BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në takimin me Kryetarin e Partisë Socialiste dhe drejtues e përfaqësues të sistemit bankar shqiptar

Data e publikimit: 25.07.2013

 

I nderuar zoti Rama,

I nderuar zoti Pencabligil,

Të nderuar drejtues të sistemit bankar,

Më lejoni në fillim t’ju falënderoj për ftesën tuaj. Kjo tryezë është në vazhdimësi të filozofisë sonë të trialogut, midis Bankës së Shqipërisë, sistemit bankar dhe qeverisë, për të diskutuar mbi politikat ekonomike që i shërbejnë rritjes së shpejtë, të shëndetshme e të qëndrueshme të vendit. Prania e zotit Rama, si kryeministër i ardhshëm i vendit i jep një rëndësi të veçantë këtij takimi.

Sektori bankar është jo vetëm kontribuesi më i madh dhe më efektiv në rritjen ekonomike të vendit, por njëkohësisht është dhe kujdestari i kursimeve të familjeve shqiptare dhe përcaktuesi i destinacionit të fondeve në ekonomi. Tryeza e sotme i paraprin diskutimeve mbi programin ekonomik dhe buxhetin e vendit që do të ndjekë qeveria e ardhshme.

Të nderuar pjesëmarrës,

Banka e Shqipërisë sapo ka përfunduar analizën e saj periodike të ekonomisë shqiptare. Gjithashtu, në kuadrin e programit FSAP, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare për vlerësimin e shëndetit financiar të vendit. Duke përfituar nga ky rast, dëshiroj të ndaj sot me ju disa konkluzione paraprake si dhe t’ju paraqes vizionin e bankës qendrore mbi politikat e ardhshme të zhvillimit.

***

Ekonomia shqiptare është duke u përballur me sfida të mëdha. Këto sfida kanë natyrë jo vetëm ciklike, por edhe strukturore. Dobësia ciklike e kërkesës agregate kufizon rritjen ekonomike të vendit në afat të shkurtër e të mesëm, ndërsa zgjidhja e problemeve strukturore do të përcaktojë zhvillimin afatgjatë të tij. Përballimi i tyre kërkon një aksion të përbashkët, të koordinuar, të guximshëm dhe largpamës. Banka e Shqipërisë gjykon se ky aksion duhet të mbështetet në katër kolona veprimi: (i) ruajtja e stabilitetit makrofinanciar të vendit dhe ndjekja e politikave ekonomike stimuluese; (ii) zbutja e pasigurisë në ekonomi; (iii) vazhdimi i reformës strukturore dhe (iv) konvergjenca me Bashkimin Evropian.

1. Kolona e Parë: Stabiliteti makroekonomik dhe nxitja ekonomike

Sikurse është tashmë e ditur, zhvillimi ekonomik i vendit është në një fazë delikate. Në kontekstin e krizës së gjithanshme botërore, ritmet e zhvillimit ekonomik janë ngadalësuar duke krijuar jo pak vështirësi, si për sektorin publik dhe për atë privat – për bizneset, familjet e për sistemin financiar.

Në terma më të thjeshtë, kërkesa agregate është e dobët dhe nuk arrin të vërë në përdorim të plotë kapacitetet prodhuese të vendit. Shpenzimet konsumatore janë të ulëta, kryesisht si pasojë e pasigurisë së familjeve për të ardhmen, por, së fundi, edhe në reflektim të ngadalësimit të të ardhurave. Dy përbërës të tjerë të kërkesës agregate shfaqin po ashtu aftësi të kufizuara për t’i dhënë impulse të qëndrueshme rritjes ekonomike të vendit: shpenzimet publike janë të kufizuara nga mungesa e hapësirës fiskale si pasojë e rritjes së borxhit publik, ndërsa eksportet vuajnë kërkesën e dobët të tregjeve botërore dhe shkallën e ulët të diversifikimit. Së fundi, investimet e biznesit paraqiten të zbehta, duke reflektuar hapësirat e pakta që kanë bizneset për të rritur shitjet dhe kushtet më të shtrënguara të financimit që gjejnë në banka.

Ekonomia është një mekanizëm kompleks dhe i ndërvarur. Të gjithë faktorët që përmenda më sipër kanë sjellë ngadalësim të tregut të punës dhe kanë rritur presionin mbi financat publike. Po ashtu, ato kanë shtuar vështirësitë për shumë biznese dhe kanë rritur kreditë me probleme në sistemin bankar.

Opinioni i Bankës së Shqipërisë është se kjo situatë kërkon ndjekjen e politikave makroekonomike stimuluese. Teoria e praktika ekonomike sugjerojnë se ndjekja e këtyre politikave ka si parakusht të domosdoshëm ruajtjen e balancave makroekonomike. Vazhdimisht kam theksuar se këto balanca ekzistojnë në ekonominë shqiptare dhe se ato përbëjnë një nga pikat e forta të zhvillimit të ardhshëm të saj. Presionet inflacioniste janë të ulëta, balancat e huaja të ekonomisë janë në përmirësim dhe sistemi financiar i vendit është i shëndetshëm. Por, ekuilibrat makroekonomikë duhet të ruhen e të forcohen më tej në të ardhmen. Ky objektiv është filtri paraprak që duhet të kalojë çdo nismë makroekonomike.

Çdo stimul makroekonomik duhet të marrë në konsideratë edhe një ekuilibër tjetër vital: atë të stabilitetit financiar të vendit, përndryshe ai rrezikon të bëhet joproduktiv. Kriza globale ka rritur ndjeshëm ekspozimin e çdo vendi ndaj rreziqeve që lidhen me stabilitetin financiar. Për këtë arsye është e domosdoshme që ky ekuilibër të vazhdojë të jetë një prioritet konstant dhe në harmoni të plotë me politikat nxitëse zhvillimore. Sa më të shëndetshëm të jemi financiarisht, aq më të mëdha do të jenë hapësirat që do të kemi për stimul zhvillimor të vendit.

Duke patur parasysh sa më sipër dhe duke përfituar nga fakti se të tre aktorët kryesorë përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e politikave makroekonomike janë të pranishëm në këtë sallë, më lejoni të ndaj me ju opinionin e Bankës së Shqipërisë për nxitjen në afat të shkurtër të zhvillimit të vendit.

Banka e Shqipërisë, si institucion i pavarur, përgjegjës për politikën monetare, për mbikëqyrjen dhe rregullimin e sistemit bankar, ka ndërmarrë masa konkrete për nxitjen e kërkesës në ekonomi. Ne kemi ulur normën e interesit në nivele minimale historike dhe po shohim hapësirat e mëtejshme që ekzistojnë në këtë drejtim. Gjithashtu, kemi furnizuar sistemin bankar me likuiditetin e kërkuar për funksionimin normal të tregjeve financiare. Së fundi, kemi prezantuar dhe një paketë masash rregullative në mbështetje të kreditimit. Politikat tona kanë qenë të suksesshme në ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë, çka përbën dhe objektivin e punës së Bankës së Shqipërisë. Por, transmetimi i tyre në nxitjen e aktivitetit ekonomik kërkon një reflektim më të mirë nga sistemi bankar.

Sistemi bankar ka bërë një punë të mirë për ruajtjen e shëndetit të tij. Ai ka mbështetur ekonominë shqiptare në fazën e zgjerimit dhe ka ndarë me të një pjesë të kostove të ngadalësimit ekonomik. Në ndryshim nga shumë eksperienca të tjera, sistemi bankar shqiptar arriti të përballojë me sukses krizën e madhe botërore duke mos përdorur në asnjë rast fonde publike. Përkundrazi, u arrit që në kulmin e krizës shumë banka të sillnin kapital të ri në vend, në kushtet e një kontraktimi fiskal dhe tërheqjes së fondeve nga grupet bankare evropiane dhe rritjes së kredive me probleme.

Megjithatë, opinioni jonë është se ai mund të bëjë më tepër për nxitjen e kreditimit. Së pari, sistemi bankar duhet të punojë më shumë për pastrimin e bilanceve të veta, nëpërmjet ekzekutimit të kolateraleve dhe vlerësimit realist të cilësisë së kredimarrësve. Së dyti, pa cënuar kulturën e respektimit të detyrimeve kontraktuale, ai duhet të jetë më aktiv në procesin e ristrukturimit të kredive për t’i dhënë më shumë frymëmarrje bizneseve që e meritojnë. Së treti, ne gjykojmë se brenda kontekstit shqiptar ekzistojnë projekte biznesi e zhvillimi, të cilat kanë interes afatgjatë dhe që meritojnë vëmendje më të madhe. Mungesa e kërkesës për kredi është një problem i njohur dhe i mirëkuptuar nga ana jonë, por sistemi bankar duhet të jetë më fleksibël në vlerësimin e kërkesave ekzistuese.

Në të gjitha daljet e mia publike kam theksuar kujdesin që duhet treguar për shëndetin e financave publike të vendit. Ne gjykojmë se paradigma ekonomike e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit kërkon marrjen e masave të shpejta për shëndoshjen e financave publike. Përtej sfidave afatshkurtra për buxhetin e këtij viti, e domosdoshme është vendosja e një rregulli fiskal të besueshëm e transparent, i cili do të disiplinojë politikën fiskale në afat të gjatë dhe do të garantojë besimin e tregjeve financiare në borxhin publik shqiptar.

Në përfundim, Banka e Shqipërisë gjykon se stimuli makroekonomik duhet të vazhdojë të bazohet në një politikë monetare stimuluese dhe në një sistem bankar më të vëmendshëm ndaj nevojave të ekonomisë. Gjithashtu, ne besojmë se politika fiskale nuk ka hapësirë për veprime të tilla. Kjo rrugë veprimi ruan stimulin makroekonomik dhe shëndetin e balancave makroekonomike, duke i dhënë formë dhe kolonës së parë të politikave zhvillimore.

2. Kolona e dytë: Zbutja e pasigurisë në ekonomi

Kolona e dytë (edhe kjo me veprim afatshkurtër), ka të bëjë me uljen e pasigurisë në ekonomi. Kjo pasiguri ka shumë dimensione dhe një ndikim kompleks në vendimmarrjen e sektorit privat, por rezultantja e saj është stepja e konsumatorit dhe e biznesit nga ndërmarrja e konsumit dhe e investimeve.

Jo e gjithë pasiguria lidhet me zhvillimet e brendshme, por një pjesë e konsiderueshme e saj origjinon aty. Disa nga nismat që listova më sipër – si riangazhimi në terma konkretë për ruajtjen e shëndetit të financave publike dhe rritja e transparencës në bilancet e ekonomisë shqiptare – janë hapat e duhur në këtë drejtim. Nisma të tjera që do të mbështesnin uljen e pasigurisë do të ishin:

  • forcimi i planeve të kontigjencës dhe i marrëdhënieve me institucionet financiare ndërkombëtare;
  • rritja e transparencës dhe e konsistencës së programeve të zhvillimit, si në nivel kombëtar dhe në nivel sektorial;
  • forcimi i kuadrit ligjor, rregullator e fiskal, si dhe minimizimi i luhatjeve të tyre;
  • përmirësimi i klimës së biznesit, në marrëdhëniet e tij me administratën tatimore dhe në marrëdhëniet me sistemin gjyqësor.

Ndërmarrja e këtyre hapave do të ishte një progres i rëndësishëm në rrugën e zhvillimit.

3. Kolona e tretë: Reformat strukturore

Kolona e tretë e zhvillimit, ajo e reformave strukturore të ekonomisë duhet të forcohet e thellohet më tej. Duke mos dashur të dal jashtë axhendës së takimit të sotëm, dëshiroj të theksoj se kjo reformë duhet t’i hapë rrugë një ekonomie më të shëndoshë, më konkurruese e me një zhvillim më të balancuar midis sektorëve. Vendosmëria dhe suksesi jonë në zbatimin e këtyre reformave do të përcaktojnë edhe zhvillimin afatgjatë të ekonomisë shqiptare.

4. Kolona e katërt: Konvergjenca me Bashkimin Evropian

Do të ishte produktive mendoj unë, që identifikimi, hartimi dhe zbatimi i paketës së reformave strukturore të kryhej në një bashkëpunim të ngushtë me institucionet e specializuara ndërkombëtare. Vlerësoj se tashmë Shqipëria i plotëson të gjitha kushtet për një konvergjencë të shpejtë me Bashkimin Evropian. Mendoj se mënyra më e mirë për të përballuar krizën aktuale dhe për të garantuar një rritje të qëndrueshme ekonomike në afat të gjatë është integrimi evropian. Banka e Shqipërisë, si pjesë përbërëse e Nismës së Vjenës II, është e angazhuar maksimalisht në procesin e rimodelimit të strukturës financiare që mbështet zhvillimin e vendeve të Evropës Juglindore.

***

Ju falënderoj për vëmendjen dhe mbetem i hapur për diskutime të mëtejshme.