BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në konferencën për shtyp të vendimmarrjes së politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 20.12.2017

 

Të nderuar përfaqësues të medias,

Në radhë të parë, më lejoni ta filloj pak më ndryshe këtë takim tonin, të fundit për vitin 2017, duke ju falënderuar, jo vetëm për përcjelljen e kujdesshme të punës dhe të mesazheve të Bankës së Shqipërisë në publik, por edhe për vëmendjen e vazhdueshme që i keni kushtuar rezultateve të masave dhe politikave tona monetare, mbikëqyrëse dhe rregullatore, në përmirësimin e ambientit ekonomik dhe financiar të vendit.

Kjo konferencë përkon me mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës për vitin 2017. Në këtë mbledhje, ne morëm në analizë Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare, duke rivlerësuar dhe një herë gjykimet tona mbi gjendjen aktuale të ekonomisë, mbi zhvillimet e pritura dhe mbi përshtatshmërinë e qëndrimit të politikës monetare. Me konkluzionet e raportit do t’ju njoh më në detaje në vijim.

 dsc2264-2 - 498

Informacioni i ri, i marrë në analizë në Raportin e Ndërmjetëm të muajit dhjetor, ka rezultuar përgjithësisht në përputhje me pritjet. Po kështu, përditësimi i parashikimeve tona mbi ecurinë e ardhshme të zhvillimeve ekonomike dhe monetare, nuk ka sjellë ndryshime të qenësishme nga parashikimet e mëparshme.

Duke u bazuar në këto konsiderata, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare vijon të mbetet i përshtatshëm. Politika jonë monetare lehtësuese ka ulur kostot e financimit të sektorit privat, ka nxitur rritjen e kreditimit në lekë dhe ka ndihmuar në përmirësimin e gjendjes financiare të huamarrësve. Në këtë mënyrë, ajo ka mbështetur zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe ka krijuar parakushtet për kthimin e inflacionit në objektiv.

Tregjet financiare janë karakterizuar nga një ecuri relativisht e qetë gjatë dy muajve të fundit, me norma të ulëta interesi, me prime të kontrolluara rreziku dhe me një tendencë stabilizimi të kursit të këmbimit. Megjithatë, rritja e kredisë për ekonominë vazhdon të mbetet e zbehtë, duke shënuar vlerën 3.5% në muajin tetor. Zgjerimi i portofolit të kredisë vazhdon të mbështetet në zgjerimin e kredisë në lekë, portofoli i së cilës shënoi një rritje vjetore prej 9.3%.

Aktiviteti ekonomik i vendit ka vijuar të shënojë rritje në tremujorin e tretë dhe të katërt, ndonëse disa tregues indirektë sugjerojnë një ngadalësim të lehtë në gjysmën e dytë të vitit.

Rritja ekonomike ka pasqyruar ambientin e favorshëm financiar, përmirësimin e besimit, impulset e gjeneruara nga rritja e punësimit dhe nga nivelet e larta të investimeve të huaja direkte, si dhe momentin pozitiv të ekonomive partnere tregtare.

Në terma të kërkesës agregate, rritja është mbështetur nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, si dhe nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë, sidomos në tremujorin e tretë të vitit. Në përgjigje të reduktimit me rreth 10.5% të deficitit tregtar në mallra e shërbime, deficiti i llogarisë korrente zbriti në 4.6% të PBB-së gjatë tremujorit të tretë, një nga nivelet më të ulëta të dekadës së fundit. Nga ana tjetër, stimuli fiskal vlerësohet të ketë ardhur në rënie gjatë tremujorit të tretë e të katërt, ndonëse të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore kanë vijuar të shënojnë norma të larta rritjeje.

Zgjerimi i vazhdueshëm i kërkesës agregate ka sjellë një përdorim gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese. Norma e papunësisë zbriti në nivelin 13.6% gjatë tremujorit të tretë, në rënie me 1.1 pikë përqindje krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit paraardhës. Megjithatë, konvergjenca graduale e ekonomisë drejt ekuilibrit nuk është shoqëruar ende me rritjen e presioneve inflacioniste, në mënyrë të mjaftueshme për të kthyer inflacionin në objektiv.

Inflacioni shënoi vlerat 1.9% dhe 1.7%, respektivisht në muajt tetor dhe nëntor, duke regjistruar vetëm një përmirësim të lehtë ndaj nivelit të muajit shtator dhe duke rezultuar në kahun e poshtëm të pritjeve tona. Dinamika e inflacionit total u diktua kryesisht nga ecuria e çmimeve të mallrave ushqimore.

Në terma makroekonomikë, rritja e ngadaltë e inflacionit vazhdon të pasqyrojë efektin e kombinuar të disa faktorëve: hendeku negativ i prodhimit vijon të frenojë rritjen e kostove të punës dhe të inflacionit bazë; inflacioni në vendet partnere tregtare mbetet i ulët; dhe, kursi i mbiçmuar i këmbimit ul më tej çmimet e importit të mallrave bazë dhe të mallrave të konsumit.

Në gjykimin tonë, efektet frenuese që vijnë nga këta tre faktorë do të zbehen gradualisht në të ardhmen.

Projeksionet tona për të ardhmen flasin për një përmirësim të mëtejshëm të aktivitetit ekonomik në horizontin afatmesëm. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të mundësojë një rritje të mëtejshme të punësimit dhe pritet të sjellë rritje më të shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit. Këto zhvillime do të mbështeten, ndër të tjera, nga kushtet aktuale të favorshme të financimit dhe nga një ecuri e pritur më e mirë e kreditimit. Rënia e mëtejshme e raportit të kredive me probleme, raport i cili shënoi nivelin 14.3% në muajin nëntor, tregon se bilancet e sistemit bankar po vijnë drejt përmirësimit dhe se rreziku i kredisë po vjen drejt rënies.

Paralelisht me forcimin e presioneve të brendshme, edhe presionet inflacioniste në ambientin botëror pritet të vijnë në rritje në horizontin afatmesëm, ndërsa efekti i fortë frenues i kursit të mbiçmuar të këmbimit pritet të vijë drejt zbehjes.

Bazuar në këta faktorë, Banka e Shqipërisë pret kthimin e inflacionit në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2019.

Duke gjykuar mbi analizat dhe parashikimet e skenarit bazë, të shtjelluara më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare vijon të mbetet i përshtatshëm. Në këto rrethana, ai vendosi:

  • Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%;
  • Të mbajë të pandryshuar normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.25% dhe 2.25%.

Gjithashtu, në bazë të informacionit të disponuar, Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se:

  • Intensiteti i stimulit monetar nuk do të zbutet para tremujorit të katërt të vitit 2018. Politika monetare stimuluese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka pasur efekte pozitive në nxitjen e kërkesës agregate, në rritjen e aktivitetit ekonomik dhe në kthimin gradual të inflacionit drejt objektivit;
  • Balanca e rreziqeve mbi parashikimet tona mbetet e zhvendosur në kahun e poshtëm. Krahasuar me parashikimet e skenarit bazë, një rritje më e ngadaltë e inflacionit në vendet partnere, një mbiçmim i mëtejshëm i kursit të këmbimit, një ecuri më e ngadaltë e kreditimit apo një ndjeshmëri më e ulët e pagave ndaj rritjes së punësimit, mund të rezultonin në nivele më të ulëta inflacioni krahasuar me pritjet tona.
  • Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë se, në rast të materializimit të këtyre goditjeve apo të ndikimit të mundshëm negativ të tyre mbi pritjet për inflacionin, përmbushja e objektivit të inflacionit mund të kërkonte një qëndrim edhe më akomodues të politikës monetare. Në përgjigje të tyre, Këshilli Mbikëqyrës do të ishte i gatshëm të merrte në konsideratë lehtësime të mëtejshme të kësaj politike.

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu