BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit Ekonomik, Universiteti i Tiranës

Data e publikimit: 07.11.2019

 

Të dashur studentë,

Të nderuar pedagogë dhe familjarë,

Është një kënaqësi e madhe të jem i pranishëm në këtë ditë të shënuar për ju, për familjet tuaja, si dhe për vetë stafin pedagogjik të Fakultetit. Sot keni të drejtë të ndiheni krenarë, pasi është dita në të cilën shpërblehet i gjithë mundi dhe sakrificat tuaja, në secilën shkallë të edukimit, që nga ai elementar e deri në përfundimin e studimeve universitare.

DSC 8578 - Copy 498

Më lejoni që, nga kjo foltore, t’i uroj secilit prej jush suksese të mëtejshme në rrugëtimin e gjatë dhe sfidues të jetës pasuniversitare. Nga nesër për ju hapen perspektiva të tjera, të ndryshme nga auditorët shkollorë. Nga nesër përballë jush do të shfaqet e do të nisë të marrë formë një tjetër fazë e jetës, me marrëdhënie komplekse dhe tepër sfiduese. Është kjo e vërteta e madhe e jetës njerëzore, të cilën tashmë shpresoj ta keni kuptuar. Rezultatet tuaja, përshtypjet e marra nga pedagogët, si dhe konkluzionet e nxjerra nga praktikat mësimore që keni kryer pranë Bankës së Shqipërisë, më bëjnë të jem optimist se ju do ta gjeni shtegun e duhur.

DSC 8796 - Copy 498

Apeli që ju drejtoj sot është që të përpiqeni të përqafoni një filozofi të menduari dhe të vepruari të ndryshme, më moderne dhe më largpamëse, sigurisht pa lënë jashtë vëmendjes vlerat dhe traditat tona më të mira kombëtare. Këshilla ime është që për asnjë moment të mos hiqni dorë nga dija dhe nga librat. Nevoja për edukim është e pashmangshme dhe do t’ju shoqërojë përgjatë gjithë karrierës suaj, pavarësisht angazhimit tuaj specifik. Nuk ka rëndësi nëse do jeni pjesë e botës akademike, e sektorit privat, apo pjesë e institucioneve të rëndësishme publike apo ndërkombëtare. Për të qenë në majë të renditjes, gjithnjë do t’ju duhet të jeni të azhurnuar me teoritë, me rrymat dhe me gjetjet e kohës, të cilat shpjegojnë ligjësitë dhe funksionimin e tregjeve dhe të ekonomisë.

DSC 8720 - Copy 498

Si drejtues i një institucioni të rëndësishëm vendimmarrës së politikave ekonomike dhe financiare, në vazhdimësi kam besuar dhe kam mbështetur përfshirjen e brezit të ri në veprimtarinë e përditshme të institucionit. Përtej faktit që brezi i ri dominon në burimet njerëzore të Bankës së Shqipërisë, jemi munduar që, nëpërmjet një larmie programesh edukative dhe informuese, të mbajmë të ndezur interesimin dhe përfshirjen e studentëve në veprimtarinë tonë të përditshme. Banka e Shqipërisë është një institucion i hapur për kryerjen e praktikave mësimore për të gjithë studentët e fushës. Po ashtu kemi mbështetur në vazhdimësi punën shkencore dhe kërkimore studentore; dhe dëshiroj të përfitoj nga rasti t’ju siguroj që edhe në të ardhmen, Banka e Shqipërisë do ta mbështesë pa kufizim brezin e ri të talentuar të vendit, duke i mbajtur të hapura dyert për ta, në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme.

Të dashur studentë,

Sot ju keni vendosur një gur të rëndësishëm kilometrik të jetës suaj. Ju takon juve dhe vetëm juve që të merrni në dorë fatin tuaj dhe, me vendosmërinë dhe gjallërinë që ju fal mosha, të vendosni me kurajë drejtimin që do të merrni në jetë. Kudo që të jeni, brenda apo jashtë vendit, për asnjë rast mos hiqni dorë nga ambiciet dhe ëndrrat tuaja. Që t’i bëni ato realitet ju duhet shumë djersë, vendosmëri, integritet dhe profesionalizëm.

Uroj dhe shpresoj që secili prej jush të gjejë rrugën e duhur drejt suksesit!