BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në tryezën e rrumbullakët “Sfidat ekonomiko-politike të bashkëpunimit rajonal”, Hotel “Sheraton”, 8 shtator 2010

Data e publikimit: 08.09.2010

 

Të nderuar miq,

Të dashur pjesëmarrës,

Ndihem i nderuar të hap sot këtë tryezë të rrumbullakët. Më lejoni që t’u uroj së pari mirëseardhjen kolegëve tanë nga Universiteti i Oksfordit, të cilët kanë marrë përsipër një mision të rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin: të kontribuojnë në rritjen e kapacitetit kërkimor, në dije, dhe në përballjen me sfidat e rritjes së qëndrueshme që ne hasim në rrugët tona të përbashkëta, të ngjashme, por unike, drejt Bashkimit Evropian.

Është kënaqësi e madhe për mua dhe për Bankën e Shqipërisë të kemi mundësinë të fillojmë një seri studimesh mbi politikën ekonomike të vendit dhe rajonit, të cilat do të ndihmojnë debatin shkencor rreth modelit të rritjes ekonomike, mbështetur edhe nga një këndvështrim rajonal në nivelin social, ekonomik dhe në atë politik.

Mund të pyesni veten pse Banka e Shqipërisë është kaq e interesuar për rritjen ekonomike dhe politikat ekonomike në përgjithësi, duke qenë se objektivi kryesor i bankës qendrore është stabiliteti i çmimeve. Në minutat në vijim do të përpiqem të trajtoj disa nga pikat kryesore të axhendës së Bankës së Shqipërisë në vitet e fundit.

Më konkretisht, bëhet fjalë për: efektivitetin e politikës monetare, rëndësinë e ankorave ekonomike të brendshme dhe të jashtme, ngritjen e kapaciteteve kërkimore në funksion të zbatimit të politikave tona, si dhe komunikimin dhe edukimin e publikut. Qasja e duhur ndaj këtyre çështjeve është një domosdoshmëri për politikën monetare dhe për rolin e saj themelor në arritjen e mirëqenies ekonomike.

Bankat qendrore të suksesshme, objektivi kryesor i të cilave është inflacioni, po i kushtojnë përherë e më shumë rëndësi edhe aktivitetit ekonomik dhe treguesve të tjerë të ekonomisë reale. Kjo prirje nuk mbështetet vetëm tek fakti se inflacioni ndikohet drejtpërdrejtë nga luhatjet e aktivitetit ekonomik dhe papunësisë në afatin e shkurtër, por edhe mbi teorinë e ekonomiksit monetar, sipas së cilës banka qendrore duhet të tregojë vëmendje edhe për rritjen ekonomike potenciale në afatin e gjatë.

Për më tepër, argumenti i rritjes ekonomike është objektivi qendror i politikave ekonomike. Për rrjedhim, edhe vendimet e bankës qendrore në fushën e politikës monetare, të mbikëqyrjes dhe të stabilitetit financiar, duhet të ndërveprojnë dhe të harmonizohen me këtë objektiv qendror. Vetëm kështu, garantohet stabiliteti makroekonomik e financiar i vendit.

Nga ky këndvështrim, Banka Qendrore përpiqet që politikat e saj të mos rrisin luhatshmërinë afatshkurtër të aktivitetit ekonomik dhe të mos pengojnë potencialin e rritjes ekonomike në afatin e gjatë.

Natyra e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë është e ngjashme me atë të politikës së ndjekur nga Banka Qendrore Evropiane; ajo bazohet në dy shtylla: e para është analiza monetare dhe e dyta analiza ekonomike. Kolona e dytë ka një rëndësi të madhe për ecurinë e inflacionit, veçanërisht në afatin e gjatë.

Inflacioni është përgjithësisht një fenomen monetar dhe si i tillë varet shumë nga masa monetare në qarkullim dhe nga shpejtësia me të cilën kjo rritet në raport me Produktin e Brendshëm Bruto. Lidhja e drejtë që ekziston ndërmjet këtyre variablave kërkon që rritja e ofertës së parasë në afatin e gjatë të mos jetë më e shpejtë se rritja e aktivitetit ekonomik në mënyrë që banka qendrore dhe politika e saj monetare të mos shkaktojnë inflacion.

Duke pasur qëndrueshmërinë e çmimeve dhe stabilitetin financiar si prioritete kryesore, Banka e Shqipërisë është e vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet për të inkurajuar dhe për të luajtur rol aktiv në konvergjencën e vendit me standardet evropiane.

Një nga hapat që duhet hedhur menjëherë në ketë drejtim, është hartimi i një modeli të ri të rritjes ekonomike, duke mbajtur parasysh mangësitë e modelit të tanishëm të ngritur mbi rritjen dhe zgjerimin e kreditit dhe nivelet e larta të konsumit. Në maj të këtij viti, Banka e Shqipërisë organizoi një tryezë të rrumbullaket shkencore, e cila u përqendrua në identifikimin e sektorëve të ekonomisë që mund të sigurojnë një rritje ekonomike të qëndrueshme në të ardhmen. Takimi arriti në përfundimi se modeli i ardhshëm i rritjes ekonomike kërkon ndërtimin e një strategjie kombëtare të zhvillimit ekonomik të vendit. Modeli i ardhshëm duhet të mbështetet në rritjen e produktivitetit të faktorëve të prodhimit në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Në kushtet e një ekonomie të vogël e të hapur, rëndësi të veçantë kërkon rritja dhe qëndrueshmëria e eksporteve. Rrjedhimisht dhe puna kërkimore, reformat dhe vendimet strategjike duhet të përshtaten në përputhje me këtë objektiv. Roli i sistemit bankar merr një rëndësi të veçantë në këtë kuptim. Ai duhet të evidentojë me kujdes sektorët prioritarë dhe fitimprurës si dhe të sigurojë financimin e vazhdueshëm të tyre. Kredia bankare ka qenë dhe do të mbetet një nga instrumentet kryesorë që do të mundësojë ecurinë e qëndrueshme të aktivitetit ekonomiko financiar të vendit.

Në mënyrë që kjo strategji të jetë e suksesshme ajo duhet të përfshijë si përbërës substancialë të saj edhe filozofinë dhe prioritetet e zhvillimit të rajonit të Ballkanit Juglindor. Kjo nevojë rezulton jo vetëm prej kërkesave të konkurrueshmërisë dhe të arritjes së ekonomisë së shkallës, por edhe prej synimit tonë të përbashkët për integrim evropian.

Gjatë viteve të fundit, kam theksuar vazhdimisht se çelësi për një proces të suksesshëm integrimi në BE është bashkëpunimi rajonal. Ka shumë arsye që e mbështesin konkluzionin se modelet tona të rritjes duhet të shihen si plotësuese dhe jo si konkurruese të njëra-tjetrës. Është e domosdoshme që i gjithë procesi i reformave strukturore të zhvillohet me shpejtësi, i koordinuar dhe t’i paraprijë anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Vetëm në këtë mënyrë i tërë rajoni do të konvergojë natyrshëm, duke shmangur episodet e zhbalancimeve brenda gjirit të familjes evropiane pas anëtarësimit.

Ky do të ishte një kontribut real në qëndrueshmërinë afatgjatë të zhvillimeve evropiane.

I gjithë rajoni është duke kaluar një proces konsolidimi politik, ekonomik dhe shoqëror. Politikanët, vendimmarrësit, analistët dhe thuajse gjithkush deklaron se prioriteti i tyre është aderimi në Bashkimin Evropian.

Pyetja që shtrohet është nëse:

- do të konvergojmë drejt zonës ekonomike evropiane me struktura ekonomike të vogla dhe të fragmentuara që konkurrojnë me njëra-tjetrën për tregje dhe mundësi evropiane,

- apo do të mbështetemi në një model:

  • që përfiton nga ekonomia e shkallës,
  • që nxit dhe shfrytëzon avantazhet e pozitave ekzistuese konkurruese
  • që rrit mirëqenien ekonomike të krejt rajonit dhe secilës ekonomi individuale

Personalisht besoj se alternativa e dytë është përqasja moderne të cilën rajoni ynë duhet ta përqafojë pa asnjë hezitim. Suksesi i këtij procesi do të varet mbi të gjitha nga përpjekjet dhe dedikimi ynë për të kuptuar cilat janë avantazhet tona konkurruese dhe për të ndërtuar infrastrukturën e duhur ekonomike, financiare, ligjore dhe fizike për të shfrytëzuar dhe rritur këto avantazhe e për tu bërë konkurrues në ekonominë botërore.

Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që studimi i modelit të rritjes të bëhet jo vetëm nga një këndvështrim rajonal, por të jetë një përqasje e orientuar thellësisht nga e ardhmja.

Rajoni në vetvete siguron një sërë avantazhesh të rëndësishme:

  • tregjet e punës ndodhen në mes të vendeve aziatike dhe të vendeve anëtare në BE;
  • mundësitë e investimit me kthim të lartë ndaj kapitalit, në pasuri të patundshme dhe në infrastrukture janë të mëdha dhe joshëse për tregjet e zhvilluara;
  • rajoni ka një popullsi prej mbi 20 milionë banorësh me karakteristika demografike të pëlqyeshme;
  • potenciali turistik i rajonit është i jashtëzakonshëm si produkt i kombinimit të klimave të ndryshme me tipare gjeografike dhe tradita etnike e kulturore të larmishme.

Rezultatet paraprake të studimeve empirike në Bankën e Shqipërisë tregojnë se mundësitë ekonomike për t’u shfrytëzuar nga vendet e rajonit janë të mëdha.

Analizat tona të tregtisë së jashtme, bazuar në modelet e gravitetit, nxjerrin në pah se tregtia e jashtme e Shqipërisë me partnerët e BE është në nivele optimale, ndërsa tregtia me rajonin është nën potencialin e saj.

  • Çfarë e pengon tregtinë tonë rajonale për të arritur potencialin?
  • Çfarë nevojitet për ndërmarrjen e reformave strukturore të koordinuara në nivel rajonal?
  • Mos kemi të bëjmë me dobësi në koordinimin e politikave, shkëmbimin e informacionit, ngritjen e institucioneve, infrastrukturën ekzistuese ligjore, apo në lobimin në strukturat evropiane?
  • Sa i mundur është sinkronizimi i përpjekjeve për konvergjencë më efektive dhe efikase dhe procesin e integrimit?
  • Cilat janë fushat kryesore ekonomike dhe politike ku mund të ketë më tepër hapësirë për arritjen e politikave të përbashkëta rajonale?
  • Si e ka ndikuar kriza e fundit financiare dhe ekonomike botërore ekonominë shqiptare, ekonominë rajonale dhe, më parësisht, procesin e konvergjencës?
  • A mund t’ia dalim vetë?

Të gjitha këto janë çështje shumë të rëndësishme për të cilat mendoj se duhet të ndalemi dhe t’i studiojmë në thellësi. Ato janë janë subjekt i punës kërkimore, konkluzionet e të cilave do të hidhnin dritë mbi orientimin e reformave ekonomike dhe strukturore.

Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë ka bashkuar forcat me Universitetin e Oksfordit për të bërë kërkim shkencor të dedikuar drejt gjetjes së përgjigjeve për pyetjet e mësipërme e të tjera të ngjashme.

Përgjigjet për këto çështje themelore janë të dobishme jo vetëm për Shqipërinë dhe partnerët e saj rajonalë, por edhe për BE-në dhe strukturat e saj politike e ekonomike.

Kam bindjen se Komisioni Evropian mund të shfrytëzojë rezultatet e këtyre hulumtimeve shkencore për të ndërtuar ankora të reja në formën e stimujve ekonomike dhe politike në mënyrë që të rritet eficenca e të gjithë burimeve rajonale.

Këto studime do të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë atë se: Çfarë dhe si duhet bërë për ta kthyer BE-në, Programet e saj Ekonomike Para-Aderimit dhe Programet Ekonomike e Fiskale në ankora të jashtme më të forta e më imponuese për politika kombëtare e rajonale.

Megjithatë, është e rëndësishme të kuptojmë se kushtëzimet e huaja nuk mund të mbështesin prosperitetin e qëndrueshëm afatgjatë në mungesë të ankorave të brendshme.

Imponimet që mund të na vijnë nga Brukseli apo organizata të tjera ndërkombëtare janë të domosdoshme për sa kohë që ankorat e brendshme janë të brishta. Prandaj, është e nevojshme që vetë shoqëria dhe institucionet ndërkombëtare të mbështesin krijimin dhe forcimin e ankorave të brendshme.

Cila do të ishte një ankorë e brendshme efektive?

Për mendimin tim, ankora më e mirë e brendshme është një teknicien që mendon në mënyrë të pavarur, është krenar për atë që bën, i ndërgjegjshëm për rezultatet dhe pasojat e veprimeve të tij.

E thënë ndryshe kjo nënkupton ngritjen e kapaciteteve profesionale si një nga gurët e themelit të politikave të suksesshme afatgjata. Edukimi dhe kërkimi shkencor në këtë drejtim kanë një rol të rëndësishëm dhe të patjetërsueshëm.

Të gjitha çështjet e përmendura deri tani, si:

  • modeli i ri strategjik i rritjes ekonomike;
  • politika monetare efektive, eficiente dhe konsistente me rritjen ekonomike;
  • nevoja për reforma strukturore të koordinuara në rajon;
  • sfidat e integrimit evropian;
  • ekonomia e përbashkët politike e rajonit në të ardhmen;
  • rëndësia e ankorave të brendshme dhe studimi e shfrytëzimi i atyre të jashtme, si dhe;
  • nevoja për ngritjen e kapaciteteve;

janë në kalendarin e punës kërkimore në Bankën e Shqipërisë.

Është kënaqësi e madhe që tashmë kemi mundësinë të bashkëpunojmë me një partner të jashtëzakonshëm si Universiteti i Oxfordit–një institucion i mirënjohur për kërkimin e nivelit të lartë në shkenca politike dhe ekonomike.

Nga ky bashkëpunim, shpresoj dhe jam konfident se shumë nga çështjet që diskutova më sipër do të kenë një përgjigje, qoftë kjo e pjesshme apo e plotë. Ajo që unë do të dëshiroja më shumë ka të bëjë me përfshirjen në të të sa më shumë studjuesve vendas apo nga rajoni.

Dëshiroj që të garantoj të gjithë të interesuarit se ne jemi të hapur në këtë drejtim. Nga ana tjetër, besoj se bashkëpunimi që zyrtarizuam sot, do të japë një kontribut të prekshëm edhe në drejtim të edukimit dhe ngritjes së kapacitete profesionale në shkallë kombëtare.

Më lejoni ta mbyll fjalën time duke ju kthyer edhe njëherë argumentit te teknicienëve profesionistë. Ende mendoj se:

  • kemi nevojë për të edukuar teknicienët tanë;
  • për më tepër, më pas duhet ti bëjmë ata të pavarur financiarisht dhe politikisht;
  • e akoma më tej, duhet ti edukojmë sërish.

Nga ana tjetër, ngritja e kapaciteteve nuk është çështje ‘individi’; është çështje institucionesh; në fakt, është një proces i pavarur nga burimet njerëzore.

Kjo sepse kapacitetet duhen ngritur në ‘procese’ dhe jo në njerëz, për të qenë jetëgjata. Ankorat e mira nuk përdoren vetëm nga institucionet që lidhin politikat me to. Ato janë instrumente në duart e publikut, si argumente të forta për të shtyrë agjencitë qeveritare drejt hartimit dhe zbatimit të politikave të qëndrueshme afatgjata.

Unë besoj se vlerat evropiane mund të luajë një rol vendimtar në këtë drejtim, duke forcuar dhe mbështetur krijimin e institucioneve të respektuara, ku kritika zhvillohet në mënyrë të pavarur nga proceset dhe objektivat politike. Kjo është arsyeja që kemi zgjedhur të bashkëpunojmë me Universitetin e Oksfordit.