BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në takimin e diskutimit "Tregu bankar dhe sistemi ligjor", hotel "Tirana International", 17 nëntor 2008

Data e publikimit: 17.11.2008

 

Mirëdita,

Bindja se dy monologë nuk krijojnë dot dialog, jo vetëm më shtyu të studioj pas ekonomisë drejtësinë, por çdo ditë të dëgjoj dhe të shkëmbej ide me kolegë të profesioneve të ndryshme. Kënaqësia është e veçantë, kur e bëj këtë me juristë, pasi me një të tillë dialogoj më shpesh se me këdo, dhe kjo është bashkëshortja ime.

Dialogu midis tregut bankar dhe sistemit ligjor ka qenë gjithmonë i rëndësishëm për një komb, rëndësi që në zhvillimet e sotme bëhet jetike. Që vendi ynë të vazhdojë të lundrojë drejt brigjeve të sigurta të zhvillimit ekonomik, stabilitetit financiar dhe prosperitetit, besoj se i nevojiten të dyja rremat: rendi juridik dhe tregu financiar.

Duke u ndalur pak në çështjet legjislative, do të thoja se aktiviteti ekonomik është i ndërvarur nga sistemi ligjor i vendit. Siç thotë një nga studiuesit e shquar të ekonomisë, zoti Mishkin, ..."Sistemi ligjor, i cili, siç e dini, përbëhet jo vetëm nga korpusi i ligjeve dhe akteve rregullative, por edhe nga sistemi gjyqësor dhe rregullatorët e tregut, është një faktor përcaktues në rritjen ekonomike, veçanërisht në zhvillimin e aktivitetit financiar".

Lidhja midis financës dhe ligjit është e patjetërsueshme. Instrumentet financiare nuk qëndrojnë në vakum. Për aq kohë sa ato u shërbejnë njerëzve, ato mbështeten mbi marrëdhënie juridike. Në këtë kontekst, një asset financiar, në fund të fundit, është një pretendim. Ky i fundit mund të jetë në formë shkresore (kontrata) apo elektronike (hyrje në llogari). Çdo marrëdhënie huaje mbart mundësinë e mospërmbushjes së detyrimit dhe ky rrezik nuk mund të zgjidhet pa një sistem preciz normash, që mbrojnë marrëdhëniet kreditor - debitor.

Shekspiri në Tregtarin e Venedikut na kujton se një sistem ligjor duhet të sigurojë që debitori nuk mund të mos përmbushë detyrimin e tij, si dhe kreditori nuk mund të rëndojë pozitën e debitorit. Prandaj, si kudo në jetë, peshorja (dhe në këtë rast peshorja e drejtësisë) duhet të sigurojë mirëqenien e sistemit financiar, i cili mbështetet mbi këto marrëdhënie klasike, sado të modernizohen ato.

Në themel, një sistem ligjor duhet të sigurojë të drejtat kontraktore dhe të drejtat e pronësisë. Këto të drejta duhet të jenë të parashikuara në mënyrë të qartë, të mbrojtura dhe të paprekshme.

Më konkretisht, palët jo vetëm që duhet të jenë në dijeni të këtyre të drejtave, por duhet të kenë mundësinë që t'i ushtrojnë lirisht dhe në mënyrë të plotë ato, si gjatë lidhjes së marrëveshjes ashtu edhe në rast konflikti. Për këtë arsye, roli i pavarur i gjykatës, perceptimi i tij, efikasiteti i gjykimit dhe zbatimi i vendimit të gjykatës, janë tipare thelbësore, deformimi i të cilave ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e sistemit financiar.

Për të ilustruar pak më mirë këtë ide, mjafton të përmend se paralizimi i titullit të pronësisë, tejzgjatja e konflikteve gjyqësore të pronësisë, mosekzekutimi i kolateralit, mendoj se ndikojnë drejtpërsëdrejti në përqindjen që kredia hipotekore në veçanti dhe kredia në tërësi zënë, në krahasim me vendet e tjera. E gjithë kjo problematikë, ende e pazgjidhur ligjore, ka ndikuar drejtpërdrejt në shkurajimin e mbështetjes së ekonomisë me kredi bankare. Sistemi bankar, për aq kohë sa menaxhon depozitat e qytetarëve duhet të jetë i sigurt për evitimin e çdo humbjeje të mundshme financiare që lind nga marrëdhënia kontraktuale e akordimit të kredisë. Sigurisht kjo nuk është e lehtë.

Elementet e rrezikut që shoqërojnë këtë marrëdhënie janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme. Shkarazi, mund të them se ekziston një rrezik, i cili lidhet me llojin e monedhës; një i dytë lidhet me ecurinë e çmimeve të kolateralit; një i tretë mund të jetë edhe i ashtuquajturi rrezik operacional, e kështu me rradhë. Materializimi i njërit apo disave prej këtyre rreziqeve, do të sillte vështirësi për bankën.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë me autoritetin e saj mbikëqyrës e detyron sistemin bankar të krijojë fonde rezervë për çdo një lek kredi të kërcënuar. E vetmja gjë ku Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar ndjehen të pafuqishëm ka të bëjë me mosekzekutimin e kolateralit, ka të bëjë me një lloj pamundësie de facto të disponimit të kolateralit, sidomos kur bëhet fjalë për një kolateral në formën e pasurisë së paluajtshme.

Në këtë vazhdë, tregu bankar dhe ai financiar nevojiten të ndërtohen dhe zhvillohen paralelisht me sistemin ligjor. Nuk mund të ketë transaksione financiare vendase apo ndërkufitare, nëse nuk ka siguri në ushtrimin dhe mbrojtjen e të drejtave kontraktore.

Vetëdija dhe ushtrimi i këtyre të drejtave, gjykimi i pavarur në rast mosmarrëveshjeje, koha e arsyeshme në zgjidhjen e konfliktit, eficienca dhe shpejtësia e ekzekutimit të vendimit gjyqësor janë garancitë më të mëdha jo vetëm për investitorët vendas dhe të huaj, por në rradhë të parë për vetë TREGUN.

Banka e Shqipërisë ka shtuar përpjekjet e saj në këtë drejtim, ku veçoj mbrojtjen përpara Gjykatës Kushtetuese të cilësimit të kontratave bankare dhe financiare si tituj ekzekutivë. Janë të njëjtat argumente që mbështesin ndryshimet ligjore në ekzekutimin e hipotekave dhe kolateraleve. Këto ndryshime, aktualisht po diskutohen në Kuvend dhe po priten me shumë interes nga tregu.

Mbështetur në këtë filozofi të funksionimit dhe të rregullimit të tregut, duke besuar se tregu dhe e drejta janë dinamike, Banka e Shqipërisë ka furnizuar tregun bankar dhe të drejtën bankare me një institut të ri, Marrëveshjen e Riblerjes. Nëpërmjet ligjit për Marrëveshjen e Riblerjes dhe kontratës tip, Banka e Shqipërisë ka nisur një proces i cili duhet të zhvillohet më tej nga specialistët përkatës të fushës. Personalisht dhe institucionalisht, jemi duke pritur që këto përpjekje të konkludohen me kryerjen e transaksioneve të para të këtij lloji.

Për këtë qëllim ftoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim të veçantë, ku për herë të parë ulen në një tryezë diskutimi, gjyqtarë, prokurorë dhe juristë nga tregu bankar, të jenë aktivë dhe plotësues të njëri tjetrit.

Duke qenë i bindur se kjo nismë e jona do të pasohet edhe nga aktivitete të tjera në të ardhmen, nuk më mbetet gjë tjetër vetëm se t'ju uroj punë të mbarë dhe të frytshme.

Faleminderit për vëmendjen.