BANKA E SHQIPËRISË

NJOFIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në takimin përmbyllës të vitit me Shoqatën Shqiptare të Bankave, 17 dhjetor 2013

Data e publikimit: 23.12.2013

 

Të nderuar drejtorë të bankave,

Shkëlqesia juaj  Ambasador Sequi,

I nderuar z. Ilahi

I nderuar z. Pencabligil,

Pjesë e kënaqësisë që të krijon pjesëmarrja në këtë takim të fund vitit janë edhe momenti i reflektimit për sfidat dhe arritjet me të cilat u përballëm këtë vit, dhe përpjekja për të identifikuar ato që na presin gjatë vitit të ardhshëm. Koha dhe karakteri festiv i këtij takimi, nuk më lejojnë të zgjatem në të gjitha çështjet që dua. Megjithatë, me lejoni që të ndaj me ju opinionin për dy çështje të cilat i gjykoj të rëndësishme për mbarëvajtjen e veprimtarisë së sektorit bankar gjatë vitit të ardhshëm.

Përpara kësaj, duhet të pranojmë që viti që po lëmë pas ishte një vit i vështirë për veprimtarinë e sektorit bankar. Gjatë ciklit të zhvillimit të tij, të më shumë se një dekade, sektori përjetoi këtë vit ngadalësimin e theksuar të rritjes së veprimtarisë dhe tkurrjen e nivelit vjetor të kreditimit.

Dobësia e cilësisë së aktiveve, e diktuar nga kredia, ka ndikuar ne rënien e rezultatit financiar për shkak të nevojës për rritjen e provigjioneve. Këto zhvillime kanë pasqyruar ngadalësimin  e përgjithshëm të ekonomisë dhe rënien e kërkesës së brendshme, për shkak të uljes së konsumit dhe investimeve nga sektori privat. Megjithatë, disa zhvillime të tjera, kanë treguar aftësinë e sektorit bankar për të reaguar dhe për t'u përballur me këto sfida në mënyrën e duhur. Kështu, sektori ka ruajtur nivele mjaft të mira të likuiditetit dhe të kapitalit, në vijim të rritjes së mëtejshme të depozitave të publikut dhe shtimit të kapitalit nga grupet bankare zotëruese. Në drejtim të trajtimit të kredive me probleme, janë bërë përpjekje me të dukshme për ristrukturimin si edhe për tregtimin e tyre  tek institucione financiare jobanka. Shoqata e bankave ka luajtur një rol aktiv gjatë  diskutimeve me autoritetet mbi problematikën e kredive me probleme dhe gjetjen e zgjidhjeve për trajtimin e tyre përmes anës rregullatore.   Ndër këto zgjidhje spikasin ndryshimet ligjore për procesin e ekzekutimit të kolateralit qe hynë në fuqi në shtator të këtij viti.

Nëpërmjet veprimtarisë së saj, industria bankare mund ta bëjë vitin 2014 një vit më të mirë për të dhe për ekonominë shqiptare. Mendoj qe kjo mund të arrihet nëse punohet me një ritëm më të larte në këto dy drejtime:

a) Së pari, në drejtim të kthimit të niveleve të përshtatshme të kreditimit për ekonominë shqiptare. Realizimi i këtij objektivi kërkon ndërlidhjen e tri elementeve të mëposhtëm:  Pastrimi i bilanceve nga kreditë me probleme. Është e domosdoshme që gjatë vitit 2014, të shënoni një progres të dukshëm në fshirjen e kredive të humbura nga bilanci dhe  aty ku është e nevojshme, në ristrukturimin e kujdesshëm të tyre. Përmirësimi i afërt i  trajtimit  fiskal të kredive të fshira, pritet të ofrojë një mbështetje shumë më të mirë të këtij procesi,  por kjo nuk e justifikon pasivitetin dhe shtyrjen në kohë të tij.. Kërkoj nga ju të ofroni angazhimin maksimal për përmbushjen me sukses të projekteve që kane nisur në këtë drejtim me Bankën Botërore.

Njëkohësisht vlerësoj se objektivat  sasiorë për uljen e nivelit të kredive me probleme duhet të jenë pjesë e planeve vjetore të punës, 2014 së institucioneve që drejtoni;

b) Përzgjedhja profesionale e kërkesave të reja për financim. Kërkesa për kredi mbetet e dobët, por ajo ekziston dhe duhet analizuar  potenciali që ekziston për rritjen e saj në të ardhmen. Në këtë drejtim, industria bankare duhet të forcojë analizën për orientimin e kredisë drejt sektorëve të ekonomisë me potenciale të lartë zhvillimi. Gjithashtu industria bankare   duhet të shohë me përparësi  financimin e ë subjekteve të vogla dhe të mesme.  i  cili zbut rrezikun e kreditit përmes diversifikimit të portofolit dhe përmirëson  qëndrueshmërinë e kthimit nga financimi;

c) Ulja e kostove të financimit. Në këtë drejtim, i referohem kryesisht normës së interesit të kredisë në leke, e cila, sipas opinionit tonë, nuk ka reflektuar mjaftueshëm ecurinë e normës bazë të interesit dhe pritshmëritë. Nëse vështrojmë rënien e normave të interesit për financimin e nevojave të Qeverisë, kuptohet se ngurtësia e lëvizjeve në koston e kreditimit reflekton primet e rrezikut që industria bankare vendos për financimin e sektorit privat. Për 2014,  mendojmë se industria bankare duhet të ofrojë një mbështetje më të mirë për sektorin privat, në kushtet kur:

  • marrëveshja me FMN-në, do të zbus nevojat për financim të Qeverisë;
  • pagesat e prapambetura publike ndaj sektorit privat do të fillojnë të shlyhen me ritme të përshpejtuara;
  • rënia e treguesve financiarë të industrisë bankare, imponon kthimin gradual drejt kreditimit të sektorit privat, me qellim përmirësimin e gjenerimit të të ardhurave.

Së dyti, dëshiroj të theksoj nevojën për përmirësimin e ndjeshëm të  strukturave dhe të kapaciteteve teknike për administrimin e rrezikut. Ne këtë drejtim, përfshirja në vendimmarrjen e analizave analitike lidhur me performancën e veprimtarisë së institucioneve që drejtoni ndaj skenarëve të ndryshëm, duhet të kërkohet dhe të sigurohet nga ana juaj. Kjo është një kërkese e kuadrit ekzistues rregullativ, të cilin ne do ta ndjekim me një kujdes të shtuar gjatë vitit të ardhshëm. Për ne, ky element do të jetë një tregues i cilësisë së drejtimit ne banka.

Pa e zgjatur me tej, dëshiroj të theksoj që për të gjitha këto procese, Banka e Shqipërisë do të japë si deri tani, të gjithë mbështetjen e nevojshme. Ne e vlerësojmë bashkëpunimin profesional dhe të drejtpërdrejtë me ju, si një element të rëndësishëm në plotësimin e kërkesave që përmban kuadri rregullativ mbikëqyrës.

Me tej, marrëveshja me FMN-në, por edhe mbështetja financiare më e madhe nga Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian, do të rikthejnë ekonominë e vendit ne shinat e stabilitetit afatgjatë, duke bërë që qëndrueshmëria makroekonomike të përkthehet në ritme më të larta të rritjes ekonomike. Besoj qe industria bankare do të shfrytëzojë këtë moment për të identifikuar mundësitë më të mira për ristrukturimin dhe rritjen e veprimtarisë, duke rifituar në këtë mënyrë rolin e saj si një motor i zhvillimit ekonomik të vendit.

Duke ju falënderuar për ftesën, dëshiroj t’i uroj secilit prej të pranishmeve në këtë takim, shëndet dhe suksese profesionale në vitin e ri!


Gëzuar!