BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në takimin e organizuar nga Banka Raiffeisen me përfaqësues biznesi dhe klientë të rëndësishëm të saj, 14 qershor 2011.

Data e publikimit: 16.06.2011

 

I nderuar zoti Ministër i Financave,

I nderuar z. Lennkh dhe z. Hodell,

I nderuar z. Canacaris,

Të nderuar zonja dhe zotërrinj,

Takimi i sotëm i organizuar nga Banka Raiffaisen me përfaqësues të komunitetit të biznesit në Shqipëri është domethënës. Para së gjithash ai dëshmon një strategji të mirëpërcaktuar nga grupi Raiffasien për të rritur peshën e tij në Shqipëri nëpërmjet një dialogu me partnerët e drejtpërdrejtë në biznes. Së dyti, forume të tilla shërbejnë edhe si një platformë nga ku marrin jetë ide zhvillimore, projekte interesante me rëndësi kombëtare dhe pse jo, ndoshta edhe rajonale. Së treti, mendoj se takimi i sotëm është tregues i një maturie dhe ndërgjegjësimi në rritje i të dy komuniteteve: sistemit bankar dhe komunitetit të biznesit. Personalisht, do të uroja që takime të tilla të shtohen në të ardhmen dhe jo vetëm kaq: ato duhet të jenë më të strukturuara, të orientuara drejt një debati konstruktiv ndërmjet palëve, të përfshijnë të gjithë sistemin dhe gjithë sektorët e ndryshëm të ekonomisë. Shkurt, bankat dhe biznesi duhet të ulen këmbëkryq me njëri – tjetrin.

Të nderuar pjesëmarrës,

Jemi pothuajse në mes të vitit 2011, i cili për arsye objektive, që lidhen me zhvillimet financiare ndërkombëtare të 3 – 4 viteve të fundit, është kompleks për nga sfidat që mbart. Ekonomia jonë edhe pse ka regjistruar rritje pozitive vazhdon të operojë poshtë potencialit të saj.

Ambienti ndërkombëtar është i mbushur me pasiguri të lartë për një grup ekonomish të zhvilluara, ndërkohë që çmimet e prodhimeve bujqësore dhe të lëndëve të para vazhdojnë të jenë të larta. Pozicioni i jashtëm i vendit megjithë ngushtimin e deficitit korrent në vitin e kaluar vazhdon të mbetet një dobësi e qëndrueshme strukturore.

Sistemi bankar shqiptar vlerësohet të jetë përshtatur në mënyrë të admirueshme ndaj kësaj situate komplekse. Duhet të theksoj se puna që kemi bërë deri më tash ka qenë e pamasë. Për këtë arsye, përfitoj nga rasti të përgëzoj të gjithë strukturat drejtuese të bankave që operojnë në Shqipëri, si ato të selive qendrore ashtu dhe drejtuesit lokalë. Sektori bankar në Shqipëri gjate kësaj periudhe, ka vijuar zgjerimin e veprimtarisë dhe të kreditimit të ekonomisë. Treguesit e shëndetit financiar dhe të fitimit janë përmirësuar, ndërkohë që vihet re një gjendje e mirë e kapitalizimit të veprimtarisë së sistemit. Sektori bankar vijon të mbetet aktori kryesor i ndërmjetësimit financiar në Shqipëri, financimi i të cilit vijon të mbështetet kryesisht nga depozitat e publikut.

Problemi kryesor i sistemit bankar ka qenë rritja e portofolit të kredive me probleme, e cila ka reflektuar edhe politikën aktive të Bankës së Shqipërisë në drejtim të rritjes së transparencës së bilanceve të bankave. Rreziku i kreditit mbetet rreziku kryesor për sektorin tonë bankar. Në përgjigje të këtij rreziku, sektori bankar ka krijuar fonde rezervë të mjaftueshme për përballimin e goditjeve të mëdha mbi aftësinë paguese të kredimarrësve dhe ekuilibrat e tregut. Provat e rezistencës mbështesin konkluzionin tonë për qëndrueshmërinë e sistemit bankar.

Prania në këtë pallat e dy komuniteteve: atij të biznesit dhe atij të sistemit bankar më detyron t’i kthehem edhe njëherë domosdoshmërisë për një bashkëpunim të sinqertë dhe me përfitim reciprok për secilin prej tyre. Me përjashtime të pakta mendoj se këto vitet e fundit, ky bashkëpunim ka qenë i pranishëm, ka qenë funksional dhe sigurisht ka mbështetur në mënyrë të veçantë aktivitetin e ekonomik të vendit. Kriza ndërkombëtare që shpërtheu në fund të vitit 2008, pati influencat e saj edhe në ekonominë tonë duke krijuar një tkurrje të këtij bashkëpunimi. Nga njëra anë, sistemi u gjend në një situatë të vështirë likuiditeti, ndërkohë që nga ana tjetër bizneset e patën të vështirë aksesin në tregje. Po t’i shtojmë edhe disa arsye subjektive, rezultati i gjithë kësaj ishte një përkeqësim i portofolit të kredive të sistemit dhe një paaftësi likuiduese në rritje nga ana e kompanive. Për rrjedhim, periudha 2009 – 2010 shënoi një ngadalësim në rritjen e kredisë për ekonominë duke pasqyruar një kujdes të rritur, plotësisht të justifikuar nga ana e sistemit, dhe një paaftësi të biznesit për të merituar kredi të re. E gjithë kjo periudhë ka përkuar me një rishikim të bilanceve, ristrukturim të portofolit aty ku ka qenë e mundur me provigjonime, duke ndikuar drejtpërdrejtë rezultatin financiar të sistemit.

Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol të madh duke qëndruar si gardian jo vetëm për stabilitetin makroekonomik, por edhe për stabilitetin financiar të vendit. Makroprudenca ka qenë fjala që ka mbizotëruar komunikimin tonë me tregun, autoritetet dhe me publikun e gjerë. Makroprudencën e kemi përkthyer si një domosdoshmëri për më shumë kapital, më shumë likuiditet, më shumë aftësi paguese të sistemit bankar. Për rrjedhojë, sektori bankar shqiptar për asnjë çast nuk ka përjetuar ngërç. Banka e Shqipërisë i dha dhe vazhdon t’i japë likuiditetin e nevojshëm sistemit bankar duke i sjellë frymëmarrjen e nevojshme jo vetëm tregut, por gjithë ekonomisë. Politikat e kujdesshme të ndërmarra, rregullimet ligjore të kryera në kohë, nga njëra anë garantuan një mbikëqyrje bankare efektive dhe nga ana tjetër mundësuan një shkallë të kënaqshme aksesi të biznesit ne kredinë bankare. Aktualisht, dëshiroj të vë në dukje se sistemi bankar shqiptar doli i shëndetshëm nga kriza dhe garanton stabilitet në rritje.

Vetë sistemi bankar gjatë kësaj periudhe ka kryer një volum pune të konsiderueshëm. Ajo ka shërbyer për të kolauduar saktë pozicionin e secilës bankë para, gjatë dhe pas krizës. Për rrjedhim, bankat sot janë në gjendje të rivënë në punë me kapacitet të plotë, potencialin e tyre kreditues. Për hir të vërtetës duhet theksuar se shifrat e fundit flasin për një rritje të rangut 10 për qind në terma vjetore, një shifër kjo që nuk duhet neglizhuar apo konsideruar si e pamjaftueshme. Të njëjtën filozofi, në formë këshille do t’ja sugjeroja dhe komunitetit të biznesit. Për arsye të natyrës objektive, koha e parave të lira duket se i përket të kaluarës. Me këtë dua të them se kredia bankare duhet të jetë e merituar, që do të thotë bashkëpunim pa kushte, i sinqertë dhe brenda kornizave ligjore dhe rregulluese të miratuara nga autoritetet e vendit. Sigurisht që bankat janë   krijuar për të dhënë kredi por para së gjithash duhet të mbajmë parasysh se rëndësi më të madhe: se kreditimi i një biznesi të veçantë apo se portofoli i një banke të veçantë përbën stabiliteti i depozitave të popullatës, të individëve të thjeshtë. Për më tepër biznesi duhet të rikalibrojë pozicionin e tij në raport me zhvillimet e fundit si në ekonominë e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme. Ai duhet të synojë produktivitet më të lartë, kryesisht nëpërmjet evidentimit të të gjithë avantazheve krahasuese në raport me spektrin e ndryshimeve globale.

Për këtë qëllim është e domosdoshme adoptimi i filozofive të reja në administrimin e kompanive duke rritur kapacitetet dhe investimet në burime njerëzore, në qeverisje, kontrollin e brendshëm, në konsulencë financiare dhe juridike, dhe administrimin e rreziqeve. Marrëdhënia bankë klient përveçse një marrëdhënie juridike është një marrëdhënie njerëzore, besimi. Në momentin kur një biznes vonon të paguajë kredinë e radhës në banka duhet t’i vijë në mendje si do ta gjykonte bankën në qoftë se ajo do të vononte të paguante në kohë interesin e maturuar të depozitës.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në emër të institucionit të Bankës së Shqipërisë dëshiroj të ftoj të dy komunitet e përfaqësuara në këtë takim, që ti forcojnë urat e komunikimit në të mirë të njeri tjetrit, të të gjithë ekonomisë në  tërësi.