BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko, gjatë takimit me gazetarë, analistë dhe drejtues të medias

Data e publikimit: 23.12.2016

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi e veçantë të mirëpres në hollin historik të Bankës së Shqipërisë përfaqësues të spikatur të gazetarisë ekonomike si dhe studentë të talentuar në fushën e mendimit ekonomik, ndaj më lejoni, që në emrin tim dhe të Bankës së Shqipërisë, t’ju uroj mirëseardhjen në këtë takim të fundit për vitin 2016.

Aktiviteti i sotëm, i kthyer tashmë në një traditë të Bankës së Shqipërisë, synon të mbështesë dhe të promovojë punën e studentëve në fushën e ekonomisë dhe të financës. Nëpërmjet këtij çmimi, Banka e Shqipërisë synon të inkurajojë studentët dhe profesionistët e rinj të thellohen më tej në universin e dijeve dhe materializimin e tyre në veprimtarinë akademike dhe profesionale.

Përgjatë viteve, ky konkurs ka ngjallur interesin e studentëve më të mirë brenda e jashtë vendit, ndaj dhe këtë vit shumë studentë kanë sjellë punët e tyre për të marrë pjesë në të. Dëshiroj të përgëzoj dhe të falënderoj të gjithë ata që kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e këtij aktiviteti për cilësinë e lartë të punimeve të tyre, ku temat e paraqitura prekin një rreth të gjerë çështjesh ekonomike dhe sociale, që janë sot objekt diskutimesh midis politikëbërësve dhe akademikëve.

Më duhet ta pranoj se komisioni e pati të vështirë përzgjedhjen e tre diplomave fituese pasi gjithë punimet ishin shumë të mira. Ashtu si dhe vitet e kaluara, “Çmimi i Guvernatorit” synon të përzgjedhë diplomat fituese më të mira nga këndvështrimi metodologjik dhe origjinaliteti i punës kërkimore. Këtë radhë, ajo që i dalloi punimet fituese është fakti se ato kanë guxuar më shumë se të tjerët në këto drejtime.

Përpara se të shpall emrat e fituesve, dëshiroj të ndalem shkurtimisht për të diskutuar karakteristikat dhe veçoritë kryesore të identifikuara në bashkësinë e punimeve të prezantuara.

Së pari, vërej se ka një rritje të origjinalitetit të punimeve e temave të diplomave që kanë aplikuar në konkurs. Në punime zënë vend tematika që reflektojnë shqetësimet dhe sfidat e kohës, një zhvillim të cilin personalisht e konsideroj shumë të rëndësishëm. Studentët janë bërë më guximtarë në përzgjedhjen jo vetëm të tematikave, por dhe të metodologjive të kërkimit. Rrjedhimisht temat e diplomave janë bërë më origjinale dhe njëkohësisht më informative e më të vlefshme, jo vetëm për mjedisin universitar, por gjithashtu dhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve shtetërore dhe korporatave.

Gjithsesi vlerësoj se universitetet dhe studentët do të përfitonin më shumë nga një bashkëpunim më i ngushtë me industrinë, sektorin financiar dhe institucionet për diskutimin e problemeve me të cilat përballet sot ekonomia dhe biznesi.

Së dyti, kemi evidentuar një rritje të cilësisë shkencore të punimeve të studentëve. Materialet po largohen nga analizat përshkruese, duke u bazuar gjithnjë e më shumë në metodologji bashkëkohore të kërkimit shkencor. Në disa raste, kemi rritje të shpejtë të numrit dhe të llojshmërisë së modeleve të aplikuara në punimet e studentëve. Për më tepër ka një rritje të vëmendjes dhe seriozitetit të krijimit të bazave të të dhënave, në të cilat mbështetet kërkimi shkencor. Kjo ka sjellë rritje të cilësisë së punimeve dhe të vlefshmërisë së konkluzioneve, gjë që i jep kuptim përpjekjeve dhe punës së kryer nga autorët. Gjithashtu, vërej se ka përpjekje për krijimin e bazave të të dhënave cilësore me karakter mikroekonomik, për të rritur madhësinë e zgjedhjes statistikore dhe për t’i dhënë kështu më shumë kuptim real aplikimit e analizës empirike të kërkimit.

Megjithatë, mendoj se kujdes më i madh duhet bërë në krijimin e bazave të të dhënave përfaqësuese dhe shpreh gatishmërinë e Bankës së Shqipërisë për të ofruar bashkëpunim dhe asistencë në këtë drejtim.

Së treti, me kënaqësi konstatojmë një dëshirë dhe kurajë të studentëve për të zbatuar në punimet e tyre metoda të sofistikuara e bashkëkohore të kërkimit shkencor. Përdorimi i bazave të të dhënave mikro, është një metodologji e momentit që aplikohet jo vetëm në financë dhe biznes, por njëkohësisht edhe në vendimmarrje. Aplikimi i këtyre metodave po i zhvendos temat nga analiza tabelore krahasuese për studimin e tregut, drejt hulumtimit të fenomeneve dhe ligjshmërive ekonomike. Shpresoj se këto tendenca do të ngjallin interesim më të madh nga industria dhe nga sektori financiar për kërkimin shkencor dhe duke parë cilësinë e punimeve në gjithë dimensionet e tyre, besoj se diplomantët do të përbëjnë një pasuri humane me vlerë për punëdhënësit e tyre.

Edhe njëherë dua të theksoj se punët tuaja i vlerësojmë si një kontribut të vlefshëm për të analizuar fenomenet ekonomike në të sotmen dhe të ardhmen. Uroj të vazhdoni të zgjeroni punën dhe kulturën tuaj profesionale në institucionet ku do të punësoheni apo do të shkolloheni më tej! Më lejoni t’ju përgëzoj për këto cilësi dhe t’ju uroj për punën e mirë dhe seriozitetin akademik të shfaqur në punimet tuaja. Shpresoj që vlerësimi që do të merrni sot t’ju nxisë për zgjerimin e mëtejshëm të njohurive dhe t’ju mbështesë në fillimin e një karriere të suksesshme.

Në mbyllje të kësaj fjale, dëshiroj të bëj një falënderim të veçantë për të gjithë ju, përfaqësuesit e medias, për kohën, vëmendjen dhe rëndësinë që i keni kushtuar të gjitha komunikimeve tona për shtyp. Hapësira që ju i keni dedikuar deklaratave tona gjatë vitit që mbyllim ka qenë e mjaftueshme për të shpërndarë në publik mesazhet dhe konkluzionet e Bankës së Shqipërisë. Shpreh bindjen se shkalla e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë do të jetë tipar mbizotërues i marrëdhënieve tona. Agjentët ekonomikë dhe publiku i gjerë kanë të drejtën të jenë të informuar në kohë dhe me cilësi, dhe ne jemi të bindur se ju do ta kryeni më së miri këtë rol edhe në vitin 2017.

Ju faleminderit dhe gëzuar festat!