BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani në tryezën e rrumbullakët: “Kolaterali, kredia, tregu dhe ligji” 12 korrik 2011

Data e publikimit: 12.07.2011

 

Të nderuar drejtues të bankave,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi e veçantë të hap punimet e forumit të radhës, të cilin e kemi titulluar “Kolaterali, kredia, tregu dhe ligji”. Tryeza e sotme do të analizojë me kujdes të gjithë faktorët që ndikojnë në kreditimin cilësor dhe të sigurt të ekonomisë. Për këtë arsye kemi një prezencë të shtuar institucionesh shtetërore, të cilët përfitoj nga rasti që t’i përshëndes dhe t’i uroj mirëseardhjen në këtë tavolinë diskutimesh.

12 07 2011 4040 0

Në tre vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të disa ngjarjeve që kanë tejkaluar kufijtë normalë të pritshmërisë, duke imponuar një tërësi ndryshimesh. Për rrjedhim, janë prekur në mënyrë të gjithanshme tregjet, strukturat, institucionet, madje edhe konceptimet ekonomike. Megjithatë, ndërkohë që ekonomia shqiptare është influencuar nga zhvillimet financiare ndërkombëtare, me kënaqësi konstatojmë se ajo ka demonstruar një shkallë të lartë rezistence dhe qëndrueshmërie.

Siç e kam deklaruar edhe herë të tjera, Shqipëria është një nga vendet që:

  • nuk përjetoi falimentim bankash apo injektime të kapitalit nga ana e shtetit;
  • përballoi me shumë kurajë krizën e besimit ndaj sistemit bankar dhe ku ndërmjetësimi financiar nuk u ndal për asnjë moment;
  • vazhdoi të regjistrojë terma pozitivë rritjeje, pavarësisht se në një ritëm më të ngadaltë;
  • vazhdoi të mbajë të mirëankoruara pritshmëritë inflacioniste gjatë gjithë kohës;
  • kostot shtesë që pasuan goditjet e gjeneruara nga kriza ndërkombëtare ishin të papërfillshme dhe plotësisht të absorbueshme.

Kjo performancë dhe ky imunitet, nuk është produkt rrethanash rastësore. Aktiviteti ekonomik në rritje dhe stabiliteti i sektorit financiar pasqyrojnë:

  • koordinimin e suksesshëm të politikave ekonomike të ndërmarra para dhe gjatë krizës;
  • kryerjen e reformave strukturore që para periudhës së krizës dhe vazhdimin tyre  edhe gjatë saj;
  • kujdesin e veçantë të Bankës së Shqipërisë, veçanërisht në periudhën që i parapriu krizës, në drejtim të forcimit të stabilitetit financiar nëpërmjet një serie veprimesh rregullative dhe administrative të mbikëqyrjes bankare;
  • konsolidimin dhe zgjerimin e tregut nëpërmjet përfshirjes në skemën e mbikëqyrjes bankare të të gjithë operatorëve financiarë jobanka, si dhe nëpërmjet licencimit të operatorëve të rinj të faktoringut. 

Stadi aktual pozitiv i zhvillimit ekonomik na jep mundësi për thellimin e reformave strukturore në një horizont afatgjatë, për të çimentuar avantazhet krahasuese që ka vendi, parë në një kontekst jo vetëm kombëtar dhe rajonal por edhe më gjerë. Rikthimi në normat e mëparshme të rritjes, nga një këndvështrim global, është një sfidë e vështirë e cila kërkon një kombinim me produktivitet të lartë të tokës, të kapitalit dhe të punës. 

Në terma konkretë, rritja ekonomike për vitin 2010 ka qenë në nivelin 3.9 %.
Kjo rritje ekonomike është mbështetur kryesisht nga kërkesa e huaj dhe rritja e eksporteve vendase, ndërsa kërkesa e brendshme ka njohur ngadalësim. Ekonomia shqiptare pritet të arrijë një niveli rritjeje prej 5 % për dy vitet e ardhshme, duke reflektuar kështu pritshmëritë optimiste. Banka e Shqipërisë, edhe në deklaratat e mëparshme, ka bërë të ditur se norma e inflacionit është nën kontroll dhe, deri në fund të vitit, kjo normë do të mbetet brenda objektivit të saj.

Zhvillimet e sistemit bankar, tregojnë se vazhdon rritja e veprimtarisë së tij, megjithëse me ritme më të ulëta krahasuar me periudhën përpara shfaqjes së krizës financiare ndërkombëtare. Gjatë vitit 2010 e në vijim, aktiviteti i sistemit bankar është rritur ndjeshëm, mbështetur në rritjen jo vetëm të depozitave por edhe të procesit kredidhënës të ekonomisë, respektivisht me rreth 18 dhe 10 % në terma vjetorë, për muajin maj 2011. Sistemi bankar vijon të paraqitet me një likuiditet të kënaqshëm dhe i mirëkapitalizuar.
Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit arrin në rreth 15 %; ndjeshëm më lart se limiti rregullator prej 12 %, çka dëshmon për një aftësi të kënaqshme të sistemit bankar në përballimin e sfidave të ardhshme të zhvillimit.

Banka e Shqipërisë në vazhdimësi ka kryer testet periodike të rezistencës. Siç tregon edhe testi i fundit, të gjitha bankat që operojnë në Shqipëri janë të afta të vazhdojnë veprimtarinë edhe në raste goditjesh ekstreme në ekonomi. Konkluzionet që dalin nga testet e rezistencës nuk janë të rastësishme. Modeli ynë mbikëqyrës ka qenë prudent, proaktiv dhe parandalues.

Ai ka një shtrirje të njëtrajtshme përgjatë gjithë periudhës që i parapriu krizës, pas shpërthimit të saj, e deri në ditët e sotme. Në mënyrë aspak rastësore, në vitet e ekspansionit të kreditimit i kushtuam kujdes:

  • mbulimit të çdo leku të dhënë hua me kolateral të mjaftueshëm;
  • përfundimit në kohë të regjistrit të kredisë;
  • ndalimit të kreditimit në monedha të huaja të pambrojtura, siç ishte ajo në franga zvicerane dhe në jen japonez;
  • zbatimit të një politike shumë të kujdesshme në provigjonimin e kredive, veçanërisht të atyre në monedhë të huaj të pambrojtur;
  • përmirësimit të qeverisjes, të kontrollit të brendshëm dhe të administrimit të rrezikut;
  • krijimin e fleksibilitetit të duhur për të ristrukturuar kreditë ekzistuese dhe njëkohësisht, për të furnizuar ekonominë me kredi të re.

Më lejoni të sjell në kujtesën tuaj, forumin e parë të hapur në pranverën e vitit 2008, ku në fjalën time kam thënë, citoj: “... politika monetare dhe stabiliteti financiar janë dy gjëra të lidhura në mënyrë të pandashme me njëra-tjetrën. Personalisht, e kam të vështirë të përcaktoj se nga anon balanca në ditët e sotme. Gjithsesi, jam i bindur se çdo investim që bëjmë sot për të garantuar stabilitetin financiar do të na kthehet në eficiencë të shtuar të politikës monetare.”.

E gjitha kjo na çon në konkluzionin se këto arritje nuk janë të rastësishme. Ato janë fryt i një pune të vazhdueshme, këmbëngulëse, vizionare dhe gjithëpërfshirëse. Një argument tjetër ku do të doja të ndalesha në vazhdim, ka të bëjë me kreditimin e ekonomisë. Kreditimi i ekonomisë është një nga faktorët e rëndësishëm në promovimin e zhvillimit ekonomik. Ai duhet të shihet jo vetëm si katalizator ekonomik, por edhe si burim i qëndrueshmërisë së ardhshme të vetë operatorëve bankarë. Në këtë proces, një theks i veçantë duhet të vihet mbi cilësinë e kreditimit, mbi analizën që duhet ta shoqërojë atë, si dhe mbi cilësinë e menaxhimit të rreziqeve të lidhura drejtpërsëdrejti me këtë proces apo me veprimtaritë e tjera të bankave.

Një nga goditjet e para që gjeneron kriza financiare, ndërmjet të tjerash, është dhe sistemi i kreditimit. Krizat financiare paraqesin më shumë vështirësi, kjo sepse ato zgjasin në kohë dhe prekin çdo qelizë të ekonomisë. Nga ky “rregull” nuk ka përjashtime, pavarësisht faktit nëse i referohemi ekonomive të zhvilluara apo ekonomive në zhvillim, ku bëjnë pjesë edhe vendet e rajonit tonë.

Për këtë qëllim, lajtmotivi i sotëm i reformave strukturore. në kuadrin global, është rregullimi, zgjerimi dhe thellimi i tregjeve.

ë i aksioneve dhe i letrave me vlerë të korporatave duhet të jetë i hapur 24 orë, për këdo që dëshiron të blejë apo të shesë. Ky është koncepti bazë i ekonomisë së tregut. Pa këtë funksion tregu fragmentohet; kalon në ngërç; nuk funksionon: duke ndikuar kështu në aktivitetin e agjentëve ekonomikë e për rrjedhim, edhe në rritjen e kredive të këqija.

Sipas të dhënave më të fundit, kreditë me probleme aktualisht kanë arritur nivelin rreth 15 %. Kjo rritje pasqyron vështirësinë në likuiditet që ka një pjesë e bizneseve dhe e individëve, duke çuar në pamundësinë e këtyre të fundit për të vazhduar shlyerjen periodike të detyrimeve ndaj bankave. Banka e Shqipërisë konstaton se sistemi bankar po i kushton një vëmendje më të madhe menaxhimit të marrëdhënieve me klientelën, veçanërisht me ato që ndodhen në vështirësi financiare.

Në shumë raste, negociatat midis bankave e klientëve kanë rezultuar në ristrukturim të kredive, për t’i dhënë një frymëmarrje më të madhe ecurisë së bizneseve.

Natyrisht, nuk kanë munguar rastet e pamundësisë së plotë të kredimarrësve për të shlyer detyrimet e tyre, raste të cilat kanë përfunduar në procedura gjyqësore e deri në ekzekutim të hipotekës.

Është pikërisht ky fenomen - ekzekutimi i kolateraleve - i cili ka qenë shqetësim për industrinë bankare dhe që ka shtyrë Bankën e Shqipërisë të thërrasë këtë tryezë. Vështirësitë duket se nuk janë vetëm të natyrës ligjore, por shpeshherë, dalin në pah në sajë të sjelljeve burokratike të institucioneve të përfshira. Banka e Shqipërisë ka bërë një analizë të këtyre vështirësive në komunikim me aktorët e interesuar, siç janë bankat dhe shoqëritë e përmbaruesve privatë dhe shtetërorë.

Më lejoni të listoj në mënyrë të përmbledhur disa nga këto probleme sipas kategorive përkatëse:

Kundërshtimi i veprimeve përmbarimore

Në një numër të konsiderueshëm rastesh, bankat pozojnë pretendimet si më poshtë:

  • zgjatja e procedurës së ekzekutimit të detyrueshëm;
  • marrja e masës së pezullimit të veprimeve përmbarimore nga ana e gjykatës, pa u plotësuar kriteret ligjore të depozitimit të provave, deri në injorimin e argumenteve të bankës;
  • mos-thirrja e bankave si palë të treta, duke shkelur parimin e procesit të duhur ligjor.
    Për më tepër, vërehet se mundësitë e pezullimit të proceseve gjyqësore deri në marrjen e formës së prerë, rriten me rritjen e shumave që janë në proces ekzekutimi dhe kundërshtimi.

Masa për sigurimin e padisë

Një tjetër pretendim nga industria bankare lidhet me vendimet e gjykatave pёr masën e sigurimit të padisë. Shqyrtimi dhe vendimmarrja e gjykatës kryhet pa praninё e palёs kreditore, dhe si pasojë, pa u shqyrtuar dëmi që i shkaktohet kësaj pale, duke shkelur në këtë mënyrë parimin e barazisë së palëve dhe duke zgjatur me muaj të tërë pezullimin e procesit të ekzekutimit.

Situata rëndohet edhe më tej, kur vërehet se marrja e masës së sigurimit të padisë, sipas dispozitave të Kodit, duhet të bazohet në prova shkresore dhe jo në vlerësime të kryera në kohën e marrjes së kredisë, të cilat ndryshojnë ndjeshëm nga vlerësimet në kohën e kryerjes së procesit, duke manipuluar masën e sigurimit të padisë.

Afatet e gjykimit të çështjeve

Nga komuniteti i bankave ngrihet pretendimi se vonesat e dukshme nё lëshimin e urdhrave të ekzekutimit, konsistojnë nё zbardhjen e këtyre vendimeve dhe si pasojë, në tejkalimin e afateve ligjore në gjykimin e çështjeve.

Për fat të keq, konstatohet se vonesat në gjykim dhe shtyrjet e afateve kanë nxitur debitorët në moskthimin e kredive, duke favorizuar kredimarrësit me probleme.

Përveç problemeve të ndeshura me gjykatat, ekzistojnë edhe një sërë çështjesh që ndeshen gjatë procedurave përmbarimore të përmbledhura shkurtimisht më poshtë:

  • vendosja fiktive e sekuestrimit apo e posedimit të sendit;
  • reduktimi spekulativ i çmimit tё sendit, në dëm tё interesave tё kreditorit;
  • mungesa e procedurave për pasuritë e paluajtshme, të ndërtuara pa leje ndërtimi;
  • mungesa e transparencës dhe garantimi i një procesi me integritet për sendet në ekzekutim.

Lista e problematikave është edhe më e gjatë, çka tregon se problemet që ndeshen janë të shumta. Megjithatë, duket se marrëdhënia me shoqëritë përmbaruese ka pësuar përmirësim cilësor pas miratimit të kuadrit ligjor dhe hyrjes në treg të përmbaruesve privatë.

Nga bashkëpunimi i bankave me këto shoqëri rezulton se:

  • ka një prirje të dukshme në rritje për respektimin e afateve për ekzekutim, si dhe për shfrytëzimin sa më të mirë të hapësirave ligjore;
  • ka rritje të efikasitetit në procedurat e njoftimeve;
  • ka rritje të asistencës në marrëdhëniet me organet shtetërore përkatëse, si dhe pjesëmarrje aktive dhe të specializuar në Gjykatë, në procese të iniciuara nga debitori; dhe
  • paanshmëri, profesionalizëm, transparencë në trajtimin e çështjeve.

Takimi i sotëm, nëpërmjet unifikimit të qëndrimit të të gjitha institucioneve pjesëmarrëse, do t‘i përcjellë një mesazh të qartë ndërgjegjësimi të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces, publikut, bizneseve, individëve dhe çdo kredimarrësi potencial, se ekzekutimi i kolateraleve mbetet një shtyllë e rëndësishme në ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit bankar, dhe më gjerë, të stabilitetit financiar.  

 Në mbështetje të tematikës së këtij forumi, si dhe për të pasur një panoramë të përgjithshme lidhur me këtë çështje, janë përftuar informacione mbi problematikat që lidhen me këtë proces jo vetëm nga sistemi bankar por edhe nga përmbaruesit, si publik ashtu edhe privat. Për më tej, janë realizuar takime paraprake, të nivelit teknik, me palët e interesit të përfshira në procesin e ekzekutimit të kolateraleve.

Në këto takime, janë hedhur disa ide të cilat mund të gjejnë zbatim në të ardhmen e afërt për të adresuar shqetësimet e ngritura dhe mund të jenë objekt diskutimi në këtë tryezë të sotme.

Konkretisht nevojitet që:

  • të organizohen trajnime të grupeve të ndryshme pjesëmarrëse në procesin e ekzekutimit të kolateraleve, me qëllim evidentimin e problematikave të legjislacionit përkatës, si dhe kuptimin më të mirë të qëllimit të këtij legjislacioni;
  • të nxitet unifikimi i vendimeve për çështje konfliktuese. Për këtë qëllim nevojitet që grupet e interesit të cilët kanë çështje gjyqësore në proces, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre ligjor, të nxisin paraqitjen e çështjeve në Gjykatën e Lartë, ku do të ndiqet procedura për kërkimin e një vendimi të unifikuar;
  • të shikohet mundësia e rishikimit të kuadrit ligjor e rregullativ përkatës për të eliminuar të gjitha vështirësitë e identifikuara;
  • aktorë të ndryshëm të tregut me interes në problematikën e ngritur, të ndihmojnë për zhvillimin e një fushate sensibilizuese për këtë qëllim;
  • nëpërmjet asistencës së Euralius-it, të hartohet një manual për çështjet praktike që lidhen me ekzekutimin e kolateralit.

Këto masa do të jenë objekt i diskutimeve në vijim. E rëndësishme është që, mbasi të biem dakord, t’i përkthejmë ato sa më shpejt në një plan veprimi, me qëllim zgjidhjen në kohë të problemeve që lidhen me ekzekutimi e kolateralit.

Të nderuar zotërinj,

Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol të madh duke qëndruar si ruajtës jo vetëm për stabilitetin makroekonomik, por edhe për stabilitetin financiar të vendit. Makroprudenca ka qenë fjala që ka mbizotëruar komunikimin tonë me tregun, autoritetet dhe me publikun e gjerë.

Atë e kemi përkthyer si një domosdoshmëri për më shumë kapital, më shumë likuiditet, më shumë aftësi paguese të sistemit bankar. Për rrjedhojë, sektori bankar shqiptar, për asnjë çast, nuk ka përjetuar ngërç. Banka e Shqipërisë i dha, dhe vazhdon t’i japë, likuiditetin e nevojshëm sistemit bankar, duke i sjellë frymëmarrjen e nevojshme jo vetëm tregut, por gjithë ekonomisë.

Politikat e kujdesshme dhe rregullimet ligjore të kryera në kohë, nga njëra anë garantuan një mbikëqyrje bankare efektive dhe nga ana tjetër mundësuan një shkallë të kënaqshme aksesi të biznesit ne kredinë bankare.

Sigurisht që bankat janë krijuar për të dhënë kredi, por, para së gjithash, duhet të mbajmë parasysh se rëndësi më të madhe se kreditimi i një biznesi të veçantë apo se portofoli i një banke të veçantë, përbën stabiliteti i depozitave të popullatës; të individëve të thjeshtë. Për më tepër biznesi duhet të rikalibrojë pozicionin e tij në raport me zhvillimet e fundit, si në ekonominë e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme.

Ai duhet të synojë produktivitet më të lartë, kryesisht nëpërmjet evidentimit të të gjithë avantazheve krahasuese, në raport me spektrin e ndryshimeve globale.

Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të jetë vokale në rolin dhe mbështetjen e ekonomisë me kredi. Vizioni i saj së ardhmes është: më shumë stabilitet, më shumë investime të huaja, më shumë kredi, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe një integrim të natyrshëm me familjen evropiane.

Ju faleminderit!