BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në takimin e diskutimit "Procesi i përafrimit të vendeve të Evropës Juglindorore me vendet e Bashkimit Evropian: Roli i sektorit financiar", Hotel "Tirana International", 3 maj 2007

Data e publikimit: 03.05.2007

 

Të nderuar pjesëmarrës!

Takimi i sotëm mbi rolin e sektorit financiar në procesin e arritjes së konvergjencës (përputhshmërisë) reale të vendeve të Evropës Juglindore me vendet e Bashkimit Evropian është i një rëndësie të veçantë, pasi synon të japë një panoramë të prirjeve të zhvillimit të sektorit financiar në vendet e rajonit. Në fakt, ky takim vjen në vijim të Konferencës VI Vjetore të Bankës së Shqipërisë, të mbajtur në tetor të vitit të kaluar, e cila u përqendrua në çështjet e stabilitetit financiar, parë në këndvështrimin e sektorit financiar rajonal.

Sot kemi kënaqësinë të kemi mes nesh z. Max Watson, Këshilltar Ekonomik i Drejtorit të Përgjithshëm të Çështjeve Ekonomike dhe Financiare në Komisionin Evropian, i cili do të mbajë një prezantim rreth zhvillimeve në ekonomitë dhe sistemet financiare të rajonit tonë. Duke përfituar nga prania e z. Watson në këtë takim, dëshiroj t'ju informoj se Banka e Shqipërisë ka vendosur një komunikim të vazhdueshëm me Komisionin Evropian për sa i përket zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vendin tonë, nëpërmjet pjesëmarrjes në disa takime periodike që zhvillohen çdo vit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Një nga objektivat kryesorë strategjikë të Bankës së Shqipërisë, të shprehur edhe në Strategjinë e saj të Zhvillimit Afatmesëm, mbetet përafrimi organizativ, ligjor dhe operacional me Sistemin Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ). Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar një rëndësi të veçantë ngritjes së strukturave të posaçme si dhe krijimit të burimeve njerëzore të afta për t'u përballur me fazat e ndryshme të përafrimit dhe anëtarësimit eventual në SEBQ. Përafrimi i kuadrit ligjor dhe nënligjor me legjislacionin komunitar mbetet i një rëndësie të veçantë dhe ligji "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", i miratuar në muajin dhjetor nga ana e Kuvendit, përbën një shembull të mirë në këtë drejtim.

Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e saj aktiv në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, nëpërmjet mbajtjes së normave të ulta dhe të qëndrueshme të inflacionit si dhe mbikëqyrjes së kujdesshme të sistemit bankar, duke qenë e vetëdijshme për rolin e saj si promotore e zhvillimit ekonomik të vendit, proces i cili natyrisht do të lehtësojë edhe integrimin në Bashkimin Evropian.

Një nga zhvillimet kryesore që karakterizoi ekonominë tonë gjatë vitit të kaluar ishte rritja e shpejtë e kreditimit. Portofoli i kredisë arriti në 191.2 miliardë lekë ose 21.3 për qind të PBB-së, në fund të vitit 2006. Në terma absolutë, kredia për ekonominë u rrit me 69.3 miliardë lekë gjatë vitit 2006, krahasuar me rritjen prej 52 miliardë lekësh gjatë vitit të kaluar. Rritja vjetore e kredisë në vitin 2006 ishte 56.7 për qind, duke mbështetur mirë nevojat e ekonomisë. Ritmi relativisht i lartë i kreditimit të ekonomisë nga ana e sistemit bankar, ka vijuar edhe në tremujorin e parë të këtij viti, duke sjellë në vëmendjen tonë si autoritet rregullativ i veprimtarisë bankare, nevojën për të monitoruar të gjitha rreziqet që përmban ky ekspansion.

Me konkretisht, kjo rritje ka çuar në rënien e normës së mjaftueshmërisë së kapitalit dhe likuiditetit, megjithatë, bankat kanë vazhduar të jenë të kapitalizuara mirë, likuide si dhe fitimprurëse. Edhe testet tremujore të stresimit të kryera nga ana jonë, kanë treguar se sistemi bankar në vend është fleksibël kundrejt fenomeneve të mundshme shock të lidhura me kursin e këmbimit, normat e interesit apo cilësinë e kredisë.

Banka e Shqipërisë ka vazhduar të monitorojë me kujdes rritjen e shpejtë të kreditimit, duke shtuar mbikëqyrjen e bankave. Në këtë kuadër, e një rëndësie të veçantë mbetet ngritja e Regjistrit të Kredive, e parashikuar të realizohet brenda dhjetorit 2007. Aktualisht, po punohet për finalizimin e kuadrit ligjor që do të lejojë krijimin dhe funksionimin e Regjistrit dhe në të njëjtën kohë, është marrë vendimi rreth përzgjedhjes së kompanisë, e cila do të ofrojë zgjidhjet teknike për Regjistrin.

Ne mbetemi të bindur se të gjitha këto masa do të kontribuojnë në ruajtjen e cilësisë së kredisë dhe stabilitetit financiar në vendin tonë.

Duke Ju uruar një takim sa më produktiv, fjalën ia kaloj z. Watson.

Faleminderit!