BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në konferencën rajonale organizuar me rastin e 10-vjetorit të Bankës Qendrore të Bosnje-Hercegovinës

Data e publikimit: 17.09.2007

 

Bashkëpunimi rajonal në Evropën Juglindore

I. Hyrje
Është një kënaqësi të jem i pranishëm këtu sot, për të qenë pjesë e këtij diskutimi mbi rritjen e bashkëpunimit rajonal. Kjo konferencë organizohet në vijim të veprimtarive të tjera të rëndësishme, në të cilat ne jemi mbledhur së bashku për të diskutuar tema të ngjashme. Të organizosh një aktivitet, në të cilin guvernatorët e të gjitha bankave qendrore mblidhen së bashku për të ndarë pikëpamjet e tyre dhe për të theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe thellimi i mëtejshëm nga ana e tyre e këtij dialogu institucional, janë dy gjëra tërësisht të ndryshme. Përmes kësaj konference, ne dëshmojmë angazhimin tonë dhe tregojmë se bashkëpunimi rajonal në vendet e Evropës Juglindore nuk është thjesht një slogan, por një proces real, me rezultate dhe fryte të vërteta.

II. Pse nevojitet ky bashkëpunim?
Në përgjithësi, natyra dhe veçoritë e çdo lloj bashkëpunimi marrin formë përmes problemeve më të rëndësishme, me të cilat përballen bankat qendrore. Për këtë arsye, shkalla e zhvillimit ekonomik, si dhe sfidat ekonomike dhe shoqërore me të cilat përballen ekonomitë tona, luajnë një rol të rëndësishëm në këtë bashkëpunim.

a. Sfidat e përbashkëta
Ndërsa mbarë rajoni duket se po përjeton stabilitet makroekonomik, problemet me të cilat përballen bankat qendrore në ditët e sotme janë mjaft të ngjashme me ato të partnerëve të tyre kryesorë. Dhe ç'është më e rëndësishmja, partnerët tanë janë të njëjtë. Të gjithë ne kemi pranuar të njëjtat sfida dhe kemi vendosur prioritete të ngjashme, të cilat konvergojnë në të njëjtët objektiva. Duke qenë se procesi i globalizimit të sektorit financiar po zhvillohet me ritme më të shpejta sesa pjesa tjetër e ekonomisë, ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe atij financiar, dhe sfida e integrimit evropian paraqesin probleme të ngjashme për mbarë rajonin. Mendoj që reformat strukturore janë sfida jonë kryesore për të ardhmen. Ndërtimi i një sistemi financiar të qëndrueshëm, përmirësimi i infrastrukturës financiare, zhvillimi dhe zgjerimi i tregjeve financiare përmes nismave të reja, përbëjnë bazën e këtij bashkëpunimi.

Kujtimet e ngjarjeve të fundit, të cilat tronditën tregjet financiare në hemisferën perëndimore dhe struktura e sistemit financiar që po zhvillohet në rajonin tonë (ku të njëjtat banka po bëhen aktoret kryesore në çdo vend), duhet të na bëjnë të ndërgjegjshëm për rreziqet e mundshme. Ato dëshmojnë, se çdo treg financiar është mjaft i ekspozuar ndaj fenomeneve negative, që mund të ndodhin në çdo ekonomi të rajonit tonë.

b. Rruga e përbashkët
Në këtë kontekst, shoh mundësi të mëdha për bashkëpunim dhe për koordinim të politikave në drejtim të shkëmbimit të informacionit, të ndërtimit institucional, të përmirësimit të infrastrukturës ligjore, si dhe të afrimit me strukturat evropiane. Përballja e këtyre problemeve në grup e jo të vetëm, do të sjellë përfitime dhe do të japë efektet pozitive të "ekonomive të shkallës". Ftoj gjithashtu, Bankën Qendrore Evropiane dhe Komisionin Evropian për të parë mundësinë e adoptimit të një trajtimi "në grup" për të gjithë rajonin e Evropës Juglindore, përmes zbatimit të një programi specifik për një grup të veçantë shtetesh.

Procesi i shkrirjeve dhe i blerjeve ka integruar sistemin financiar të rajonit në një treg më të madh evropian. Kjo nismë e komunitetit financiar kërkon nevojën e integrimit institucional, gjithashtu. Procesi i integrimit të bankave qendrore të rajonit në strukturat e duhura evropiane ndihmon në shmangien e ndërmarrjeve të nismave të padobishme, si dhe në krijimin e energjive pozitive.

Me këtë rast, i inkurajoj partnerët e huaj dhe agjencitë donatore që të ndjekin të njëjtën logjikë koordinimi, në procesin e hartimit dhe të zbatimit të asistencës teknike në fushat e integrimit dhe të ndërtimit institucional, si dhe në procesin e stabilitetit financiar. Ndjekja e këtyre hapave do të sjellë mjaft përfitime për rajonin, por ç'është më e rëndësishmja, ajo do të shmangë ndryshimet e mëdha ekonomike dhe shoqërore midis ekonomive tona, të cilat në periudhën afatgjatë, mbartin rrezikun e shndërrimit në një kërcënim serioz për stabilitetin e vendit.

Nga ana tjetër, zhvillimet e vendeve tona ndryshojnë në fusha të caktuara. Këtu gjithashtu, ka vend për bashkëpunim. Është një fakt, që ekonomitë tona kanë ndjekur hapa të ndryshëm në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe atij financiar. Vendet tona ndodhen në faza të ndryshme të procesit të integrimit. Është pikërisht për shkak të këtyre karakteristikave të ndryshme, që problemet e një vendi në rajon nuk janë kthyer në fenomene në vendet e tjera të Evropës Juglindore. Gjatë rrugës së tranzicionit, ekonomitë tona në momente të ndryshme, janë përballur me probleme specifike. Disa prej tyre janë:

• Kredia është ngulitur thellë në kulturën e disa ekonomive në rajon, ndërkohë që në disa të tjera, ajo ende mbetet një fenomen që po rritet në mënyrë të shpejtë.
• Disa prej vendeve tona kanë përjetuar flukse kapitali të larta hyrëse, ndërkohë që disa ekonomi të tjera, presin që këto flukse kapitali të larta të jenë të pranishme në të ardhmen.
• Disa vende kanë fiksuar vlerën e monedhës vendase me atë euro, ndërkohë që disa të tjera ende s'e kanë bërë këtë.

Për pjesën tjetër të rajonit, është mjaft e rëndësishme të kuptohet se cilat ishin arsyet për zgjedhjen e këtyre rrugëve të ndryshme. Cili ishte reagimi i autoriteteve ndaj këtyre problemeve? Çfarë duhet pritur? Për shkak të këtyre rrugëve të ndryshme që kemi ndjekur dhe natyrës së ndryshme të problemeve me të cilat përballet çdo ekonomi, pozicioni ynë në kurbën e njohjes dhe të përvojës është i ndryshëm. Përvoja e fituar gjatë kësaj periudhe të ekzistencës mund të na mësojë mjaft dhe unë besoj, që kjo njohuri dhe përvojë duhet të shkëmbehet midis vendeve.

c. Arritjet e përbashkëta
Ne kemi arritur të vendosim një linjë komunikimi midis guvernatorëve të bankave qendrore të rajonit. Në këtë drejtim, kam vënë re se ata gjithmonë kanë shprehur entuziazmin e tyre për thellimin e bashkëpunimit rajonal. Jam gjithashtu i lumtur të shpreh, se gjatë kontakteve të mia me organizatat ndërkombëtare, ato kanë vlerësuar mjaft këtë bashkëpunim dhe kanë premtuar mbështetjen e tyre në zgjidhjen e problemeve specifike, që karakterizojnë zhvillimin financiar dhe ekonomik të rajonit tonë. Gjej rastin të falenderoj kolegët e mi (duhet të them miqtë e mi) dhe institucionet që ata përfaqësojnë, për përpjekjet dhe kontributet e mëdha që kanë dhënë në disa veprimtari të rëndësishme të organizuara ose që priten të organizohen nga Banka e Shqipërisë në fushën e stabilitetit financiar, të vendimmarrjes së politikës monetare, të administrimit të rezervës valutore dhe të kërkimeve ekonomike.


III. Si duhet bashkëpunuar?
Personalisht, mund të identifikoj gjithashtu disa fusha të tjera të bashkëpunimit tonë, të cilat janë në përfitim të të gjitha vendeve të rajonit. Do të doja të inkurajoja organizimin e një forumi vjetor të bankave qendrore të Evropës Juglindore. Ky forum, mund të diskutojë në detaje çështje të tilla, si: stabiliteti financiar, statistikat, sistemet e pagesave, kërkimet ekonomike dhe pse jo, burimet njerëzore. Dëshiroj të inkurajoj pjesëmarrjen aktive të drejtuesve të nivelit të dytë dhe të tretë të bankave qendrore në këtë "forum të ardhshëm". Ata duhet të ndjekin shembullin e guvernatorëve të tyre dhe të angazhohen në një bashkëpunim më të ngushtë me njëri-tjetrin. Ata nuk duhet të merren vetëm me çështjet e diskutuara dhe të vendosura më parë nga guvernatorët e tyre përkatës, por mund të hapin dialog dhe të shkëmbejnë mendime, të identifikojnë praktikat dhe standardet më të mira të punës dhe më pas, t'i zbatojnë ato në veprimtarinë e tyre të përditshme.

IV. Përfundime
Nuk e di se sa herë mund ta kem përmendur sot fjalën "bashkëpunim", megjithatë shpresoj që do të më lejoni ta mbyll diskutimin tim duke thënë, që unë besoj mjaft në bashkëpunimin rajonal. Nuk do të resht kurrë së inkurajuari këtë proces të rëndësishëm për sistemet financiare në Ballkan.

Të nderuar guvernatorë, kemi kaluar mjaft kohë dhe kemi shpenzuar shumë energji mbi këtë çështje të rëndësishme dhe unë e di, që ju ndani të njëjtin mendim me mua. Vendet e rajonit janë duke ecur në rrugë të mbarë, duke lënë pas statusin e vendeve në tranzicion, dhe duke hyrë në bashkësinë e vendeve të tregjeve në zhvillim. Në këtë proces bankat qendrore të rajonit nevojiten të luajnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm, për të mbështetur vendet e tyre drejt progresit dhe reformave të përbashkëta.

Kështu që, le ta nxisim më tej këtë bashkëpunim; ai do të rrisë besimin në rajon dhe do të përmirësojë eficiencën tonë.

I uroj Bankës Qendrore të Bosnje-Hercegovinës shumë suksese në vitet e ardhshme!

Ju faleminderit!