BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në konferencën e organizuar nga Banka Qendrore e Bosnje Hercegovinës

Data e publikimit: 22.09.2017

 

Sfidat e reja të bankave qendrore gjatë procesit të integrimit në Bashkimin Evropian

E nderuar zj. Kryetare,

Të nderuar Kolegë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi për mua të marr pjesë në këtë Konferencë dhe, në të njëjtën kohë, më duket me vend që një prej temave që ajo trajton ka të bëjë me sfidat me të cilat përballen bankat qendrore të rajonit në procesin e konvergjencës. Si gjithmonë, shkëmbimi i mendimeve mes kolegëve përbën interes.

Prezantimin tim e kam organizuar mbështetur në tri shtylla kryesore. Në fillim, do të paraqes një përmbledhje të pozicionit tonë aktual në procesin e konvergjencës me BE-në. Më pas, do të ndalem te disa prej mësimeve që kemi nxjerrë deri tani. Në fund, do të përpiqem të trajtoj disa prej sfidave që mendoj se janë me rëndësi për të ardhmen.

1. Rajoni i EJL-së dhe procesi i konvergjencës me BE-në

E ardhmja politike dhe ekonomike e rajonit të EJL-së është ngushtësisht e lidhur me procesin në vazhdim të integrimit evropian. Afërsia e rajonit me BE-në, një treg më i madh dhe më i begatë, si dhe vlerat themelore të vetë BE-së, e bëjnë procesin e konvergjencës dhe të integrimit një angazhim afatgjatë që duhet ndërmarrë patjetër. Nga ana tjetër, integrimi në BE ndikon mbi formën e modeleve të politikave dhe shërben si ankorë për reformat tona madhore politike dhe ekonomike.

Procesi i konvergjencës në rajonin e EJL-së mund të ndahet në dy periudha.

Para krizës ekonomike dhe financiare të vitit 2008, konvergjenca ruante një trajektore të shëndetshme rritëse dhe vendet e rajonit po përparonin në mënyrë progresive drejt BE-së. Pas vitit 2008, normat e rritjes në rajon u moderuan dhe rajoni i EJL-së nuk arriti të ruante një ritëm të qëndrueshëm konvergjence. Aktualisht, të ardhurat mesatare për frymë në rajon janë sa 35 për qind të mesatares së BE-së, çka çon në përfundimin se do të duhet një kohë relativisht e gjatë që EJL-ja të konvergojë plotësisht me mesataren e BE-së. Në këtë pikë, është e qartë se duhet bërë diçka.

Nëse kthehemi pas, kriza ekonomike dhe financiare e vitit 2008, ndërsa nga njëra anë tronditi themelet e disa prej ekonomive më të mëdha e të zhvilluara të globit, nga ana tjetër luajti një rol kyç në ekspozimin e dobësive dhe nevojës për një rishikim sistemit të strukturave ekonomike të vendeve të EJL-së. Themelet, mbi të cilat ishte ngritur rritja në rajon para krizës, rezultuan të jenë të paqëndrueshme.

Për fat të mirë, në përcaktimin e kursit të politikës sonë në të ardhmen, ne mund të shohim pas dhe t'u referohemi disa prej mësimeve që kemi nxjerrë nga e shkuara.

2. Vështrim i përgjithshëm mbi mësimet e nxjerra deri tani

Procesi i konvergjencës ka qenë sa i vështirë edhe sfidues dhe do të doja të ndalesha në disa prej mësimeve që kemi nxjerrë.

Së pari, rrugëtimi drejt anëtarësimit kalon nëpër një rrugë të gjatë dhe të vështirë që kërkon ndërtimin e institucioneve, ristrukturimin ekonomik dhe disiplinë të politikave. Ky rrugëtim duhet t'i përgatisë ekonomitë tona në aspektin strukturor, në mënyrë që ato të jenë në gjendje t'u rezistojnë presioneve të konkurrencës brenda tregut të BE-së si dhe të sjellin një shkallë sinkronizimi për të shmangur goditjet asimetrike. Progresi në secilën prej këtyre fushave është i vështirë në vetvete. Megjithatë, një gjë që shpesh kalon pa i kushtuar vëmendje është se vetëm një plan i bashkërenduar, që do t'i trajtonte të tria fushat, do të sillte sukses.

Së dyti, reformat ekonomike shpesh kanë kosto afatshkurtra. Politika të orientuara drejt stabilitetit zakonisht krijojnë kushte për thirrje populiste dritëshkurtra, sepse të ndërtosh institucione moderne do të thotë të luftosh rutinën dhe, disa herë, të përballesh me disa interesa. Të gjitha këto krijojnë pakënaqësi dhe mosdakordësi. Megjithatë, për sa kohë që shoqëritë tona mbeten të angazhuara për integrimin në BE, kjo është një rrugë e gjatë nëpër të cilën duhet të ecim. Megjithatë, si politikëbërës, ne nuk duhet ta marrim të mirëqenë durimin e BE-së. Ne duhet të jemi jo vetëm të vendosur në veprimet tona, por edhe të ndershëm dhe transparentë për rezultatet e tyre. Në fund, duhet të jemi të kujdesshëm që të shpjegojmë humbjet dhe përfitimet e politikave dhe të kemi pritshmëri realiste në lidhje me një kuadër kohor të besueshëm për anëtarësimin.

Kjo na çon në pikën e tretë. BE-ja mbetet - për momentin - një shënjestër e lëvizshme, për sa u takon dinamikave të politikës së brendshme dhe reformave strukturore në vijimësi, të cilat janë forcuar më tej pas krizës. Si të tilla, disa prej modeleve politike të së djeshmes duket të jenë përmbysur, ndërsa qëllime dhe angazhime të reja priren të shfaqen gradualisht. Ne duhet të jemi sa të vëmendshëm ndaj këtyre prirjeve të reja edhe fleksibël në trajtimin e tyre.

Së fundi, dhe duke folur pak më teknikisht, dinamikat e krizës në rajon dhe ndikimet që pasuan duhet të na sinjalizojnë për nevojën për një vështrim më nga afër analitik të stabilitetit ekonomik. Është e qartë se objektivat për stabilitetin e çmimeve apo të kursit të këmbimit duhet të plotësohen nga mandati i stabilitetit financiar. Më tej, duhet të jemi të vëmendshëm ndaj çdo zhbalancimi të jashtëm apo i brendshëm, dhe të testojmë vazhdimisht qëndrueshmërinë e ekonomive tona ndaj skenarëve të mundshëm të pafavorshëm.

Në përmbledhje të kësaj pike, do të doja të vija në dukje se ndërsa ne - si politikëbërës - kemi mësuar shumë nga e kaluara, e ardhmja mbetet mjaft e vështirë dhe e pasigurt.

Thënë këtë, më lejoni të kaloj në çështjen tjetër: cilat janë sfidat që bankat qendrore perceptojnë si të rëndësishme për të ardhmen?

3. Sfidat e reja të bankave qendrore gjatë procesit të integrimit në Bashkimin Evropian

Në përputhje me germën dhe frymën e legjislacionit të BE-së, si autoritete monetare, bankat qendrore kanë për detyrë të japin një kontribut madhor në procesin e konvergjencës. Tri prej kritereve të konvergjencës së BE-së janë nën autoritetin e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të bankave qendrore.

Për sa u takon vlerave nominale të përcaktuara nga Kriteret e Mastrihtit, Shqipëria përmbush 3 nga 5 prej tyre, konkretisht:

  • Stabiliteti i çmimeve, ku norma e inflacionit është më e ulët se 1.5 pikë përqindje mbi mesataren e tre ekonomive me ecurinë më të mirë në BE;
  • Stabiliteti i kursit të këmbimit, ku monedha vendase është relativisht e qëndrueshme, madje në një trend vlerësimi përkundrejt euros në dy vjetët e fundit.
  • Deficite të ulëta buxhetore, ku deficiti buxhetor ka qenë nën 3% të tavanit të PBB-së për dy vjet rresht.

Dy kriteret që nuk kemi përmbushur - akoma - janë qëndrueshmëria e konvergjencës, ose norma e interesit afatgjatë për titujt e qeverisë, dhe qëndrueshmëria e financave publike, ose niveli relativisht i lartë i borxhit publik. Mbështetur te prirjet aktuale, jam i bindur se do të jemi në gjendje t'i arrijmë ato brenda një kuadri të arsyeshëm kohor.

Mendoj se kuadri ynë i politikës monetare, i mbështetur në regjimin e kursit të luhatshëm të këmbimit dhe të inflacionit të shënjestruar është solid dhe i zhvilluar mjaftueshëm për t'i lejuar ekonomisë shqiptare të arrijë objektivat e konvergjencës brenda dekadës tjetër. Nga këndvështrimi institucional, besoj se Shqipëria ka zgjedhur regjimin e duhur të politikave. Përveç përvojave tona pozitive në të shkuarën, duket se ato janë edhe në përputhje me udhëzimet e BE-së. Sipas Komisionit Evropian, ndonëse nuk ka një kuadër të vetëm miks politikash që të përshtatet në çdo kontekst, rruga e parapëlqyer e tyre për anëtarësim në BE do të ishte ajo që ndërthur një regjim me kurs të luhatshëm këmbimi me një politikë monetare të pavarur, që ka për objektiv stabilitetin e çmimeve. Më tej, rregulli fiskal i prezantuar së fundmi duhet ta forcojë qëndrueshmërinë fiskale dhe të ndihmojë në uljen e primeve të rrezikut në tregjet financiare.

Megjithatë, kufizimi i rolit të bankave qendrore në procesin e konvergjencës nuk duhet të jetë një qasje që të rekomandohet. Si rregullator dhe mbikëqyrës të sistemit bankar në të gjithë rajonin, ato kanë një rol madhor në zbatimin e agjendës për reforma strukturore. Për këtë arsye, besoj se banka qendrore duhet të angazhohet në mënyrë të qartë në tri fushat e mëposhtme:

  •   Zhvillimi i sektorit financiar. Një treg i shëndetshëm dhe eficient financiar është një parakusht i domosdoshëm për rritje të lartë dhe të qëndrueshme afatgjatë. Bankat qendrore në rajon janë angazhuar në nxitjen e rritjes së kreditimit, nëpërmjet politikave lehtësuese dhe reduktimit të pengesave ligjore dhe institucionale, duke synuar përmirësimin e kredive me probleme. Megjithatë, ato mundet dhe duhet të iniciojnë rritje, eficiencë dhe qëndrueshmëri, duke forcuar reformat strukturore për tregjet financiare:

- Në lidhje me thellimin e tregjeve financiare, duhet bërë ende më shumë për zhvillimin e tregjeve të kapitalit. Ky është një burim i pashfrytëzuar, që do të siguronte një burim alternativ dhe eficient për investime financimi. Për momentin, vendet e EJL-së mbeten shumë prapa standardeve të BE-së në këtë aspekt.

- Në lidhje me rritjen e qëndrueshmërisë së tyre, duhet: (i) të përpiqemi për harmonizimin e të gjitha standardeve rregullatore vendase - financiare - me ato të zbatuara nga bankat qendrore; (ii) të zhvillojmë më tej dhe të përmirësojmë rrjetat e sigurisë, të tilla si mekanizmat për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, të prezantuara së fundmi në Bankën e Shqipërisë; dhe (iii) të përpiqemi të zbatojmë praktika të shëndetshme administrimi në të gjitha institucionet financiare. Përmbushja e të gjitha këtyre detyrave nuk është ekskluzivisht në duart e bankave qendrore, por ato mund të bëhen katalizatore të ndryshimit.

  • Përshpejtim i përpjekjeve për konvergjencë. Besoj se bankat qendrore duhet të marrin përgjegjësi të plotë për të çuar përpara procesin e konvergjencës në fushat e mëposhtme:

- Konvergjencë rregullatorë. Bankat qendrore në rajon mund të jenë më ambicioze në përpjekjet e tyre për të harmonizuar rregullimin e sistemit bankar dhe praktikat e tyre mbikëqyrëse me ato të BE-së. Ndonëse një harmonizim i plotë mund të jetë jorealist, madje kundërproduktiv, ne duhet të përpiqemi të minimizojmë distancën tonë nga standardet e BE-së.

- Konvergjencë institucionale. Bankat qendrore nevojitet të përshtaten me kërkesat e BE-së. Për këtë, ne duhet të përpiqemi vazhdimisht të rrisim profesionalizmin, të përmirësojmë kapacitetet analitike dhe politikëbërëse, si dhe të forcojmë aftësitë tona për zbatimin e politikave. Thënë me pak fjalë, ne duhet që gjithmonë ta pozicionojmë veten në linjë me standardet e BE-së.

  • Forcimi i bashkëpunimit rajonal. Komisioni Evropian e ka përcaktuar bashkëpunimin rajonal si një parakusht për vendet e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ekziston tashmë, duke i ndihmuar disi ekonomitë tona lokale të përgatiten për presionet e tregut të vetëm evropian. Në afat të mesëm, bizneset do të përfitojnë nga konkurrenca e huaj, duke i nxitur këta të reformohen dhe të rrisin eficiencën. Megjithatë, tregjet rajonale mund të përfitonin nga integrimi i mëtejshëm. Aksesi në tregje më të mëdha sjell edhe rreziqe më të mëdha, sikurse edhe krijon mundësi më të mëdha, duke ndërtuar një klimë pozitive investimi për aktorë lokalë dhe globalë. Procesi i Berlinit (dhe Samiti i Triestes pjesë e tij), në veprim tashmë, ka treguar se vendet mund të punojnë së bashku për krijimin e një klime më të mirë biznesi. Jam besimplotë se ky proces do të vijojë, dhe rajoni do të gëzojë progresin e bërë në shumë drejtimi, duke e sjellë anëtarësimin në tregun e përbashkët më afër për rajonin, si një i tërë. Si politikëbërës, ne duhet ta nxisim këtë proces, duke rritur bashkëpunimin dhe bashkërendimin midis nesh.

Faleminderit!