BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko, në forumin rajonal ''Tirana Economic Forum'', me temë ''Ballkani i së ardhmes: Drejt një përfshirje globale''

Data e publikimit: 24.01.2018

 

I nderuar z. President,

E nderuar zj. Zëvendëskryeministre,

I nderuar z. Zëvendëskryeministër i Kosovës,

I nderuar Ministër i Financave dhe Ekonomisë,

Të nderuar kolegë, të nderuar pjesëmarrës,


Është kënaqësi të marr pjesë në këtë Konferencë, mbledhur për të diskutuar mbi rëndësinë e integrimit rajonal, proces i cili duhet të nxitet nga një udhëheqje largpamëse dhe të mbështetet nga konvergjenca e politikave.

Jam i bindur se dialogu i orientuar drejt ndarjes së vizionit tonë për të ardhmen, drejt konvergjencës së këndvështrimeve mbi sfidat që kemi përpara, si dhe drejt identifikimit të objektivave dhe hartimit të axhendave të përbashkëta të veprimit, do të ishte një dialog i frytshëm për të gjithë. Konvergjenca e politikave, si brenda vendit ashtu edhe midis vendeve, promovon eficiencën dhe minimizon ndikimet negative.

 dsc4046 - copy-3 - 498

Roli i institucioneve në rritje dhe zhvillim

Institucionet janë shtylla mbajtëse e çdo shoqërie moderne. Ato gjenerojnë dhe zbatojnë ligjet, rregulloret dhe politikat e zhvillimit, duke përcaktuar kështu rregullat e lojës në një ekonomi tregu. Në një plan të përgjithshëm, këto rregulla loje duhet të ofrojnë një mjedis të qëndrueshëm dhe transparent, duke mundësuar kështu vendimmarrje të parashikueshme dhe afatgjatë. Ato duhet të promovojnë konkurrencën e ndershme dhe barazinë e oportuniteteve, si dhe duhet të nxisin ndershmërinë dhe kohezionin social.

Është e qartë se ekonomitë e pasura dhe shoqëritë e stabilizuara priren të kenë institucione më të forta dhe më të qëndrueshme.

Për këtë arsye, unë besoj se rajoni ynë nuk duhet të ndjekë një "model organik" të rritjes institucionale. Me ‘organik’ kam parasysh një model rritjeje ku institucionet ecin hap-pas-hapi me zhvillimin ekonomik dhe priren më shumë të sigurojnë, se sa të nxisin, një nivel të caktuar prosperiteti.

Në të kundërt, unë besoj se institucionet dhe politikat duhet të udhëheqin procesin e rritjes dhe zhvillimit. Në këtë kontekst, detyra jonë si politikëbërës është të përkufizojmë objektivat, të identifikojmë pengesat, si dhe të ndërmarrim masat e nevojshme. Në thelb, ky është për mua roli i duhur i udhëheqjes.

 dsc4132 - copy-3 - 498

Më lejoni ta ilustroj këtë këndvështrim me disa shembuj të sfidave me të cilat po përballet rajoni ynë.

  • Së pari, problemet me mjedisin e biznesit, përfshirë korrupsionin dhe informalitetin, janë ndër më kryesoret në listën e pengesave për rritjen ekonomike, si në Shqipëri edhe në rajon.
  • Së dyti, stabiliteti ynë ekonomik dhe financiar duhet të forcohet më tej, me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë ndaj goditjeve dhe uljen e kostove të financimit.
  • Së treti, po bëhet gjithmonë e më e qartë se sistemet tona financiare mbështeten së tepërmi te bankat. Duke parë nga e ardhmja, ne duhet të mbështetemi më shumë në tregjet e kapitalit për financimin e rritjes ekonomike.
  • Së katërti, një ankesë e përbashkët që dëgjohet shpesh prej investitorëve të huaj është se tregjet tona të vogla e të fragmentuara ofrojnë një atraktivitet të ulët. Ndonëse kjo është pjesërisht e pasaktë, ne duhet të bëjmë më tepër për të rritur integrimin tonë në aspektin e tregtisë dhe infrastrukturës.
  • Së pesti, duke konkurruar për të njëjtin grup investitorësh ndërkombëtarë, vendet e rajonit shpesh përpiqen ta rrisin profilin e tyre individual, duke ofruar lehtësira tatimore apo subvencione të tjera. Kjo "garë për të kapur fundin" nuk është produktive.

Zgjidhja e këtyre çështjeve kërkon largpamësi, institucione të forta, veprime politike të vendosura, por dhe bashkërendim rajonal.

 dsc3985 - copy-3 - 498

Institucionet dhe integrimi

Rajoni ynë është përfshirë në mënyrë aktive në procesin e integrimit në BE. Ky objektiv orienton dhe përpjekjet tona për reformë institucionale dhe ka sjellë përfitime të dukshme. Integrimi në BE i ndihmon autoritetet në rajon të ankorojnë politikat dhe reformat e tyre institucionale. Nga ana tjetër, institucionet e BE-së mbikëqyrin dhe i japin besueshmëri procesit. Gjithashtu, duke qenë se disa vende janë duke punuar drejt objektivave të përbashkët, politikat rajonale bashkërendohen më mirë.

Megjithatë, unë besoj se vendet në rajon mund të bëjnë më tepër për shkëmbimin e përvojave dhe për të mësuar nga njëri-tjetri. Shqipëria ofron një shembull pozitiv në drejtim të stabilitetit ekonomik dhe financiar. Maqedonia ka pasur një performancë shumë të mirë sa i takon tërheqjes së IHD-ve me vlerë të lartë të shtuar. Serbia ka po ashtu eksperienca pozitive në drejtim të zhvillimit të tregut financiar. Të gjithë ne duhet të mësojmë nga historitë e suksesit që kemi arritur individualisht; po ashtu, të gjithë duhet të shmangim gabimet që kemi bërë individualisht në të shkuarën. Vendet tona kanë më shumë të përbashkëta se dallime: ajo që funksionon për njërin, ka gjasa të funksionojë dhe për të tjerët, dhe e anasjelltas.

Gjithashtu, unë besoj se duhet ta shohim integrimin rajonal si qëllim në vetvete, jo thjesht si instrument për integrimin në BE. Integrimi i përbashkët në BE do të zëvendësonte disa aspekte të bashkëpunimit rajonal, të tilla si tregtia dhe lëvizshmëria e faktorëve të prodhimit, por ai nuk zëvendëson nevojën për dialog dhe për politika, këndvështrime dhe zgjidhje të përbashkëta rajonale.

Më lejoni tani të ndalem shkurtimisht te roli i institucioneve në reformat strukturore në Shqipëri.

Institucionet dhe reformat strukturore në Shqipëri

Nisur nga koha në dispozicion, e kam pothuajse të pamundur të bëj një ekspoze të plotë të të gjithë kuadrit të reformave strukturore që kemi ndërmarrë. Si rrjedhim, do të përpiqem të vë në dukje pikat kryesore të tij.

  • Me qëllim përmirësimin e mjedisit tonë të biznesit, autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë reforma gjithëpërfshirëse, në drejtim të përmirësimit të të drejtave të pronësisë, të regjimit tatimor, të zhvillimit të sektorit të energjisë dhe të infrastrukturës së përgjithshme. Ne jemi angazhuar gjithashtu në luftën kundër informalitetit. Masa më e fundit në këtë drejtim është një rregullore e re bankare, e cila ka për qëllim t’i japë fund praktikës së kredidhënies nëpërmjet bilanceve të pacertifikuara të kompanive. Më tej, për të rritur efektshmërinë dhe për të trajtuar çështjet e korrupsionit dhe informalitetit, kemi ndërmarrë shumë nisma për të përmirësuar funksionimin e administratës publike, të cilat, në shkallë të gjerë, përfshijnë edhe reformën e ndërmarrë në sistemin gjyqësor.
  • Me qëllim rritjen e stabilitetit ekonomik dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare, ne kemi nisur një gamë të gjerë reformash. Për këtë arsye, Qeveria ka përmirësuar procedurat e administrimit të financave publike, ka miratuar një kuadër të përgjegjësisë fiskale, dhe ka ndërmarrë masa për reduktimin e borxhit. Banka e Shqipërisë ka ndjekur dhe implementuar modelin institucional të BQE-së. Profesionalizmi i saj është rritur, ndërsa janë përmirësuar pavarësia, transparenca dhe besueshmëria. Në një përpjekje të përbashkët me aktorët e tjerë institucionalë, ne kemi reformuar Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe kemi rritur rolin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Së bashku me Qeverinë, kemi vënë në jetë një strategji gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e kredive me probleme, e cila tashmë ka dhënë rezultate inkurajuese; kemi miratuar Ligjin për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në banka; si dhe kemi hartuar një strategji për deeuroizimin, e cila synon trajtimin e dobësive financiare, përmirësimin e mekanizmit të transmetimit dhe intensifikimin e përdorimit të monedhës vendase. Gjithashtu, kemi krijuar një Grup Këshillimor ndërinstitucional për Stabilitetin Financiar, i cili gëzon edhe të drejtën e koordinimit të çështjeve të stabilitetit që kanë rëndësi sistemike.
  • Me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve financiare, autoritetet shqiptare kanë përshpejtuar zhvillimin e tregjeve të kapitalit, nëpërmjet: krijimit të Bursës së Shqipërisë, licencimit dhe funksionimit të fondeve të ndryshme të investimit dhe të kompanive të administrimit të aktiveve; inkurajimit të konsolidimit të vazhdueshëm të bankave dhe institucioneve financiare jobankare; inkurajimit tatimor të skemave të fondeve private të pensionit; përpjekjeve të vazhdueshme për të përmirësuar funksionimin e tregjeve sekondare për titujt e qeverisë etj.

Megjithatë, jam i bindur se shkëmbimi i përvojës rajonale do t’i japë procesit një hov të ri. Për më shumë, për probleme të përbashkëta rajonale, besoj se do të ishte e udhës të kërkonim zgjidhje të përbashkëta.

Kjo më sjell në pikën e fundit të diskutimit.

Përmirësimi i bashkëpunimit rajonal

Bashkërendimi dhe bashkëpunimi kanë rëndësi esenciale në një botë gjithnjë e më të integruar dhe të ndërthurur. I njëjti koncept vlen për rajonin tonë: nismat politike që kanë për qëllim arritjen e një objektivi të përbashkët duhet të zbatohen nga të gjithë.

Më lejoni të vë në dukje disa nga fushat e mundshme të bashkëpunimit.

  • Së pari, mendoj se ka hapësirë për dialog më të gjerë dhe konvergjencë më të madhe të politikës, në të gjitha fushat e politikës publike dhe të zhvillimit të sektorit privat.
  • Së dyti, mendoj se duhet bërë më shumë për të përfunduar punën për integrimin rajonal. Në veçanti, standardet e produkteve dhe shërbimeve duhet të jenë të dakordësuara.
  • Së treti, përtej konvergimit të politikave të zhvillimit financiar, jam i bindur se mund të eksplorojmë idenë e ndërmarrjes së projekteve të përbashkëta për zhvillimin financiar. Një bursë rajonale, ndonëse mbart vështirësi, është një projekt i mundshëm e kuptimplotë.
  • Së katërti, besoj se rajoni duhet të përpiqet për krijimin e një emëruesi të përbashkët më të vogël të pranueshëm lidhur me taksat, tregun e punës, sektorin financiar dhe rregullin e mjedisit. Politikat ekstreme në dëm të konkurrentëve të tjerë në rajon, vetëm sa e dëmtojnë rajonin në afat të gjatë.
  • Së pesti, infrastruktura rajonale mbetet mjaft e fragmentuar. Kjo i referohet jo vetëm infrastrukturës rrugore, por edhe rrjetit energjetik dhe atij të teknologjisë së informacionit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Disa nga çështjet që parashtrova më sipër mund të duken tejet të vështira, apo edhe utopike. Megjithatë, jam i bindur se nëpërmjet një përpjekjeje të përbashkët e të sinqertë, këto ide mundet që një ditë, në një të ardhme jo të lagët, të bëhen realitet.

Faleminderit!