BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në prezantimin e publikimit Vjeshtë 2005 të revistës ligjore - Ligji në tranzicion, publikuar nga BERZH, hotel Rogner - Europapark, 18 tetor 2005

Data e publikimit: 18.10.2005

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi për mua që të marr pjesë në këtë ceremoni, e cila i kushtohet publikimit të "Vjeshtë 2005" të revistës ligjore "Ligji në tranzicion". Unë besoj se ky publikim i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, do të mbledhë rreth tij ekspertët më të mirë të ligjit dhe të financave në vend, të cilët do të gjejnë tek ai një burim alternativ konsultimi dhe ekspertizë për projektet e rëndësishme që ndërthurin profesionet e tyre.

Bankat përfaqësojnë institucionet kryesore të sistemit tonë financiar. Totali i vëllimit të veprimtarisë së tyre zë rreth 50 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PBB) të vendit. Sot operojnë në vend 16 banka, kapitali i të cilave është në duart e aksionerëve privatë dhe institucional, vendas dhe të huaj. Konkurrenca në treg është forcuar dhe cilësia e shërbimit ndaj publikut është përmirësuar ndjeshëm. Rrjeti bankar është shtrirë në pjesën më të madhe të territorit të vendit dhe zhvillimet në këtë drejtim janë ende të fuqishme. Roli i sistemit bankar si zhvillues i ekonomisë së vendit, shfaqet kryesisht në rritjen e kreditimit për ekonominë. Ritmi i rritjes së saj, veçanërisht në 15 muajt e fundit, është mbresëlënës. Në fund të muajit qershor 2005, kredia zinte rreth 21 për qind të totalit të aktiveve të sistemit bankar, krahasuar me 14.5 për qind në fund të vitit 2004 dhe 12.5 për qind në fund të vitit 2003. Gjithashtu, vëllimi i depozitave në sistemin bankar është rritur, duke përfaqësuar burimin kryesor të rritjes së veprimtarisë së sistemit bankar. Bankat shërbejnë edhe si institucione të rëndësishme punësimi. Personeli i tyre është rritur me 26 për qind vetëm gjatë vitit 2004 dhe kjo rritje pritet të jetë edhe më e lartë në fund të vitit 2005. Sistemi bankar vijon të jetë një sektor investimi fitimprurës.

Sikur të ishte e nevojshme, këto zhvillime tregojnë edhe një herë rëndësinë jetike të sistemit bankar për ekonominë e vendit. Është e domosdoshme që veprimtaria e sistemit bankar të mbikëqyret me kujdes për të siguruar praktika të shëndosha dhe të sigurta bankare, rregulla loje të qartë dhe transparentë, konkurrencë të ndershme, institucione të qëndrueshme. Është detyra jonë si autoritet mbikëqyrës në vend, por edhe e institucioneve të tjera të shtetit, që të kontrollojmë pjesë të veprimtarisë së sistemit bankar, të kujdesemi për të krijuar kushte sa më të favorshme zhvillimi.

Banka e Shqipërisë është autoriteti mbikëqyrës i sistemit bankar dhe i disa institucioneve të tjera që kryejnë veprimtari financiare. Roli i Bankës së Shqipërisë si autoritet mbikëqyrës, mbështetet në ligjin nr. 8269, datë 23.12.1997. Mënyra e licencimit, e organizimit dhe e funksionimit të bankave, përgjegjësitë e tyre ndaj aksionerëve, ndaj publikut dhe ndaj autoritetit mbikëqyrës, përcaktohen gjerësisht në ligjin nr. 8365, datë 02.07.1998 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë". Të dy ligjet, janë miratuar në periudhën '97-'98, menjëherë pas daljes së vendit nga një krizë me pasoja të rënda në jetën sociale dhe ekonomike. Si rezultat i kësaj, ligjet e hartuara synonin të krijonin një autoritet të fortë mbikëqyrës të sistemit bankar, si edhe të siguronin që veprimtaria bankare të mbrohej nga format e tjera të paligjshme të ndërmjetësimit financiar. Më tej, u miratuan edhe ligje të tjera me rëndësi të veçantë për sistemin bankar, ku veçojmë atë të "Sigurimit të depozitave" (2002), atë të "Parandalimit të pastrimit të parave" (2003) si edhe atë "Për kontabilitetin".

Ligjet "Për Bankën e Shqipërisë" dhe "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", janë ndjekur nga një sërë rregulloresh e udhëzimesh të nxjerra në zbatim të tyre nga Banka e Shqipërisë. Këto akte nënligjore kanë synuar zbërthimin e parimeve të ligjit, kryesisht në fushën operacionale dhe në atë të mbikëqyrjes së bankave. Janë krijuar në këtë mënyrë rregullore të tilla si ajo "Për licencimin e subjekteve që kryejnë veprimtari bankare", "Për mjaftueshmërinë e kapitalit", "Për kapitalin rregullator", "Për rezervën e detyruar", "Për personat e lidhur me bankën", "Për administrimin e rrezikut të kredisë", "Për parandalimin e pastrimit të parave", "Për miratimin e administratorëve të bankave" etj.. Ne besojmë se kuadri rregullativ në përgjithësi, ka siguruar në mënyrë të kënaqshme mbarëvajtjen e veprimtarisë së bankave deri në këtë moment dhe shërben si një bazë solide për zhvillimet e ardhshme.

Më lejoni të ndalem pak më tepër në këtë çështje.

Një kuadër rregullativ mund të konsiderohet i mirë në rast se ai nuk përmban një konceptim statik të çështjeve që rregullon, pra që krijohet jo vetëm si rezultat i nevojave të momentit, por që ka aftësinë për t'i dhënë subjekteve të ligjit parimet e nevojshme për zhvillim të qëndrueshëm dhe të kontrolluar të veprimtarisë, edhe në të ardhmen e parashikueshme. Në të njëjtën kohë, kuadri rregullativ duhet të jetë i qartë dhe i zbatueshëm. Kjo gjë mund të sigurohet nëse kërkesat e tij marrin në konsideratë edhe shqetësimet që mund të kenë subjektet e tij, nëpërmjet një procesi të gjerë dhe formal komunikimi dhe diskutimi. Kuadri rregullativ, në çdo fushë të veprimtarisë ekonomike dhe më gjerë, duhet të marrë në konsideratë gjithashtu, objektivat e vendit tonë për integrim në familjen evropiane, pasi në këtë mënyrë procesi i integrimit do të jetë më i lehtë, më i natyrshëm dhe më i shpejtë. Në fushën bankare, kuadri rregullativ duhet të synojë përcaktimin dhe zbatimin e kërkesave të ngjashme si ato të përcaktuara në Direktivat Evropiane apo në publikimet e organizmave që veprojnë në kuadër të institucioneve evropiane të parimeve dhe të standardeve në këtë fushë.

Ligjet kryesore, që kanë përcaktuar zhvillimin e veprimtarisë bankare, për kohën kur u krijuan, e kanë kryer më së miri funksionin e tyre, por në besojmë se ka ardhur koha kur rishikimi i tyre është bërë i nevojshëm. Këtu veçojmë ligjin "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", puna për rishikimin e të cilit ka filluar nga Banka e Shqipërisë. Aktualisht, projekti është në fazën finale të qartësimit dhe pritet të fillojë së shpejti diskutimi me industrinë bankare dhe me institucione të tjera të rëndësishme. Projekti i përgatitur, shfrytëzon bazën e kërkesave të ligjit ekzistues, por njëherazi parashikon edhe disa ndryshime të cilat synojnë adresimin e disa çështjeve që kanë dalë në praktikën bankare dhe mbikëqyrëse të deritanishme, si edhe përqasjen më të mirë me standardet ndërkombëtare në fushën bankare. Më konkretisht, janë saktësuar kërkesat për veprimtarinë e bankave në lidhje me kapitalin e tyre, janë riparë veprimet e bankave me personat e lidhur, janë përcaktuar më qartë strukturat drejtuese të bankave dhe përgjegjësitë e tyre, janë forcuar kërkesat lidhur me transparencën e veprimtarisë bankare, janë parashikuar kërkesa lidhur me mbikëqyrjen e konsoliduar, janë qartësuar masat korrigjuese dhe penalitetet, janë qartësuar kërkesat dhe përcaktimet lidhur me marrjen e bankës në administrim ose kalimin e saj në likuidim, janë parashikuar disa raporte me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, është parashikuar një kapitull i veçantë për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë bankare etj.. Në të njëjtën kohë, disa nga rregulloret e rëndësishme, kryesisht ato që lidhen me kapitalin rregullator dhe me mjaftueshmërinë e kapitalit, po vlerësohen për të prezantuar në to disa nga elementet e standardeve të reja, të përcaktuara në Akordin e ri të Komitetit të Bazelit, i njohur ndryshe si Bazel II. Në veçanti, veprimet e bankës me personat e lidhur janë rivlerësuar në kuadër të saktësimit të marrëdhënieve që çojnë në konflikt interesi të administratorëve, të punonjësve dhe të aksionerëve të bankës me funksionin, me detyrën ose me rolin që ata kryejnë lidhur me bankën.

Një nga drejtimet më të rëndësishme të veprimtarisë së bankave, është kreditimi. Mënyra e rregullimit dhe e mbikëqyrjes së tij, merr një rëndësi të veçantë, në kushtet kur kjo veprimtari po zgjerohet me shpejtësi si në formë ashtu edhe në vëllim. Aspekte të veçanta të kësaj veprimtarie, janë trajtuar rast pas rasti, në kuadër të një rregulloreje të veçantë të Bankës së Shqipërisë. Mbetet një çështje e rëndësishme ajo e ekzekutimit të hipotekës të vendosur mbi sendet e paluajtshme, në kushtet kur kredimarrësi paraqet probleme në shlyerjen e kredisë. Banka e Shqipërisë është e përkushtuar të kontribuojë në ndryshimet ligjore dhe në rregullimin praktik që nevojitet për zgjidhjen e këtij problemi. Për këtë çështje, mendojmë se duhet të kenë vëmendjen e nevojshme propozimet që vijnë nga industria bankare lidhur me disa ndryshime në Kodin e Procedurës Civile ku veçojmë: ndryshimet në nenin 564, ku vlerësimi i sendit të sekuestruar të kryhet nga ekspertë vlerësues të pavarur, të zgjedhur nga Zyra e Përmbarimit duke shkurtuar në këtë mënyrë procedurat e panevojshme të ankimit ndaj vlerësimit fillestar të sendit; ndryshimet në nenin 577, për përsëritjen e ankandit, duke shkurtuar afatin kohor midis dy ankandeve nga 3 (tre) në 1 (një) muaj; duke i njohur kreditorit (bankës) të drejtën e zotërimit të sendit, pa pasur detyrimin për kthimin e diferencës së vlerës; duke i njohur të drejtën kreditorit për të tjetërsuar (shitur) sendin me një vlerë më të ulët se në ankandin e parë; dhe deri te mosheqja e sekuestros mbi sendin, por njohjen e të drejtës së kreditorit (bankës) për hapjen e procedurës së ekzekutimit, kur kushtet e tregut të jenë në favor të tij. Nga ana jonë, propozojmë që të fillojë puna për hartimin e ligjit "Për procedurat e ankandit", i cili parashikohet në nenin 573, paragrafi 4 të Kodit të Procedurës Civile, si edhe të kryhen ndryshime në ligjin "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme" dhe në kuadrin rregullativ përkatës. Këto masa, besojmë se do të mbështesnin rritjen e ekonomisë në vend, duke ulur rreziqet nga veprimtaria kredituese dhe duke u shoqëruar me një përmirësim të kostove për kredidhënësin dhe kredimarrësin. Ne synojmë që titulli ekzekutiv të bëhet vërtetësisht i ekzekutueshëm.

Një tjetër ligj, i cili kërkon një vëmendje më të madhe nga ana e autoriteteve për të vlerësuar zbatueshmërinë e tij, është edhe ai i "Parandalimit të pastrimit të parave". Pa asnjë dyshim, reputacioni i sistemit bankar, pengimi i zhvillimit ekonomik nëpërmjet devijimit të burimeve nga aktivitetet e ligjshme, bllokimi i investimeve aq të nevojshme dhe sabotimi i politikës fiskale, veprimtaria kriminale që cënon jetën dhe liritë njerëzore, janë disa nga pasojat që sjell pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit, i cili shpeshherë mund të kryhet në shtratin e një sistemi bankar. Por theksojmë, se në kushtet e vendit tonë kur ekonomia informale është e konsiderueshme dhe kur insfrastruktura e teknologjisë së informacionit në përpunimin dhe analizën e të dhënave që mblidhen për çështje të parandalimit të pastrimit të parave është e pamjaftueshme, nevojitet të adoptohet një përqasje, e cila t'i fokusojë përpjekjet e autoriteteve për të luftuar fenomenin sipas nivelit të rrezikut të sektorëve të ndryshëm dhe të grupeve shoqërore të caktuara, që janë më të prekshme ndaj këtij fenomeni. Për këtë arsye, jemi të mendimit që më tepër vëmendje i duhet kushtuar sektorëve të tjerë të ekonomisë, ku ka nevojë për një imponim më të madh dhe më të koordinuar të kërkesave të ligjit. Gjithashtu, sipas opinionit të Bankës së Shqipërisë, por edhe të ekspertëve të huaj që kanë punuar me ne dhe me specialistë të tjerë nga institucionet e shtetit që angazhohen në fushën e parandalimit të pastrimit të parave, ligji aktual duhet të rishikohet pasi ai krijon edhe premisa për formalizëm të theksuar, veçanërisht në veprimet që lidhen me raportimin e transaksioneve dhe me identifikimin e transaksioneve të dyshimta. Banka e Shqipërisë ka kontribuar në përgatitjen e një projekti të ri të këtij ligji, duke qenë anëtare në grupin e punës të drejtuar nga ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Paralelisht, Banka e Shqipërisë po punon edhe për përshtatjen e kuadrit rregullativ që lidhet me veprimtarinë financiare që kryhet nga institucionet financiare jobanka. Këtu ka vend për përmirësim të mëtejshem si në drejtim të shtrirjes dhe të zgjerimit të kërkesave rregullative ashtu edhe në drejtim të përmirësimit të kuadrit ekzistues që lidhet me praktikën mbikëqyrëse dhe me raportimin e veprimtarisë së tyre. Në këtë kuadër, është miratuar sistemi raportues i veprimtarisë së këtyre institucioneve, si edhe është miratuar një rregullore për veprimtarinë e shoqërive të kursim-kreditit dhe të unioneve të tyre. Për këto të fundit, Banka e Shqipërisë po punon në drejtim të përcaktimit të manualit të kontabilitetit si edhe manualit të inspektimit.

Në shkurt-mars të këtij viti, sistemi ynë financiar iu nënshtrua një procesi vlerësues të organizuar nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në raportin konkludues, të dërguar për Qeverinë Shqiptare dhe për autoritetet mbikëqyrëse në vend, identifikohen disa çështje, të cilat përfshijnë edhe nevojën për ndryshime në kuadrin rregullativ. Mjaft nga këto elemente që lidhen me veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë dhe me atë të subjekteve që licencohen dhe që mbikëqyren prej saj, janë bërë pjesë e ndryshimeve në projektet rregullative që përmenda më sipër.

Në përfundim, dëshiroj të theksoj edhe një herë angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të dhënë kontributin maksimal në përmirësimin e kuadrit rregullativ, që lidhet me sistemin bankar dhe me atë financiar. Besoj se objektivit tonë, për ta përqasur kuadrin tonë ligjor dhe rregullativ në fushën financiare me standardet, të cilin po e promovojmë sot dhe të cilit i uroj sukses.

Faleminderit.