BANKA E SHQIPËRISË

Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, në Kuvendin e Shqipërisë gjatë prezantimit të Raportit Vjetor 2003

Data e publikimit: 06.04.2004

 

Respektimi i objektivave kryesorë makroekonomikë të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social ka bërë që gjatë vitit 2003 të përmirësohen më tej ekuilibrat makroekonomikë të vendit.

Ekonomia shqiptare gjatë vitit 2003 duket se i është kthyer ritmeve të kënaqshme të rritjes ekonomike. Vlerësimet paraprake tregojnë se PBB-ja, në terma realë është rritur me 6 për qind gjatë vitit 2003, krahasuar me 4.7 për qind që ishte në vitin 2002. Rritja e aktivitetit ekonomik është verifikuar në të gjithë sektorët e ekonomisë, pavarësisht se më e theksuar ajo vlerësohet të jetë në sektorin e ndërtimit, shërbimeve dhe transportit.

Viti 2003, duhet theksuar se ka regjistruar një përmirësim të lehtë edhe në situatën e punësimit. Numri i të punësuarëve vazhdon të rritet, ndërkohë që problemet kronike të tranzicionit shqiptar: emigrimi dhe informaliteti i tregut të punës dhe ekonomisë në përgjithësi ndikojnë në uljen e forcave të punës gjithsej dhe vështirësojnë shpegimin e efektit në punësim të politikave dhe zhvillimeve ekonomike të vendit. Në fund të nëntëmujorit vitit 2003, sipas burimeve zyrtare papunësia u ndal në nivelin 15 për qind krahasuar me 15.8 për qind që ishte në fund të vitit 2002.

Viti 2003 u karakterizua nga një inflacion i ulët, brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Vlera e inflacionit në muajin dhjetor ishte 3.3 për qind, duke respektuar objektivin e Bankës së Shqipërisë ndërkohë që mesatarisht gjatë vitit 2003, çmimet e konsumit janë rritur me 2.37 për qind. Pavarësisht faktorëve të ndryshëm që kanë ndikuar, vlerësohet se ky inflacion i ulët e ka burimin tek kontrolli i kërkesës së brendshme, si pasojë e politikave të përshtatshme fiskale e monetare.

Ndryshe nga vitet e mëparshëm, viti 2003 u karakterizua nga një shpërndarje më racionale e shpenzimeve fiskale. Kërkesa e qeverisë për hua ka qenë më e njëtrajtshme gjatë vitit 2003, duke shmangur përqendrimin e financimit të deficitit në muajin dhjetor. Deficiti vjetor në total ishte 19 për qind më i ulët në krahasim me një vit më parë, duke arritur në nivelin 4.4 për qind të PBB-së. Megjithatë, duhet të theksohen dhe disa probleme si realizimi i të ardhurave në masën 93 për qind dhe veçanërisht realizimi i shpenzimeve kapitale vetëm në masën 62 për qind të planit.

Për herë të parë gjatë periudhës së tranzicionit, kursimet publike arritën një vlerë pozitive si rezultat i konsolidimit të financave publike, kryesisht në kryerjen e shpenzimeve. Kursimet publike kanë ndikuar në rritjen prej 0.8 pikë përqindje të kursimeve të brendshme krahasuar me vitin 2002, duke bërë që në fund të vitit 2003 kursimet e brendshme të vlerësohen sa 13.8 për qind e PBB-së.

Në total investimet vlerësohen në 22.3 për qind të PBB-së duke shënuar një rritje të lehtë në krahasim me vitin 2002. Rritja e investimeve gjatë këtij viti i atribuohet më së shumti rritjes së investimeve private, për vetë faktin se investimet publike të realizuara gjatë vitit 2003 ishin rreth 11.7 për qind më të ulta se viti i mëparshëm.

Viti 2003 është karakterizuar nga një aktivitet intensiv në sektorin e jashtëm të vendit, i shprehur në rritjen e konsiderueshme të të ardhurave dhe të shpenzimeve korente. Deficiti i llogarisë korente vlerësohet të jetë ulur me 2 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë duke arritur në 6.7 për qind të PBB-së. Pozicioni i përgjithshëm i bilancit të pagesave është pozitiv duke bërë që rezervat valutore të vendit të rriten vazhdimisht. Për herë të parë, në muajin dhjetor, niveli i përgjithshëm i tyre kaloi shifrën 1 miliard dollarë amerikanë.

Lexo tekstin e plotë të fjalës së Guvernatorit në Kuvend.