BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në konferencën për shtyp për analizën e punës së Bankës së Shqipërisë për vitin 2016 dhe prioritetet e saj për vitin 2017,

Data e publikimit: 21.12.2016

 

Të nderuar përfaqësues të medias,

Meqenëse kjo konferencë për shtyp është njëkohësisht edhe e fundit për vitin 2016, do të dëshiroja që shkurtimisht t’ju njoh, ju dhe gjithë publikun shqiptar, me disa nga momentet kryesore të punës së Bankës së Shqipërisë gjatë vitit që po mbyllim.

  • Aktiviteti vendimmarrës

Veprimtaria e Këshillit Mbikëqyrës për vitin 2016 është ushtruar në përputhje me kompetencat e përcaktuara në Ligjin për Bankën e Shqipërisë dhe në aktet nënligjore.

Gjatë vitit 2016, Këshilli Mbikëqyrës zhvilloi 15 mbledhje të zakonshme. Tetë prej këtyre mbledhjeve i janë dedikuar vendimmarrjes së politikës monetare, të ndara në katër mbledhje tremujore dhe katër mbledhje mujore të ndërmjetme. Katër mbledhje të tjera janë përqendruar në çështjet e mbikëqyrjes bankare dhe të stabilitetit financiar, ndërsa pjesa tjetër i është kushtuar vendimmarrjes mbi çështje specifike, me rëndësi për punën e institucionit.

21 12 2016 498 9006 0

Këshilli Mbikëqyrës ka miratuar 130 vendime, rregullore dhe udhëzime me zbatim të përgjithshëm, prej të cilëve, 78 akte të miratuara për herë të parë dhe 52 ndryshime ose plotësime aktesh ekzistuese.

Ndër vendimet e marra do të veçonim:

a) Miratimin, për herë të parë, të Politikës për Administrimin e Rrezikut Operacional në nivel institucioni dhe krijimin e Njësisë për Administrimin e Rrezikut Operacional.

b) Ngritjen dhe funksionimin e komiteteve dhe njësive të specializuara, të cilat mundësojnë përmirësimin e administrimit dhe kontrollit të vlerave financiare dhe të aseteve fizike të Bankës.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka përmbushur në kohë dhe me transparencë detyrimin ligjor për llogaridhënie në Kuvendin e Shqipërisë, ndërkohë që Kryetari i tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ka marrë pjesë në dëgjesa për çështje specifike të kërkuara nga Komisionet Parlamentare.

Një rëndësi të veçantë në punën e tij Këshilli Mbikëqyrës i ka kushtuar raporteve të Auditorit të Jashtëm, të Inspektorit të Përgjithshëm, si dhe të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në të gjitha rastet, këto raporte janë shqyrtuar nga Komiteti i Auditimit i cili ka bërë me dije Këshillin Mbikëqyrës në lidhje me rekomandimet e lëna dhe statusin e realizimit të tyre.

  • Politika monetare gjatë vitit 2016

Shkurtimisht do të doja të nënvizoja edhe njëherë se ekonomia shqiptare, pavarësisht situatës sfiduese në partnerët kryesorë, ka shfaqur shenja të qarta përmirësimi gjatë gjithë vitit 2016.

Pa dyshim, politika jonë monetare stimuluese ka luajtur rol parësor në këtë drejtim.

Ndërhyrjet tona – nëpërmjet reduktimit të normës bazë të interesit, furnizimit të tregut financiar me likuiditet, apo orientimit të pritjeve për të ardhmen – kanë qenë në kohën dhe me intensitetin e duhur. Ato shërbyen për qetësimin e presioneve në tregjet financiare, mundësuan uljen e kostove të financimit në nivele minimale historike, kontribuan në përshpejtimin e gjallërimit të aktivitetit ekonomik, si dhe ndikuan në kthimin e trajektores së inflacionit në drejtimin e synuar.

Në këtë mënyrë, Banka e Shqipërisë vlerëson se politika monetare, e ideuar dhe e zbatuar prej saj, ka dhënë një kontribut të qenësishëm në mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.

  • Sektori bankar dhe stabiliteti i tij

Gjatë vitit 2016, sektori bankar ka vijuar të zgjerojë aktivitetin e tij, ndërkohë që treguesit e tij të likuiditetit dhe kapitalizimit mbeten në nivele të larta dhe rezultati financiar paraqitet pozitiv.

Këtu dëshiroj të theksoj se, në sajë të zbatimit konseguent të planit të masave për reduktimin e kredive me probleme, niveli i kredive me probleme paraqitet i kontrolluar dhe mbulimi i rrezikut të kredisë përmes provigjionimit vlerësohet i kënaqshëm.

Në një masë të madhe, kjo ecuri pasqyron punën tonë të kujdesshme në drejtim të mbikëqyrjes bankare. Paralelisht me të, Banka e Shqipërisë ka përmirësuar më tej kuadrin ligjor dhe rregullativ.

Më lejoni të identifikoj disa nga drejtimet kryesore të punës sonë në këtë fushë gjatë vitit 2016.

Plani ndërinstitucional për reduktimin e kredive me probleme

Plani ndërinstitucional, i ideuar që në vitin 2015, mori formë të plotë në vitin që po mbyllim.

Së pari, nëpërmjet miratimit nga Këshilli Mbikëqyrës i të ndryshimeve rregullatore, tashmë ekziston një qartësi më e madhe në kriteret dhe procedurat e nxjerrjes së kredive të humbura jashtë bilancit të bankave, si dhe të trajtimit të pronave të patundshme të marra në pronësi. Gjithashtu, këto ndryshime rregullative lehtësojnë krijimin e një tregu funksional të kredive me probleme, si dhe evidentimin më të shpejtë të informacionit në Regjistrin e Kredive.

Së dyti, miratimi nga ana e Kuvendit të Shqipërisë i paketës ligjore, që lidhej, ndërmjet të tjerash, me falimentimin dhe proceset përmbaruese, plotësoi dhe kolonën e dytë dhe më të rëndësishme të këtij plani.

Banka e Shqipërisë vlerëson se efektet e ndryshimeve ligjore, përvoja e fituar nga bankat, nxjerrja e kredive të humbura jashtë bilanceve të bankave si edhe gjallërimi i mëtejshëm i ekonomisë, do të krijojnë stimuj për një ulje graduale dhe të qëndrueshme të nivelit të kredive me probleme gjatë vitit 2017.

Projektligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë ”

Ky projektligj synon mbrojtjen e interesit të publikut në rastin e një situate të stresuar të sektorit financiar, duke shmangur përdorimin e parave të taksapaguesve. Kjo realizohet përmes ndryshimeve strukturore, të detyrueshme dhe paraprake, si dhe krijimit të një fondi me kontributet e vetë institucioneve financiare, me të vetmin qëllim: mbulimin e nevojave për financim në rast krize.

Dëshiroj të theksoj se kjo është një masë parandaluese, e cila forcon më tej rrjetet e sigurisë në Shqipëri.

Ligji “Për shoqëritë e kursim-kreditit dhe Unionet e tyre”

Në përpjekje për një rregullim më adekuat të shoqërive të kursim-kreditit, gjatë vitit 2016 u bë e mundur miratimi nga ana e Kuvendit i Ligjit të ri “Për shoqëritë e kursim-kreditit dhe Unionet e tyre”.

Ligji i ri sjell një rregullim të plotë të veprimtarisë së një shoqërie të kursim-kreditit, duke filluar nga momenti i themelimit dhe i licencimit, e deri në momentin e shpërndarjes e likuidimit të saj. Në zbatim të ligjit, Banka e Shqipërisë rishikoi në tërësi aktet nënligjore të cilat rregullonin funksionimin e shoqërive të kursim-kreditit dhe Unioneve të tyre.

  • Aktivitete të tjera

Rëndësi të veçantë i kemi kushtuar edhe administrimit financiar dhe material të institucionit. Për herë të parë, në muajin mars të vitit 2016, mundësuam përgatitjen dhe miratimin e pasqyrave financiare të Bankës së Shqipërisë në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar.

Përgjatë gjithë vitit të kaluar, kemi vijuar të mbështesim dhe të promovojmë përdorimin e instrumenteve elektronike të pagesave. Në kuadër të funksionimit të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave dhe bashkëpunimit me Bankën Botërore, në fushën e pagesave janë ndërmarrë projekte, të cilat synojnë nxitjen e përdorimit të instrumenteve moderne dhe rritjen e përfshirjes financiare të popullatës, me qëllim reduktimin e përdorimit të parasë cash në ekonomi.

Po kështu, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar punën për përafrimin metodologjik të statistikave financiare me standardet ndërkombëtare dhe harmonizimin e tyre me ato të Bashkimit Evropian.

Gjatë vitit 2016 kuadri rregullator i emisionit të parasë dhe administrimit të vlerave monetare është pasuruar më tej, nëpërmjet miratimit të gjashtë rregulloreve të reja, pesë udhëzimeve dhe katër manualeve me karakter normativ. Përtej administrimit më efektiv të proceseve të punës në aktivitetin e cash-it, qëllimi final ka qenë minimizimi i rreziqeve operacionale.

Kërkimi shkencor gjatë vitit 2016 ka dhënë ndihmesën e tij në procesin vendimmarrës të Bankës së Shqipërisë. Puna jonë kërkimore është diskutuar gjerësisht në aktivitete shkencore, të cilat kanë ngjallur interes jo vetëm te vendimmarrësit por edhe te publiku.

Në fushën e teknologjisë së informacionit, viti 2016 do të përmendet për automatizimin e proceseve, ku vlen të theksojmë në veçanti integrimin e plotë të degëve të Bankës së Shqipërisë, në sistemet qendrore të institucionit.

Një aspekt tjetër i punës sonë është edhe edukimi financiar i publikut. Për vitin 2016, aktivitetet në fushën e edukimit ekonomiko-financiar kanë përfshirë rreth 21 institucione dhe 13,000 fëmijë, të rinj dhe mësues të vendit, ndërsa Muzeu i Bankës së Shqipërisë ka pritur rreth 1900 vizitorë.

  • Në përfundim

Do të doja të nënvizoja faktin se Banka e Shqipërisë është e përgatitur për të hyrë në një vit tjetër sfidues. Me kënaqësi, vlerësoj se Banka e Shqipërisë zotëron potencialin e duhur për të kontribuar në përmbushjen e objektivave themelore, për gjallërimin e mëtejshëm të ekonomisë, kontrollin e çmimeve dhe garantimin e stabilitetit financiar. Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë një partner serioz, transparent dhe plotësisht i përgjegjshëm në përmbushjen e të gjitha detyrimeve ligjore.

Në mbyllje të kësaj deklarate, dëshiroj të bëj një falënderim të veçantë për të gjithë ju, përfaqësuesit e medias, për kohën, vëmendjen dhe rëndësinë që i keni dhënë të gjitha komunikimeve tona për shtyp. Hapësira që ju i keni dedikuar deklaratave tona i ka shërbyer shpërndarjes së mesazheve të Bankës së Shqipërisë për agjentët ekonomikë dhe publikun e gjerë.

Ndaj, në emër edhe të Këshillit Mbikëqyrës, ju falënderoj për këtë rol të çmuar.

Ju faleminderit!