimit të stabilitetit makroekonomik të vendit.

Banka e Shqipërisë është thellësisht e angazhuar në drejtimin e fundit. Kredoja e punës sonë do të vijojë të mbetet ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe krijimi i parakushteve për rritjen e stabilitetit financiar të vendit. Në këtë mënyrë, jemi të bindur se i bëjmë shërbimin më të çmuar rritjes dhe mirëqenies afatgjatë të ekonomisë shqiptare.